Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GËRSHETÚAR (i, e) mb. 1. Që është bërë gërshet; që është thurur si gërshet. Flokë të gërshetuar. Fije të gërshetuara.
2. fig. Që është lidhur a është pleksur në mënyrë të harmonishme me diçka tjetër (për veprime, me ngjarje etj.), i ndërthurur. Veprime të gërshetuara. Ngjarje të gërshetuara. Veprojnë të gërshetuar.
✱Sin.: i thurur, i ndërthurur.
LËMSH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Një sasi penjsh të mbledhur si top; diçka e rrumbullakët si top a si gogël; rruzull. Lëmsh leshi (pambuku). Dy lëmshe spango. Lëmsh dheu (dëbore). Lëmsh gjalpi top gjalpi. Lëmshi i syrit. vjet. kokërdhoku. Lëmshet e topit. vjet. gjylet e topit. Lëmshet e gjakut. vjet. rruazat e kuqe e të bardha të gjakut. Lëmshet e njeriut. bised. herdhet. E mblodhi turrën lëmsh.
2. astr., gjeogr. Trup qiellor i rrumbullakët, rruzull. Lëmshi tokësor (diellor). Lëmsh i zjarrtë. Lëmshi i Tokës (i Diellit, i Hënës).
3. fig. Diçka që është pleksur në mënyrë të ngatërruar, pleksje, thurje, ndërlikim. Një lëmsh mendimesh (ndjenjash). Lëmsh intrigash (kontradiktash). U bë puna lëmsh u ngatërrua keq, u bë lesh e li.
4. fig. Shtrëngim që ndien njeriu në grykë kur tronditet ose kur hidhërohet shumë, saqë nuk flet dot e nuk përcillet lirisht; komb, nyjë. Kam një lëmsh në fyt. Ndien një lëmsh në grykë.
✱Sin.: top, topth, gogël, lëmak, kokël, xhumbë, boçe, bramsh, palmuç, rruazë, rruzull, pleksje, ndërlikim, shtrëngim, komb, shuk, bungë, nyjë, kruspull, kakrruk, topuz, rrëmujë, çorbë, përshesh, trumë, thes.
♦ Është bërë lëmsh. 1. (dikush) U mblodh (nga frika, nga të ftohtit etj.); u bë një dorë; u bë (një) grusht; u bë shuk; u bë gogël. 2. (diçka) Është ngatërruar keq; është pështjelluar; është bërë rrëmujë; është bërë lëmsh e lesh; është bërë lesh e li; është bërë lesh arapi. U bëfsh lëmsh! mallk. vdeksh!; e pësofsh keq e më keq! M’u bë (një) lëmsh (në grykë) u ngashëreva shumë; ndiej një dëshpërim a mallëngjim të thellë, sa më zihet fryma; m’u mblodh (një) lëmsh (në grykë); m’u bë nyjë (në grykë); m’u bë lak në fyt (në grykë). U bë lëmsh e lesh (diçka) shih është bërë lëmsh2 (diçka). M’u bë mendja (koka) lëmsh shih m’u bë mendja (koka) dhallë. E bëri lëmsh (diçka) e ngatërroi keq (një punë, një çështje etj.), e pështjelloi; e bëri rrëmujë; e bëri lesh arapi; e bëri lesh e li; e bëri çorbë; s’ia gjen fillin (diçkaje); ia drodhi litarin (dikujt). E bëri lëmsh e lesh (diçka) shih e bëri lëmsh (diçka). E ka lëmsh në thes (dikë) shih e sjell (e luan) në majë të gishtit (majë gishtave) (dikë). Kam një lëmsh në zemër (në gjoks, në kraharor) më mundon a më shqetëson shumë diçka, kam diçka që më bën të vuaj shpirtërisht; kam një ankth; kam një gur në zemër. E kap lëmshin nga *peri (dikush). Nuk ia kap *perin lëmshit (dikush). E la lëmsh në vend (dikë) e vrau, e la të vdekur; e la top në vend; e la thes në vend. Lëmsh me nyje (diçka) shih udhë e përpjetë. I mbajnë *anën e lëmshit (njëri-tjetrit). Mbeti lëmsh në vend (dikush) ra e vdiq menjëherë; ra pa ndjenja; mbeti top (në vend); mbeti thes (në vend). Iu mblodh (iu mbështoll) lëmshi (dikujt) po i afrohet fundi; po i mbaron jeta, është shumë plak; po i vjen vdekja; iu mblodh litari; i ka ditët të numëruara (dikush); i ka vdekur ora; e hëngri çairin (dikush); i ka të paka bukët (dikush); iu mblodh (iu mbështoll) kapistalli tall. M’u mblodh (një) lëmsh (në grykë) më zuri një hidhërim a një ankth e më shtrëngon, më mundon sa më zë frymën; m’u bë (një) lëmsh (në grykë); m’u bë (m’u mblodh) nyjë (në grykë); m’u bë lak në fyt (në grykë). M’u mblodh zemra *lëmsh. U ngatërrua lëmshi shih u ngatërruan fijet. Ngatërron lëmshin (dikush) shih ngatërron fijet (dikush). Sillet si lëmshi në shoshë (dikush) sillet kot, vjen vërdallë pa bërë ndonjë punë të dobishme; sorollatet; sillet si kali në lëmë. E sjell si lëmshi në shoshë (dikë) e sorollat pa i mbaruar punë, e sjell poshtë e lart; e sjell vërdallë; e luan në litar; e luan (e sjell) në majë të gishtit (të gishtave). U shthur lëmshi u prish rregulli e disiplina, s’i mban dot më njerëzit ose nuk e ndal dot tatëpjetën e diçkaje; i iku filli; i iku llaca krahin.
NDËRLÍKSUR (i, e) mb. Që është ndërliksur, që është pleksur me një tjetër; i ngatërruar, i koklavitur. Flokë të ndërliksur. Lëmsh i ndërliksur. Tema të ndërliksura.
✱Sin.: i pleksur, i ngatërruar, i koklavitur.
NDËRLIKÚAR (i, e) mb. 1. Që përbëhet nga shumë pjesë të ndërthurura në mënyrë të ngatërruar midis tyre; që ka shumë anë a tipare të ndryshme, të pleksura midis tyre; kund. i thjeshtë. Mekanizëm i ndërlikuar. Figurë e ndërlikuar. Zbukurime të ndërlikuara. Sistem (proces) i ndërlikuar. Natyrë e ndërlikuar. Përbërje (skemë) e ndërlikuar. Portrete psikologjike të ndërlikuara. Procedura (reforma) të ndërlikuara. Kafshët e ndërlikuara (zool.) kafshë që kanë arritur një fazë të lartë zhvillimi biologjik.
2. Që është i vështirë për t’u kuptuar ose për t’u zgjidhur, që ka ndërlikime, i ngatërruar, i koklavitur; kund. i çndërlikuar. Gjuhë e ndërlikuar. Ushtrim (problem) i ndërlikuar. Detyrë (çështje, situatë) e ndërlikuar. Rrethana të ndërlikuara. Operacion i ndërlikuar. Transaksione financiare të ndërlikuara. Nga më primitivet e deri te më të ndërlikuarat.
✱Sin.: i thurur, i ndërthurur, i ngatërruar, i koklavitur, problematik, i pleksur, kompleks, i stërholluar.
NGATËRRÚAR (i, e) mb. 1. Që është lidhur a bërë bashkë pa rregull, i koklavitur; kund. i çngatërruar, i shkoklavitur. Me flokë të ngatërruar. Lëmsh i ngatërruar. Fletë të ngatërruara.
2. fig. I vështirë për t’u kuptuar a për t’u zgjidhur, i paqartë; i ndërlikuar, i koklavitur. Shprehje të ngatërruara. Mendime (ide) të ngatërruara. Gjendje (punë) e ngatërruar. Ushtrime (probleme) të ngatërruara. Çështje të ngatërruara.
3. I zënë e i grindur me njerëzit. I ngatërruar me të gjithë lagjen.
✱Sin.: i koklavitur, i pleksur, i mpleksur, i korkolepsur, i rrëmujshëm, i turbullt, i ndërliksur, i paqartë, ujem, i vëngër, i ndërlikuar, i vështirë, i stërholluar, i shpupurishur, i shprishur, i tutëluar, i tollovitur, i pështjelluar, i pashkoqitur, i çatrafiluar, i sëkëlldisur, i shkartisur, i trazuar, i çoroditur, i shpupuritur, i rrëmihur.
PAPLÉKSUR (i, e) mb. Që nuk është i pleksur; i pangatërruar, i papërzier; kund. i pleksur.
✱Sin.: i pangatërruar, i papërzier.
PLÉKSUR (i, e) mb. Që është i lidhur me diçka tjetër sa nuk zgjidhet dot, i ngatërruar; i thurur; kund. i shpleksur. Fije e pleksur. Me gërsheta të pleksura.
✱Sin.: i thurur, i gërshetuar, i ngatërruar, i kapërthyer, i ndërlikur, i ndërliksur, i ndërthurur.
THÚRUR (i, e) mb. 1. Që është me gardh, i rrethuar me gardh, i gardhuar. Vend (oborr) i thurur.
2. Që është bërë duke thurur njëra me tjetrën dy a me shumë fije, thupra etj. Me flokë të thurur me flokë të bërë gërshet.
3. Që është bërë me thurje, jo i endur. Pëlhurë e thurur. Bluzë e thurur.
✱Sin.: i gardhuar, i endur, i ndërlikuar, i gërshetuar, i mpleksur, i pleksur, i kurdisur, i sajuar, i trilluar, lëmsh.
ZHVJÉLL vep., ZHVÓLLA, ZHVJÉLLUR kal. Zhdërvjell një lëmsh a diçka tjetër të pleksur ose të ngatërruar; çmbështjell; kund. mbështjell. - Zhville lëmshin tani!
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë