Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMËNÓR,~E mb., libr. 1. Që i përket nënës, i nënës, amtare. Organizmi amënor. Mitra amënore. Gjuha amënore. Shtëpia amënore. Gjiri amënor.
2. Që është veti e nënës, që është tipar dallues i nënës. Dashuri (ndjenjë) amënore. Kujdes amënor. Dëshirat amënore. Sakrifica amënore. Shqetësimi amënor.
3. gjeol. Që është në vendin e ngjizjes së vet fillestare; rrënjësor, burimor, origjinar. Shkëmb (formacion) amënor. Shtresë amënore. Gurrë amënore.
4. bujq. Që është lënë për farë, për mbjellje, për pllenim; që është lënë për shtesë, për shtim (për pyllëzim). Shalqi amënor. Domate amënore.
✱Sin.: amtare, nënor, rrënjësor, burimor, origjinar.
FRYTËZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Mbjellje e tokës që të japë prodhim; kultivim. Frytëzimi i tokave.
2. Përdorje e diçkaje për një punë të dobishme; shfrytëzim. Frytëzimi i mjeteve rrethanore.
3. Pllenim. Frytëzim artificial.
4. Të dhënët fryt (për bimët e për drurët). Vëzhgonte frytëzimin e pemëve.
✱Sin.: mbjellje, shfrytëzim, pllenim.
LÍRË (i, e) mb. 1. Që gëzon liri, që nuk është i pushtuar, i shtypur a i shfrytëzuar, që nuk është i robëruar; i pavarur; i çliruar. Popull i lirë. Vend (shtet) i lirë. Krahinë (zonë) e lirë. Qytetar i lirë. Jetë e lirë.
2. Që nuk është i burgosur, i internuar ose i arrestuar. Ishte i lirë.
3. Që ka të drejtën a mundësinë të veprojë sipas dëshirës së vet; që sillet a vepron në mënyrë të natyrshme, pa druajtje e pa ndonjë shtrëngim. Njeri i lirë. Është i lirë të bëjë si të dojë. E ndjen veten të lirë në skenë.
4. Që është i lëshuar, që nuk mbahet i lidhur ose i mbyllur, që nuk pengohet. Qentë janë të lirë. Kuajt i lanë të lirë në kullotë.
5. edhe fig. Që nuk kufizohet, nuk pengohet a nuk ndalohet nga dikush a nga diçka. Kalim (shteg) i lirë. Zgjedhje të lira. Gjueti e lirë. Det i lirë pjesa e detit ku anijet mund të lundrojnë lirisht si në hapësira asnjanëse. Tregti (shitje) e lirë. Bisedë e lirë. Energji e lirë (fiz.). Pllenim i lirë (bot.). Kryqëzim i lirë i bimëve (bot.). Me sy të lirë pa përdorur mjete të tjera për të parë. Shkëmbim i lirë mendimesh. Rruga ishte e lirë. Hyrja është e lirë mund të hyjë kushdo pa pasur ftesë a biletë.
6. Që bëhet lehtë e pa ndonjë vështirësi; që nuk është ose nuk bëhet sipas disa rregullave a kërkesave të prera e të pandryshueshme; që mund të vendoset, të lëvizë a të ndryshojë sipas dëshirës e pa ndonjë kufizim. Frymëmarrje e lirë. Lëvizje të lira. Përkthim i lirë përkthim që nuk bëhet fjalë për fjalë sipas origjinalit. Gjuajtje e lirë (sport.) gjuajtje në futboll ose në basketboll, gjatë së cilës kundërshtari nuk ka të drejtë të sulmojë a të ndërhyjë. Lojtar i lirë (sport.) lojtar i vijës së mbrojtjes në lojën e futbollit, i cili nuk mbulon ndonjë lojtar të vijës së sulmit të skuadrës kundërshtare, por u vjen në ndihmë mbrojtësve të skuadrës së tij kur u ikën ndonjë sulmues për të shënuar gol. Mundje e lirë (sport.) mundje, gjatë së cilës ata që ndeshen kanë të drejtë të kapin kundërshtarin në çdo pjesë të trupit, t'i përdredhin gjymtyrët etj. deri sa të mposhtet ndonjëri prej tyre. Stil i lirë (sport.) stil noti në garat e shpejtësisë, ku notarët mund të notojnë në mënyra të ndryshme. Ushtrime me trup të lirë (sport.) ushtrime gjimnastikore që bëhen duke lëvizur pjesët e ndryshme të trupit në mënyra e në drejtime të ndryshme. Ushtar i lirë (shah.) ushtar në lojën e shahut, që nuk ka përpara në kolonën e tij ndonjë ushtar të anës kundërshtare. Togfjalësh i lirë (gjuh.). Theks i lirë (gjuh.). Rendi i lirë i fjalëve (gjuh.) vendosja e fjalëve në fjali jo sipas një rendi të caktuar e të pandryshueshëm. Varg i lirë (let.). Trup i lirë (fiz.) trup që lëviz në hapësirë kur vepron një forcë mbi të. Rënia e lirë e trupit (fiz.) rënia e një trupi nën veprimin e forcës tërheqëse të Tokës ose nën ndikimin e forcës së rëndesës.
7. edhe fig. I zbrazët, pa njeri a pa sende; që nuk është i zënë, që nuk përdoret nga ndokush e mund të shfrytëzohet nga ndokush tjetër a për diçka tjetër; që ka mbetur bosh dhe nuk është zënë ende nga dikush tjetër; ende i paplotësuar; kund. i zënë. Dhomë (shtëpi) e lirë. Kishte disa vende të lira në sallë. Hapësirë (fushë) e lirë. Karrige e lirë. Telefoni është i lirë. Para (mjete monetare) të lira (fin.). Vend i lirë në organikë.
8. Që nuk është i lidhur fort; që nuk është i shtrënguar ose që nuk është i puthitur sipas trupit a pas një pjese të tij; i gjerë; kund. i shtrënguar, i ngushtë. Rrip i lirë. Lidhje e lirë. I ka këpucët (rrobat) të lira.
9. Që nuk është i zënë me ndonjë punë a me diçka tjetër; kund. i zënë. Koha e lirë. Ditën e kam të lirë. Nuk kanë asnjë orë të lirë. Sot jam i lirë.
10. spec. Që nuk lëviz pjesë të tjera të një mekanizmi; që nuk lidhet a nuk bashkohet me ndonjë pjesë tjetër. Rrotë e lirë me dhëmbëza (mek.). Thekë të lira (bot.). Organ i lirë (bot.) organ që nuk është i ngjitur me trupin e një bime.
11. kim., fiz. Që nuk është në lidhje kimike me diçka tjetër; që është ndarë nga atomet duke u zhvendosur në hapësirën midis dy atomeve. Gaz (oksigjen, azot, squfur) i lirë. Elektron i lirë (fiz.).
12. Që kushton pak, që shitet me çmim të ulët; i vogël, i ulët (për çmimin); kund. i shtrenjtë. Prodhim (mall) i lirë. Këpucë të mira e të lira.
13. fig. Që nuk është i kursyer, që i lëshon fjalët pa u përmbajtur; kund. i shtrënguar, i shtrenjtë. I lirë në fjalë, i shtrënguar në hesap. (fj. u.).
14. si em. m. e f. Sipas kuptimeve1, 8, 12, 13 të mbiemrit.
✱Sin.: i pavarur, liriplotë, i çliruar, i lëshuar, i zgjidhur, i çlirët, i liruar, i shpenguar, i zbrazët, i pazënë, i qëruar, i çelur, i çelët, i hapur, i pashtrënguar, i lirshëm, i shkrehur, i shtendosur, i dëlirë, i zgjidhur, i paputhitur, i papunë, i pakufizuar, i padetyrueshëm, i vogël, i ulët, i pakursyer.
♦ Me *dorë të lirë. Gjeti (ka) *fushë të lirë (dikush). Gjeti *shesh të lirë (dikush). Ka *dorë të lirë (dikush). E ka dorën të lirë (dikush) është dorëlëshuar, nuk e kursen paranë; e jep a e lëshon lehtë diçka; kund. e ka dorën të shtrënguar. Ka dorë të lirë (dikush) nuk e pengon asgjë dhe askush, është i lirë të veprojë sipas dëshirës së vet për të bërë diçka, mund të veprojë si të dojë. I lë *dorë të lirë (dikujt). I lë *fushë të lirë (dikujt a diçkaje). I lë *rrugë (udhë) të lirë (dikujt a diçkaje). I la *shesh të lirë (dikujt a diçkaje). I lirë në *miell e i shtrenjtë në krunde (dikush). I lirë në *djathë e i shtrenjtë në hirrë (dikush).
PARTENOKARPÍ,~A f., bot. Formimi i frytit pa pllenim të farës.
PJALMÍM,~I m., bot. Veprimi kur pjalmon ose kur pjalmohet. Pjalmimi me anë të bletëve. Pjalmim i drejtë pjalmim që bëhet ndërmjet organeve mashkullore e femërore të së njëjtës lule. Pjalmim i zhdrejtë (i kryqëzuar, i tërthortë) pjalmim që bëhet kur pjalmi vjen nga një lule tjetër, i sjellë nga era, nga bletët etj.
✱Sin.: endëzim, polenizim, pllenim.
PLLENÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. biol. Veprimi kur pllenoj ose kur pllenohet. Pllenim artificial (i kryqëzuar). Pllenimi i vezores. Pllenimi i pemëve. Bëhet pllenimi.
2. përmb. Bagëtia që ka pjellë, kafshët pëlleja. Ndajnë pllenimin nga shterpëria (nga shterpat).
✱Sin.: fekondim, mbarsje, ndërzim, barrësim, përçitje, ethje, shkelje, pjalmim, endëzim, pëllatë, frytëzim.
POLISPERMÍ,~A f., biol. Pllenim i qelizës vezore me shumë spermatozoide.
SHKÉLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur shkel dikë a diçka ose kur shkelim; prekje, shtypje. Shkelja e barit e dëmtoi fushën e futbollit.
2. Gjendja kur zëmë nën vete dikë a diçka. Akoma i kujtohej shkelja e këmbës.
3. Veprimi kur shtypim rrushin, ullinjtë etj. Ishte koha e shtypjes së rrushit. Shtypja e ullinjve i mora shumë kohë.
4. Rrahja në dërstilë e shajakut, e velenxave etj. Shkelja e shajakut duhet bërë në kohën e duhur.
5. Pushtimi i një vendi nga të huajt. Shkelja e vatanit.
6. Dhunim a cenim i normave, i ligjit etj.; veprim në kundërshtim me traditat, zakonet e vendit; kund. respektim. Shkelje e lehtë (e rëndë, e hapët). Efektet e shkeljeve. Shkelje e fshehtësisë së votimit. Shkelje e sovranitetit. Shkelje financiare. Shkelja e afateve. Shkelje disiplinore (drejt.) shkelje të së drejtës që bën një nëpunës gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij zyrtare. Shkelje e së drejtës (drejt.) veprimet e shtetasve ose të personave zyrtarë, që janë në kundërshtim me ligjin, me normën juridike. Shkelje juridiko-civile (drejt.) cenim i normave që rregullojnë marrëdhëniet dhe interesat e institucioneve, të organizatave dhe të shtetasve.
7. Pllenim i shpendëve. Shkelja e pulave nuk ishte bërë, sepse nuk kishte gjel.
✱Sin.: shtypje, ndrysje, dërstilim, hekurosje, arritje, shitim, pllenim, dhunim, përdhunim, cenim, prishje, thyerje, mosrespektim, shmangie, pushtim, mbyllje.
SPERMATOZOÍD,~I m. sh. ~Ë,~ ËT fiziol. 1. Qelizë mashkullore e spermës që zotëron një numër kromozomesh sa gjysma e atyre që ndodhen në qelizat e tjera të trupit dhe që është e aftë të pllenojë qelizën seksuale femërore. Gjatë procesit të spermatogjenezës, spermatocitet ndahen dhe transformohen në spermatozoide të pjekura.
2. bot. Gametë mashkullore e lëvizshme që prodhojnë bimët e rendit të ulët për pllenim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë