Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LIGJËRÍM,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ligjëroj, kur flas në mënyrë të zgjeruar e të qëllimshme mbi një temë; mbajtja e një ligjërate a e një fjale para të tjerëve. Ligjërimi i tij në kuvend zgjati mbi një orë.
2. gjuh. Gjuha e gjallë kur e flasim a e shkruajmë, gjuha në çastin e përdorimit të saj nga njerëzit. Gjuha dhe ligjërimi. Stili i ligjërimit.
3. gjuh. Variant i gjuhës me disa veçori dalluese, që përcaktohen nga rrethanat në të cilat bëhet kumtimi dhe nga qëllimi i kumtimit; stil i gjuhës; mënyrë të foluri; mënyra e shqiptimit në të folur. Ligjërimi letrar ligjërim i normëzuar që përdoret nga njerëzit e shkolluar, gjuhë letrare. Ligjërimi bisedor. Ligjërimi libror. Ligjërimi poetik. Ligjërimi i thjeshtë. Ligjërimi dialektor. Ligjërim tregimtar. Ligjërim i plotë (i lirë). Ligjërim i hollë (i trashë).
4. E folme; gjuhë. Ligjërimi i krahinës (i fshatit). Ligjërimet arbëreshe.
5. Kuvend, bisedë. U mblodhën në ligjërim.
6. fig. Zëri i disa zogjve që këndojnë ose cicërojnë bukur, kënga e zogjve; shushurimë a fëshfërimë e ëmbël që të ngjall kënaqësi. Ligjërimi i bilbilit. Dëgjohej ligjërimi i lumit (i drurëve, i pyllit).
✱Sin.: e folur, lexim, fjalim, shqyrtim, kuvendim, pleqërim, këndim, cicërimë, shushurimë, fëshfërimë, e folme, gjuhë, stil, shqiptim, kuvend, bisedë.
PLEQËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË etnogr. 1. përmb. Këshill burrash, të zgjedhur në një fshat që zgjidhnin çështje të ndryshme a një mosmarrëveshje; kuvendi i pleqve. Pleqësia e fshatit. E zgjidhi pleqësia.
2. Organ drejtues i një shoqërie, i një klubi etj., që përbëhej prej njerëzish të zgjedhur. Pleqësia e klubit (e shoqërisë, e kishës). Mbledhja e pleqësisë.
3. Puna që bënte ai që ishte vënë si plak; gjykim i urtë e i matur prej plakut; pleqësim, pleqërim. Bëri pleqësi e pleqëroi një punë. Ndau pleqësi. Punonin me pleqësi punonin me mirëkuptim e duke u këshilluar njëri me tjetrin, jo secili sipas kokës së vet.
4. Parësi e përgjegjësi në mbarështimin e diçkaje, drejtim. Kur vdiste plaku, pleqësinë e merrte plaka e shtëpisë.
✱Sin.: kuvend, parësi, urti, pleqëri, pleqni, këshill, gjykim, pleqësim, pleqërim, drejtim.
VENDÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Qëndrim i prerë e përfundimtar që mbahet për një punë a çështje pas shqyrtimit të saj; përfundimi i arritur për diçka pasi e kemi parë e diskutuar atë; ajo gjë që është vendosur të bëhet a të kryhet. Vendim i arsyeshëm. Mori (një) vendim vendosi. I dha vendim diçkaje vendosi për diçka. I rri një vendimi. U tërhoq nga vendimi që kishte marrë. Zbatoi (çoi në vend, shkeli) vendimin.
2. Rregull a urdhëresë për çështje të rëndësishme që nxjerr një organ qeveritar si dhe institucionet vartëse; tërësi masash që caktohen nga një institucion, nga një mbledhje etj. dhe që duhet të zbatohen patjetër. Mori (nxori) një vendim. Zbatoi (çoi në vend) vendimin. Urdhër (vendim) i ministrit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Vendimi i mëparshëm shfuqizohet.
3. drejt. Mendimi përfundimtar që i jep zgjidhje çështjes në shqyrtim; një organ gjyqësor pas gjykimit të çështjes, masa a zgjidhja përfundimtare dhe e prerë që jep gjykata për një çështje që ka shqyrtuar. Vendim gjyqësor. Vendim i prerë. Vendim fajësie (pafajësie). Me vendim gjyqi. Shpalli vendimin (drejt.).
✱Sin.: caktim, akt, urdhër, urdhëresë, udhëzim, kushtetim, karar, pleqërim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë