Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BÁK/ËR,~RI m. 1. kim. Metal me ngjyrë të kuqërreme që punohet lehtë dhe që është përcjellës shumë i mirë i elektricitetit e i nxehtësisë (simboli Cu). Bakër i kuq. Bakër i pastër. Bakër i petëzuar. Tel bakri. Enë (tepsi, kusi) bakri. Monedhë bakri. Minierë (mineral) bakri. Industria e bakrit. Shkrirja (derdhja) e bakrit. Pasurimi i bakrit. Lidhje bakri. Ngjyrë bakri. Brez me pllaka bakri.
2. Kripë helmuese që formohet prej këtij metali në enët e pakallajisura. Lëshon (nxjerr) bakër ena.
3. vet. sh. ~RA, ~RAT Bakëret. Kallajisi bakrat.
4. fig., keq. Diçka që nuk vlen shumë a që nuk e çmojmë si duhet. Para bakër diçka me vlerë të pakët ose fare pa vlerë.
♦ U bë bakër (diçka) u shkretua, u tha krejt; humbi çdo vlerë, nuk jep më asgjë. M’u bë barku (mulla) bakër nuk kam ngrënë gjë, e kam barkun bosh; më ka marrë shumë uria; m’u tha zorra; m’u bë barku petë; më këndojnë zorrët; më shkoi (më vajti) barku prapa. M’u bë syri bakër (për diçka) kam kohë që e dua ose e kërkoj diçka; (zakonisht për të ngrëna); digjem nga dëshira për ta pasur diçka; m’u tha syri; m’u hap syri. Ma bëri syrin bakër (dikush) më ka marrë shumë malli për dikë, të cilin ka kohë që s’e kam parë; më këputi malli, pres me padurim që ta shoh; e dua shumë; më thau sytë; m’i bëri sytë ujë; më ranë sytë (për dikë); kund. nuk më preu barku (për dikë). I doli bakri (dikujt) keq. shih i doli boja (dikujt) keq. iu zbulua fytyra e vërtetë, doli siç është; i doli kallaji; i doli boja. E ka syrin bakër (dikush). 1. Ka vështrim të mprehtë e kap çdo gjë, është syhapët. 2. I shkëlqejnë sytë, i ndritin sytë nga gëzimi, nga trimëria etj.; e ka syrin (i ka sytë) xixë. *Para bakri mospërf. Ta shet bakrin për *ar (dikush). Më ka zënë syri bakër (për diçka) shih m’u bë syri bakër (për diçka).
HOLLÚAR (i, e) mb. 1. Që është holluar në trup; që është bërë i hollë në gjithë gjatësinë e vet. Shkop i holluar. I zgjatur dhe i holluar fizikisht.
2. Që është bërë më i mprehtë e me majë. Me majë të holluar. Me vetulla të holluara.
3. Që është bërë si cipë a si petë (për sende të rrafshëta e të shtrira), që është bërë më i hollë. Dërrasë e holluar. Shuall i holluar.
4. Që është bërë më i lëngshëm (zakonisht me ujë, ndonjë lëng a diçka tjetër). Kos i holluar. Verë e holluar. Mjaltë i holluar. Gëlqere (bojë) e holluar.
5. Që është bërë më i lartë dhe më i hollë (për zërin). Me zë të holluar.
✱Sin.: i dobësuar, i tharë, i mprehtë, i mprehur, i tëhollur, i petëzuar, i petuar, i tretur, i lëngshëm.
KALANDRÚAR (i, e) mb., tek., mek. Që është kalandruar; i petëzuar. Pëlhurë (llamarinë) e kalandruar.
METÁL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Trup i thjeshtë (si alumini, ari, bakri, hekuri, plumbi etj.), që është kryesisht në gjendje të ngurtë, i qëndrueshëm, i fortë e me shkëlqim të veçantë dhe që zakonisht petëzohet dhe e përcjell mirë nxehtësinë e elektricitetin. Metal i lehtë (i rëndë). Metal i pastër (i përzier). Metal i rrallë (i çmuar). Metal i petëzuar (i shkrirë). Metale të zeza hekuri, çeliku, giza, kromi etj. Metale me ngjyrë alumini, kallaji, plumbi, zinku etj. Metale të çmueshme (fisnike) ari, argjendi, platini. Metal i bardhë. Industria e metaleve. Shufra metali. Punimi (përpunimi) i metaleve.
2. Aliazh i përbërë prej dy a më shumë elementeve metalike, siç është për shembull tunxhi.
3. Send i bërë prej këtij materiali. Thikë (vegla pune, shtyllë) prej metali. Panele metali.
4. kim. Element që jep jone me ngarkesë pozitive në tretësirat ujore të kripërave etj.
PLLAKËZÚAR (i, e) mb. Që është pllakëzuar; i petëzuar. Bakër blister i pllakëzuar.
✱Sin.: i pllakuar, i petëzuar.
RRÁS/Ё,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Pllakë guri; petë e trashë guri. Rrasë guri. Rrasë e nxehtë. Rrasë mermeri. Rrasa e varrit. Po nxirrnin rrasat e çatisë. E shtruan oborrin me rrasa. Pasi laheshin në lumë thaheshin në rrasat buzë tij. Luaj rrasash luaj me rrasa.
2. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje rrasash. Rrasë kose grihë e posaçme për të mprehur kosën. Nuk mund të kositësh pa e mprehur kosën me rrasë kose. Rrasa e vegshit pllakë e rrafshët që i vihet vegshit si kapak.
3. Faqe e një shkëmbi të petëzuar. Shkau nga rrasa. Hipën në rrasë.
✱Sin.: rreshpe, rrasik, dërrasë, plloçë, petë, akullishtë.
♦ Gjeti rrasa *vegshin keq. Gjeti vorba rrasën iron. shih gjeti tenxhereja kapakun. Mbeta rrasë në diell humba gjithçka e nuk kam më asgjë; mbeta pa asnjë farë pasurie; mbeta kripë (e shëllirë). E nxjerr në rrasë të gjallë (dikush) është shumë i zoti, siguron çdo gjë që do edhe në rrethana a në kushte shumë të vështira; nxjerr vaj nga guri. Rron (edhe) në rrasë të gjallë (dikush) është shumë i kalitur, asnjë rrethanë a vështirësi nuk e thyen; është mësuar në kushte të rënda e me mungesa, kalon çdo vështirësi dhe nuk epet; është i aftë, i duruar e trim. E shkruaj në rrasë të oxhakut (diçka) nuk e harroj që më ka shqetësuar shumë, e kujtoj gjithnjë që më ka hidhëruar shumë, më ka lënë një mbresë të thellë, e ngulit e nuk e harroj kurrë (një humbje, një fatkeqësi etj.); e kam plagë (në zemër); e kam thikë në zemër; e kam gozhdë në zemër; e kam pikë në zemër; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja; kund. e hedh pas (prapa) krahëve. I vuri rrasën (diçkaje) shih i vuri plloçën (diçkaje).
SHTÁTK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shufër e petëzuar me të cilën rrotullohen e shfletohen regjistra, libra etj.
2. Anësoret e derës (shtalkë).
ÇELÍ/K,~KUI m. sh. ~QE, ~QET 1. Metal i fortë, i përkulshëm e i farkëtueshëm, me ngjyrë hiri në të argjendtë, që del nga lidhja e hekurit me karbonin e me pak përzierje të tjera. Çelik i petëzuar. Çelik i derdhur (i lidhur). Çelik i shkrirë. Çelik i kromuar. Lidhje (aliazh) çeliku. Thikë (sustë) çeliku. Fletë (tel) çeliku. Llojet e çeliqeve. Shkrirja (derdhja) e çelikut. Petëzimi i çelikut. Uzinë çeliku. Shkrirësit e çelikut. Derdh çelik. Prej çeliku (si çelik) shumë i fortë, shumë i qëndrueshëm.
2. si mb., fig. Shumë i fortë, i çeliktë. Gur çelik. Grusht çelik. E bëj çelik. Me dhambë çeliku brejmë kokrrat e drithit. Vullnet çeliku. Shtyllë çeliku i pathyeshëm e i patundur, që u bën ballë rrebesheve.
♦ Ha (bren) çelikun (*hekurin) (me dhëmbë) (dikush). U vesh me çelik (me *hekur) (dikush). Ka zier në *lëng çeliku (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë