Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁJK/Ë,~AI f. 1. Shtresë e yndyrshme që zë përsipër qumështi, pasi e ziejmë dhe e lëmë në një enë. Ajkë e trashë. Ajkë e ëmbël. Ajkë e freskët. Ajka e qumështit. Kos me ajkë. Zë (vë) ajkë. Ajkë e zier. I marr (i heq) ajkën qumështit. Lyej bukën me ajkë. Pite me ajkë. Ajkë e zier me miell misri. Rrah ajkën për të zënë gjalpin, tëlyenin.
2. Shtresë e sipërme e yndyrshme e gjellës, kafesë etj. Jam i velitur nga ajka e gjellës. Më mundon ajka e supës. Gjellë me ajkë. Piva kafenë me ajkë.
✱Sin.: yndyrë, mazë, kajmak, krem, cipë, petë, vemesë, mesë, grykë, shtalpë, vigël, faqore.
♦ E ka gojën ajkë (dikush) është gojëmbël, flet butë e me dashuri; nxjerr sheqer nga goja; i buron (i nxjerr) goja mjaltë (dikujt); është melhem për plagë; kund. e ka gojën hudhër keq. Merr ajkën (e jo shkumën) (dikush) di të dallojë e të zgjedhë më të mirën; sheh anën e mirë të dikujt a të diçkaje; nuk gënjehet nga dukja; është i thellë. Është rritur me ajkën e qumështit (me ajkë qumështi) (dikush) shih është rritur me thelpinj arre (dikush). Ta shet shkumën për ajkë (dikush) shih te SHKUM/Ë,~A; ta shet ujin për raki (për verë) (dikush).
ANTH,~IIII m. sh. ~E, ~ET bot. (lat. Foeniculum, Anethum graveolens) Bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të drejtë e të degëzuar, me gjethe të vogla e shumë të holla treshe, që përdoret si erëz në ushqimet; kopër, netërz erërëndë. Një tufë anthi. Anth për gjellë. Anthi i egër. Anthi i ëmbël. Pite me djathë e anth.
✱Sin.: anetë, arishte, dereot, maraj, moraçë, nedër, netër, netërz, rozenë.
BLÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Apis mellifica) Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin dhe polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bashi i bletës ama e bletës, matka. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bar blete (bot.). Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Lule blete (bot.). Zog blete (zool.). Rritja e bletëve. Zukasin bletët. Bletë e egër bletë e pazbutur ose bletë e ikur nga zgjoi që vendoset në ndonjë zgavër druri ose shkëmbi. Bletë mjaltëse bletë e zbutur që prodhon mjaltë dhe dyllë. Bletë punëtore bletë shterpë që mbledh ushqim dhe mirëmban zgjoin. Bletë bij, bletë, bij, / Hajde hyrë në zgjua të ri. (folk.). Ai që ka mizën në kësulë, ka vjedhur bletën. (fj. u). Miza nuk bëhet bletë. (fj. u). Edhe bleta është mizë, po bën mjaltë. (fj. u). Bleta, para se të bëjë mjaltin, bën dyllin. (fj. u.).
2. përmb. Tërësia e këtyre mizave që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
✱Sin.: mjalcë, mjaltëz, zgjua.
♦ Kur të bëhet grerëza bletë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë. Ia bëri bletë (dikujt) e trullosi, duke ia ngatërruar keq diçka; ia mori mendtë; ia bëri lëmsh. Bletë e plotë. 1. Plot, me të gjithë ata që duhen; së bashku dhe të pasur e të lumtur (për një familje etj.). 2. Me shumicë; me bollëk të mirash. Bletë shkëmbi njeri i padobishëm, që nuk jep fryte në punë; kalli pa bukë. Bletë e vjetër njeri me përvojë të madhe në jetë, njeri që vepron me maturi e pjekuri; (burrë) katërqind dërhemë. Bletë e vulosur njeri në gjendje shumë të mirë ekonomike, me shumë kamje, i pasur e i sigurt. Sa çon bleta me flatër shumë pak; sa mban miza me dy krahë; ç’mban gallofi me dy krahë. *Koshere (zgjua) bletësh. S’e marr arëzën për bletë s’e ngatërroj të ligun me të mirin; s’e marr të keqen për të mirë; nuk ma hedh dot dikush, nuk mashtrohem nga diçka; s’e ha (s’e marr) sapunin për djathë. Mbledh me *bar blete. *Zgjua (koshere) bletësh.
BUGÁÇ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET gjell. Lloj gatese për mëngjes, e përgatitur me tri petë me miell gruri, të lyera midis tyre me gjalpë e të pjekura në furrë, që shërbehet më pas e mëlkuar sërish me gjalpë të shkrirë e të nxehtë brenda në simite a në pite. Bugaçe Elbasani. Bugaçe e butë. Bugaçe e pjekur mirë. Simite me bugaçe. Hëngri një bugaçe.
BÚK/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ushqim që bëhet me miell drithi të gatuar me ujë e të pjekur në furrë a në saç; një copë e veçantë e këtij ushqimi e gatuar me forma të ndryshme dhe e pjekur; brumë i ngjeshur e i nderë në tepsi për t’u pjekur. Bukë e grunjtë (e misërt, e thekërt). Bukë e pjekur (e papjekur). Bukë e zezë bukë me miell gruri të pasitur; bukë thekre. Bukë e ardhur. Bukë e ndorme bukë pa brumë të tharbtë. Bukë e mbrume bukë me brumë të zënë. Bukë e lashtë bukë që gatuhet me miell të lashtash. Bukë e shuguruar (fet.) naforë. Bukë meli. Bukë himesh. Bukë çerepi (saçi). Bukë shtëpie bukë e gatuar dhe e pjekur në shtëpi. Bukë qeni bukë e gatuar me krunde (për qen etj.). Bukë me brumë. Bukë me qiqra. Bukë me djathë (me gjalpë). Bukë thatë. Kore (thembër, tul) buke. Thërrime buke. Brumë (maja) buke. Vetull buke një copë nga pjesa e anës së një buke të rrumbullakët. Një gjysmë (një çerek) buke. Një copë (një kafshatë) bukë. Thikë buke. Tepsi buke. Magjja e bukës. Dollap buke. Furrë buke. Dyqani i bukës. Fabrika e bukës. Shitësja e bukës. Drithëra buke. Rrezja e bukës cilësia e miellit të bukës. Myku i bukës. Zia e bukës. Për atë bukë! (bet.). Pasha bukën! (bet.). Zë (ngjesh, mbruj) bukën. Vjen buka. Hedh bukët në furrë. Pres (thyej, ndaj) bukën. Bukë derri bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe vezake e me lule në ngjyrë trëndafili a të bardha, që rritet nëpër shkurre e çel në vjeshtë. Bukë mali (bot.) një lloj lakre e ëmbël fletët e së cilës bëhen gjellë. Nuk piqet buka me shkarpa. (fj. u.). Buka pa përtypur nuk kapërcehet. (fj. u.). Kush ha bukë, bën edhe thërrime. (fj. u.). Buka që thyhet, s'ngjitet më. (fj. u.). Shpjer gojën te buka e jo bukën te goja. (fj. u.). Më mirë bukë e hi e në shtëpinë tënde, se revani e në shtëpi të botës. (fj. u.). Kush ka turp punën, mbetet pa bukë. (fj. u.). Nuk hahet buka e bardhë me faqen e nxirë. (fj. u.).
2. vet. sh. ~ËRA, ~ËRAT Copa të vogla buke të mbetura ose të thara. Papare (përshesh) me bukëra.
3. vet. nj. Ushqimi që hamë në mëngjes, në drekë a në darkë, të ngrënët; ushqimi i përditshëm. Koha e bukës. Dhoma (shtëpia) e bukës. Tryezë buke. Bukë e pa bukë herë i ngrënë e herë i uritur. Më hahet (ha) bukë. S’më shkon buka. Jam pa bukë nuk kam ngrënë. Shtroj (ngre) bukën. Lë bukën përgjysmë. Jam (ulem) në bukë. Bëj bukën gati. Ngrihem nga buka. E gjeta në bukë. E la pa bukë. Vuanin për bukë. Më gërryen barku (më gërryejnë zorrët) për bukë. S’kishte as një darkë bukë. Buka e mirë e ka gjellën me vete. (fj. u.). Zanati nuk të lë pa bukë. (fj. u.).
4. vet. nj. Drithë nga i cili bëhet mielli; të korrat e një viti; prodhimi i drithit që mjafton për një vit. Buka e re. Buka e vitit. Tokë buke tokë e punueshme. Nga buka në bukë nga një vit në tjetrin, nga një korrje në tjetrën. E bëjnë bukën vetë. Mbledhin (sigurojnë) bukën. E futën bukën në hambar.
5. vet. nj. Lënda që përbën kokrrën e drithit; palca a zemra e disa drurëve, tuli i disa frutave etj. Buka e arrës. Buka e ullirit. Buka e shtogut. Kalli me (pa) bukë. Lidh bukë. Zë (merr) bukë misri (gruri). Ka bukë. Niseshteja bëhet nga buka e kokrrës së grurit. Kalliri me bukë s’i ngre kryet përpjetë. (fj. u.).
6. Ushqim ose një lëndë a send tjetër që ka trajtën e një rrotulle. Bukë dylli pite dylli. Bukë djathi. Bukë dhjami. Bukë fiku. Buka e lules së diellit koka me fara e lules së diellit. Bukë blete (grerëzash) hoje të rrumbullakëta. Bukë dheu plis dheu në rrënjën e një fidani a të një bime të shkulur.
7. fig. Mjetet më të domosdoshme për jetesë. Mezi nxirrnin (fitonin) bukën. I prenë bukën.
8. vet. nj., fig., vjet. Detyra, shërbimi a nëpunësia që jepte mjetet e jetesës; vendi i punës që jepte një pagë sa për të mbajtur frymën. Në bukë të qeverisë. Hyri në bukë të tjetrit. E nxorën nga buka.
9. vet. nj., fig. Përmbajtje e shëndoshë, thelbi i dobishëm i diçkaje; vlera që jep një punë, vlerë, dobi. Punë (mbledhje, fjalë) pa bukë. Shumë fjalë e pak bukë. (fj. u.).
10. vet. nj., fig. Lënda e parë a lënda kryesore që nevojitet për një degë prodhimi. Buka e industrisë qymyri, nafta etj. Buka e ndërtimit (ndërt.) druri, çimentoja etj.
11. fig., bised. Moshë, vit; koha që nga lindja e një njeriu. I hëngri pesëdhjetë bukë. Është tetëdhjetë vjeç e ca bukësh.
12. etnogr. Gosti, tryezë e mbushur plot. Shtroi një bukë të madhe.
13. etnogr. Besë. Ishte në bukë (të dikujt) ishte në besë të dikujt.
✱Sin.: bukëz, drithë, bereqet, palcë, lëndë, zemër, vlerë, dobi, fryt, bulmet, përfitim.
♦ *Arrë pa bukë mospërf. Për një *bark bukë. Iu bë buka *murriz (dikujt). Bëj bukën kam prodhime a të ardhura të mbara; e siguroj jetesën. E bën bukën *gur (dikush) keq. M’u bë zemra bukë. 1. shih m’u bë zemra mal. 2. U mallëngjeva, u preka shumë; m’u zbut zemra. I bie bukës (së mirës) me *shkelm (me këmbë) (dikush). Bukë pa brumë diçka pa shije; njeri që nuk të tërheq, njeri pa lezet; si gjellë pa kripë. Bukë dylli shumë i verdhë. Bukë egjre diçka e pakëndshme, diçka e pashijshme, gjë bajate; bukë me krunde; gjellë pa kripë. Me bukë të ëmbël! ur. me jetë të lumtur!; me dashuri!; me miqësi të mirë! Për bukën e gojës sa për të jetuar, sa për të mbajtur veten gjallë; për kafshatën e gojës; për një kafshatë bukë; sa për të mbajtur frymën. Buka e një gruri shih buka e një mielli. Si buka që ha me siguri të plotë, pa asnjë dyshim. Buka e kripa (e diçkaje) gjëja më kryesore, gjëja më e domosdoshme; thelbi i diçkaje. Me bukë e kripë (e zemër të bardhë) me ç’të më ndodhet, por me dashuri e me bujari të madhe; me zemër të hapur; me krahë hapur. Bukë me krunde shpërf. diçka e pakëndshme a e pashijshme, diçka e shpëlarë; gjellë pa kripë shpërf. Buka e një mielli njerëz të njëllojtë, të një brumi, si njëri dhe tjetri, me të njëjtin formim, me të njëjtat mendime, virtyte a vese; brumë i një mielli; një bathë e një kokërr; janë të një dore. Buka e përditshme. 1. Mjetet më të domosdoshme për të jetuar, gjithçka e nevojshme për të mbajtur frymën gjallë. 2. Gjëja më e rëndësishme, diçka thelbësore a kryesore, për të cilën kemi nevojë vazhdimisht. Bukë mbi pogaçe diçka e mirë mbi të zakonshmen; diçka më tepër sesa i japin a i takon dikujt; diçka që s’bëhet a që s’i takon dikujt që e kërkon; e mirë mbi të mirat; çaçë mbi bukë; thelë mbi bisht; qiqra në hell. Bukë e thyer shoqëri e miqësi e prishur. Buka e verës astr. ylberi; brezi i qiellit; shoka e kumbarës krahin. Bukë e vjetër mik i vjetër, shok i njohur prej kohësh, me të cilin kam kaluar halle e gëzime së bashku. Një *copë bukë. Për një *copë bukë. *Çaçë mbi bukë krahin. Ka dalë në bukë të vet (dikush) është rritur, ka nisur jetën e vet; është martuar, ka krijuar familjen e vet; është i pavarur nga ana ekonomike. Nuk i digjet buka (dikujt) është i shkathët, i zoti e i kujdesshëm në çdo punë, e bën çdo gjë në kohën e duhur; nuk lë t’i dëmtohet diçka. S’më hahet buka (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, s’më pëlqen të rri a të bëj shoqëri me të. Ha bukë. 1. (diçka) Ka vlerë, sjell dobi, shkon; të siguron mjetet e jetesës. 2. (dikush) Punon diku, ia del të punojë. Nuk ha bukë (diçka) nuk shkon më, nuk ka më vlerë, nuk ecën; nuk e do njeri, nuk e pranojnë; nuk pi ujë. I ha bukën (dikujt) i merr diçka që i takon; ia heq diçka të domosdoshme; i hyn në pjesë. Ka ngrënë bukë e gjak (dikush) e ka kaluar jetën me mundime dhe me vuajtje të mëdha; ka hequr lëngun e ullirit; ka hequr pikën e zezë; ka hequr gurin e gjakut. E ha bukën me *lot. Kam ngrënë bukë e mjaltë (me dikë) kam shkuar shumë mirë me dikë, jam puqur me të e duhemi. Ia ha bukën gomari (dikujt) tall. është shumë i ngathët e i mefshtë, s’i jepet për asgjë; ia merr pula (macja) bukën nga dora; ia ha përsheshin macja; ia ha pula qurrat. E ha bukën *kot (dikush) keq. Sikur ha bukën (gjënë) e vakëfit (dikush) keq. është shumë i dobët në trup e i pafuqishëm; i numërohet uji në gurmaz (dikujt); sikur ka ngrënë egjra; sikur ka ngrënë grera; si i varur në hënëz; ta zësh (ta kapësh) për hunde, i del shpirti (dikujt); është bërë kockë e lëkurë. Ha bukën e përmbys kupën (dikush) nuk ta di të mirën, është mosmirënjohës, është bukëshkalë; ta shkel bukën (me këmbë); i bie bukës (së mirës) me shkelm; ha mjaltin e prish kosheren; të ha shalqinin e të rreh me lëkura; këtej të pi verën e andej të shan derën; kund. e ruan bukën ndër dhëmbë. S’e ha bukën me qime (dikush) është njeri me sedër e i ndershëm. Ha bukën time rroj me djersën time e nuk i bie më qafë njeriu; nuk përzihem me të tjerë, shoh punën time. Ha bukë veç (dikush) është më i mirë a më i zoti se të tjerët, dallon shumë nga të tjerët, as që mund të krahasohet me të tjerët. I ka ngrënë gomari *bukën (dikujt) është shumë i mërzitur, i dëshpëruar e i zymtë, sikur i kanë bërë një të keqe padrejtësisht; sikur i ka ngrënë macja (derri) brumin; sikur i ka vrarë demin. E hëngri *të ëmën e bukës (dikush) përçm. E ka ngrënë turpin me bukë (dikush) nuk turpërohet fare për gjërat e pahijshme që bën, është bërë i pacipë; i ka plasur cipa (e ballit) (dikujt). Ha bukën e vet e bën davanë e botës (dikush) mbahet me punën e vet, por qan hallin e tjetërkujt; përzihet në një punë në të mirë të dikujt tjetër, merret me një punë që nuk i duhet e nuk i përket, futet kot në hallet e në punët e tjetërkujt; ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit keq. vjet. Ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit (dikush) keq. vjet. përzihet në një punë në të mirë të dikujt tjetër, mbron, përkrah a ndihmon jo atë që duhet, por dikë tjetër; futet kot në hallet e në punët e tjetërkujt; ha bukën e vet e bën davanë e botës. S’e ha bukën *thatë (dikush). Kemi ngrënë një *furrë bukë (bashkë). Hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall. thuhet për dikë që nuk bën asnjë punë; pret që çdo gjë t’ia sjellin të tjerët, është dembel; është shtromë të fle, shtymë të bie (dikush); shkofsha në arë e mos gjetsha qetë! tall.; i rëndon kapa mbi kokë (dikujt) iron. I hoqi (i preu) bukën e gojës (dikujt) e la pa punë e pa të ardhura për të jetuar; i hoqi (i preu) kafshatën e gojës. Jam bukë e djathë (me dikë) jam i lidhur fort me dikë, jam mik i ngushtë me të; shkojmë gjithnjë bashkë, nuk ndahemi nga njëri-tjetri; bëhem (jam) bark e shpinë (me dikë). Është tetëdhjetë bukësh, veç kuleçëve (dikush) shaka. është i vjetër në moshë, është tetëdhjetë vjeç e disa muaj mbi të. Të jep bukë (dikush a diçka) është burim të ardhurash për të jetuar, të siguron mjetet e jetesës; të ndihmon, të shërben, vlen; të jep dorë. Për një *kafshatë bukë. E kam bukë e djathë (diçka a dikë) e kam shumë të lehtë ta bëj diçka, mund ta bëjë pa ndonjë vështirësi; e mund lehtë dikë; e kam një kafshatë bukë; nuk e kam për gjë; nuk e kam për gajle (diçka). E ke bukë në çerep (diçka) është punë e mbaruar, do të bëhet patjetër; është plotësisht e sigurt, mos ki asnjë merak; i ka vdekur nëna (diçkaje) bised.; e ke në xhep (diçka). E kam bukë e kripë (dikë a diçka) e dua, e dëshiroj shumë, s’rri dot pa të; mezi e kam; jam me shpirt (pas dikujt a pas diçkaje). I ka *dhëmbët me bukën time (dikush). E ka gojën për bukë (dikush) nuk di të flasë a t’i japë përgjigjen e duhur tjetrit, nuk është i shkathët e i zoti i gojës; nuk është i aftë të kërkojë të drejtën e vet a të kundërshtojë një padrejtësi. (E ka) një *kafshatë buke (dikë a diçka). I ka të pakta bukët (dikush) shih i ka ditët të numëruara (dikush). *Kalli pa bukë mospërf. Për një *krodhë bukë krahin. Kthej bukë etnogr. shkoj për drekë a për darkë te krushku, pasi më ka ardhur ai së pari. Nuk e lidh bukën në torbë (dikush) është zemërmirë e bujar; ndan kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë); e ndan bukën në zjarr; e ndan bukën në çerep; kund. lidh macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Lidh *macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Ia merr pula (macja) bukën nga dora (dikujt) mospërf. është i squllët, i ngathët e i humbur; është fare i pazoti; ia ha bukën gomari; ia ha përsheshin macja; ia ha pula qurrat; i shkon miu në mustaqe. E ndaj bukën (me dikë) i pres marrëdhëniet me dikë, e prish miqësinë, prishem me të. E ndan bukën në *çerep (dikush). E ndan bukën në *zjarr (dikush). Nxjerr bukën e gojës siguroj jetesën me punë; fitoj diçka sa për të jetuar; nxjerr kafshatën e gojës. Përziej bukën etnogr. hyj e ha drekë a darkë për herë të parë te krushku i ri. Pjekin bukë në një *çerep edhe keq. Nuk pjek dy bukë në një hi (dikush) vdes shpejt, nuk i zgjatet agonia, s’e zë e nesërmja. E preu në bukë të vet (dikë) e tradhtoi, nuk e mbajti besën, i doli nga fjala; e hëngri fjalën; e preu (e hëngri) në besë; nuk ka besë. (Iu qep) me bukë në torbë (në trastë) (dikujt) iu qep nga pas pa iu ndarë, iu qep me ngulm, i vendosur për t’i bërë diçka. E ruan bukën ndër dhëmbë (dikush) është mirënjohës, s’e harron nderin që i bën; kund. ha bukën e përmbys kupën. Iu sosën bukët (dikujt) keq. është gati në të vdekur, i erdhi fundi, nuk i ka të gjata, po mbaron; i ka të pakta bukët (dikush); i ka ditët të numëruara (dikush). Të shkel bukën (me këmbë) (dikush) tregohet mosmirënjohës, është bukëshkalë, ta kthen të mirën me të keqe; ha bukën e përmbys kupën. Shkon në bukë të vet (dikush) rritet e nis jetën e vet; martohet e ngre familjen e vet. Shpie *gojën te buka. *Thekër pa bukë keq. Ku i thonë bukës bukë ku flitet shqip; kudo ku ka shqiptarë. U thye buka (me dikë) u prish miqësia me dikë, nuk e dua më si më parë (për shkak të një grindjeje, të një pakënaqësie etj.); u thye zemra. Unë me bukë (me grurë) e ti me gurë unë me të mirë e ti me të keq, nuk je mirënjohës. Do vrarë me bukë në gojë (dikush). 1. keq. Meriton dënimin më të rëndë e pa mëshirë. 2. shaka. Është shumë i shkathët, është dreqi vetë; të argëton me ato që thotë a që bën. E zuri buka (ime) (dikë) e pësoi ashtu si e meritonte, pasi më bëri keq ose nuk qe mirënjohës kur unë e kisha mbrojtur, e kisha ndihmuar, i kisha bërë veç të mira. I zë *dhëmbi bukë (dikujt). Të zëntë *sytë buka! mallk.
BÚKËZ,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Bukë e vogël, e rrumbullakët ose gjatoshe. Bukëza e shërbyer e verëza e matur. (fj. u.) buka duhet të fitohet me punë dhe vera duhet pirë me masë (arb.).
2. Hoje blete a grerëzash që vjen si e rrumbullakët; botkëz, pite. U mbushën bukëzat me mjaltë.
3. Pjesë e tultë e bërthamës së disa frutave si pjeshka, kajsia etj., fara brenda lëvozhgës, thelbi i kokrrës së arrës, të lajthisë, të bajames etj.
✱Sin.: bukë, zemër, palcë, lëndë, fruq.
DÚGUR (i, e) mb. 1. I ndulkët, i zbutur në kashtë etj.. Ftonj të dugur. Vadhëza të dugura. Dardhën e dugur e ha derri (breshka). (fj. u.).
2. I zbutur në yndyrë a në lëng. Pite e dugur.
3. I trashur nga trupi; tepër i shëndoshur. Burrë i dugur. Grua e dugur.
4. fig. I pasur, të peshon me flori (me ar). Familje e dugur.
✱Sin.: i brydhët, fice, i ficur, i ndulkët, i zbrujtur, i qullët, i shëndoshur, i majmur, i trashur, i kamur, i pasur.
DÝLL/Ë,~I m. 1. Lëndë e butë me ngjyrë të verdhë a të bardhë me të cilën bletët bëjnë hojet. Dyllë i verdhë (i bardhë). Dyllë i kuq lëndë me ngjyrë të kuqe, që bëhet nga përzierja e rrëshirës ose e dyllit me lëndë të tjera minerale, që ngurtësohet shpejt dhe që përdoret zakonisht për të vulosur diçka. Dyllë artificial. Dyllë parketi (për dysheme) lëndë e butë për të lyer dërrasat e dyshemesë. Dylli i hojeve (i bletëve). Dyllë për dhëmbë. Pite (bukë) dylli. Letër dylli letër e posaçme, e lyer me një shtrese të hollë dylli, që shërben për të shumëfishuar një tekst të shtypur në makinë shkrimi. Lule dylli (bot.). Dylli bëhet si të duash; kukumjaçkë e dallëndyshe. (fj. u.). Nuse prej lecke, dhëndër prej dylli. (fj. u.).
2. Rrëshira e disa drurëve (si kumbulla, qershia, kajsia etj.); lëngu i trashë si rrëshirë që nxjerr në krye kokrra e fikut kur piqet mirë. Dylli i kumbullës (i qershisë). Sëmundja e dyllit (bot.) sëmundje që u bie disa pemëve (kumbullës, qershisë etj.) dhe që i bën t'u kullojë vende-vende rrëshirë nga trungu.
3. Lënda e butë që mbush kokrrat e drithërave përpara se të piqen plotësisht. Në fazën e dyllit. Është në dyllë gruri (thekra). Kanë rënë në dyllë të lashtat.
4. Lëndë e yndyrshme në ngjyrë të verdhë, që krijohet në kanalin e veshit nga disa gjendra dhjamore; makrosë. Dylli i veshit. I ka zënë veshi dyllë.
5. bised. Ajka e leshit. Dylli i leshit.
♦ U bë dyllë në fytyrë (dikush) u zbeh krejt, u zverdh shumë, u irnos; u bë limon në fytyrë; u bë lule kungulli; u bë ftua në fytyrë; u bë labot krahin. *Bukë dylli. U ndërroj dyllin e veshëve shaka. i pajtoj, i vëllazëroj dy veta që janë grindur mes tyre.
HOLLÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bërja e diçkaje të hollë ose të mprehtë në trup; të holluarit. Hollim me zdrukth. Hollim i majës së lapsit. Hollimi i petëve. Hollimi i telit.
2. edhe fig. Dobësim. Hollimi i kofshëve, prirja më e re e kirurgjisë plastike. Kura më e mirë kundër hollimit dhe rënies së flokëve. Hollimi i kockave është një proces natyral. Hollimi i xhamave ose thënë ndryshe indeksi i xhamave. Hollimi i shtresës së ozonit dhe lidhja me ndryshimet.
3. Ngushtim i një sendi të gjerë. Hollimi i rripit. Hollimi i brezit.
4. Tëhollje e petëve të byrekut. Hollimi i petëve për pite.
5. Të bërët më të hollë, duke i shtuar ujë ose diçka tjetër (për diçka të lëngshme). Hollimi i tretësirave. Hollim i alkoolit. Gjashtë përbërësit natyralë për hollimin e gjakut. Aspirina dhe hollimi i gjakut.
6. fig., vjet. Hollësi; hollësirë; imtësi. E punoi me hollim të madh.
7. krahin. Mjeshtëri; urtësi, shkathtësi.
8. fig. Mprehtësi, urtësi, zgjuarsi. Ka tepër hollim. E punoi me hollim të madh. Nuk jepen të gjitha hollimet.
✱Sin.: petëzim, tëhollje, tëhollim, imtësi, dobësim, tretje, stërhollim, mprehje.
HÚALL,~I m. sh. HÓJE, HÓJET 1. Zgavër e vogël prej dylli, që bëjnë bletët për të grumbulluar mjaltin në zgjoin e tyre; pjesa e dylltë me zgavra të vogla në radhë të rregullta, që u shërben bletëve për mjaltin ose si fole, pite dylli. Hoje me mjaltë. Mjaltë hojesh. Huall bletësh. Huall i zbrazët (i thatë). Hoje grerëzash.
2. si mb. Shumë i ëmbël, mjaltë. Ky rrush është huall.
♦ E ka gojën huall (*mjaltë) (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë