Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
TABÁN,~II m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shtresë dheu nën pjesën e shkrifët e të butë të tokës; tokë e fortë dhe e ngjeshur që përbën themelin e një ndërtese; capë, truall. Taban i fortë. Tabani i tokës (i lumit, i pusit, i kanalit). Hapën tabanët e themeleve. Shtëpi me taban shtëpi përdhese pa dysheme, shtëpi që ka si dysheme truallin. Tokë me taban të thellë (të cekët). E punuan tokën deri në taban. Tokë pa taban tokë që është e paqëndrueshme, tokë që rrëshqet. Mos ndërtoni në atë brinjë se është tokë pa taban. Taban kanali (bujq.) bazë e kanalit nëpër të cilën rrjedh uji, që ndërtohet pingul me kanalin shkarkues.
2. fig. Truall mbi të cilin lind, krijohet, ngrihet a mbështetet diçka, mbështetje e fortë dhe e sigurt. Tabani kombëtar. I ka rrënjët në tabanin popullor.
3. anat. Shputë e këmbës, shuall i këmbës, patomë. Këmbë me taban të sheshtë dystaban, këmbësheshtë. Tabanët e këmbëve. Më përvëlojnë (më dhembin, më djegin) tabanët. Shkel me taban. Shpoi tabanët, ngaqë ecte zbathur.
4. Pjesë e këpucës ku mbështetet shputa e këmbës; shuall që i vihet këpucës nga poshtë. Taban i sheshtë. Tabanët e këpucëve. Shket me taban. I ranë tabanët. I ishin ngrënë tabanët e këpucëve. U hedh këpucëve tabanë të rinj.
5. Kapak i kokës, but, shesh i kokës. E goditi (e qëlloi, i ra) në taban. I kishte rënë flaku në taban.
6. det. Kallumë barke. Rregulluan tabanin e barkës.
7. bised. Qytë e pushkës. Tabani i pushkës. Ushtari e goditi (i ra) me taban.
8. ndërt. Tra i trashë i çatisë mbi të cilin mbështeten trarët e tjerë. Hodhi (vuri) tabanët e shtëpisë. Taban i dyshemesë tra kryesor që vihet kryq në radhën e trarëve dhe që shërben si mbështetje e tyre; kryetra.
9. Qerpiç i gjatë i qemerit të furrës së kaminës.
✱Sin.: capë, truall, shuall, shputë, patomë, pllaz, çafkë, çaçkë, but, qytë, kallumë, tra, kryetra, qerpiç.
♦ Më iku (më luajti) tabani (*kapaku) i kokës. I nxori tabanin (diçkaje). 1. E mbaroi diçka, e hëngri a e piu krejt, s’la asnjë grimë a asnjë pikë; i nxori (i gjeti) fundin. 2. I shkoi deri në fund diçkaje, e zbuloi me themel; e shqyrtoi diçka mirë, e njohu me rrënjë, e pa thellë; i nxori (i zbuloi) rrënjët; i shkoi (iu fut) në taban; i nxori ujët. I puth tabanin (dikujt) vjet. i përulem, e nderoj me përulësi dikë. I shkoi (iu fut) në taban (diçkaje) shih i nxori tabanin2 (diçkaje).
TURÍ,~RI m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. Pjesë e përparme e kokës së kafshëve, që është zakonisht e zgjatur dhe ka gojën, nofullat e hundën. Turi i zgjatur (i shtypur). Me turi të kuq (të bardhë). Turiri i dhelprës. Turiri i deles (i kalit, i lopës, i gomarit). Turiri i qenit (i maces, i miut). Me pika në turi. Futi turinjtë në kovë. I vuri viçit shportëz në turi. U vuri qeve shportëza në turinj.
2. Pjesë e zgjatur poshtë ose përpara e kokës së disa kafshëve, noçkë, feçkë. Turiri i derrit (i elefantit). Të gjithë derrat një turi kanë. (fj. u.) të gjithë të këqijtë njësoj janë.
3. keq., shar. Fytyrë e njeriut; surrat. Zgjati turinjtë. E goditi turinjve. Ia përplasi derën në turi. E ka turirin si të miut. S’ia sheh dot turirin. U bë edhe turiri i tij të shajë! I është bërë turiri si hoshaf është fishkur (rrudhur). Duket nga turiri merret vesh, duket, kuptohet që është njeri i keq. I ka mbetur turiri sa një dylekëshe është dobësuar shumë.
4. Pjesa e përparme dhe zakonisht e dalë e automobilit, e traktorit, e lokomotivës etj. Turiri i kamionit (i veturës). Ekskavator me turi çeliku.
5. Përdhec i parmendës, pllaz.
♦ Ra mbi turinj (dikush) e pësoi keq, mori atë që meritonte; theu turinjtë. Fut turinjtë (dikush) keq. shih fut hundët (hundën) (dikush) keq. Me *hundë e me turinj keq. Nuk ka turi (dikush) mospërf. shih nuk ka hundë (dikush) mospërf. E ka turirin dy *tulla e një plithar (dikush) përçm. Nuk m’i ktheu turinjtë (dikush) keq. nuk kishte guxim për t’u ballafaquar me mua, ishte fajtor. Mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) turinjtë (dikush) shih mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) buzët (dikush). Ia përplasi në turi (dikujt) mospërf. shih ia përplasi në fytyrë (dikujt) mospërf. Ia përsheshi turinjtë (*hundët) (dikujt) përb. Shikoji turinë dhe vëri kusinë (dikujt) përçm. është shpirtkeq, siç ka fytyrën ka dhe shpirtin; jepi atë që i takon. Me turinj varur shih me hundë varur (të varura). Theu turinjtë (dikush). 1. shih theu hundët (dikush). 2. Pësoi dështim të plotë, e pësoi keq, u dëmtua rëndë në vend që të kishte ndonjë përfitim. I theu turinjtë (dikujt) përçm. 1. E rrahu mirë dikë, e shqepi, e zhdëpi; ia përsheshi turinjtë përb.; i theu dhëmbët; i theu hundët; i përsheshi hundët përb. 2. E kundërshtoi me forcë e me të egër një mendjemadh dhe e detyroi të heshtë, të tërhiqet a të pranojë diçka, e detyroi me zor të ulë kokën i mundur, i shtruar e i bindur; i theu dhëmbët; i theu hundët. I vari (i lëshoi) turinjtë (një pëllëmbë) (dikush) shih i vari (i lëshoi) hundët (një pëllëmbë) (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë