Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARK,~U f. sh. ~QE, ~QET 1. Pjesa e trupit të njerëzve a të kafshëve, ku gjenden stomaku, zorrët, mëlçia e zezë dhe organe të tjera; pjesa e trupit të qenieve të gjalla nga gjoksi e poshtë, e kundërt me kurrizin; stomak, mullë. Bark i madh (i fryrë). Bark i lëshuar (mjek.) bark i dhjamosur e me muskuj të dobësuar. Barku i lopës. Bark lundrak (anat.) bark i futur si me hark. Lëkura (cipa) e barkut. Fundi i barkut. Zgavra e barkut. Organet (muskujt) e barkut. Më dhemb (më pret) barku. Iu ënjt (iu fry) barku. E goditi në bark. I është rritur barku. Shtrihem në bark. I ra barku iu ul barku. Më vjen ujët deri në bark. Futet nën barkun e kalit. I vë një tullë të ngrohtë në bark. Iu thaftë lëkura e barkut! (mallk.). S'ngopet barku me fjalën që dëgjon veshi. (fj. u.). Barku na zbardh faqen, barku na thyen qafën. (fj. u.). Pula bëri vezën, gjelit i dhemb barku. (fj. u.). Barku i gjerë, truri i ngushtë. (fj. u.). Mos e mbaj të keqen në bark, se të mbyt. (fj. u.).
2. Stomaku e zorrët si organe ku hyn, qëndron e përpunohet ushqimi. Bark i ngopur (i pangopur). Me barkun plot (të zbrazët, bosh, esëll). E mbushi barkun (me bukë). I plasi barku (nga të ngrënët). Ngopi (fryu) barkun. E gërreu barku për bukë. S'ma do (s'ma nxë) barku. S'kishin gjë në bark. Mbushe barkun, ngarko kurrizin! (fj. u.). Barku mban një tog të liga, goja nuk mban një fjalë. (fj. u.). Edhe zorrët në bark trazohen. (fj. u.). Mos fol me bark, po me tru. (fj. u.).
3. bised. Sasia e ushqimit sa mund të mbajë stomaku. Hëngra një bark fiq. Ç’të bën barku, s’ta bën laku. (fj. u.). Çka s’të ngop syrin, s’të ngop as barkun. (fj. u.). Sa ha syri, nuk ha barku. (fj. u.). Sytë e mëdhenj, barku i vogël. (fj. u.).
4. Zgavra e poshtme e trupit të femrës ku është mitra, pjesa e brendshme ku zhvillohet pjella. Që në bark të nënës. Me bark të mbarë! (ur.) Fryti i barkut fëmija. Kanë lindur nga një bark. Ndrittë barku që e ka mbajtur! (ur.). Shqiptarin nuk e ka nxjerrë lokja prej barkut, por huta prej çarkut. (fj. u.).
5. Tërësia e fëmijëve që lind një nënë me një burrë; tërësia e të vegjëlve që pjell brenda një periudhe një kafshë ose gjithë vezët që bën një shpend a kandërr; pjellë, thark. Barku i parë fëmija i parë. Djalë i barkut djalë jo i gjetur. Familje me disa barqe. U ndanë barqe-barqe. Motër e vëlla nga dy barqe. Fëmijë (vëllezër) të një barku fëmijë (vëllezër) të lindur nga të njëjtët prindër. Barku i fundit fëmija i fundit. Çdokush flet për barkun e vet. (fj. u.).
6. etnogr. Tërësia e fëmijëve që vijnë nga një nënë si lidhje gjinie; tërësia e fëmijëve dhe e pasardhësve të një gjinie, gjiri. Bark i shtuar. Janë të një barku.
7. fig. Brez. Bark pas barku. Kanë kaluar katër barqe.
8. Sipërfaqja e përkulur dhe e harkuar e një sendi, faqja e fryrë e tij; pjesa e fryrë dhe e rrumbullakët e një ene, e një voze etj.; pjesë e dalë. Barku i enës (i shtambës, i vozës). Barku i anijes. Barku i oxhakut. Mur me bark. Sharrë me bark. Lëshon (nxjerr, jep, bën) bark. I vë shishet bark më bark.
9. Pjesa e zgavërt e një sendi, pjesa e brendshme ku futet diçka; gjiri, brendësia, zgrofi. Barku i furrës. Barku i malit (i minierës, i shpellës). Barku i tokës. Në barkun e shkëmbit.
10. vet. nj. Mesi i një periudhe kohe. Në bark të javës (të muajit, të verës, të vitit).
11. bised. Sëmundje që shfaqet me dalje jashtë shpesh e hollë, diarre, euf. nevojë e hollë. Barku i keq (i lig) dizenteria. Barku i verës. E heq (i shkon, i vete) bark. Ka (del) bark. E zu barku. Të jep bark. Vuan nga barku. Ishte me bark. E lau (e griu) barku.
12. fig., bised. Zemra; shpirti. Me gjithë bark. Me bark të plagosur. I kalbur në bark. Më iku barku. S'e kam atë bark. I ka hyrë frika në bark. M'u prish barku. Më plasi barku! (iron.). S'kam bark ta shoh. Më bëhet barku mal. M'u bë xhumbë në bark. Më këputet barku. Më qan barku. Atë që të do barku! (ur.).
✱Sin.: stomak, mullë, pjellë, thark, gjiri, brez, plëndës, brendësi, gji, brendi, e brendshme, diarre, purthë, spirë, amel, shkulë, dizenteri.
♦ Bark pas barku shih brez pas brezi. Bark për barku të bashkuar, njëri pranë tjetrit; kokë më kokë; bythë më bythë bised.; si delet në vathë. Me barkun bosh (të zbrazët) pa ngrënë asgjë; esëll; i uritur; kund. me barkun plot. Për një bark bukë për pak gjë; shumë lirë, për hiçgjë, thuajse falas; për një copë bukë. Me barkun te buza (te goja) shtatzënë në muajin e fundit të barrës. Barku i fundit fëmija që lind i fundit, barra e fundit e fëmijëve të lindur nga një nënë. Me bark të gjerë shih me zemër të gjerë. Që në bark të nënës pa lindur, shumë kohë më parë, pa hapur sytë, pa parë diellin me sy. Barkun *petë e shpatullat (shpinën) drejt (dikush). Me barkun pizgë shih me barkun plot. Me barkun plot i ngrënë, i ngopur; kund. me barkun bosh (të zbrazët). Barku i Shën Mërisë shaka. të gjithë të një gjaku a të një fisi; njerëz të një barku a të një fisi; njerëz me lidhje shumë të ngushtë, njerëz të një dore. Me bark e me shpinë krejt, me të gjithë trupin, që nga koka deri te këmbët, i tëri; këmbë e kokë (e krye); nga koka deri te këmbët; ballë e bisht. Në bark e në shpinë pa bërë asgjë; rehat; kot. Me barkun thatë i uritur, pa vënë një gjë në gojë; me barkun bosh; kund. me barkun plot. *Barrë e vrarë (në bark të nënës). M’u bashkua barku me kurrizin shih m’u ngjit barku për shpine (me kurrizin). M’u bë barku *ahur. M’u bë barku (mulla) *bakër. M’u bë barku *bic. M’u bë barku *daulle. M’u bë barku *dërrasë. M’u bë barku *gropë. M’u bë barku *hambar. E bëri barkun *hambar (dikush). M’u bë barku *kacek. M’u bë barku *kaçup. Iu bë barku *katua (dikujt). M’u bë barku *lerë. M’u bë barku *lodër. M’u bë barku *petë. M’u bë barku *petull. M’u bë barku *përrua. U bë (është) bark e shpinë. 1. (dikush) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). 2. (me dikë) Është i lidhur fort me dikë, është mik i ngushtë me të; është bërë një me dikë, është si një trup i vetëm e i pandarë me të; është bukë e djathë (me dikë). Iu bë barku *rrathë-rrathë (dikujt). M’u bë barku *tupan. M’u bë barku *ujë. Bën bark. 1. (diçka) Përkulet në trajtë të rrumbullakët (për murin etj.); lëshon bark; jep faqeII. 2. (dikush) Ha shumë, ngopet mirë e mirë, dendet; e mbush barkun. E bëri barkun *çizme (dikush). E bëri barkun *daulle (dikush). E bëri barkun *hambar (dikush). E bëri barkun *kacek (dikush). E bëri barkun *kade (dikush). E bëri barkun *pizgë (dikush). E bëri barkun *spathi (dikush) tall. E bëri barkun *tagar (dikush). Ma bëri barkun *ujë (dikush a diçka). Ia bëri *kurrizin (shpinën) më të butë se barkun (dikujt). S’i bie barku (dikujt). 1. Nuk lodhet shumë, nuk tretet nga lodhja. 2. Nuk e prish qejfin e tij, nuk shqetësohet për askënd e për asgjë; nuk e prish terezinë. Mos të rëntë në bark! mallk. mos arrifsh të hash diçka, vdeksh para se ta hash. I ra barku në *bela (dikujt) iron. I bie barkut e shpinës (dikush) përpiqet shumë, bën çmos për të kryer diçka, shfrytëzon çdo mundësi për të arritur diçka. Më ra zemra në bark u preka e u trondita shumë nga diçka e rëndë; u pikëllova thellë, u trishtova; më dhembi (më theri) zemra (në zemër). E bluan në bark (diçka) e mendon mirë e mirë para se të vendosë për diçka, e shoshit mirë, e rreh me vetveten; e bluan në kokë; e bluan në mendje; bluan me mend kund. e merr lehtë (diçka). Çajnë barqet përçm. shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, hahen e zihen vazhdimisht, kanë marrëdhënie shumë të acaruara; (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shtyhen si lopa me mushkën. Më çori barkun (dikush a diçka) shih më hapi barkun1 (dikush a diçka). Nuk m’u dogj barku (për dikë a për diçka) iron. nuk më ha fare meraku për dikë a për diçka; nuk e çaj kokën; nuk më plasi barku; nuk më preu barku; nuk më ha barku përçm.; nuk më hapet barku përçm. Dridhet (luan) barra (*foshnja, fëmija) në barkun e nënës. I dridhen *plaçkat e barkut (dikujt). I dridhen *zorrët e barkut (dikujt). S’ma do barku (dikë a diçka) s’më pëlqen; nuk e honeps dot; nuk e dua; s’ma do (s’ma heq) zemra; kund. më dhemb barku (për dikë). Më dhemb barku (për dikë) e dua shumë; vuaj e bëhem shumë merak për dikë; më dhemb (më ther) zemra (në zemër); kund. s’ma do barku (dikë). Fërkon barkun (dikush). 1. iron. Rri në një gjendje të keqe e pa gjë pasi ka ndodhur diçka që s’duhej të ndodhte, ose është bërë diçka që s’duhej bërë. 2. keq. Kënaqet kur dikush e pëson, kur ndodh diçka e keqe, por e dëshiruar për të; fërkon duart keq. Flet me bark (dikush) është i çiltër e i sinqertë, flet hapur pa fshehur gjë; i ka sahanët pa kapak; s’mban (gjë) në trup; i ka shishet pa mbutojsa. (Ia di, ia njoh) *fundin e barkut (dikujt). I ka futur (i ka shtënë) *lepurin në bark (dikujt). Nuk më ha barku (për dikë a për diçka) përçm. nuk bëhem merak fare për dikë a për diçka, nuk mërzitem a nuk dëshpërohem për askënd e për asgjë; nuk e çaj kokën; nuk më hapet barku; nuk m’u dogj barku! iron.; nuk më plasi barku iron.; nuk më preu barku iron. M’u hap (më iku) barku. 1. U trondita shumë kur pashë diçka të rëndë a tragjike; u frikësova shumë për dikë a për diçka, u tmerrova; m’u hap zemra. 2. U neverita nga diçka e rëndë a e pështirë, më erdhi krupë; m’u shpërdrodh kërthiza. Nuk më hapet barku (për dikë) përçm. s’më ha meraku fare për dikë, as mendoj e as mërzitem për të; nuk ndiej asgjë për dikë, nuk më dhemb për të; nuk e çaj kokën; nuk më ha barku; nuk m’u dogj barku iron.; nuk më plasi barku iron.; nuk më preu barku iron. I hap barkun (dikujt) shih i hap zemrën (dikujt). Më hapi barkun (dikush a diçka). 1. Më ngjalli një ndjenjë dhimbjeje, trishtimi, dëshpërimi, etj. sa nuk e përballoj dot; më shkaktoi një hidhërim të thellë, më pikëlloi shumë, më preku jashtëzakonisht; më plasi barkun; më helmoi zemrën. 2. keq. Më ngjalli neveri, më bëri të më vijë pështirë; më shtiu barkun; më hapi zorrët; më nxori (më shkuli) zorrët; më shtiu (më ngjalli) krupën përb. I ka hyrë *djalli (dreqi) në bark (dikujt). I ka hyrë *lepuri në bark (dikujt). I ka hyrë *maçoku (macja) në bark (dikujt). Është bark e bythë (dikush) përçm. vulg. është trashur shumë, është shëndoshur tepër; për ta ndarë (për ta çarë) më katërsh; s’e nxë as derë, as portë (dikë). Është *gojë e bark (dikush). S’kam bark nuk duroj dot ta shoh diçka, prekem shpejt, lëndohem lehtë, jam zemërdobët; nuk kam zemër. Një bark kam! nuk ha dot më, u ngopa; mos më detyroni të ha më shumë (e thotë dikush që e detyrojnë të hajë me zor). E ka barkun pa *brez (dikush). E kam barkun (zemrën) *të ftohtë2. E ka barkun *të gjerë (dikush). E ka barkun *hambar (dikush). E ka barkun me *këlyshë (dikush) iron. E kam barkun (zemrën) *të ngrohtë. E kam barkun në një *pe. Ka *djallin (dreqin, të paudhin) në bark (dikush). Ka *dhelprën në bark (dikush). Ka *lepurin në bark (dikush). Ka *lubinë në bark (dikush) keq. Ka *macen (maçokun) në bark (dikush). Ka maçokun (*macen) në bark (dikush). Ka *sprijën (në bark) (dikush) krahin. Ka *shiritin (në bark) (dikush). I ka trutë në bark (dikush) nuk arsyeton drejt, nuk i ka trutë aty ku duhet; s’ka tru (në kokë). I këndon *këndesi në bark (dikujt). I ka kënduar gjithnjë *këndesi (dikujt). E ktheu barkun nga *dielli (dikush) përçm. S’na la *zorrë në bark (dikush). *Leshtë e barkut! iron. bised. Pa *lesh në bark. Ia lë *samarin nën bark (dikujt). Lëshon bark (diçka) nis të përkulet në një anë, shtrembërohet; bëhet gati për t’u shembur (një mur etj.); bën bark; jep faqeII. Më mori barkun (dikush a diçka) më preku thellë në atë gjendje të vajtueshme, më mallëngjeu; më trishtoi shumë; më ligështoi; më pikoi në zemër. Marr një bark zjarr ngrohem pak, marr një avull. E merr *vezën në bark të pulës (të sorrës) (dikush). Mbaj barkun me dorëI rri pa ngrënë; mbetem pa ngrënë një kohë të gjatë. Mbaj barkun me dorëII këputem së qeshuri, gajasem; mbaj ijët me dorë; mbaj (zë) brinjët me dorë; më ranë (m’u këputën, shtira) brinjët. Nuk i mban barku (dikujt) shih nuk mban gjë në bark (dikush). Nuk mban gjë në bark (dikush) nuk di të mbajë gjë të fshehtë, i nxjerr të gjitha të fshehtat jashtë; nuk i mban barku (dikujt); i zbraz barkun (dikujt). I mbeti (iu var) *samari nën bark (dikujt). Na mbiu në bark (diçka) na u mërzit (për një gjellë a një ushqim tjetër që e hamë shumë shpesh), të njëjtën gjë po hamë. E mbushi barkun (dikush) u ngop mirë me të ngrënë; e mbushi plëndësin bised.; e mbushi zorrën thjesht.; bën bark2. S’i mbushet barku (dikujt) s’ngopet kurrë, nuk ndien të ngopur; është i babëzitur; e ka barkun pa brez. M’u ngjall në bark (dikush) përb. e kam shumë inat, e urrej, s’e duroj dot; m’u shpif, më shtie krupën. M’u ngjit barku (mulla) për shpine (me kurrizin) ngordha për të ngrënë; m’u tha barku; m’u bë barku petë; më shkoi (më vajti) barku prapa; m’u bashkua barku me kurrizin; m’u tha zorra. S’ma nxë barku (diçka) s’e duroj dot diçka, nuk mundem ta pranoj e të mësohem me të, s’e tret dot, nuk e honeps; s’ma tret (s’ma honeps) stomaku (diçka). Nxori bark e zorrë (dikush) shih nxori zorrët (e barkut) (dikush). Ia nxjerr prej *fundit të barkut (diçka). Iu njom barku (dikujt) euf. lindi fëmijë nusja e shtëpisë që ishte martuar prej kohësh, nuk mbeti pa fëmijë. Nxori *zorrët (e barkut) (dikush). I plasi barku (dikujt) ka ngrënë shumë, u fry së ngrëni. Më plasi barkun (dikush) shih më hapi barkun (dikush). Nuk më plasi barku (për dikë a për diçka) iron. s’dua t’ia di për dikë a për diçka, nuk pyes e nuk më bën fare përshtypje; aq më bën; nuk e çaj kokën; nuk m’u dogj barku; nuk më preu barku; nuk më ha barku përçm.; nuk më hapet barku përçm. Nuk më preu barku (për dikë a për diçka) iron. as që dua t’ia di për dikë a për diçka, s’më merr malli për të; nuk e çaj kokën; nuk m’u dogj barku; nuk më plasi barku; nuk më ha barku përçm.; nuk më hapet barku përçm. I rrëmon barkun (dikujt) përpiqet pak e nga pak dhe vazhdimisht ta prekë dikë në plagët e fshehta e t’i zbulojë ç’ka në zemër; përpiqet të hyjë në të fshehtat e dikujt e t’ia zbulojë. Më rri barku *akull (për dikë). S’i rri gjë në bark (dikujt) keq. shih nuk mban gjë në bark (dikush). Më shkoi (më vajti) në bark (diçka) më pëlqeu, më zuri vend, u ngopa. Më shkoi (më vajti) barku *prapa. Shkula barkun. 1. Fola shumë e bërtita sa munda, por nuk më dëgjoi njeri; më ra gjuha (përtokë); më doli gjuha (nga vendi). 2. Volla shumë; nxora zorrët (zorrët e barkut); nxora bark e zorrë. E shkundi *fundin e barkut (dikush) keq. *Shtatanik në bark të nënës. Më shtiu barkun (dikush a diçka) keq. 1. Më tremb shumë, më tromaks. 2. Më vjen ndot prej dikujt a prej diçkaje, më vjen neveri; kam krupë prej dikujt a prej diçkaje; më hap barkun; më shtie (më ngjall) krupën përb. Më shtrydhi barkun (dikush) më mallëngjeu shumë; ma këputi shpirtin. I tregoi *zorrët e barkut (dikujt). M’u tha barku. 1. Nuk kam ngrënë gjë, e kam barkun bosh; më ka marrë uria shumë; m’u tha zorra; m’u bë barku petë; m’u ngjit barku për shpine (me kurrizin); m’u bashkua barku me kurrizin; më shkoi (më vajti) barku prapa. 2. Mbeta pa fëmijë, nuk lind dot më (për gratë). M’u tha *lëkura e barkut. Thaj barkun rri pa ngrënë, e lë barkun bosh; kursej shumë, ia heq ushqimin gojës; thaj gojën; thaj zorrën bised. Ia thau barkun (dikujt). 1. Nuk i dha gjë të hante, e la pa ngrënë për një kohë të gjatë; ia thau gojën; ia thau zorrën bised. 2. Ia vrau e ia zhduku të gjithë fëmijët; ia la prehrin (vatrën) thatë. E vuri barkun në *dhe (dikush) përb. E vë barkun në *ujë. I vuri *shkelmin (këmbën, gjunjët) në bark (dikujt). Të vret barkun (diçka) iron. të pëlqen shumë diçka, ke qejf (ta kesh, ta hash etj.); të bën mirë, në vend të të bëjë keq. Vret barkun në hije (dikush) iron. shih ngrohet (theket) në diell (dikush). I zbraz barkun (dikujt). 1. Nxjerr gjithçka kam në mendje, ia tregoj dikujt të gjitha të fshehtat; e zbraz thesin; i tregoj zorrët e barkut bised.; (tregoj) edhe qumështin e nënës; nuk më mban barku; nuk mbaj gjë në bark. 2. Nxjerr dufin, shfrej; i shfryj dikujt. 3. I qaj hallin tim dikujt duke ia treguar të gjitha, ia them të gjitha ato që më shqetësojnë; i hap barkun; i zbraz zemrën. Zë barkun. 1. Ha fare pak, sa për të thyer urinë. 2. shih zë zemrën. Zë *fundin e barkut. (Ia di, ia njoh) *zorrët e barkut (dikujt).
GJA/K,~KUIII m. 1. Afri e ngushtë që vjen prej një paraardhësi të përbashkët, farefisni, i afërm; etnogr. lidhje farefisnie nga ana e babait; familje. Lidhje gjaku. Njerëz të një gjaku. Jemi (biem) gjak me të. I shkon për gjak e ka në fis. Gjaku s’bëhet ujë (fj. u.).
2. fig. Prejardhje e përbashkët e njerëzve nga një popull, nga një komb. Ka gjak shqiptari. Është shqiptar prej gjaku. Bashkatdhetarët të një gjaku.
✱Sin.: farefis, farefisni, i afërm, prejardhje.
♦ Është bërë gjak. 1. (diçka). Është skuqur shumë; është bërë plagë (dora, faqja etj.). 2. (dikush). I skuqin faqet nga shëndeti. U bënë gjak u bashkuan fort, u lidhën ngushtë njëri me tjetrin, u shkrinë; u bënë mish e gjak. M’u bë gjaku (zemra) *bozë. T’u bëftë gjak e dhjamë! ur. të bëftë mirë!; t’u bëftë shëndet! M’u bë gjaku *lëng (armeje). M’u bë gjaku *mavi. M’u bë gjaku *petull. M’u bë gjak në sy shih m’u bë halë në sy (dikush). M’u bë gjaku *ujë. S’bëhet gjaku *ujë. S’bën delli gjak nuk bëjnë kurrë të mira njerëzit shpirtligj e dorështrënguar. Bëri *gurin e gjakut (dikush). Bëri gjak (dikush). 1. Theri një kafshë a një shpend për kurban, kur nis një ndërtim etj. 2. Vrau a bëri një dëm të madh. E bëri gjak (diçka) shih e bëri mish e gjak (diçka). Ma bëri gjakun *lëng (armeje) (dikush a diçka). Ma bëri gjakun *ujë (dikush). S’e bëj gjakun *ujë. E bëri *mish e gjak (diçka). E bëri të përmjerë (të vjellë) gjak (dikë) mori hak me dhunë kundër dikujt, u hakmor rëndë duke e rrahur për vdekje; ia mori shpirtin (dikujt); e bëri për vdekje. I ra gjaku (dikujt) u qetësua, u shtrua, nuk është më me inat. Bie në gjak (me dikë) bëhem armik me dikë dhe kam të drejtë të hakmerrem. Më ra (më shkoi) gjaku në fund të këmbëve. 1. U lodha shumë duke ecur ose duke qëndruar më këmbë. 2. U frikësova nga diçka e papritur; u tremba shumë e menjëherë, u tmerrova nga frika, ngriva; u trondita pa masë; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u prish (m’u turbullua) gjaku; m’u ngjiz (m’u mpiks) gjaku. Më ra gjaku në sy. 1. U mundova tepër, u lodha shumë, u këputa, u rraskapita. 2. U inatosa shumë, u tërbova nga zemërimi; më hipi gjaku (në fytyrë); më hipi gjaku në kokë (në tru). I buçet gjaku (dikujt). 1. Është i ri, i shëndetshëm e shumë i gjallë, ka forca e energji të mëdha; i vlon (i zien, i gufon) gjaku. 2. Është gati të shpërthejë për diçka, sa mezi e përmban veten; ka energji e vrull; ka dëshirë të madhe për të bërë diçka, do që të hidhet menjëherë në veprim; i vlon (i zien, i gufon) gjaku; i flakëron gjaku; zien (vlon) përbrenda (dikush). Derdh gjak. 1. Vras a plagos rëndë dikë. 2. shih derdh gjakun (për dikë a për diçka). Derdh gjakun (për dikë a për diçka) sakrifikohem për dikë a për një çështje të madhe, vdes për dikë a për diçka të shenjtë, flijohem; jap (fal) jetën. Është derdhur gjak është bërë luftë e madhe e janë vrarë njerëz; është mbrojtur me gjak diçka; janë bërë përpjekje të mëdha, përleshje e sakritica për të mbrojtur ose për të fituar diçka; shkoi (rrodhi) gjaku lumë; shkoi (rrodhi) gjaku rrëke. As *dhjamë e as gjak. I etur për gjak keq. kriminel, gjakësor, që ka shpirt prej gjakatari. E fali gjakun (dikush) etnogr. hoqi dorë nga vrasja për hakmarrje, e fali gjakësin, nuk kërkon më të marrë hak. I flakëron gjaku (dikujt). 1. Zien e vlon nga zemërimi, është gati të shpërthejë; iu ndez (iu avullua) gjaku; iu nxeh gjaku. 2. Është guximtar i paduruar për t’u hedhur në një rrezik, s’e përmban dot veten, s’pyet; i vlon (i zien, i gufon) gjaku; i buçet gjaku. I ftohu (i uli) gjakrat (dikush) i qetësoi njerëzit që ishin duke u zënë a duke u grindur ashpër me fjalë, bëri që t’u bjerë zemërimi, e qetësoi gjendjen; kund. i ndezi (i nxehu) gjakrat. Iu ftoh gjaku (dikujt). 1. I ra zemërimi, u qetësua; kund. iu ndez (iu avullua) gjaku. 2. Nuk e do më aq shumë dikë ose nuk është më aq i dhënë pas diçkaje. U ftohën (u ulën) gjakrat u qetësuan e u shtruan njerëzit që ishin duke u zënë a duke u grindur ashpër me fjalë, u iku zemërimi, u ra inati; u qetësua gjendja, nuk ka më aq egërsi; kund. u ndezën (u nxehën) gjakrat. Ia ka futur në gjak (dikujt) ka bërë që ai ta kuptojë e ta përvetësojë mirë diçka, t’i hyjë thellë në mendje a në zemër, t’i zërë vend mirë; ia bëri zakon a edukatë; e ka bërë që të dojë e të dëshirojë tepër diçka. Me gjak të butë. 1. I urtë e i shtruar, gjakbutë. 2. Shtruar, pa u nxehur e pa u acaruar; me të urtë. Me gjak të ftohtë. 1. I qetë, i përmbajtur, që nuk nxehet e nuk rrëmbehet, gjakftohtë; kund. me gjak të nxehtë. 2. Me gjakftohtësi, duke u përmbajtur; qetësisht; me gjak të qetë; kund. me gjak të nxehtë. Gjaku i gjakut fëmija i fëmijës tim, që është shumë i dashur dhe i ëmbël për mua; mishi i mishit; mjalti i mjaltit. Me gjak të helmuar shumë i hidhëruar, i pikëlluar sa s’ka; me gjak të prishur. Me gjak e me lak shih me lak e me gjak. Me gjak të ndezur me zemërim të madh, shumë i nxehur, i inatosur; i papërmbajtur; me gjak të nxehtë. Me gjak të ngrirë me frikë të madhe a me shqetësim të thellë, me tmerr (kur presim diçka të keqe a të panjohur); me zemër të ngrirë; me frymën pezull; si dhia thikën. Me gjak të nxehtë. 1. I rrëmbyer e inatçor, që nxehet shpejt e nuk përmbahet, gjaknxehtë; kund. me gjak të ftohtë. 2. Me gjaknxehtësi, duke qenë shumë i inatosur; pa e përmbajtur veten, në zemërim e sipër; me gjak të ndezur; me kokë të ndezur (të nxehtë); kund. me gjak të ftohtë. Gjak i pastër. 1. Kafshë e një lloji, e papërzier me lloje të tjera. 2. Njeri prej dere a prej fisi të mirë, fisnik. Me gjak të prishur shumë i shqetësuar; i trembur, i frikësuar, i tronditur; me gjak të turbulluar; me gjak të helmuar. Me gjak të qetë me gjakftohtësi, pa shqetësim, pa zemërim e pa inat; pa u ngutur, shtruar; me gjak të ftohtë; kund. me gjak të turbulluar. Gjak i ri njeri a grup njerëzish që sapo janë pranuar në një organizatë a në një shoqatë për ta përforcuar ose për ta gjallëruar atë. Me gjak të turbulluar me gjaknxehtësi, me shqetësim, me zemërim a me inat; i shqetësuar; i trembur, i frikësuar, i tronditur; i mërzitur; me gjak të prishur; kund. me gjak të qetë. Me gjak të zemrës me të gjithë forcën e pa kursyer asgjë; me përgjërim, me shpirt; me gjithë zemër; me gjithë shpirt. Ka ngrënë *bukë e gjak (dikush). Ia helmoi gjakun (dikujt) e hidhëroi shumë, e pikëlloi. Heq *gurin e gjakut. E heq gjaku (dikë) bën një veprim të ngjashëm me paraardhësit a sillet njëlloj me ta; janë një gjak. Kam hequr gjakun (me dikë a me diçka) më ka munduar shumë dikush a diçka, kam vuajtur shumë nga dikush a nga diçka; më ka marrë shpirtin (dikush a diçka); kam hequr të zitë e ullirit (nga dikush a nga diçka); kam hequr pikën e zezë (nga dikush). I hipi gjaku në fytyrë (dikujt) u zemërua a u turpërua shumë sa u skuq në fytyrë; u inatos keq; i hipi gjaku në kokë (në tru); i ra gjaku në sy. I hipi (i kërceu) gjaku në kokë (në tru) (dikujt) u inatos shumë e menjëherë, u zemërua shumë e nuk di se ç’bën; u tërbua; i hipi gjaku në fytyrë; i ra gjaku në sy; i kërcyen trutë në kokë; i hynë mizat; mori zjarr (dikush); mori avull (dikush); iu bë koka barut; i hyri zekthi. Iu hollua gjaku (dikujt). 1. U plak e u bë më i ndjeshëm (ndaj të ftohtit, ndaj një sëmundjeje, ndaj një dhembjeje shpirtërore etj.). 2. E humbi guximin, trimërinë a këmbënguljen e mëparshme. Hyj në gjak (me dikë) etnogr. i vras dikë dikujt dhe ai ka të drejtë të hakmerret për të. I ka hyrë (i është futur) në gjak (diçka) i është bërë dikujt pjesë e pandashme e mendimeve dhe e ndjenjave të tij, i është ngulitur mirë e i është bërë natyrë e dytë; e ka përvetësuar thellë diçka; i është rrënjosur në gjak. I iku gjaku nga fytyra (dikujt) u zverdh krejt në fytyrë (nga një sëmundje, nga tronditja etj.); u trondit shumë, u tmerrua, ngriu; s’i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë; u pre në fytyrë (dikush); u prish në fytyrë (dikush); i iku fytyra; kund. i erdhi gjaku në vend. Janë *mish e gjak. (Është) në *valë të gjakut (dikush). E ka në gjak (diçka) e ka zakon, veti a ves të ngulitur thellë, nuk ia heq dot; është pjesë e pandashme e mendimeve a e ndjenjave të tij, është natyrë e dytë e tij, është edukuar në atë mënyrë. E ka gjakun *akull (dikush). E ka gjakun *të ëmbël (dikush). Ka gjak të ftohtë (dikush). 1. Është njeri i ftohtë, është i paafrueshëm; e ka gjakun akull; kund. ka gjak të ngrohtë (të ëmbël). 2. Është gjakftohtë. Ka gjak në fytyrë (në faqe) (dikush) është i ndershëm, është njeri me cipë, ka sedër; preket nga diçka e turpshme; ka cipë. Ka gjak lepuri (dikush) tall. është frikacak i madh, dridhet nga frika; s’ka pikë burrërie; ka lepurin në bark; i tutet hijes së vet. Ka gjak të ngrohtë (të ëmbël) (dikush) është njeri shumë i mirë e tërheqës, është gjakëmbël, e duan të gjithë; kund. ka gjak të ftohtë. E ka gjak në sy (dikë) shih e ka halë në sy (dikë). E ka gjakun *shpuzë (dikush). E ka gjakun në *vetull të syrit (dikush). Me *lak e me gjak. Në *lak e në gjak. E lanë me gjak (diçka) luftuan shumë për diçka, e mbrojtën duke derdhur gjak për të; vunë edhe jetën në rrezik. *Lisi i gjakut etnogr. I ka lyer duart me gjak (dikush) ka vrarë, ka marrë pjesë në një a në disa vrasje; ka bërë krime. E mori (e lau) gjakun etnogr. u hakmor për një vrasje në familje a në fis, bëri gjakmarrje. Të merr gjak në vetull (dikush). 1. Është trim i madh; është guximtar e s’i trembet askujt e asnjë rreziku. 2. Është shumë i zoti, ia arrin çdo qëllimi; s’ia ha qeni shkopin (dikujt); të shkel hijen (prapa); të ha (të qëron) të bardhën e syrit; noton në një (në dy) gisht ujë. S’i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë (dikujt) u zverdh shumë, u zbeh krejt (nga një sëmundje, nga frika etj.); u tremb pa masë, u trondit shumë; i iku gjaku nga fytyra; ndërroi fytyrë (dikush); u pre në fytyrë (dikush); i iku fytyra. S'i mbeti gjak në rremba (dikujt) shih s’i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë (dikujt). Me *mish e me gjak. I ndez gjakun (dikujt) e nxit dhe e bëj që të jetë i hedhur e i papërmbajtur; i jap guxim e trimëri; i jap zemër. I ndezi (i nxehu) gjakrat (dikush) i nxiti njerëzit për ta ashpërsuar grindjen a zënien, e acaroi gjendjen më tej; kund. i ftohu (i uli, i shoi, i shtroi, i zbuti) gjakrat. Iu ndez (iu avullua) gjaku (dikujt) u inatos, u zemërua shumë, u nxeh keq; iu nxeh gjaku1; i flakëron gjaku; e mori me valë (dikush); kund. iu ftoh gjaku. U ndezën (u nxehën) gjakrat filluan të zihen e të grinden keq me fjalë të ashpra e me gjaknxehtësi; u acarua gjendja; kund. u ftohën (u ulën, u shuan, u shtruan, u zbutën) gjakrat. Më ngriu (m’u prish) gjaku u frikësova nga diçka e papritur; u tremba shumë e menjëherë, u tmerrova nga frika, ngriva; u trondita pa masë; m’u prish (m’u turbullua) gjaku; më ra (më shkoi) gjaku në fund të këmbëve; m’u bë gjaku ujë; m’u bë gjaku mavi; m’u ngjiz (m’u mpiks) gjaku; më shkoi (më vajti, më ra) zemra te thembra1; më ngau shkuma; kund. më shkriu gjaku. Më ngriu gjakun (dikush a diçka) më trembi shumë, më futi një frikë të madhe sa më ngurosi; kund. më shkriu gjakun. Iu nxeh gjaku (dikujt). 1. U zemërua keq, u inatos, e humbi gjakftohtësinë; iu ndez (iu avullua) gjaku; e mori me valë (dikush); kund. iu ftoh gjaku. 2. Iu shtuan energjitë e mori vrull, i hipi inati për të bërë diçka dhe ia hyri me të gjitha forcat. Pështyu gjak (dikush) përçm. u tremb shumë, e mori vesh se çfarë e keqe e pret; i mbushi brekët (dikush) përb. vulg. Pi *gurin e gjakut. I pi (i thith) gjakun (dikujt) e shfrytëzon pa mëshirë e deri në palcë; e mundon tepër, e bën që të vuajë shumë, e sfilit për vdekje; i rrjep (i heq, i merr) lëkurën; i pi djersën. Deri në *pikën e fundit të gjakut. I pikon syri gjak (dikujt) e bën diçka duke u munduar shumë, lodhet jashtë mase për të arritur diçka, sfilitet. Më pikon (më kullon, më rrjedh) zemra gjak (për dikë a për diçka) më vjen shumë keq për dikë që ka pësuar një fatkeqësi; jam shumë i hidhëruar e i mërzitur për dikë a për diçka që ka ndodhur, e ndiej thellë dhe vuaj shumë. Më piqet (më ujdis) gjaku (me dikë) me puqet karakteri me dikë, duhemi, shkoj mirë me të; më pjek ylli. Më prish (më turbullon) gjakun (dikush a diçka) më tremb shumë dikush duke më thënë diçka të keqe, më trondit me një lajm të hidhur ose më zemëron me fjalët a me sjelljen e tij; më frikëson diçka e keqe që ka ndodhur, më shqetëson shumë diçka që nuk e prisja ose që nuk doja të ndodhte; më trazon gjakun. Nuk e prish (nuk e çart, nuk e turbullon) gjakun (dikush) nuk trembet a nuk frikësohet nga askush e nga asgjë; nuk preket e nuk trazohet nga askush e nga asgjë, nuk pyet për çfarë ka ndodhur a për të tjerët; nuk shqetësohet e nuk mërzitet fare se u bë a s’u bë diçka, është i qetë e indiferent, i merr punët shtruar e me gjak të ftohtë; nuk e prish gjumin; nuk do t’ia dijë; aq i bën (dikujt); nuk çan kokën; nuk e vë ujin në zjarr; s’e bën qejfin qeder; s’i djersin veshi (dikujt); nuk i hiqet asnjë ashkël (dikujt). M’u prish (m’u turbullua) gjaku u tremba a u frikësova shumë nga diçka e keqe; u shqetësova shumë, u trondita thellë; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u bë gjaku ujë; më ra (më shkoi) gjaku në fund të këmbëve. I është rrënjosur në gjak (diçka) i është ngulitur fort e në mënyrë të qëndrueshme, ka zënë vend thellë, i është bërë shprehi, nuk i hiqet më; i ka hyrë (i është futur) në gjak; ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) rrënjë. Ia sjell gjakun në *vend (dikujt). I shkon për gjak (diçka) shih e ka për fis (dikush). Shkoi (vajti) gjaku gjer në *gju (diku). Shkojnë gjak e lak shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, hahen e zihen vazhdimisht, kanë marrëdhënie shumë të acaruara; (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shkojnë majë më majë (majë e brisk); i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë. Shkoi (rrodhi) gjaku *lumë (rrëke) (diku). Më shkriu gjaku u qetësova pas një shqetësimi të madh, kur mora vesh se s’ka ndodhur gjë e keqe etj., më iku tronditja a frika; erdha në vete; kund. më ngriu (m’u pre) gjaku. Më shkriu gjakun (dikush a diçka) më qetësoi pas një shqetësimi të madh, ma hoqi frikën a tmerrin, ma largoi tronditjen; kund. më ngriu gjakun. Më trazoi gjakun (dikush a diçka). 1. shih më prishi (më turbulloi) gjakun (dikush a diçka). 2. Më futi një dyshim a drojen se a do të bëhet ajo që dua, më prishi qetësinë e sigurinë; më futi (më shtiu) mizat. Pa u tharë gjaku (mirë) fill pas vrasjes së dikujt ose pa kaluar shumë kohë nga një luftë me shumë të vrarë; pa u harruar ende një fatkeqësi e rëndë, jo larg nga një e keqe e madhe që sapo ka ndodhur. I ujdis gjaku (me dikë) e duan njëri-tjetrin, shkojnë shumë mirë bashkë. Vë gjak. 1. Shëndoshem, ngjallem; fuqizohem mirë; vë dhjamë1. 2. Kënaqem shumë; gëzohem; vë dhjamë2. Më erdhi gjaku në *faqe. I vlon (i zien, i gufon) gjaku (dikujt) është plot gjallëri, ka shumë forca për të bërë diçka, s’përmbahet nga vrulli; është gati të hidhet për çdo gjë; i buçet gjaku; është në valë të gjakut (dikush). Iu zbut gjaku (dikujt) iu ul ca zemërimi, i ra pak inati; u bë i urtë e i butë, nuk është më i ashpër a i egër; u bë më i ndjeshëm. Ia zuri gjak (jetën) (dikujt) ia bëri jetën shumë të vështirë; ia nxiu jetën. S’i zë gjaku *vend (dikujt).
PÉTULL,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Ushqim që bëhet me brumë të holluar, zakonisht me tharm, që hidhet pjesë-pjesë e skuqet në vaj; një copë prej këtij ushqimi, e rrumbullakët dhe e fryrë. Petulla me maja birre. Petulla me sheqer (me mjaltë). Brumë për petulla. Bëj petulla. Hëngri dy petulla. E ka fytyrën si petull (mospërf.). Ku di arusha të hajë petulla! (fj. u.).
2. fig. Xhungë, dangë në fytyrë a në trup, e bërë nga një përplasje.
♦ M’u bë barku petull shih m’u bë barku petë. M’u bë gjaku petull u frikësova shumë, u tremba, u tmerrova; m’u bë gjaku ujë1; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u prish gjaku; më vajtën shtatë. I bën petullat me ujë (pa vaj) (dikush) iron. bën plane që nuk mund të vihen në jetë; e quan të mundshme a të kryer diçka të vështirë pa u lodhur shumë; i duket e lehtë çdo gjë; bën kala me ashkla; bën litar me rërë; bën bakllava me miell thekre. Ha *qeni petulla iron. S’i kam ngrënë petullat (dikujt) nuk e njoh shumë mirë e që në fëmijëri; s’i kam prerë kërthizën; s’i kam tundur djepin; nuk i kam thyer (nuk i kam ngrënë) poganikun. E mbaj me petulla (dikë) shih e mbaj në pëllëmbë (në shuplakë) të dorës (dikë). Petull në tigan (dikush) ai që përpëlitet nga një dëshirë e zjarrtë e që nuk mund ta plotësojë dot; ai që ka një brengë të madhe në zemër, vuan shumë shpirtërisht, po digjet për dikë a për diçka e s’është fare i qetë. Të shkul *vetullat e të ha petullat (dikush) iron. Shtrydh petullat (dikush) tall. është shumë dorështrënguar, është cingun i madh; nxjerr dhjamë nga pleshti; mjel (edhe) morrin iron.; bën hesap në krundet.
►PETULL/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Përdridhem.
2. vetv. Bëj naze, shtirem.
3. fig., vetv. Pispillosem.
4. pës., vet. v. III e PETULLÓJ.
PETULLÚSHK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Petull e vogël.
2. Copë buke, mishi etj. e hollë si petull. Petullushkë mishi.
3. si mb. Petullak. Bukë petullushkë.
✱Sin.: petullak, petullicë, petulliçkë.
TIGÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Enë kuzhine e metaltë, e rrumbullakët, me fund të sheshtë, me buzë të ngritura dhe me një bisht të gjatë, që përdoret për të skuqur a për të gatuar; fultere. Tigan i vogël (i madh). Tigan alumini (bakri). Skuq në tigan. Vuri tiganin në zjarr. Tigan me forma.
♦ E kam *vesh tigani (dikë) iron. *Peshku në det e tigani në zjarr tall. *Petull në tigan (dikush). Tigan pa bisht mospërf. shih mulli pa mokra. *Urtë e butë e plot tiganin (dikush) iron. I vë kapak edhe tiganit (dikush) thuhet për dikë që ruan çdo të fshehtë dhe nuk i përgojon njerëzit; s’i del jashtë as tymi i zjarrit (dikujt); e hedh fjalën në pus.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë