Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
RRUDH vep., ~A, ~UR kal. 1. E bëj me rrudha lëkurën e fytyrës, të dorës etj.; kund. çrrudh. Rrudh ballin. Rrudhi fytyrën. Rrudh sytë mbledh kapakët e syve, picërroj sytë.
2. Ia bëj sipërfaqen me vija a me pala të çrregullta, të ulura e të ngjitura; e bëj me rrudha, e zhubros. I kishte rrudhur rrobat. Sipërfaqen e ujit e rrudhte era.
3. vet. v. III Bën të mblidhet cipa e gojës dhe e gjuhës duke shkaktuar një ndijim të athët e shtrëngues (për pemët e pabëra, për disa pije e ushqime të athëta a të hidhura etj.). Shije që të rrudh gojën (gjuhën).
4. edhe fig. Fishk. Vapa i rrudhi bimët. E kishte rrudhur sëmundja. Kërkojnë të rrudhin mendimin e lirë.
5. edhe fig. I zvogëloj përmasat a i pakësoj forcën e shfaqjes; ndrydh; ngushtoj. Ia rrudhi pushtetin. I rrudh dëshirat.
✱Sin.: rrudhos, zhubros, tkurr, mbledh, picërroj.
♦ Rrudhi (ngrysi) *ballin (dikush). Rrudh (tharton, mbledh, përdredh, shtrembëron) *buzët (dikush). E rrudh (e mbledh) *dorën. E rrudhi (e mblodhi) *gojën (dikush). E rrudhi (e mblodhi) *gjuhën (dikush). Shtrembëron (tharton, rrudh, mbledh, përdredh) *hundën (dikush). Rrudh (mbledh) *krahët. Rrudh (mbledh) *supet. Rrudhi (vari) *vetullat (dikush).
RRËGJ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. vet. v. III E bën të zvogëlohet, e bën të tkurret e të mblidhet pak nga pak; dobëson (një ind). Ia rrëgjoi trupin sëmundja.
2. Picërroj (për sytë). Rrëgjoi sytë prej dritës së fortë.
3. fig. libr. E kthej në një gjendje më të ulët a më të thjeshtë; e ngushtoj, e dobësoj nga një anë. E rrëgjoi punën fare. E rrëgjoi çështjen.
✱Sin.: zvogëloj, tkurr, mpak.
STRUJN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. dhe jokal. Vjedh gjëra të vogla. Strujnonte në shtëpitë e fqinjve. Strujnon ngado që vete. E kishin kuptuar se kush strujnon në klasë.
✱Sin.: vjedh, plaçkit, rucoj, kusaroj, grabis, fucoj, kobis, kobashis, krydh, picas, picërroj, marr, zhvat, përvetësoj, prek, qëroj, qeth, rrëmbej, përlaj, bracoj, rukoj, zgrep, cubnoj, pruaj, trushkyej.
VJEDH vep., VÓDHA, VJÉDHUR 1. kal. I marr dikujt diçka fshehurazi a duke e mashtruar dhe e përvetësoj, marr për vete pa leje e pa të drejtë dhe përdor diçka që s'është imja, që është pronë e dikujt tjetër; bëj një vjedhje. Vidhte para (bagëti). Vidhte natën. Ai që vjedh dënohet.
2. edhe fig., kal. Ia marr dikujt diçka me forcë ose me dinakëri; ia rrëmbej. Pushtuesit na vodhën e na plaçkitën. I vodhi lirinë. I vjedh kohën e lirë.
3. fig., kal. Marr vesh fshehurazi diçka; e mësoj a e marr nga dikush një zanat, një të fshehtë etj. pa e kuptuar ai. I vodhi zanatin. Ia vodhi të fshehtën. Diku ma vodhi veshi. Zanati merret (mësohet) duke e vjedhur.
4. fig., kal. Përvetësoj, paraqit si timen a e quaj timen një ide, një tezë etj. që është e tjetërkujt. Ia vodhi tezat. Vjedhësit e materialeve, të njohur si plagjiatorë, nuk janë të interesuar të punojnë artikuj shkencorë... thjeshtë i vjedhin ato.
✱Sin.: plaçkit, grabis, rrëmbej, kusaroj, marr, zhvat, përlaj, përvetësoj, hajnoj, bracoj, rucoj, fucoj, picërroj, kobashis.
♦ Të vjedh *hundën midis (në mes të) syve (dikush). Të vjedh (të heq) *potkonjtë (dikush). E vjedh me *sy (dikë). Të vjedh *vezët nën klloçkë (dikush).
ZVOGËL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj diçka më të vogël; e pakësoj, e ul, e ngushtoj etj.; e bëj më të shkurtër, e shkurtoj; kund. zmadhoj, rrit, shtoj, zgjeroj. I zvogëluan dritaret. Zvogëloi shpejtësinë. Zvogëloi moshën. Zvogëloi hapin. E zvogëloi trikon. E zvogëloi shumën. Zvogëloi afatet. Po të nisim e të zvogëlojmë forcën e shtypjes, fërkimi vjen e rritet (tek.). Mendja e madhe zvogëlon gojën. (fj. u.).
2. fig. Ia pakësoj a ia ul diçkaje forcën, vlerën, ngjyrën etj., ia ul rëndësinë etj.; e quaj pa rëndësi, e quaj a e paraqit më pak të rëndësishëm nga ç'është në të vërtetë. E zvogëlon rrezikun (fajin). Ia zvogëlon rolin (rëndësinë, ndikimin). Nuk mund të zvogëlohet kështu brenga (stresi). Nuk duhet t’ia mohojmë, madje as t’ia zvogëlojmë vlerat veprës së mirë. Rreziqet duhet t’i zvogëlojmë e jo t’i rritim.
✱Sin.: vogëloj, picërroj, vocërroj, mbledh, tkurr, rrudh, pakësoj, ngushtoj, shkurtoj, mek, ligështoj, rrëgjoj, mpak, zbres, cungoj, përgjysmoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë