Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PERCEPTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur perceptoj ose kur perceptohet diçka.
2. psikol. Pasqyrimi në tërësi i anës së jashtme të sendeve ose të dukurive në vetëdijen e njeriut, që bëhet me anë të organeve të shqisave nga veprimi i drejtpërdrejtë mbi to i këtyre sendeve ose dukurive dhe që përmban në vetvete edhe përvojën e atij që percepton; formë e njohjes shqisore të botës; përkapje. Perceptimi i vërtetë (i gënjeshtërt). Perceptimi i sendeve (i dukurive, i botës). Perceptimi me veshë (me sy). Veçoritë e perceptimit. Bazat fiziologjike të perceptimit. Aftësia e perceptimit.
3. libr. Mënyra se si dikush e kap a e kupton diçka.
PERCEPT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. psikol. Pasqyroj në tërësi në vetëdijen time nëpërmjet organeve të shqisave anën e jashtme të sendeve dhe të dukurive, që veprojnë drejtpërdrejt mbi këto organe. Percepton sendet (dukuritë, zhurmën, ngjyrën, dritën...). Percepton me vesh (me sy).
2. libr. Arrij të kap a të kuptoj diçka; e rrok diçka në një mënyrë a në një trajtë të caktuar; përkap. S’e perceptoj dot si ndodhi kështu.
SHIK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Drejtoj sytë nga dikush a diçka, hedh vështrimin mbi të. - Çfarë po shikon? - Kë po shikon?
2. kal. Bëj përpjekje të dalloj a të zbuloj diçka me anën e të parit; e ndjek me sy dikë a diçka, vështroj. Shikoj semaforin (orën, termometrin). Shikoj me syze (me dylbi, me mikroskop, me teleskop). Shikonte njerëzit që kalonin. E shikoi nga koka (deri) te këmbët. E shikoi me vëmendje (me trishtim, me gëzim, me kujdes). - Shiko sa vajti ora! – Shiko, a duket autobusi! E shikoi derisa i humbi nga sytë.
3. kal. Kundroj diçka me ëndje për një kohë të gjatë, sodit. Shikojmë malet me dëborë. Shikoj natyrën.
4. jokal. Shoh në një drejtim të caktuar, i kam sytë të kthyer drejt diçkaje; e vështroj dikë a diçka në një mënyrë të caktuar. Shikonte me bisht të syrit. Shikoi vjedhurazi (shkarazi, fshehurazi). Shikonte rreth e rrotull. - Shiko këtu (drejt)! - Mos shiko prapa. Shikoj përjashta. Shikon nga qielli. Shikoj nga shumë afër (larg).
5. jokal. Kam aftësinë të perceptoj me anën e shqisës së të parit, shoh. Shikoj mirë me syze. Shikoj keq pa lente.
6. jokal., fig. Kontrolloj, zbuloj se cilat janë mundësitë e mia. - Mos u ligështo, por shiko përpara.
7. kal. Këqyr a vërej me kujdes diçka, shqyrtoj. E shikoj hollë diçka. E shikoi çështjen shtruar. E shikoi kërkesën tënde.
8. kal. Lexoj a kontrolloj diçka për të gjetur atë që më intereson. Shikoj listën e aplikuesve (zgjedhësve).
9. kal. I hedh një sy duke e lexuar. Shikoj celularin (postën elektronike). Shikoj gazetat (revistat). Shikon gjithë ditën portalet.
10. kal. Vëzhgoj, këqyr; kontrolloj mirë për të gjetur diçka a për të marrë vesh çfarë ka; provoj; rrëmoj. Shikoj dosjet një nga një. Shikoj në çantë (në raft, në sirtar). - Shiko nëpër shtëpi (prapa derës, nën tryezë)! - Shiko nëpër xhepa! Shikojmë me shqetësim se... - Shiko mirë ku vë këmbën. Shikoj gjellën për kripë. Shikoj dyqanin për ushqime. Shikoj bibliotekën për një libër. - Shikoje veten si pasqyrë! - Mos shiko se ç’thotë, po shiko se ç’bën në botë! (fj. u.). Mos i shiko gunën, po shikoji punën! (fj. u.).
11. kal. Krijoj një mendim a opinion për dikë. E shikon me sy të mirë (të keq, të shtrembër). E shikon me dashamirësi. E shikon me syrin e njerkës tregohet i padrejtë, e trajton ndryshe dikë.
12. kal. edhe jokal. Ka një pozicion të caktuar gjeografik, është me pamje nga veriu, lindja etj. Dritaret shikojnë nga jugu. Nuk e shikon dielli.
13. kal. Shoh diçka a dikë. Po shikonin lajmet. E shikoj rrallë. Shikon shumë ëndrra.
14. kal. Vizitoj, shkoj për të parë diçka apo dikë. Shikoj ekspozitën. Shikoj filmin e ri. Shikojmë shfaqen e re. Shkova ta shikoja në spital.
15. kal. edhe jokal. Dëgjoj me vëmendje dikë, i vë veshin, i marr në konsideratë këshillat; kam kujdes. - Shiko këtu! Sakrifikojmë për ty. - Shiko se ç’thotë! - Shiko mos afrohet te pusi! - Shiko mos rrëzohesh (mos biesh, mos shkasësh)! - Shiko mos i ka ndodhur ndonjë gjë! - Shiko mos harrosh! - Shiko, mos u nxito! - Shiko, mos e bëj se do ta pësosh! - Shiko të dalësh i pari! - Shiko mirë, se do të pendohesh! - Shiko na bëj një ëmbëlsirë të mirë. Bëj atë që duhet, mos shiko se ç’thuhet! (fj. u.).
16. kal. Mbaj nën mbikëqyrje dikë a diçka, e ndihmoj, e shoh, e vështroj; ruaj. - Shiko djalin! - Shiko bagëtinë! - Shiko gjellën mos digjet! - Shiko shifrat! - Shiko fëmijët mos rrëzohen! I shikonte shumë pleqtë. E shikon si sytë e ballit. - Ia kam shikuar gojën e kam ushqyer mirë. E shikon shumë gojën kujdeset shumë për të ngrënë. E shikon me tërë të mirat. - Mos shiko vetëm rehatin (interesin) tënd! - Shiko punën (rrugën) tënde! kujdesu për detyrat e tua dhe mos u merr me gjëra që nuk të përkasin!
17. si pasth., bised. Shfaq habinë e folësit për diçka, tërheq vëmendjen e dëgjuesit për të thumbuar a për të tallur dikë. - Shiko ç’trima që janë! - Shiko ç’trup (ç’sy, ç’flokë)! - Shiko si e bëj unë! - Shiko, shiko, koha paska ikur pa e kuptuar. - Pa, shiko, shiko! - Kushëriri yt, hë? - Shiko si mburret (si lëvdohet)! - Shiko kush qenka! - Shiko, shiko, sa i zgjuar!
18. si pasth., bised. Shpreh paralajmërim a kërcënim për dikë. - Shiko, hap sytë! - Shiko, mos e fli mendjen! - Shiko, herë tjetër mos e përsërit!
19. kal. edhe jokal., fig. E vlerësoj dikë a diçka në përputhje me rrethanat, çmoj, shqyrtoj; shfaq një ndjenjë, dëshirë. E shikonin si rival. E shikoj me sy kritik. E shikoj me sy të mirë. Shikoje punën drejt. Do ta shikojmë në mbledhjen e radhës këtë çështje. Nuk shikoj ndonjë gjë shqetësuese (ndonjë rrezik, ndonjë të keqe). E shikon të arsyeshme. E shikoj me përparësi. Shikoj mundësitë. Dua t’ju shikoj të lumtur. Shikon t’i bëjë bisht punës i shmanget një pune a një detyrimi.
20. kal., fig. Bëj përpjekje të lexoj të ardhmen, fatin. Shikon filxhan. Shkoi të shikojë filxhanin.
✱Sin.: vështroj, shoh, sodis, ndjek, këqyr, vëzhgoj, kundroj, vërej, qyr, dalloj, hetoj, diktoj, gjej, quaj, vlerësoj, kuptoj, zbuloj, shqyrtoj, kontrolloj, ndihmoj, ruaj.
♦ Shikoj *derën (portën). Ta shikosh me *dylbi (diçka) iron. Shikon *filxhanët (dikush) mospërf. Shikon nga *krushkat (dikush) tall. Shikon *përpara (dikush). Shikon nga *qofkat (dikush) iron. E shikoj në *sy (diçka).
SHOH vep., PÁSHË, PÁRË kal. 1. jokal. Kam aftësinë të perceptoj me anën e shqisës së të parit sendet e ndryshme të botës, kam aftësinë e të parit. Shoh mirë. Fëmija ka nisur të shohë. Macet shohin edhe natën. Bufi nuk sheh ditën. Shqiponja sheh larg. Mezi sheh. Nuk sheh pa syze. Nuk sheh fare me njërin sy. Ia lidhën sytë që të mos shihte. Me sy shohim, me veshë dëgjojmë. Nuk sheh syri, po sheh mendja. (fj. u.).
2. Rrok dikë a diçka me sy. Shoh detin (lumin). Nuk i shoh më zjarret. S'të sheh më syri këneta. Armiku s'na e pa kurrë shpinën. E pashë dje në rrugë. E kam parë në film. E pashë me sytë e mi (me këta sy). S'e kam parë ndonjëherë. Ç'po më shohin sytë! Ç'i sheh syri, ia bën dora. Kur të shoh me sy, më bie ndër mend për ty. (fj. u.).
3. Vë re, shquaj; dalloj; diktoj. Nuk e pashë gropën (hendekun). I pa nga vrima e çelësit. S'pashë gjë. I pashë të gjitha! Të pa njeri? Mos na shohin? Shihni si u skuq. Shih si je bërë! Pa diçka që lëvizte. Pa fytyrën e vet në ujë. Iku pa e parë kush.
4. Pa orën. E pa në fytyrë. I pa plagën. Shih këtu (më poshtë, në faqen 12). Shihnin borën që binte. Shoh llogarinë. Shih fjalorin (hartën...). Shoh shtypin (gazetën). E pa mjeku. Të shohim a është bërë. Të shohim shtëpi. Shoh gjellën për kripë. E pe si t'u përgjigj? Shih të na nderosh. Shih fëmijët! Shih zjarrin mos shuhet!
5. Gjej diçka, e zbuloj diku, e vë re, e diktoj, e ndiej se është i pranishëm; më duket i tillë a i atillë, e gjej, e quaj; e kuptoj, e njoh. Pamë gëzimin e punëtorëve (e fshatarëve). E shoh që je i lodhur (i sëmurë, i mërzitur). E shoh që s'të pëlqen (që s'ke qejf, që s'do). Nuk shoh ndonjë rrezik (asgjë të keqe). E shoh të arsyeshme (të dobishme, të drejtë, të mjaftueshme, të udhës). E shoh me vend. E pe ç'pësove? Siç e shihni... siç është tashmë e qartë për ju. E shoh që s'më ke harruar. E shoh që gabova. E pashë që s'i pëlqeu. E panë se s'kishin nga t'ia mbanin. Do të më shohin se kush jam! Dale pa të më shohë! Ke për të parë!
6. Takoj dikë; ndesh; vete tek ai ta takoj a të rri me të, vizitoj. Kishte një vit pa e parë djalin. S'e kam parë prej kohësh. Sa ka parë ai si ti! S'ka vajtur ta shohë askush. Nuk do të shohë njeri. Kam parë e s'kam parë, po si atë s'kam parë. Mos ia pafsha sytë (surratin)! përçm. as që dua ta takoj ndonjëherë, as që dua të kem të bëj me të! (për dikë që e urrejmë a e përbuzim).
7. Përfytyroj, më duket sikur e kam përpara syve, me del në ëndërr; më shfaqet në gjumë. E kam parë në ëndërr. Shoh shumë ëndrra. Sikur e shoh të gjallë. Sheh ëndrra me sy hapur.
8. Jam dëshmitar a i pranishëm në një ngjarje, në një punë etj., jam spektator në një shfaqje, në një garë a ndeshje sportive etj. Pamë parakalimin (ndeshjen, një shfaqje të bukur, një film të ri). E ke parë vetë, apo ta kanë treguar? Ç'na kanë parë sytë! ndodhi diçka e tmerrshme para syve tanë.
9. Vizitoj një vend, një qendër pune, një vepër industriale një ekspozitë a muze etj.; këqyr me kujdes nga të gjitha anët diçka për ta njohur mirë. Pamë Beratin (Kalanë e Gjirokastrës). Qyteti më i bukur që kam parë. Kanë vajtur të shohin shtëpinë e re. Panë vendin ku do të ndërtohet fshati i ri.
10. Shqyrtoj diçka, e studioj për të formuar një mendim ose për ta zgjidhur, e trajtoj diçka në këtë ose në atë mënyrë. Shoh projektin e një vepre. E panë në drejtori (në byro, në organizatë). E pamë edhe një herë (nga të gjitha anët, mbarë e prapë). E kemi parë e stërparë këtë çështje. E shoh në një dritë të re (nga një kënd vështrimi i ri). E shoh me syrin politik (klasor). Duhet parë ndryshe kjo punë. E pa gjendjen në vend. Ta shohim veten si në pasqyrë!
11. fig. E vlerësoj dike a diçka në një mënyrë të caktuar, e quaj; mbaj këtë ose atë qëndrim, sillem në këtë a në atë mënyrë. E shohim si shfaqje të luftës së klasave. E kanë parë si forcën lëvizëse kryesore. E shoh si një çështje themelore. E shoh me një sy tjetër (me sy të mirë, me sy të keq). E shihte shtrembër (vëngër, ftohtë).
12. fig. Përjetoj; provoj, heq, vuaj. Ka parë shumë në jetë ai. Ka parë lemeri (kiametin) me sy. Sa ka parë ky vend (ky popull, kjo botë)! Ç'të keqe ke parë nga ai? Atëherë pamë ç’pamë!
13. vet. v. III Është i kthyer në një anë a në një drejtim të caktuar, shikon, vështron, bie. Dritaret shohin nga lindja. Njëra dhomë sheh nga deti, tjetra nga kopshti.
14. vet. v. III I bien rrezet e diellit, e ndriçon dielli. Nuk e sheh dielli. S'ka parë diell.
15. Vërej dikë a diçka në një gjendje të caktuar shpirtërore, shoqërore etj.; jetoj me dikë një gjendje të caktuar a rrethana të caktuara. Dua të të shoh të qeshur (të lumtur, të gëzuar). Dua t'ju shoh mirë e më mirë. Të pafsha me zemrën plot! ur. Mos pafsh njeri pa punë! E pa veten keq (ngushtë). Sikur s'të shoh mirë! Kështu e pafsha! mallk.
16. fig. Ia arrij ta jetoj (zakonisht për diçka që e dëshiroj), ia arrij diçkaje. Nuk e pa lirinë. E pamë edhe ne këtë ditë.
17. bised. I zgjidh dikujt një çështje, duke i dhënë të drejtën që i takon; mbroj të drejtën në gjykimin e një çështjeje. Kurrkush s'ua shihte hallin fukarenjve.
18. bised., vet. urdh. Përdoret me kuptim pasthirrmor për të shprehur habinë e folësit për diçka, për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesit ose për të thumbuar a për të tallur dikë. Shih ç'i pjell mendja! Shih ç'na bëri! Pa shih, pa shih ç'na qenka!
✱Sin.: shikoj, takoj, shkoj, vete, shfaqet, del, pasqyrohet, duket, merret vesh, kuptohet, shprehet; përfundon, duket, bëhet, kam përshtypjen.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë