Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PËRGJÍTHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i përbashkët ose karakteristik për një tërësi njerëzish, sendesh a dukurish, që u përket të gjithëve ose një numri të madh njerëzish, sendesh etj.; kund. i veçantë; i posaçëm. Parime të përgjithshme. Tipare (karakteristika) të përgjithshme. Trajta më e përgjithshme e një fjale. Mënyra më e përgjithshme e shqiptimit. Rregull i përgjithshëm.
2. Që përfshin të gjithë anëtarët e një popullsie, të një grupi njerëzish etj.; që bëhet për të gjithë njerëzit ose nga të gjithë njerëzit; kund. i pjesshëm. Votim i përgjithshëm dhe i fshehtë. Arsim i përgjithshëm. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
3. Që prek diçka në tërësi, që e përfshin të tërën që ndodh ose që bëhet në përpjesëtime të gjera a në një hapësirë të madhe, që e përfshin të gjithë. Mobilizim i përgjithshëm. Rrëmujë e përgjithshme. Dobësi e përgjithshme e organizmit.
4. Që përfshin të gjitha sendet a dukuritë e një kategorie pa përjashtim; që bëhet në mënyrë tërësore dhe rrënjësore, i plotë; kund. i pjesshëm. Pastrim i përgjithshëm. Kontroll i përgjithshëm.
5. Që merret në tërësi, që merret i gjithë, tërësor. Prodhimi i përgjithshëm industrial. Vëllimi i përgjithshëm i qarkullimit të mallrave. Numri i përgjithshëm i popullsisë.
6. Që lidhet drejtpërdrejt me pjesën më të madhe të popullit, që i përket gjithë popullit ose shumicës dërrmuese të tij, që është i të gjithëve, që ka të bëjë me gjithë shoqërinë; që është pranuar nga të gjithë; kund. vetjak. Lumturia (e mira) e përgjithshme. Mendimi i përgjithshëm. Interesi i përgjithshëm.
7. Që ka të bëjë me natyrën, me botën reale e me shoqërinë në tërësi; që e formon njeriun në përgjithësi; kund. i veçantë; profesional. Ligjet e përgjithshme të natyrës (të shoqërisë). Kulturë e përgjithshme. Arsim i përgjithshëm. Lëndët e kulturës së përgjithshme.
8. Që është a që bëhet në përgjithësi, që nuk hyn në hollësira. Në vija të përgjithshme. Diskutim i përgjithshëm. I shtroi çështjet në mënyrë të përgjithshme. U shpreh me fjalë të përgjithshme. Si rregull e përgjithshme...
9. Që është në krye të të gjitha degëve a të të gjitha hallkave organizative të një administrate, të një ushtrie etj.; që udhëheq gjithë veprimtarinë e një organi a të një organizate. Komandanti i përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm.
10. mjek. Që prek të gjithë trupin; që vepron mbi të gjithë trupin; kund. i pjesshëm. Sëmundje e përgjithshme. Mpirje e përgjithshme. Bar (helm) me veprim të përgjithshëm.
11. tek. Që është ndërtuar për të kryer punë nga më të ndryshmet, i gjithanshëm, universal; kund. special.
12. shkenc. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa shkencave që merren me studimin e parimeve themelore, teorike dhe përfshijnë konceptet themelore ose japin njohuritë kryesore në fusha të caktuara. Gjeografia e përgjithshme. Historia e përgjithshme. Biologjia e përgjithshme. Kimia e përgjithshme. Gjuhësia e përgjithshme.
13. gjuh. Që emërton një klasë të tërë qeniesh të gjalla, sendesh a dukurish, sipas tipareve të tyre të përbashkëta; kund. i përveçëm. Emër i përgjithshëm (p.sh. njeri, dele, ujk, libër, shkollë, liri, lumturi etj.).
14. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa specialistëve, që punojnë në një fushë të gjerë të veprimtarisë, të prodhimit etj., që nuk janë të specializuar vetëm për një fushë të ngushtë: Agronom i përgjithshëm. Mjek i përgjithshëm. Gjeolog i përgjithshëm.
✱Sin.: i gjithmbarshëm, i gjithunjishëm, i gjithësishëm, i gjithanshëm, universal, frontal, botor, publik, plenar, tërësor, i tërësishëm, total, global, grumbullor, i plotë, kapital, panoramik, i përbashkët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë