Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANTILÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Antilope) Gjitar i egër ripërtypës i vendeve të Azisë e të Afrikës, me pamje e madhësi të ndryshme, me brirë të gjatë, me lëkurë me qime të shkurtra, me këmbë të gjata, që vrapon shumë shpejt. Kope antilopash. Këmbëshpejtë si antilopa. Çantë antilope.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje antilopash: Antilopa bricjape (lat. Capricornis sumatraensi) antilopë e zakonshme, gazelë. Antilopa bricjape japoneze (lat. Capricornis crispus) antilopë e ngjashme me dhinë, me brirë të gjatë e me lëkurë në ngjyrë kafe të errët a të hapët. Antilopa bridre (lat. Antilope cervicarpa) antilopë e ngjashme me drerin, me brirë të zgavruar, të drejtë ose të lakuar, me këmbë të gjata e të holla dhe me një tufë flokësh në bishtin e shkurtër. Antilopa bridredhur (lat. Tragelaphus strepsiceros) antilopë me trup të madh, me bisht të gjatë, me lëkurë në ngjyrë kafe a gri e kaltër në të kuqërremtë, me vija të bardha në trup. Antilopa brihollë (lat. Pelea capreolus) gazelë e vogël afrikane shumë e shpejtë dhe e shkathët, me lëkurë në ngjyrë gri të zbehtë në të kuqërremtë e me veshë të gjatë e të ngritur lart. Antilopa brikthyer (lat. Hippotragus niger) antilopë që jeton në savanet e Afrikës Jugore dhe të asaj Lindore, me kreshtë në pjesën e epërme të qafës, me brirë në formë unaze që shtrihen prapa në formën e një shpate. Antilopa brisfurk (lat. Antilocapra americana) antilopë bribardhë, që jeton në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kanadasë dhe të Meksikës, me trup të trashë, me këmbë të gjata e të holla, me thundra të mprehta, që mund të kërcejë deri në tetë metër gjatësi, kur vrapon. Antilopa briunazë e malit (lat. Tragelaphus buxtoni) antilopë me gëzof të hirtë ngjyrë kafe, me dy deri në pesë shirita të bardhë në shpinë, në fytyrë, në fyt e në këmbë, me bisht të gjatë deri te thembrat, me veshë të mëdhenj shumë të ndjeshëm e me qime të bardha, që jeton në pyje të larta malore. Antilopa e butë (lat. Alcelaphus buselaphus) antilopë me lëkurë në ngjyrë kafe të errët te meshkujt e në ngjyrë kafe në të verdhë te femrat, me bisht të gjatë, që jeton në kope dhe ushqehet në mëngjes herët dhe në pasdite vonë. Antilopa e egër (lat. Connochaetes gnu) antilopë njëthundrake, me kokën si të demit e me trupin si kalit; gnuja, antilopa e zakonshme, antilopa afrikane. Antilopa e hirtë e vogël (lat. Raphicerus campestris) antilopë e vogël, me trup të hijshëm, me sy të vegjël, me lëkurë në ngjyrë gështenjë të zbehtë në pjesën shpinës e në ngjyrë të bardhë nga barku, me një njollë të bardhë në fyt dhe mbi sy. Antilopa jugafrikane (lat. Damaliscus lunatus lunatus) antilopë e madhe, me brirë të gjatë unazorë, me gëzof qimeshkurtër dhe të shndritshëm në ngjyrë kafe në të kuqërremtë, me bisht me tufë të zezë, me bark të bardhë, me këmbët e para dhe kofshët me njolla ngjyrë gri, vjollcë të errët ose të kaltër të mbyllët, me gjymtyrët e pasme ngjyrë kafe të verdhë, që jeton në tufa e ushqehet në kullota të hapura. Antilopa gjigante jugafrikane (lat. Taurotragus derbianus) antilopë shumë e madhe, me brirë të përdredhur. Antilopa e kaltër (lat. Boselaphus tragocamelus) antilopë trupmadhe e Azisë, me këmbë të holla, me shpinë të pjerrët, me qafë të thellë me një njollë të bardhë në fyt, me kreshtë të shkurtër e qime përgjatë qafës që përfundon në një tufë dhe me njolla të bardha në fytyrë, që vrapon duke galopuar. Antilopa e kallamishtes (lat. Redunca arundium) antilopë me gëzof të shndritshëm, me lëkurë në ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, më e çelët në qafë dhe në kraharor e me barkun në ngjyrë të bardhë, me brirë të shtrembër (mashkulli) e pa prirë (femra); antilopa e kallamishtes malore. Antilopa katërbrirëshe (lat. Tetracerus quadricornis) antilopë e vogël me këmbë të holla dhe me bisht të shkurtër, me katër brirë të gjatë, që rri në tufa të vogla e që ushqehet me barishte, shkurre, gjethe, lule, fruta etj. Antilopa e kepit (lat. Taurotragus oryx) antilopë trupmadhe e fushave dhe e savaneve, që ushqehet kryesisht me bar dhe gjethe e jeton në tufa të mëdha. Antilopa e kënetave (lat. Tragelaphus spekei) antilopë me trup mesatar, me bisht të gjatë, me veshët si disk, me lëkurë në ngjyrë të kuqe dhe gështenjë me njolla të bardha në fyt, afër kokës dhe në gjoks. Antilopa kërcyese (lat. Aepyceros melampus) antilopë me trup mesatar, që rritet në Afrikën lindore dhe jugore, që është shumë e shkathët e që vrapon duke kërcyer. Antilopa larane (lat. Damaliscus dorcas) antilopë trupmesatare briunazore, e ngjashme me rinoqerontin e bardhë, me gëzof ngjyrëgështenjë ose të kafenjtë, me barkun të bardhë, me njolla të bardha te hunda, te sytë dhe midis brirëve, me feçkë katërkëndëshe. Antilopa e lumit (lat. Kobus ellipsiprymnus, Limnotragus silatunga) antilopë trupmadhe, që jeton në vise nënsahariane, me lëkurë në ngjyrë kafeje dhe të hirtë, me brirë të gjatë si spirale (vetëm mashkulli), që ushqehet në tufë e në kullosa pranë burimeve të ujit; dhia e ujit. Antilopa e vogël e malit (lat. Oreotragus oreotragus) antilopë e vogël, e fortë, e shkathët, me veshë të shkurtër të shënuar me ngjyrë të zezë, me mjekër të bardhë dhe me brirë të shkurtër me majë që i ka vetëm mashkulli. Antilopa mbretërore (lat. Neotragus pygmaeus) antilopë trupvogël, në madhësinë e një lepuri, me këmbë të gjata dhe të holla, me këmbët e pasme më të gjata se këmbët e parme, me gëzof të butë me ngjyrë të kuqërremtë dhe kafe në shpinë, me barkun e pjesën e brendshme të këmbëve në ngjyrë të bardhë, me një brez të kafenjtë që përshkon gjoksin e barkun dhe me brirë shumë të vegjël me ngjyrë të zezë të lëmuar në trajtë koni. Antilopa e ujit (lat. Kobus leche) antilopë truplartë e thundërgjerë, me gëzof në ngjyrë si thjerrëza e kuqe, të errët ose të zezë, me barkun të bardhë, brirët e mashkullit janë në trajtë spiraleje, me gjymtyrët e pasme më të gjata se të përparmet. Antilopa xhuxhe (lat. Madoqua) antilopë trupshkurtër, që jeton në vise malore në lartësi deri dy mijë metër në zonat e Afrikës lindore dhe jugore; antilopa mbretërore.
ARÁMË,~T m. kryes. sh. Grup etnik semit që ka jetuar në Mesopotami, në zonën e Irakut, të Sirisë, të Iranit dhe në një pjesë të Turqisë së sotme, të cilët deri vonë kanë pasur shtetin e tyre e më pas janë bashkuar me popujt përreth, kurse sot janë pakicë dhe vazhdojnë të jetojnë në rajonet e tyre, sepse shumë nga ata kanë emigruar në Perëndim. Aramë autoktonë. Vendi i aramëve. Kultura e aramëve. Historia e aramëve.
FUND,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pjesa e poshtme e një ene, e një arke, e një shporte, e një anijeje etj., e cila është zakonisht e sheshtë, duke shërbyer edhe si pjesë mbështetëse. Fund i sheshtë. Fundi i kazanit. Fundi i arkës. Fundi i anijes. Pastroj fundin. Kulloi në fund.
2. Pjesa e poshtme e diçkaje që mbështetet në tokë e që ngrihet mbi të ose që është ngulur në tokë; vendi ku lidhet me trupin një gjymtyrë a organ i veçantë ose ku lidhet me trungun një degë; rrëzë; taban. Fundi i malit. Fundi i digës. Fundi i lisit. Fundi i krahut. E preu pemën deri në fund. Në fund të fshatit.
3. Trualli a shtresa e tokës që ndodhet nën ujin e detit, të liqenit, të lumit a të një pellgu etj.; pjesa e poshtme e një vendi të thelluar në tokë. Fund ranor (shkëmbor). Fund me baltë (me zhavorr). Fundi i detit. Fundi i pusit. Gërryej fundin.
4. Diçka në sasi të vogël, që ka mbetur në pjesën e poshtme të një ene a të një vendi të thelluar. Hëngri fundin e tenxheres. E derdhi fundin e fuçisë.
5. Caku e skaji ku mbaron diçka që shtrihet në hapësirë (një sipërfaqe, një rrugë, një varg sendesh a frymorësh, një shtrojë a mbulojë, një tel a litar i gjatë etj.); skaji më i largët i një vendi a i një hapësire të madhe; mbarimi, pjesa e skajshme e një sendi a e një hapësirë; kund. krye, fillim. Fundi i fushës (i kopshtit). Fundi i qilimit. Në fund të sheshit (të oborrit, të rrugës, të bulevardit). Fundi i rreshtit (i vargut të njerëzve, i kolonës së automjeteve). E ka theksin në fund.
6. Pjesa e fundit e një vepre të shkruar, e një shfaqjeje a e një krijimi tjetër artistik; kund. fillim. Fundi i librit (i romanit, i artikullit). Fundi i filmit (i dramës, i shfaqjes, i videoklipit).
7. Veshje e sipërme grash ose pjesë e kostumit të grave, që mbulon trupin nga mesi e poshtë. Fund i gjerë. Fund me pala (me kinda). Vesh fundin.
8. Caku që shënon mbarimin e një kohe; pjesa e kohës që lidhet me këtë cak; caku kohor që shënon mbarimin e një pune, të një veprimi a të një veprimtarie etj.; pjesa e fundit e një pune a e një veprimtarie; mbarim, përfundim; kund. fillim. Fundi i vitit. Në fund të javës. Fundi i punës. Fundi i lojës (i ndeshjes). Aty nga fundi i mbledhjes.
9. bised. Mbarimi i jetës, vdekja. Fund i parakohshëm (i hidhur). I erdhi fundi.
✱Sin.: rrëzë, taban, mbarim, fundje, fundar, anë, skaj, bisht, përfundim, mbyllje, epilog, fustë, kotull, rashe, pështjellak, fustan, zgrip, vdekje, perëndim.
♦ I afron fundin (dikujt) bën që dikush të dështojë në punën e tij, të bjerë nga përgjegjësia etj.; bën që të marrë fund. Pa *anë e pa fund (pa fund e pa anë). *Ballë e fund. U bë *pus pa fund (diku). Më ra (më shkoi) *gjaku në fund të këmbëve. I ra koshi në fund (dikujt) shih i ushtojnë hambarët (dikujt). I ra shekja (e djathit) në fund (dikujt) nuk është mirë nga gjendja ekonomike, është trokë; nuk ka asgjë në hambar; i ushtojnë sheket; i ra koshi në fund; (është) kripë në diell (dikush); e ka hambarin dërrasë (dikush). Deri në *cakun e fundit. *Dritë në fund të tunelit Fundi i arkës rrobat më të mira të ruajtura për festë; gjërat më të mira të vluara diku. (Ia di, ia njoh) fundin e barkut (dikujt) shih (ia di) zorrët e barkut (dikujt). Në fund e në bisht shih në fund të fundit. Fundi i botës. 1. Një vend shumë i largët, skaj i panjohur e i harruar; në fund të botës. 2. Shkatërrim i plotë, zhdukje, përmbysje e gjithçkaje, katastrofë. Në fund të botës (të dynjasë) shumë larg, në një vend shumë të largët; fundi i botës; në anë të anës. I heq *gurin e fundit (dikujt a diçkaje). (Është) në fund të dardhës (dikush) është ende prapa, është në bisht; ka mbetur në bisht (në bisht të urës, te bishti i urës). Në fund të detit diku shumë larg a në një vend të fshehtë ose të vështirë për të arritur atje. Në fund të ditës si përfundim, si rrjedhim i veprimeve që kemi bërë, përfundimisht; në mbyllje. Fundi i fjalës shkurt; si përfundim; me një fjalë; fundi i fundit; në fund të fundit. Fundi i fundit tekembramja, më në fund; sido që të jetë; në fund të fundit; fundi i fjalës. Në fund të fundit tekembramja, më në fund; në fund të diçkaje; si përfundim; si mbyllje; fundi i fundit; fundi i fjalës. Fundi i kazanit gjellë e mbetur; ushqimi më i keq; kund. gryka e kazanit. Fund e krye (e majë) krejt, plotësisht; që të gjithë, pa asnjë përjashtim; kokë e këmbë; nga koka deri te këmbët; nga a-ja deri te zh-ja; ind e majë. Nga fundi në krye krejt, tejendanë; nga kreu në fund. Në fund e në krye (e në majë) tejpërtej; krejt. Nga fundi i zemrës (i shpirtit) shih nga thelbi i zemrës (i shpirtit). (Humbi) si *gjilpëra në fund të bunarit (dikush a diçka). I jap (i vë) fund (diçkaje) e kryej, e mbaroj a e përfundoj me sukses, e përmbyll përfundimisht; i vë fund; i vë kapak (kapakun). Kur të kalbet *guri në fund të lumit. I kallëzoj fundin e arkës (dikujt) ia them të gjitha, nuk lë gjë pa thënë, ia them gjithçka që mbaj përbrenda, i zbrazem; i zbraz barkun; nuk mbaj gjë në bark; ia hap barkun. I ka trutë në fund të këmbëve (dikush) është budalla, është pa tru; është shumë mendjelehtë; s’ka tru në kokë. E kam ujin në fund të arës nuk më vete puna mbarë, nuk më ka fryt puna; nuk më ndih fati, nuk më ecën; kund. e kam ujin në krye të arës. E kërcen *vallen deri në fund (dikush). Ka marrë fund. 1. (diçka). Ka përfunduar, është kryer plotësisht; ka mbaruar. 2. (diçka). Është vendosur përfundimisht, nuk rikthehet më. 3. (dikush a diçka). Është dobësuar a është prishur krejt, nuk ka më fuqi a vlerë, nuk mund të rrojë a të veprojë më; ka shkuar në fund (dikush); është bërë fare (dikush). 4. (dikush). Është varfëruar fare; ka mbaruar me liq e me shpatë. I nxjerr (i gjej) fundin (diçkaje) e përpunoj a e studioj thellë diçka, e shqyrtoj me themel e deri në imtësi; i zbuloj çdo të fshehtë; i dal në fund; i nxjerr tabanin. I nxjerr fundin e arkës (dikujt) e pres dikë me gjërat më të mira që kam, nuk kursej asgjë, i shtroj çdo gjë që e kam ruajtur a që ka mbetur. Ia nxjerr prej fundit të barkut (diçka) e detyroj të thotë edhe fjalën e fundit, e shtrëngoj të thotë gjithçka, nuk i lë gjë pa nxjerrë; ia nxjerr me darë. Ka shkuar në fund (dikush a diçka) shih ka marrë fund3 (dikush a diçka). E shkundi fundin e barkut (dikush) keq. i tha të gjitha, nuk la gjë pa thënë, i zbrazi ç’kishte brenda; është llafazan i madh; s’i vë fre gojës (gjuhës); e ka gjuhën (llapën) të gjatë (një pëllëmbë, një pash) keq. I shpon *kungulli fundin e kusisë (dikujt). *Shportë pa fund mospërf. I erdhi fundi (dikujt). 1. Është në prag të vdekjes ose tash do ta pësojë të keqen; (është) në buzë të varrit (të gropës) (dikush); (është) me një këmbë në varr (dikush). 2. shih (është) në buzë të greminës (të humnerës) (dikush). Zë fundin e barkut ha fare pak, ha sa për të thyer urinë; hedh një brez. Mos të zëntë fundi i javës! mallk. vdeksh!
HÝRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur hyj brenda, duke lëvizur zakonisht më këmbë; kund. dalje. Hyrje e shpejtë. Vendi i hyrjes. Biletë hyrjeje.
2. Zhytje në thellësi të detit të lumit etj.; rënia brenda diçkaje. Hyrje në baltë. Hyrje thellë deri në gju.
3. Ngulja në brendësi a në thellësi të diçkaje; futje. Hyrja thellë e gozhdës. Hyrja e plumbit në mish. Hyrja e gjembit.
4. Depërtimi në një vend ose në hapësirë. Hyrje në fshat. Hyrja e anijes në ujërat tona territoriale. Hyrja në hapësirën shqiptare.
5. Vend i hapur, nëpër të cilin hyjmë; derë, portë. Hyrje kryesore. Hyrje e fshehtë. Hyrja e shtëpisë (e ndërtesës). Hyrja e qytetit. Hyrja e kalasë (e shpellës, e tunelit). Hyrjet e stadiumit. Ndalohet hyrja.
6. Vizitë a ardhje miqsh në një shtëpi, në një shtet etj. Ka shumë hyrje ajo shtëpi. Vizë hyrjeje.
7. Studim a parashikim i shkurtër në krye të një raporti; të një vepre letrare, shkencore etj. Hyrje e gjatë (e shkurtër). Hyrja e veprës. Është pajisur me një hyrje.
8. fin. Të hollat që fitohen ose të ardhurat që futen në buxhet etj.; kund. dalje. Hyrjet e arkës. Hyrjet e buxhetit.
9. bised. Banesë për një familje në pallate a në ndërtesa me shumë kate. Shkallë me dhjetë hyrje. Hyrja gjashtëmbëdhjetë. Mori një hyrje të re. U ndanë të gjitha hyrjet.
✱Sin.: e hyrë, të hyrët, futje, vizitë, nisje, fillim, parathënie, derë, portë, apartament, banesë, perëndim.
♦ Ia bëri hyrje (dikujt) shaka. bised. ia ngarkoi një barrë a ia përcolli dikujt një njeri me të cilin nuk do të merret vetë, ia la dikujt të merret me dikë a me diçka. Kam hyrje e dalje (me dikë) vemë e vijmë vazhdimisht te njëri-tjetri, e presim dhe e përcjellim njëri-tjetrin; jemi miq; hyjmë e dalim; japim e marrim.
LÍNDJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur dikush del në jetë nga barku i nënës, ardhje në jetë; kund. vdekje. Lindje e lehtë (e vështirë). Lindje e parakohshme. Lindja e fëmijës. Vendi i lindjes vendlindja. Shtëpia (dhoma) e lindjes. Dita (koha) e lindjes. Dhimbjet (ethet) e lindjes. Leja e lindjes. Dhjetëvjetori i lindjes. Që në lindje që kur lind. Në ditët e para pas lindjes. Që nga lindja deri në vdekje.
2. bised. Foshnja e lindur nga nëna. Mjeku (mamia) pret lindjet. Ka pasur pesë lindje.
3. Njerëzit e barkut të vet, pasardhësit; trashëgimtarët. Thirri gjithë lindjen e vet.
4. edhe fig. Koha kur del a kur nis të shfaqet diçka, çasti kur krijohet, ngrihet a themelohet diçka; fillimi i veprimtarisë së dikujt a të diçkaje. Lindja e demokracisë. Që nga lindja e UÇK-së.
5. Pika e horizontit nga lind dielli; ana që është në të djathtë kur kthehemi me fytyrë nga veriu, drejtimi i përkundërt me perëndimin; vend (pjesë e një shteti a kontinenti, krahinë a tërësi krahinash, zonë) që ndodhet në anën nga lind dielli; kund. perëndim. Lindja e Largët (e Mesme, e Afërt). Lindja e Shqipërisë. Lindja e Evropës. Popujt e Lindjes. Në lindje të vendit (të qytetit, të fshatit). E ka hyrjen nga lindja. Sheh (vështron) nga lindja. Vjen nga lindja.
6. bised. Erë e thatë e pa reshje, që fryn prej anës nga lind dielli. Fryn lindja.
✱Sin.: lirim, pjellje, foshnjë, pasardhës, trashëgimtar, fillim, dalje, ngjallje, ngritje, themelim, krijim, drejtim, erë.
MÁJTË (i, e) mb. 1. Që është në atë anë të trupit ku ndodhet zemra, që është përkundrejt anës së djathtë; kund. i djathtë. Dora (këmba) e majtë. Krahu (supi) i majtë. Syri (veshi) i majtë. Faqja (ija) e majtë. Ana e majtë e palltos. Mënga (këmbëza) e majtë. Xhepi i majtë. Këpuca e majtë.
2. Që është në perëndim ose në anën e perëndimit kur jemi kthyer me fytyrë nga veriu, që është në krahun nga ndodhet zemra kur kthejmë fytyrën nga balli i një njeriu a sendi; kund. i djathtë. Krahu i majtë i shtëpisë. Në anën e majtë të rrugës. Faqja e majtë e librit. Ana e majtë e pyllit. Shtylla e majtë e portës (sport.). Sulmuesi (mbrojtësi) i majtë (sport.).
3. Që është në krahun e zemrës ose që lidhet me atë anë kur kthejmë fytyrën në drejtim të rrjedhës së një lumi; kund. i djathtë. Bregu i majtë i lumit.
4. Që përkrah ose mbështet reforma apo revolucione sociale, politike e ekonomike që synojnë të rritin lirinë, fuqinë dhe mirëqenien e njerëzve të thjeshtë; majtist; kund. i djathtë. Lëvizje e majtë. Partitë e majta. Grupi (krahu) i majtë në parlament. Oportunistët e majtë. Parulla të majta.
♦ Të bësh *kryq me dorë të majtë (me të dyja duart)! Jep me *dorën e majtë (dikush). Më këndon *veshi i majtë.
MBARÚAR (i, e) mb. 1. I kryer plotësisht, që është çuar deri në fund, që është përfunduar së ndërtuari, së shkruari etj.; që mund të quhet si e kryer. Ndërtesë e mbaruar. Vepër e mbaruar. Është punë e mbaruar.
2. Që është plotësuar, i përmbushur, i kryer. Porosi e mbaruar.
3. I plotë (për arsimin që ka marrë dikush, për shkollën a kursin që ka ndjekur). Me arsim të lartë të mbaruar. Ishte jurist me akademi të mbaruar në Perëndim.
4. Që është në rënie të plotë e po shkon drejt shkatërrimit përfundimtar, që po mbaron (për dikë a për diçka); që është duke vdekur, që s’ka shpresë shpëtimi; që ka vdekur. Njeri i mbaruar.
5. I përsosur në llojin e vet, i përkryer; i përgatitur mirë në një punë a mjeshtëri, shumë i zoti a i aftë. Kishte dalë një kuzhiniere e mbaruar, salcat i qante. Mjeshtër i mbaruar. Mjek i mbaruar. Gjahtar i mbaruar. Shënjues i mbaruar.
5. Që ka shumë nevojë për diçka, i vdekur a i fikur për diçka, i këputur. Jam e mbaruar për gjumë.
✱Sin.: i kryer, i përfunduar, i vulosur, i përmbushur, i kryer, i përsosur, i vdekur, i fikur, i vajtur, i këputur.
NDJELLABÁRDHË mb. 1. Ndjellamirë. Perëndim ndjellabardhë.
2. si em. Ndjellamirë. Ndjellabardhi ishte një plak i thinjur.
OQEÁN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Hapësirë e madhe me ujë të kripur, që shtrihet ndërmjet kontinentesh. Thellësia e oqeanit. Përtej oqeanit. Fundi i oqeanit. Në brigjet e oqeanit. Në dete dhe oqeane. Kaluan oqeanin. Dallgët e mëdha të oqeanit.
2. gjeog. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta që lidhet me hidrosferën. Oqeani Atlantik oqean midis Evropës e Afrikës në lindje dhe Amerikës në perëndim. Oqeani Arktik i njohur edhe si Oqeani i Ngrirë i Veriut, shtrihet rreth Polit të Veriut, në skajin më verior të Tokës. Oqeani i Ngrirë i Jugut oqean rreth Polit të Jugut, i mbuluar me akuj gjatë pjesës më të madhe të vitit, i kufizuar nga Oqeani Paqësor dhe Oqeani Atlantik. Oqeani Indian oqean në jug të Indisë, që shtrihet nga brigjet lindore të Afrikës deri në Australi. Oqeani Paqësor oqeani më i madh i botës, i kufizuar nga Amerika në lindje dhe nga Azia dhe Australia në perëndim.
3. fig. Sasi shumë e madhe, diçka e pamasë dhe e pafund. Oqean njerëzish. Oqean fjalësh. Oqean lotësh. Në oqeanin e punëve.
♦ Një *pikë ujë në oqean (në det).
PAPERËNDÍM (i, e) mb. Që nuk ka perëndim, që nuk perëndon, që nuk mbaron. Në dritën e paperëndim.
PERËNDÍM,~I m. 1. Veprimi kur perëndon Dielli; ulja e Diellit ose e ndonjë trupi tjetër qiellor poshtë vijës së dukshme të horizontit në anën e kundërt të lindjes.
2. Pamja e natyrës dhe drita kur perëndon dielli. Perëndim i bukur (i mrekullueshëm, magjepsës) i diellit.
3. Koha kur perëndon dielli. Para (pas) perëndimit të diellit. Në perëndim të diellit.
4. Pika e horizontit nga perëndon dielli, ana që është në të majtë kur kthehemi me fytyrë nga veriu, drejtimi i përkundërt me lindjen; vend (pjesë e një shteti a kontinenti, krahinë a tërësi krahinash, zonë) që ndodhet në anën nga perëndon dielli. Në perëndim të qytetit (të fshatit, të vendit). Me dritare nga perëndimi. Era e perëndimit. Sheh nga perëndimi. Fryn nga perëndimi. Shkonin drejt perëndimit.
5. (gjeogr.) Vendet a shtetet e Evropës Perëndimore e të Amerikës. Perëndimi i largët vendet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Malet Shkëmbore dhe përgjatë bregut të Paqësorit. Perëndimi i Mesëm krahinë në shtetet veriore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Ohajoja deri në Malet Shkëmbore.
6. fig. Fundi i dikujt a i diçkaje, mbarim; rënie nga fuqia, nga gjendja e mirë etj. Perëndimi i sistemit feudal. Perëndimi i mitit të pathyeshmërisë së ushtrisë gjermane.
7. Vdekja e dikujt a zhdukja e diçkaje.
✱Sin.: kaptim, hyrje, falje, përfalje, fund, mbarim, rënie, vdekje, zhdukje.
PERËNDIMÓR,~E mb. 1. Që gjendet në perëndim, që është në atë anë a në atë drejtim nga perëndon dielli; i perëndimit. Pjesa (ana) perëndimore. Gjysmërruzulli perëndimor (gjeogr.). Gjatësia gjeografike perëndimore (gjeogr.) largësia e një vendi nga meridiani i parë (nga meridiani i Grinuiçit) në drejtim të perëndimit, që matet me gradë.
2. Që fryn nga perëndimi, që vjen nga perëndimi (për erën). Erë perëndimore.
3. Që lidhet me vendet e perëndimit, që u përket vendeve të perëndimit; që është karakteristik për shtetet e perëndimit, për sistemin shoqëror a për jetën e tyre. Vendet (fuqitë, shtetet, qeveritë) perëndimore. Evropa Perëndimore. Kultura perëndimore. Mënyra perëndimore e jetesës. Muzikë perëndimore.
PISKÁLAS,~E mb. Që lidhet me Piskalin (fshat në perëndim të Ersekës) ose me piskalasit, që është karakteristik për Piskalin ose për piskalasit, i Piskalit ose i piskalasve, që është krijuar nga piskalasit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë