Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AEROHARTOGRÁF,~I m. sh. ~Ë, ~ËT gjeogr. 1. Aparat stereo me projektim optiko-mekanik që shërben për të krijuar harta gjeografike me ndihmën e regjistrimeve nga ajri.
2. Specialist që merret me hartografimin a me krijimin e hartave për gjeodezi, për urbanistikë, për studime mjedisore, për plane urbane, për monitorimin e ndryshimeve në mjedis, duke përdorur fotografi të bëra nga avionët ose nga satelitët.
AFATSHKÚRTËR mb. 1. Që zgjat a që vepron një periudhë të shkurtër kohore (disa ditë, javë ose muaj), që zakonisht nënkupton veprime, plane ose synime që realizohen ose përmbushen brenda një kohe të shkurtër; kund. afatgjatë, afatlargët. Punësim afatshkurtër. Gëzim afatshkurtër.
2. Që kërkon pak kohë për t’u kryer; që duhet shlyer pas pak kohe (për një detyrim etj.). Marrëveshje afatshkurtër. Kredi afatshkurtër. Investim afatshkurtër. Zhvillim afatshkurtër.
AFRÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka ndjenjë afrie me dikë a me diçka. Marrëdhënie të afrishme.
2. Që ka ngjashmëri me dikë e me diçka. Gjuhë (dialekte, të folme) të afrishme. Kanë plane të afrishme.
3. mat. Që i ruajnë drejtëzat a sipërfaqet paralele si të tilla gjatë shndërrimeve. Shndërrime të afrishme. Gjeometria e afrishme degë e gjeometrisë që merret me vetitë e figurave gjeometrike, të cilat ruhen gjatë shndërrimeve.
✱Sin.: i afërsishëm, i ngjashëm, i përngjashëm, i përafërt, i krahasueshëm.
AFËRSÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. I përafërt. Plane të afërsishme. Mendime të afërsishme. Qëndrim i afërsishëm.
AGRESÍV,~E mb. 1. Që ka të bëjë me agresionin, që i shërben agresionit; që ka si qëllim agresionin, që ka tiparet e agresionit. Bllok (traktat) agresiv. Shtet agresiv. Luftë (politikë) agresive. Plane (qëllime, veprime) agresive. Trupa agresive. Sulm agresiv. Provokim agresiv.
2. Sulmues, goditës, armiqësor. Qëndrim (ton) agresiv. Tip agresiv. Njeri agresiv. Sjellje agresive. Gjuhë agresive. Sëmundje agresive. Ishte shumë agresiv.
3. spec. Që ka veprim të fortë gërryes. Lëndë agresive. Mjedis (ujë) agresiv.
✱Sin.: sulmues, goditës, agresor, armiqësor, gërryes, shkatërrues.
AMBICIÓZ,~E mb., libr. Që ka ambicie të madhe, vendosmëri, përkushtim për të arritur sukses, pushtet, pozitë, njohje apo qëllime të larta, që ushqen ambicie të sëmurë; që shtyhet a që niset nga një ambicie. Njeri ambicioz. Plane (qëllime, dëshira) ambicioze. Me shpirt ambicioz.
✱Sin.: mëtues, synues, pretendues, këmbëngulës, i vendosur, lakmues, lakmitar.
BASHKËRENDÍTUR (i, e) mb. 1. I bashkërenduar; i koordinuar. Veprime (plane) të bashkërenditura. Sulm i bashkërenditur. Në mënyrë të bashkërenditur.
2. gjuh. Që është i lidhur me bashkërenditje me një njësi tjetër gjuhësore (me fjali ose me gjymtyrë fjalie). Fjali (gjymtyrë) të bashkërenditura.
DYKÓHËSH,~E mb. 1. Që punon me dy kohë, që vihet në lëvizje me dy kohë (për motorët). Motor dykohësh.
2.Që i përket dy kohëve; që realizohet në dy kohë. Argumentim dykohësh. Subjekt dykohësh. Narracion dykohësh
3. muz. Që përmban dy rrahje ose dy goditje në çdo masë muzikore; që ndahet në dy kohë të barabarta, ku zakonisht e para është e fortë dhe e dyta e dobët. Ritëm dykohësh. Shenja të masës dykohëshe. Valle rrethore me masë dykohëshe. 2/4 është metër dykohësh i thjeshtë.
4. gjuh. Që shpreh dy plane kohore; që ndërthur dy kohë gramatikore në një ndërtim foljor. (p. sh. kishte ardhur që dje dhe ende po priste.).
ÉRRËT (i, e) mb. 1. Që është pa dritë; që merr shumë pak dritë; kund. i ndriçuar. Natë e errët natë pa hënë. Dhomë e errët edhe foto. Shkallë të errëta. Shpellë e errët. Pyll i errët. Qiell i errët qiell i mbuluar me re. Pus i errët shumë i errët.
2. Që ka ngjyrë të afërt me të zezën; i mbyllur; kund. i hapur, i çelur. Ngjyrë e errët. E kuqe (blu, e gjelbër) e errët. Kostum (stof) i errët. Syze të errëta. Do t’u vija çarçafë të errët bujtësve. Flokë të errët të dendur.
3. fig. Që është i vështirë për t’u kuptuar ose për t’u shpjeguar, i paqartë; kund. i qartë. Vepër e errët. Pika të errëta. Periudhë e errët. Çështje e errët. Perspektivë e errët. Koncept shumë i errët. Lanë shumë pika të paqarta dhe të errëta.
4. fig. Që ka diçka jo të mirë a të fshehtë; që vepron në fshehtësi për qëllime të këqija. Punë të errëta. Qëllime (synime, plane) të errëta. Me rrugë (me mënyra) të errëta.
5. fig. Që është i mbushur me shqetësime e me vuajtje. E kaluara e errët. Në shekujt e errët (në vitet e errëta) të diktaturës. Kohët e errëta që kanë kapërcyer dy popujt.
6. fig. Që sjell prapambetje e padituri. Regjim i errët. Forcat e errëta. Norma të errëta kanunore. Botëkuptime të errëta.
7. fig. I vrenjtur, i ngrysur. Fytyrë e errët. Vështrim i errët.
✱Sin.: i errësuar, errëtak, i errur, i errshëm, i nxirë, i vrenjtur, i mjegulluar, i mbyllur, i ngrysur, i paqartë, i pakuptueshëm, i fshehtë, i panjohur, i dyshimtë.
♦ Në *ditë të errët. Me *mendje të errët. E sheh me *syze të errëta (diçka) libr.
ÉTHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është si në ethe, që bëhet si me ethe. Gjendje e ethshme. Sy të ethshëm. Ditë e ethshme. Vështrim i ethshëm. Në mënyrë të ethshme. Mendim i ethshëm.
2. Që bëhet në mënyrë shumë të ngutshme. Veprimtari (fushatë) e ethshme. Përpjekje (përgatitje, plane) të ethshme. Sulm i ethshëm.
FANTASTÍK,~E mb. 1. Që është në përfytyrimin e njeriut, që ekziston vetëm në imagjinatën e njeriut; që s’ta kap dot mendja, që të duket jo i vërtetë, por që mund të ndodhë në të ardhmen; që mbështetet në imagjinatën krijuese. Ëndërr fantastike. Roman (tregim) fantastik. Plane fantastike.
2. Që është pjellë e fantazisë; që nuk mund të jetë i vërtetë, që nuk mund të ndodhë. Ngjarje fantastike.
3. Që të mahnit me pamjen, me cilësitë a me tiparet e tij; që ka veti të jashtëzakonshme; i mrekullueshëm. Vend fantastik. Bukuri fantastike. Shpejtësi fantastike.
✱Sin.: imagjinar, i krijuar, i trilluar, i pabesueshëm, i ëndërrt, utopik, përrallor.
GAT/ÚAJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ngjesh me dorë a me një mjet një lëndë të shkrifët ose të ngurtë dhe e zbut me ujë a me diçka tjetër të lëngshme; përziej një lëndë të shkrifët me ujë a me diçka të lëngshme dhe e ngjesh. Gatuaj brumin. Gatuajnë bukë. Gatuajnë bukë gruri (misri). Gatuan baltën (llaçin, allçinë, betonin).
2. Bëj diçka për të ngrënë, përgatit gjellët. Gatuan mirë (keq). Gatuaj shpesh. Gatuaj drekë e darkë. - Po si do ta gatuajmë këtë mish? Gatuan në kuzhinë (në shtëpi). Gatuan për katër veta. Kuzhinë për të gatuar.
3. fig., keq. Thur diçka në mendje; krijoj, sajoj; sendërgjoj, trilloj. Gatuan plane. Gatuan në mendje. - Ç’gatuan në kokë? Ai gatuan projekte, platforma ekonomike.
4. fig., bised. Organizoj, bëj diçka zakonisht të keqe. - Kush e ka gatuar këtë punë?
5. fig. Edukoj, brumos, mbruj. Ai u gatua me dashurinë për zogjtë e pyllit.
6. fig., bised. Ndreq, rregulloj, vë në vijë diçka. E gatuan më mirë. S’paska gatuar gjë.
✱Sin.: përgatis, bëj, zë, ziej, krijoj, sajoj, trilloj, sendërtoj, edukoj, brumos, mbruj, ndreq, rregulloj.
♦ *Bluan e s’gatuan (dikush). *Shosh e sit e nuk gatuan (dikush).
GJEODEZÍ,~A f. 1. Shkenca që studion trajtën e Tokës, që përcakton përmasat e saj dhe që merret me matje të ndryshme të sipërfaqes për ta pasqyruar në plane dhe në harta. Sektori i gjeodezisë.
2. Lëndë mësimore, që jep njohuritë e nevojshme të kësaj shkence në shkollë; bised. teksti që përmban këto njohuri. Libri i gjeodezisë. Mësuesi i gjeodezisë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë