Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KUVÉND,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bisedë e lirë dhe e shtruar që bëhet me dikë, bisedim, bashkëbisedim; fjalë. Kuvend i gjatë. Hyri (ra) në kuvend. Zë (hap, mbyll) kuvendin. Lidh (çel) kuvend. U mblodhën në kuvend. Foli në kuvend. As fjalë, as kuvend. Bëj kuvend kuvendoj, bisedoj. E kemi bërë me kuvend e kemi bërë me fjalë. Lidh kuvendin me dikë lidh fjalën. Sipas vendit bëhet edhe kuvendi. (fj. u.). Gjej vendin e bëj kuvendin. (fj. u.). Mikut i lëshohet vendi dhe i dëgjohet kuvendi. (fj. u.).
2. Mbledhje e gjerë e popullit, ku rrihen e shkëmbehen lirisht mendime për probleme të rëndësishme politike e shoqërore; përmb. të gjithë ata që marrin pjesë në një mbledhje të tillë. U mblodh gjithë fshati në kuvend. Folën e diskutuan gjatë në kuvend.
3. etnogr. Mbledhje ku marrin pjesë burra të mençur e të urtë për të shqyrtuar e për të zgjidhur çështje të rëndësishme të krahinës, të fshatit a të fisit të tyre, edhe sipas kanunit; përmb. të gjithë ata që marrin pjesë në këtë mbledhje; pleqësi, këshill, mbledhi. Kuvendi i burrave. Kuvend pajtimesh. Në këto kuvende të pleqnarëve. U mblodh (e vendosi) kuvendi. E shtruan në kuvend. Iu lut kuvendit të pleqve. Normat e kuvendeve të burrave. Në log të kuvendit. U rrit midis kuvendit të burrave. Për kuvend janë burrat me thinja. Kuvendi i parend bahet pa mend! Trimërinë mbas lufte dhe urtësinë mbas kuvendit s’e ha as qeni. (fj. u.).
4. hist. Mbledhje e përfaqësuesve të zgjedhur të shqiptarëve ku diskutohej dhe merreshin vendime për çështje të rëndësishme, veçanërisht për kombin a shtetin; përmbl. të gjithë ata që merrnin pjesë në një mbledhje të tillë. Kuvendi i Lezhës (1444). Kuvendi i Dukagjinit (1602). Kuvendi i Arbërit (1703). Kuvendi i Flamurit të Kurbinit (1906). Kuvendi i Vlorës (1912). Kuvendi i përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit. Thirri kuvendin e quajtur “Besëlidhja e Sinjës”.
5. zyrt. Organi më i lartë ligjvënës i zgjedhur nga populli në Republikën e Shqipërisë dhe në atë të Kosovës, që përbëhet nga një numër i caktuar deputetësh me mandat katërvjeçar; bised., përmb. gjithë deputetët e një legjislature; ndërtesa ku zhvillon punimet ky organ; parlament. Kuvendi i Shqipërisë (i Kosovës). Kuvend shumëpartiak. Kuvendi u mblodh në seancë plenare. Kryetari i Kuvendit. Komisionet e përhershme të Kuvendit. Legjislaturat e Kuvendit. Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Shqipërisë (të Kosovës). Betimi i deputetëve të Kuvendit. Lulishtja para Kuvendit.
6. Formë e organizimit të anëtarëve të një partie politike dhe të drejtimit të saj, mënyrë e bashkimit të njerëzve sipas profesioneve etj.; asamble, sindikatë. Kuvendi i nëndegës së partisë. Drejtues i kuvendit themelues të partisë. U mandatua për në kuvendin kombëtar të partisë. Kuvendi i dytë i Sindikatave të Pavarura. Kuvendi i Odës (i Dhomës) së Avokatëve.
7. Veprimtari e gjerë shkencore kushtuar një fushe të caktuar kërkimore-shkencore, ku marrin pjesë dhe paraqitin punimet e tyre studiues dhe specialistë vendas e të huaj; tubim shkencor, simpozium, konferencë, kongres. Kuvend shkencor. Kuvendi i parë (i dytë) i studimeve ilire. Kuvendi ndërkombëtar i studimeve albanologjike. Kuvend mbarëkombëtar. Kuvendi i tretë i studimeve arbëreshe. Në kuvend morën pjesë shumë studiues nga diaspora.
8. fet. Vendi a ndërtesa ku banojnë murgjit e murgeshat e një urdhri katolik; manastir; përmb. njerëzit që banojnë në këtë ndërtesë; përmb. mbledhja që zhvillojnë ata. Kuvendi françeskan (domenikan, karmelitan). Kuvendi i murgeshave. U ndërtuan shumë kuvende. E diskutuan në kuvend. Kuvendi i fretërve në Troshan.
🞺Sin.: bisedim, bashkëbisedim, kuvendim, fjalë, mbledhje, tubim, parlament, asamble, sindikatë, simpozium, konferencë, kongres, manastir.
♦ S’ha kuvend (dikush) nuk flitet dot me të, nuk i dëgjon fjalët e të tjerëve; nuk pranon, nuk bindet; s’ha (s’merr) pykë. S’ka *fjalë e kuvend (për diçka). Është i *gishtit e i kuvendit (dikush). Nuk lidhet (nuk thyhet) në kuvend (dikush) shih të rrëmben fjalën nga goja (dikush). S’rri në kuvend (dikush) nuk e mban fjalën, e ha fjalën e dhënë, e dredh; luan nga fjala. Shtrohem në kuvend (me dikë) pranoj të flas e të merrem vesh me dikë për diçka; pajtohem me të. E shtroj kuvendin (me dikë) flas qetë e me mirëkuptim me dikë dhe arrij të merrem vesh me të; flas shtruar me të. U thyen në kuvend s’u morën vesh me njëri-tjetrin, s’ranë në ujdi; u acaruan; i thartuan fjalët; kund. u shtruan në kuvend. Sipas *vendit bën kuvendin (dikush).
PLEQËRÍ,~A f. 1. Mosha e njeriut kur është plak, vitet në këtë moshë; të qenët plak, gjendja e dikujt kur është plak. Pleqëri e bardhë (e gëzuar). Pleqëri e parakohshme. Shenja pleqërie. I afroi pleqëria. Pleqëri e shkuar moshë kur dikush është shumë plak. E zuri pleqëria u plak. E kaloi pleqërinë në vendlindje. Nuk punove në të ri, rri e qaj në pleqëri. (fj. u.). Puno sa je i ri që të kesh jorgan për pleqëri. (fj. u.). Bukë e pleqërisë mbruhet në të ritë. (fj. u.). Nuk mëson kali revan në pleqëri. (fj. u.). Kali nuk merr revan në pleqëri. (fj. u.).
2. përmb. Tërësia e pleqve, pleqtë. U mblodh pleqëria.
3. fig. Etapa e fundit e jetës dhe e zhvillimit të diçkaje. U ka ardhur pleqëria dhe mobilieve.
4. edhe sh. ~, ~TË hist. Pleqësi2. Pleqëritë e katundeve. Ndau pleqëri. Bëri pleqëri pleqëroi.
PLEQËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË etnogr. 1. përmb. Këshill burrash, të zgjedhur në një fshat që zgjidhnin çështje të ndryshme a një mosmarrëveshje; kuvendi i pleqve. Pleqësia e fshatit. E zgjidhi pleqësia.
2. Organ drejtues i një shoqërie, i një klubi etj., që përbëhej prej njerëzish të zgjedhur. Pleqësia e klubit (e shoqërisë, e kishës). Mbledhja e pleqësisë.
3. Puna që bënte ai që ishte vënë si plak; gjykim i urtë e i matur prej plakut; pleqësim, pleqërim. Bëri pleqësi e pleqëroi një punë. Ndau pleqësi. Punonin me pleqësi punonin me mirëkuptim e duke u këshilluar njëri me tjetrin, jo secili sipas kokës së vet.
4. Parësi e përgjegjësi në mbarështimin e diçkaje, drejtim. Kur vdiste plaku, pleqësinë e merrte plaka e shtëpisë.
✱Sin.: kuvend, parësi, urti, pleqëri, pleqni, këshill, gjykim, pleqësim, pleqërim, drejtim.
URTÍ,~A f. 1. Të qenët i matur në sjellje, në gjykim e në veprime; urtësi. Urtia e popullit. Urtia e pleqve. Flet me urti. Sillet (vepron) me urti.
2. përmb., etnogr. Këshilli i pleqve, që jepte mendim për një çështje, sipas përvojës dhe sipas zakoneve të vendit; pleqësi. E hodhën (e qitën) në urti punën.
✱Sin.: urtësi, pleqësi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë