Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGÓR/Ë,~A f. 1. Shesh qyteti në Greqinë e lashtë ku mblidheshin çdo ditë qytetarët për t’u njohur me lajmet e reja, për të zhvilluar mbledhje e diskutime për çështjet politike të qytetit ose për të bërë tregti; kuvend popullor i atikasve të moçëm; ndërtesa e këtij kuvendi. Agora e Athinës. Agora para Akropolit.
2. Treg a shesh i hapur tregtie, ku shiten e blihen mallra të ndryshme, ku tregtohen kafshë, drithë, pemë, perime; pazar.
3. arkit. Hapësirë e hapur publike ose një shesh të madh. Agora e qytetit. Po shëtiste në agorë.
✱Sin.: shesh, kuvend, treg, hapësirë.
AH,~UI m. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Fagus) Dru gjethor i pyjeve malore, me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme ose ngjyrë mishi, lënda e të cilit përdoret për orendi, në ndërtim etj. Ah i bardhë (i kuq). Pyll ahu. Në hije të ahut. Gjethe ahu. Ah i ri. Dru ahu. Dyer ahu. Dërrasë ahu. Tryezë (dollap) ahu. Sharroj trungun e ahut.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje ahesh: Ahu amerikan ahu gjethemadh. Ahu i argjendtë (lat. Fagus menziesi, Nathofagus menziesi) ah me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme, me gjethe të vogla, të trasha dhe thuajse të rrumbullakëta në çifte. Ahu evropian ahu i zakonshëm. Ahu i bardhë ahu damaror. Ahu bakëror ahu i purpurt. Ahu damaror (lat. Fagus nervosa, F. procera) ah me lëvore të hirtë, që plasaritet rreth moshës 25-vjeçare të saj, me kreshta të ngushta vertikale, me sytha të hollë e të gjatë konikë ngjyrë kafeje në të blertë me push në ngjyrë të kafenjtë, me gjedhe të bardheme si kurrizi i peshkut e pak të rrudhura midis damarëve kryesorë, me sytha të hollë e të gjatë konikë të kuq në të jeshilët, me gjethe qumështore, të rrumbullakosura në bazë e më pak në majë, që nxjerr me lule treshe kurorë. Ahu gjethemadh (lat. Fagus grandifolia) ah me lëvore të lëmuar me ngjyrë të blertë në të argjendtë, me sytha shumë të hollë dhe të gjatë, me gjethe të mëdha me bisht të shkurtër në ngjyrë të blertë në të errët, të thjeshta dhe të dhëmbëzuara, me lule të dy gjinive në të njëjtën pemë, që lidh fruta si një arrë të vogël të mbledhura në çifte në një shark me katër lobe me gjemba të butë. Ahu japonez (lat. Fagus japonica) ah me lëvore të lëmuar në ngjyrë të hirtë në të blertë, me gjethe të thjeshta vezake të blerta të ndërkëmbyeshme me mjaft damarë dhe me kërcell frutor të gjatë 3-4 cm, që kultivohet në malet e Japonisë, të Koresë etj.; ahu blu japonez, ahu i qenit. Ahu jugor (lat. Nothofagus) ah me lëkurë të ndritshme, me gjethe të dhëmbëzuara ose të plota, që lidh fruta si një arrë të vogël, të sheshtë ose trekëndore, në shark deri në shtatë kokrra, që gjen përdorim të gjerë në zdrukthëtari, në industrinë e letrës, në industrinë e bakrit etj. Ahu i kuq (lat. Fagus fusca, Nothofagus fusca) ah zbukurues, me gjelbërim të përhershëm, me lartësi mesatare deri 50 m e që këkon klimë të butë oqeanike, me kurorë ovale ose cilindrike në pjesën e sipërme, me gjethe të vogla vezake tringjyrëshe: në ngjyrë kuqe në të gjelbër kur janë të reja, në ngjyrë vjollcë kur rriten, që lidh fruta kubore me tri fara. Ahu lindor (lat. Fagus orientalis) ah gjetherënës me trung të trashë, me sytha të gjatë e të hollë, me gjethe të thjeshta dhe të plota e në skaje pak të dhëmbëzuara, me lule të vogla që lidh fruta si arra trekëndëshe të cilat piqen në vjeshtë. Ahu i malit (lat. Nothofagus solanderi cliffortoides) ah i pyjeve malore me gjelbërim të përhershëm që rritet në toka të thata e jopjellore, me lëvore të lëmuar ose me rrudha të imëta horizontale në ngjyrë hiri të errët, me bisqe të holla me qime të dendura në ngjyrë të kuqe në të errët, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të ndritshme vezake me majë të rrumbullakët, që lidh fruta me tri arra. Ahu mërsinor (lat. Fagus cunninshami, Nothofasus cunninghami) ah i fortë dhe i qëndrueshëm ndaj ngricave, që rritet në hije e në lugina me gjethe të vogla të thjeshta trekëndëshe e dhëmbëzore, të ndërkëmbyeshme e me ngjyrë të gjelbër në të errët, që pranverë marrin ngjyrë të theksuar të kuqe, rozë dhe portokalli, që lidh me fruta tri arra. Ahu i pjerrët (lat. Fagus obliqua, Nothofagus obliqua) ah malor gjetherënës i Amerikës Latine, me trung të trashë me lëvore të hirtë në ngjyrë kafe të errët, me gjethet që përdridhen mes damarëve dhe skajeve dhëmbëzore, me lulet të vogla të rrethuara me brakte të gjelbra, që përdoret në mobilieri, në ndërtimtari etj.; lisi patagonian. Ahu i praruar (lat. Fagus sylvatica zlatio) ah parku, me degëzime të ulëta, me kurorë rruzullore të hapur, që rritet në toka të pasura me humus me lëvore të butë e të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe të ndritshme vezake me ngjyrë të verdhë të lehtë dhe të artë në të gjelbër, që lidh arra të mëdha në një shark me qime. Ahu i purpurt (lat. Fagus sylvatica purpurea) ah me trung me lëvore të hollë, të lëmuar dhe në ngjyrë hiri, me sythat në ngjyrë të bakërt të ndërkëmbyeshme, me gjethe të kuqe në vjollcë që në vjeshtë kur ato marrin ngjyrë të bakërt; ahu bakëror. Ahu i qenit ahu japonez. Ahu i zakonshëm (lat. Fagus sylvatica) ah gjetherënës, i përhapur në pyje në Evropë, ah i zakonshëm me trung të trashë mbi një metër, me lëvore në ngjyrë hiri, të lëmuar dhe e hollë, me gjethet vezake e me lule me thekë në tufë. Ahu i zi (lat. Fagus solanderi) ah me shumë degë të holla, me lëvore në ngjyrë të hirtë të errët e të lëmueshme me rrudha të imëta horizontale, me bisqe të holla e të kuqe në të errët dhe me qime të dendura, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të gjelbra dyvjeçare vezake e me maja të rrumbullakëta, që lidh fruta zakonisht me tri fara e që rritet në toka të thata e më pak pjellore.
✱Sin.: drudet, fag, okshe.
♦ *Ashkë ahu (lisi, dushku). Prish një ah për një bisht kmese (dikush) iron. shih prish bucela (bute) e bën kënaçe (dikush).
AMBIENTÚAR (i, e) mb. Që është mësuar a që është përshtatur me një mjedis. Papagall i ambientuar me kushtet shtëpiake. Fëmijë i ambientuar me jetën e fshatit (të qytetit). Pemë (lule) të ambientuara me klimën e nxehtë.
ÁMB/ËR,~RAI f. 1. bot. (lat. Liquidambar styraciflua) Druri i rrëshirës së ëmbël, që rritet deri në 20-35 m, që ka gjethe me 5-7 lobe (si yll), ngjyrë jeshile gjatë verës dhe ngjyra shumë të ndezura në vjeshtë – nga e portokallta kah e kuqja e purpurt, me fruta në formë boçash me gjemba, të drunjta, që qëndrojnë në pemë edhe pasi bien gjethet, lëshon një lëng aromatik me ngjyrë të hirtë, të errët, që ka përdorime mjekësore dhe aromatike, qelibar.
2. Rrëshirë aromatike e ngurtësuar e disa drurëve halorë, me ngjyrë të verdhë në të kuqe a në të murrme, pothuaj e tejdukshme, e cila përdoret për të bërë sende të ndryshme zbukurimi ose si veçues në aparatet që punojnë me elektrik; qelibar. Ambër i verdhë (i kuq). Gur ambri. Shufër ambri. Rruaza ambri. Çibuk ambri. I verdhë (i kulluar) si ambër.
3. Rrëshirë aromatike që përdoret në ritualet shpirtërore dhe medituese në vendet e lindjes, në shumë kultura lindore dhe të lashta (hinduiste, budiste etj.), për të tymosur dhomat dhe për ta pirë bashkë me duhanin me qëllim qetësimi; temjan.
4. Lëndë e hirtë aromatike që gjendet në barkun (zorrët) e balenës.
✱Sin.: rrëshirë, qelibar, temjan.
ARALÍ,~A f. sh. ~, ~TË bot. (lat. Aralia) 1. Lloj i bimëve gjetherënëse, zbukuruese dhe erëkëndshme, që kanë gjethe të përbëra nga lule të vogla që dalin tufë si çadër.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të aralish: Aralia e egër (lat. Aralia nudicaulis) bimë shumëvjeçare gjetherënëse, me gjelbërim të përhershëm, gjysmëshkurre, si pemë e vogël, e përhapur në disa kontinente, që kultivohet si bimë zbukuruese e parqeve dhe e ambienteve të brendshme dhe si bimë mjekuese për organet e frymëmarrjes. Aralia japoneze. Aralia e grathët (lat. Aralia hispida) bimë shumëvjeçare që lulëzon në qershor e korrik, pëlqen tokat e thata dhe ranore, ka gjethe të dhëmbëzuara, vezake, frutat e së cilës janë të errëta dhe të rrumbullakëta, kurse rizoma mund të dimërojë në 50 centimetra mbi tokë. Aralia gjembake (lat. Aralia spinosa) shkurre e madhe, e drejtë, gjetherënëse aromatike, e cila për shkak të gjembave të fortë e të mprehtë që gjenden në gjethet e saj të mëdha, në kërcellin dhe në degët e saj, dhe bashkë me frutat e zeza me lëng, i japin kësaj shkurreje një pamje të veçantë dhe tejet zbukuruese; shkopi i djallit. Aralia kineze (lat. Aralia chinensis) shkurre e madhe gjetherënëse me gjemba, me gjethe të stërmëdha të përbëra me dy kërcej që formojnë një kurorë gjethesh, secili nga to me fletëpalosje vezake me ngjyrë të hirtë-jeshile të zbehtë, me lule të vogla e të bardha, që lulëzojnë dendur në fund të verës e deri në vjeshtë dhe pasohen nga bërthama mishtore që piqen në vjeshtë. Aralia e letrës (lat. Aralia papyrifera) bimë e gjelbër zbukuruese për ambientet e brendshme dhe të jashtme, që rritet në brigjet dhe shpatet e përrenjve pyjorë, ka gjethe të mëdha të gjelbra ose të argjendta të larme, në formë të rrumbullakët, me lëkurë të trashë, të përshkueshme dhe me teksturë të ngjashme me letrën, që lulëzon në vjeshtë ose në fillim të dimrit dhe ka veti mjekuese.
ARRÍRË (i, e) mb. 1. Që është i pjekur sa duhet, që është bërë për t’u vjelë ose për t’u korrur; kund. i paarrirë. Mollë (pemë) e arrirë. Rrush i arrirë. Grurë i arrirë.
2. fig., bised. Që është i pjekur (nga mosha); që ka përvojën e duhur për një punë; i mbërrimë. Djalë i arrirë. Vajzë e arrirë. Profesioniste e arrirë.
3. fig. I arritur2. Vepër e arrirë. Godinë e arrirë. Plan i arrirë.
4. I ardhur4. Tokë e arrirë. Brumë i arrirë.
✱Sin.: i pjekur, i ardhur, i arritur.
ÁRR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. (lat. Juglans regia) bot. Pemë frutore me trup të lartë e të trashë, me dru të fortë e shumë të mirë për orendi etj., me lëvore të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe të mëdha e me lule si vile, që bën kokrra me lëvozhgë të fortë, me shark të gjelbër e me thelb të ushqyeshëm, të ndarë në katër pjesë; kokrra e kësaj peme; çaçaniku, kaçka. Arrë gungë. Arrë gajgë (rukë). Dru arre. Kllapesh arre lëvorja e njomë që vesh arrën. Si arrë i terur, i thatë (dru arrë). Qëroj arra. Arrë bukje arrë me thelb të madh, të plotë e që del lehtë. Arrë mishje arrë së cilës nuk i del thelbi lehtë. Arrë pjeshke arrë që i ndahet lehtë thelbi. Arrë vajëse. Arrë fyçkë (fyrbë). Arrë bukje. Arë dheu. Dru arre. Gjethe arre. Vaj arre. Thelbi i arrës. Ngjyrë arre ngjyrë kafe e murrme. Bojë arre lëng i nxjerrë nga gjethet e arrës për të ngjyrosur flokët. Thyej (çaj) arra. I ushqyer me thelpinj arre i ushqyer mirë, me gjëra të mira.
2. si mb. Me koren të pjekur mirë dhe brenda e butë (për bukën).
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje arrash: Arra akazhuje (lat. Anacardium occidentale) pemë tropikale me fruta dhe fara të ngrënshme të ëmbla e të lëngshme, që rriten jashtë frytit në një si shpretkë të veçantë, lëvorja e së cilës përmban një lëndë të helmuese Arra amerikane (lat. Juglans cinerea, Caryocar nuciferumi) lloj arre me lëvozhgë të trashë e të mbuluar me një lëng ngjitës, me fryta të ëmbla yndyrore, që përdoren në ushqime të ndryshme; arra e hirtë. Arra e Australisë (lat. Macadamia integrifolia, M. ternifolia) lloj arre me dru të fortë, që rritet në rajonet subtropikale, me bërthamë të bardhë e të butë e të ngrënshme. Arra e bardhë (lat. Juglans alba) pemë arrore me drurin të fortë, ngjyrë kafe që përdoret në prodhimin e mobilieve të cilësisë së lartë e që lidh arra të shijshme me vlerave të mëdha ushqyese e mjekësore; arra mbretërore. Arra e Brazilit (lat. Bertholletia excelsa) pemë e madhe tropikale e njohur për frytet e saj të mëdha, të rrumbullakëta, me një lëvozhgë të trashë dhe të fortë, të pasur me lëndë ushqyese; arra braziliane. Arra e butë arra gjethefrashër. Arra e derrave (lat. Juglans glabra, Carya glabra C. porcina) arrë e kultivuar gjerësisht në shumë rajone të botës, me lëvozhgë të fortë dhe të drunjtë që mbron bërthamën e ngrënshme. Arra dushkvogël (lat. Carya laciniosa) lloj peme e madhe, e fortë dhe e qëndrueshme, që rritet mirë në klimë të ngrohtë dhe të butë, me fara të ngrënshme që përdoren gjerësisht në gatime (ëmbëlsira, biskota, akullore etj.). Arra e dheut kikiriku. Arra gjethefrashër (lat. Juglans fraxinifolia) arrë e përhapur në shumë vende të botës, me fryt të ngrënshëm, që përdoret gjerësisht në kuzhinë dhe për prodhimin e vajit të arrës; arra e butë. Arra fyçkë (lat. Juglans regia) pemë e lartë arrore me gjethe të mëdha me ngjyrë të gjelbër të errët, me fryt që përbëhet nga një mbështjellës i fortë brenda të cilit gjendet fara e ngrënshme e ndarë në dy ose katër thela, që përdoret gjerësisht në gatimet dhe në prodhimet kozmetike. Arra gungë (lat. Juglans cinerea) pemë arrore lartësia e së cilës arrin deri njëzet metër, me kurorë të gjerë me degë të përhapura, me gjethe të gjata, të vogla të vendosura përballë njëra-tjetrës që lidh fryte që nuk çahen lehtë; arra e hirrës. Arra e hidhur (lat. Carya cordiformis) pemë arrore e lartë, me cilësi të mira, që përdoret për prodhimin e mobilieve, të instrumenteve muzikore, të veglave të ndryshme, që arrin lartësinë deri 30 m; arra e hidhur. Arra e Hindit (lat. Ailantus allissima) dru i egër, i ngjashëm me arrën e zakonshme, me lëvore të murrme, me gjethe që kanë një erë të rëndë, me lule të vogla të bardha e me frytin si bishtajë ngjyrëkafe. Arra e hirrës arra gungë. Arra japoneze (lat. Juglans ailanthifolia) arrë me lartësi deri në njëzet metër me gjethe të mëdha me fletëza, q[ lidh arra të mëdha me mbështjellës të fortë e të qëndrueshëm. Arra kaliforniane e myshkut (lat. Torreya californica, T. myristica) arrë me gjelbërim të përhershëm, që mund të arrijë lartësi prej deri në njëzet e pesë metër, me trung të drejtë e të mbuluar gjethe të errëta e të ngushta, të gjata e të verdha në të gjelbër, që që lidh me fryte kokërrvogla e të verdha. Arra e Kalifornisë (lat. Carya californica, Juglans californica) arrë që arrin lartësinë deri në njëzet metër, me gjethe me fletëza të gjata e të ngushta, të mbuluara me fije të holla e të veshura me një mbulesë të verdhë, që lidh kokrra me mbështjellës të hollë, që shpërbëhet kur arrin pjekurinë, duke zbuluar frytin e ngrënshëm. Arra kineze (lat. Juglans sinense) arrë që rritet deri njëzet metër, me gjethe të mëdha e me fletëza të gjata e të ngushta, me fryt të veshur me kllapesh a gëzhojë të trashë e të fortë. Arra kineze e myshkut (lat. Torreya grandis) pemë e lartë që përdoret në mjekësi, në ndërtimtari dhe për zbukurim, që ka trung të drejtë e të fortë, me lëvore të trashë e të zakonshme, me gjethe të ngushta, të gjata e të dendura me ngjyrë të errët të gjelbër dhe të renditura në mënyrë të rregullt, që lidh fryte si kokrra të ngushta. Arra kokërrmadhe (lat. Juglans major) arrë me gjethe të mëdha të përbëra nga fletëza të gjata e të ngushta, të veshura me një mbulesë të butë, që lidh kokrra të mëdha të veshura me kllapesh të trashë e të fortë, i cili shpërbëhet kur kokrra arrin pjekurinë. Arra kokërrzemër (lat. Juglans ailanthifolia cordiformis) Arrë që arrin lartësinë deri në njëzet e pesë metër, me gjethe të përbëra nga fletëza të mëdha e të ngushta me një mbulesë të butë dhe të verdhë. që lidh kokrra në trajtën e zemrës e të veshura me një kllapesh të trashë që shpërbëhet kur arrin pjekurinë. Arra e kokosit (lat. Cocos nucifera) palma e kokosit. Arra kola (lat. Cola acuminata, C. vera) pemë me lartësi deri njëzet metër, me kurorë të gjerë e gjethe të mëdha me ngjyrë të gjelbër të errët, që lidh fryte si kapsulë që përmban farat e kolës me përmbajtje kafeine, të cilat përdoren për përgatitjen e një pijeje. Arra mbretërore arra e bardhë. Arra e myshkut (lat. Myristica fragrans) pemë e lartë tropikale që mund të arrijë deri në njëzet metër lartësi, me gjethe të mëdha e të ndritshme, që lidh një kokërr që çliron erëzën e moskatit dhe të miskut; arra e moskatit. Arra pekan hikorja. Arra spanjolle (lat. Gynandriris sinyrinechium, Iris sisyrinchium) irisi; lilaku gjethehollë. Arra e Teksasit (lat. Juglans microcarpa, J. rupestrig) arrë me kurorë të gjerë, me degë të përhapura e me gjethe të gjata, të gjelbra, të përbëra nga disa gjethëza të vogla, që lidh fruta të vogla me lëvore të trashë, të ngrënshme e që mund të përdoret dhe si dru zbukurues në një park. Arra e ujit (lat. Juglans aquatica, Trapa natans) arrë me trung të drejtë dhe me kurorë të rrumbullakët ose të zgjatur, me lëvore të trashë e të plasaritur me një ngjyrë gri në kafe ose të zezë, me gjethe të gjata të gjelbra, të përbëra nga disa gjethëza të vogla formash të ndryshme, që lidh fryte me një bërthamë të vogël e të hidhur; gështenja ujëse. Arra e vajit (lat. Pyrularia pubera) lloj bime gjysmëparazitare, si një shkurre ose pemë e vogël, me gjethe të gjelbra, të gjera e me shkëlqim të lehtë, që lidh një fryt bërthamëmadh që përmban një lëng të hidhur helmues. Arra e zezë (lat. Juglans nigra) arrë me trungun në ngjyrë të errët e me cilësi të lartë, që përdoret gjerësisht në mobilieri, që lidh fryte të ngrënshme. Arra e bajames (lat. Prunus dulcis) arrë që rritet mirë në vende të ngrohta dhe me diell, që lidh fryte të shijshme vajore, që përdoren gjerësisht në gatime e si një përbërës i rëndësishëm në industrinë ushqimore e në kozmetikë. Arra lazate (lat. Pinus pinea) pishë mesdhetare, me fara të shijshme, që përdoren për të përgatitur ëmbëlsira, sallata, salca etj.; arra e pishës.
✱Sin.: qiqërviqër, kikirik, aringë, arxheviz, arrëmizë, moskoarrë, kacimare, kaciram.
♦ Arrë pa bukë mospërf. njeri pa vlerë, që nuk të bën punë; njeri që nuk është i zoti e i zgjuar; pemë pa kokrra. Arrë (kaçkë) e fortë njeri të cilin s’e thyen a s’e mund dot; njeri që nuk mposhtet e nuk nënshtrohet; arrë (kaçkë) gungë. Arrë fyçkë keq. njeri mendjelehtë; njeri kokëbosh. Arrë në gojë diçka që nuk kapërcehet, nuk gëlltitet lehtë; dikush a diçka që nuk mposhtet lehtë, kockë në fyt. Arrë (kaçkë) gungë njeri kokëfortë; njeri që s’thyhet lehtë; kockë e fortë; arrë (kaçkë) e fortë. Arra pa thelb fjalë boshe, muhabet pa brumë a punë pa vlerë; gjëra të kota, gjëra pa bukë. I bëhet arra *gogël (dikujt). I bëjnë degët arra (dikujt) shih i bën dushku arra (dikujt). I bën dushku arra (dikujt) i shkojnë punët shumë mirë, i vete çdo gjë vetëm mbarë; i pjell edhe gjeli (këndesi, kaposhi, kokoshi); i pjell edhe mushka; i pjell edhe viçi. Kur të bëjë qarri arra iron. kurrë, asnjëherë; kur të hipë derri në fik; kur të bëhen dy ditë bashkë; kur të bëjë larushku rrush; kur të pjellë gjeli (këndesi, kaposhi, kokoshi); kur të pjellë mushka. Kur të bëjë verri arra shih kur të bëjë qarri arra iron. I derdhen arrat (dikujt) nuk di (nuk mundet) të mbajë gjë të fshehtë, i nxjerr të gjitha të fshehtat jashtë; nuk i mban barku; nuk mban gjë në bark (dikush); kund. e hedh fjalën në pus (dikush). *Dru arre. T’i ha arrat (dikush) është shumë i fortë; ta mbledh, ta bën gjëmën; të qëron të bardhën e syrit. Nuk ia ha dot arrat (dikujt) është shumë i zgjuar, nuk ia hedh dot, s’gënjehet lehtë, nuk ia kalon kush; të thyen arrën në dorë; të merr gjak në vetull; të lan në shpatull. Të ha arrat e të bën varrat (dikush) keq. shih të ha shalqirin e të rreh me lëkura (dikush). (Janë) si arra e verri nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, janë në grindje të vazhdueshme; (janë) si gjilpërat majë më majë; janë gur e uror (si guri me urorin)1; kund. (shkojnë) si fiku me arrën. Ka (në dorë) edhe *gurin edhe arrën (dikush). Ta merr arrën nga dhëmbët (dikush) keq. ta hedh lehtë, s’e ka për gjë të të mashtrojë, ta hedh kur të duash; ta merr kafshatën nga goja. S’i mban goja arra (dikujt) keq. nuk mban dot asnjë të fshehtë, i tregon të gjitha; i derdhen arrat; e ka gjuhën lopatë (dikush) tall.; e ka sqepin të gjatë (dikush); s’i vë fre gojës (gjuhës) (dikush). I peshon arrat pa i shkundur (dikush) flet pa u menduar, ia fut kot; vendos para kohe për diçka, është i rrëmbyer; e shkund arrrën që në korrik; e shkund manin në prill. T’i shet goglat për arra (dikush) shih ta shet sapunin për djathë (dikush). (Shkojnë) si arra me palën shih (shkojnë) si fiku me arrën. (Shkojnë) si *fiku me arrën. E shkund arrën që në korrik (dikush) thotë fjalë të papjekura a bën punë të pamenduara mirë; e bën diçka para kohe, jo në kohën e vet; e shkund manin në prill; i peshon arrat pa i shkundur. *Shtagë arrash. I than arrat mbi çati (dikush) nuk ka besim tek askush, ka frikë se e vjedhin a ia hedhin, ruhet a e ruan çdo gjë me merak. Të thyen arrën në dorë (dikush). 1. Është shumë i zoti; ia del çdo gjëje; s’ia ha qeni shkopin (dikujt); të merr gjak në vetull. 2. keq. Ta hedh lehtë, s’e ka për gjë të të mashtrojë, ta hedh kur të duash; ta merr kafshatën nga goja; ta merr arrën nga dhëmbët. 3. keq. shih të ha (të qëron) të bardhën e syrit (dikush). I theu arra në kokë (dikujt) e qortoi ashpër, e goditi rëndë (me fjalë).
ÁR/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Ara) Shpend që jeton në vende të nxehta me sqep të verdhë, të gjatë e të kthyer nga poshtë, me pupla shumëngjyrëshe, që ka aftësi të shqiptojë fjalë duke imituar njeriun, që pjesën më të madhe të kohës qëndron në pemë dhe ushqehen kryesisht me fruta, fara, sytha, nektar dhe polen, ndonjëherë edhe me insekte; papagalli ara. Arë e gjelbër (i kuq). Ara bishtgjerë. Pendë are. Zë are. Mëson si arë mëson përmendsh, në mënyrë mekanike. E përsërit si arë.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të këtij zogu: Ara ballerrët ara e zezë. Ara blu në të verdhë (lat. Ara ararauna) are e madhe, që ka aftësinë për të komunikuar me tjetrin përmes tingujve. Ara faqekuqe ara kokëkuqe. Ara e gjelbër (lat. Ara ambiguus) arë trup të madh dhe me pendët me ngjyra të ndryshme, të gjelbër, blu, të kuqe, që shquhet aftësi të lartë në nyjëtimin e fjalëve e në komunikim si dhe për aftësinë për t’u përshtatur në mjedise të ndryshme. Ara kokëkuqe (lat. Ara rubrogenys) arë me trupin me ngjyra të ndryshme: blu, të gjelbër dhe portokalli, me kokën e kuqe, me krahë të gjatë e me trup të mbushur, që shquhet për aftësitë e komunikimit. Ara krahëgjelbër (lat. Ara chloropterus) ara me trup të madh e me ngjyra të ndezura, me ngjyrë të gjelbër në trup, të kuqe dhe blu në krahë dhe të bardhë në nënsqetull, që shquhet aftësi të lartë në nyjëtimin e fjalëve dhe në komunikim. Ara e kuqe dhe blu (lat. Ara macao) arë me trup të madh, me ngjyra të ndezura: të gjelbër, të kuqe dhe blu, që shquhet për aftësinë e lartë për të mësuar e për t’u përshtatur. Ara qafëblu (lat. Ara glaucogularis) arë trupvogël që jeton në zonat malore, me ngjyrë blu në qafë dhe në brinjë, me pjesën e sipërme të trupit në ngjyrën e verdhë, që mbahet dhe në mjedise shtëpiake sepse është miqësor dhe krijon marrëdhënie të ngushta me njeriun. Ara ushtarake (lat. Ara militaris) shpend i madh krahëgjatë, me trup me nga ngjyra të ndezura: të zezë, të gjelbër dhe të kuqe, që shquhet për aftësinë për të mësuar e që jeton në tufa të mëdha; ara e zezë, ara e gjelbër. Ara e zezë (lat. Ara severus) arë me trupin me ngjyrë blu të errtë, të gjelbër të kuqe të mbyllur, me nënsqetulla të bardha, që dallon për aftësi për të mësuar dhe për të lidhur marrëdhënie të ngushta me njerëzit.
AZDÍSUR (i, e) mb., bised. 1. Që është rritur tej mase, që është zhvilluar shumë, i harlisur. Grurë (misër) i azdisur. Lule (pemë) e azdisur.
2. fig. Që nuk përmbahet dot, i harbuar, i harlisur, i dalldisur, i tërbuar (për kafshët); që lëviz me vrull; i papërmbajtur (për dallgët etj.). Kalë (mëz) i azdisur. Pelë (mushkë) e azdisur. Erë e azdisur. Dallgë të azdisura.
3. fig. Që është i papërmbajtur; që nuk njeh kufi, i shfrenuar, i shthurur. Djalë i azdisur. Grua e azdisur. Dëshira të azdisura. Fantazi e azdisur. Vajzë (djalë) e azdisur. Fëmijë të azdisur.
✱Sin.: i zhvilluar, i rritur, i harlisur, i harbuar, i dalldisur, i shfrenuar, i shthurur.
BABUÍN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Papio cynocephalus) Një prej shtatë llojeve të majmunit të prehistorisë në gjininë Papio, me prejardhje nga stërgjyshër që jetonin në pemë dhe u bënë tokësorë duke ecur mbi të katra gjymtyrët (jetojnë në rajone pak të pyllëzuara të Afrikës, në jug të shkretëtirës së Saharasë). Babuini i savanës. Babuini i ullirit. Tufë (çetë) babuinësh. Statujë babuinësh. Si një babuin i pangopur. Komuniteti i babuinëve.
BÁHÇ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bised. Kopsht i vogël zakonisht pranë shtëpisë, i mbjellë me pemë, me perime ose me lule, bashtinë; vjet. lulishte. Bahçe me pemë (me lule). Doli në bahçe. Punonte bahçen. Bahçja e shpirtit njeri i shtrenjtë (zakonisht për fëmijët). Po kjo bahçja jote dyzet rrënjë mollë, / Ç’u rrit çupa e vogël, zu ma bën me dorë. (folk.). Bahçja me lule dhe bota me njerëz kanë hije. (fj. u.). Presh në kopsht, lakra në bahçe. (fj. u.).
♦ Bahçe me lule shih kopsht me lule. Kërkon *hije në bahçe të tjetrit (dikush) iron. I lulëzon (i lulon) bahçja (edhe) në dimër (dikujt) i vjen e mira edhe kur s’e pret; i shkojnë punët gjithnjë mbarë; i bie shiu në prag të derës. I mbushet bahçja me *bar edhe në dimër (dikujt).
BAJÁT,~E mb., bised. 1. Që është prodhuar ose është vjelë me kohë dhe ka humbur shijen, freskinë dhe cilësitë e tjera të mira; i ndenjur, i ndiçëm; kund. i freskët; i proshkët. Pemë (perime) bajate. Bukë bajate. Mish bajat. Gjellë bajate. Ushqime gjysmë bajate. U bë bajat. Kur vjetrohet buka bëhet bajate.
2. fig., keq. Që i ka dalë boja, i vjetruar; që ka humbur vlerën nga përdorimi i tepruar dhe është bërë i mërzitshëm nga përsëritja e shpeshtë e pa vend, banal. Refren bajat. Arsyetime (argumente) bajate. Shpifje (akuza) bajate. Shaka (narrativa, deklarime) bajate. Demagogji (propagandë) bajate. Këngë (muzikë) bajate. Mitingje bajate. U bë bajat. Fjalime (diskutime) plot me slogane e ide bajate.
3. mospërf. Që e ka humbur nderin e respektin; që nuk i ka më vlerat e dikurshme. Njeri bajat. Mania për të krijuar personazhe bajate në letërsi.
✱Sin.: i bajatosur, i pashije, i bujtur, i përbujtur, i ndiçëm, i ndenjur, i motuar, i mëllënkshur, i hupët, i pakripë, i dalëboje, i vjetruar.
♦ U bë bajat (dikush) shih i doli boja (dikujt).
BAOBÁB,~I m. sh. ~Ë, ~ËT bot. (lat. Adansonia digitata) Dru tropikal gjetherënës me nëntë lloje, me trung shumë të trashë si një fuçi e stërmadhe dhe shumë jetëgjatë, me kurorë të gjerë e me kokrra të mëdha si kunguj e me vlera etnobotanike, që rritet në Madagaskar, në Afrikën Kontinentale, në Australi etj.; fig. pema e jetës. Baobabi afrikan (australian). Përshtatja e baobabëve. Pemë baobabi. Shtatë llojet e baobabëve. Ka moshë baobabi (dikush) është shumë i vjetër në moshë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë