Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DËSHPËRIMTÁR,~E mb. 1. Që është i zhytur në dëshpërim; pesimist, shpresëhumbur. Kumti dëshpërimtar. Gjeste dëshpërimtare sporadike. Situata dëshpërimtare. Nevoja dëshpërimtare e elitës në pushtet.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Ëndrra e dëshpërimtarit.
GÓG/ËL,~LA f. sh. ~LA, ~LAT Fruta e disa drurëve pyjorë (dushku, qarri, qiparisi etj.) si kokërr e vogël me lëvozhgë të fortë; diçka si kokrrat e këtyre drurëve; topth. Goglat e numëratores. U hodhën goglat u hodhën zaret në ruletë (kazino).
✱Sin.: lende, boçë, loçkë, lomçkë, topth.
♦ I bëhet arra gogël (dikujt) nuk beson në asgjë të mirë, dyshon për çdo gjë; është pesimist. U bë gogël (dikush) u mblodh kruspull (nga frika, nga të ftohtët etj.); u bë (një) grusht; u bë një dorë; u bë lëmsh. Ia bëri gogël (dikujt) e shtrëngoi të bëjë atë që do ai, ia mblodhi; ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një këpucë; ia mblodhi (ia shtrëngoi) rripat (rripin); ia bëri tetë me dy. Më dolën sytë gogël. 1. U habita së tepërmi nga një e papritur; zgurdullova (shqeva) sytë. 2. U stërmundova nga një barrë e rëndë; jam në vështirësi e në siklet të madh. Flet për gogla dushku në lëmë (dikush) shih (thotë) gogla në tepsi (dikush). Gogël mbi ujë mospërf. njeri i lehtë nga mendja, mendjelehtë; kashtë mbi ujë. Gogël në ujë (dikush) njeri pa ndihmë e pa përkrahje; dikush në gjendje pasigurie, që nuk di ku është; është (qëndron, mbeti) në hava. T’i shet goglat për *arra (dikush). (Shkoi) *dushk për gogla (diçka). (Thotë) gogla në tepsi (dikush) flet shumë e kot, lëshon rrëke fjalësh pa i menduar gjatë, thotë mbroçkulla; (flet) kodra pas bregut.
PESIMÍST,~E mb. Që është gjithë pesimizëm, që është karakteristik për pesimistin; që është i mbushur me mërzi e me parandjenja të këqija, që e sheh çdo gjë me pesimizëm; kund. optimist. Njeri pesimist. Qëndrim pesimist. Parashikime pesimiste. Ishte shumë pesimist për të ardhmen.
✱Sin.: ndjellazi, ndjellakeq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë