Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSOLÚT,~E mb. 1. Që është i pavarur dhe i pandryshueshëm, që është i përhershëm, që nuk kushtëzohet nga diçka tjetër, që është diçka që ekziston ose qëndron më vete ose vetvetiu, që nuk krahasohet me diçka tjetër; kund. relativ. Shifër absolute. Madhësi absolute. Vlerë absolute. Ide absolute (filoz.). Fryma absolute. Identiteti absolut. Mosha absolute (gjeol.). Shkalla sipërore absolute (gjuh.). Shpejtësi absolute (fiz.). Lartësi absolute. Mbretëri absolute. Autokraci absolute. Pushtet absolut.
2. Që është i plotë e tërësor, që nuk varet nga rrethana a kushte, që nuk ka asnjë përjashtim a kufizim. Epërsi absolute. Njësimësi absolute. Qetësi absolute. Liri absolute. Drejtësi absolute. Mungesë (pamundësi) absolute. Temperaturë absolute (fiz.). Amnezi absolute (mjek.). Kampion absolut (sport.) sportist që ka fituar mbi kundërshtarët e tjerë në ndeshjet e një lloji të caktuar sporti. Zero absolute (fiz.). Shumicë absolute shumicë që e kalon gjysmën e tërësisë së numëruar, shumicë dërrmuese.
3. Që është i sigurt, i qartë, i padyshimtë, i prerë, i padiskutueshëm ose i pakontestueshëm; që nuk lëshon pe. Gjykim absolut. E vërteta absolute (filoz.). Substanca absolute (filoz.). Logjikë absolute. Vendim absolut. Nevojë absolute. Në mënyrë absolute.
4. Që nuk zbaton asnjë ligj, që nuk njeh asnjë kufizim, që ushtron pushtet të plotë, që e mban në dorë gjithë pushtetin; tiranik, despotik. Mbretëri absolute. Pushtet absolut. Sundim absolut. Mbret absolut. Sundimtar absolut.
5. gjuh. Që është i pavarur nga pjesët e tjera të fjalisë, që qëndron më vete. Ndërtim sintaksor absolut.
✱Sin.: i plotë, i tërësishëm, i sigurt, i palëkundur, i pakushtëzuar, i padyshimtë, i pakufizueshëm, tiranik, despotik, autokratik.
ADMINISTRATIVÍSHT ndajf., drejt. 1. Në mënyrë administrative; në përputhje me rregullat e procedurat administrative, nga ana administrative; nga pikëpamja e lidhjeve administrative; zyrtarisht. Administrativisht i sistemuar. Administrativisht i varur (i pavarur). Lidhet (varet) administrativisht. U strukturua administrativisht. Bën pjesë administrativisht. Iu përgjigj administrativisht.
2. Me rrugë administrative, nëpërmjet administratës, me anë të urdhrave e të vendimeve të administratës. Zgjidh administrativisht një çështje. U vendos administrativisht. U trajtua administrativisht. E dënuan administrativisht. Vendim i drejtë administrativisht.
AEROFÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. mjek. Aparat që fut ajër në mushkëritë e një të porsalinduri në rastet kur ato nuk janë ende në gjendje të kryejnë frymëmarrje të pavarur, zakonisht te lindjet e parakohshme ose te një i sëmurë me gjendje asfiksie; aparat ajërmbajtës. Aerofor natal aerofor për të porsalindurit.
2. tek. Pajisje që ndihmon furnizimin me ajër ose oksigjen, që përdoret në raste emergjente, nga zhytësit në ujë, nga pilotët, nga astronautët etj.; pajisje që mundëson frymëmarrjen në hapësira me ajër të helmuar ose mbytës. Aerofor bashkëkohor.
AGJENCÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. admin. Degë e një institucioni qendror ose e një ndërmarrjeje, që kryen veprime ose shërbime të caktuara; njësi ose zyrë e pavarur ndërmjetësimi si përfaqësuese e një institucioni, një organizate, një shoqate, një individi etj. që kryen një shërbim të caktuar. Agjenci tregtare. Agjenci bankare. Agjenci biznesore. Agjenci ajrore. Agjencia e udhëtarëve (e mallrave). Agjencia e komunikacionit urban (autobusëve, taksive etj.). Agjencia e pyjeve. Agjencia e aviacionit publik. Agjencia e punësimit. Agjencia turistike. Agjenci menaxhuese. Agjenci sigurimi.
2. Institucion, ent, zyrë i pajisur me mjetet e duhura që kryen shërbime të caktuara në emër të individëve, të bizneseve ose të shtetit; institucion që merr dhe përhap lajme; zyra e këtij institucioni. Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH). Agjencia e lajmeve. Agjencia Kosovapres. Agjencitë e lajmeve.
AJATOLLÁH,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Titull i lartë fetar i shiitëve në fenë islame; autoritet i pavarur, lider shpirtëror, që ka një ndikim të madh në çështjet fetare dhe politike në botën shiite.
2. Titull që u jepet udhëheqësve politikë të shtetit ose dijetarëve islamikë me njohuri të thella në teologji, në jurisprudencë islame dhe në shkenca të tjera fetare; dijetar islamik, jurist islamik.
AMSHÚAR (i, e) mb. 1. Që është jashtë kohës dhe i pavarur prej saj, që nuk ka fillim e mbarim në kohë, i amshueshëm. Jeta e amshuar. Shpirt i amshuar.
2. libr. Që zgjat pa kufi në kohë, i përjetshëm, i përhershëm. Lumturi e amshuar. Krenari e amshuar. Vepër e amshuar. Besimi në vlerat njerëzore është i amshuar. Hero i amshuar.
✱Sin.: i amshueshëm, i gjithmonshëm, i pavdekshëm, i përhershëm, i përjetshëm, i përjetësuar, i pavdekësuar, i përgjithmonë, i gjithëjetshëm, amshor.
ANTIREALÍZ/ËM,~MI m., filoz. Botëkuptim ose qëndrim filozofik që mohon të vërtetën, njëmendësinë, që kundërshton ekzistencën objektive të realitetit, të pavarur nga mendja, nga përvoja ose nga njohja jonë, kundërrealizëm; kund. realizëm. Antirealizmi metafizik. Antirealizmi epistemologjik. Filozofia e antirealizmit. Përfaqësuesit e antirealizmit.
ASPIR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr. 1. kal. dhe jokal. Kam dëshirë të madhe për t’ia arritur një qëllimi të lartë; synoj të arrij diçka; përpiqem të arrij një synim. Aspiron për lirinë. Aspiron të rrojë i pavarur.
2. mjek., kal. Thith ose largoj lëngje, gazra ose lëndë të tjera të ngurta nga trupi i njeriut përmes një pajisjeje thithëse ose përmes aspiratorit. Aspiroi gazra nga stomaku.
✱Sin.: dëshiroj, përpiqem, synoj, gjakoj, mëtoj, pretendoj, thith, largoj, heq.
ATOMIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET kim. 1. Procesi i shpërndarjes së një lëngu ose një lënde në grimca shumë të vogla në proceset e avullimit, të djegies ose në teknologjitë si spektroskopia e thithjes atomike; shpërbërje ose shpërndarje në formë aerosoli ose avulli, që përdoret në industrinë farmaceutike, në industrinë kimike, në industrinë kozmetike dhe në industrinë e ushqimit. Atomizimi i lëndëve djegëse. Atomizimi në motorët me djegie të brendshme. Atomizimi i karburanteve. Atomizimi i disqeve qeramike. Atomizimi ultratingullor. Atomizimi ujor.
2. libr., filoz., soc., gjuh. Ndarje e diçkaje në pjesë më të vogla të mundshme, në grimca ose në njësi të veçuara; procesi ndarjes së një entiteti, qoftë fizik, shoqëror, gjuhësor apo konceptual, në njësi më të vogla të mundshme, të cilat mund të funksionojnë ose të analizohen në mënyrë të pavarur. Atomizimi i universit në atome. Atomizimi shoqëror. Atomizimi i shoqërisë. Atomizimi i interesit. Atomizimi i publikut. Atomizimi i kuvendit (i sindikatave etj.). Atomizimi sintaksor. Atomizimi i njeriut. fig.
✱Sin.: shpërbërje, ndarje, copëzim, pjesëzim, shpartallim, shpërndarje, përndarje, dezintegrim, fragmentarizim, parcializim.
AUDÍT,~I m. sh. ~E, ~ET fin. 1. Proces sistematik dhe i pavarur i mbikëqyrjes, i analizimit dhe i vlerësimit të regjistrave, të dokumenteve dhe të aktiviteteve të një kompanie, të një ndërmarrjeje, të një institucioni ose të një organizate për të vërtetuar nëse ato përmbushin standardet e përcaktuara me rregullat ligjore, me politikat dhe me procedurat e brendshme të funksionimit të tyre. Audit i ndërmjetëm. Audit tatimor. Ndikimi në audit. Procedurat shtesë të auditit.
2. Vlerësim i saktësisë dhe i transparencës së informacionit financiar dhe operativ si dhe siguri që veprimet dhe llogaritjet janë bërë në përputhje me standardet dhe praktikat e duhura. Auditi financiar mbikëqyrje e regjistrave financiarë. Auditi i brendshëm proces që kryhet nga departamentet e brendshme të kompanisë, institucionit etj. Auditi i jashtëm proces që kryhet nga auditorë të pavarur jashtë kompanisë, institucionit etj. Auditi operacional shqyrton proceset dhe procedurat operative për të vlerësuar efikasitetin.
AUDIT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Kryej një auditim; shqyrtoj në mënyrë të detajuar dhe të pavarur veprimtarinë financiare, operative ose administrative të një ndërmarrjeje, të një institucioni apo të një individi. Auditoj pasqyrat financiare. Audituan institucionet arsimore. Auditoi gjykatat. Auditoj procesin e financimit. Komision për të audituar punën.
AUTARKÍ,~A f. sh. ~, ~TË pol. Koncept ekonomik dhe politik që nënkupton mbylljen dhe vetëmjaftueshmërinë e një shteti apo një komuniteti; ekonomi e pavarur nga tregtia dhe marrëdhëniet ekonomike me shtete të tjera, duke përmbushur të gjitha nevojat e veta brenda kufijve të saj; sovranitet absolut. Politika e autarkisë. Bie në autarki. Autarki ekonomike. Autarkia në ekonominë globale.
✱Sin.: autokraci, despotat, tirani, diktaturë, sundim, monarki, mbretëri, perandori, sulltanat.
AUTODIDÁKT,~E mb., libr. Që mëson dhe fiton njohuri në mënyrë të pavarur, pa ndjekur një edukim formal ose udhëzim nga mësues; që bëhet specialist në një fushë të caktuar duke mësuar vetë, pa ndjekur shkollë të rregullt. Arsimim autodidakt. Njeri autodidakt. Filozof autodidakt. Studiuese autodidakte. Në mënyrë autodidakte. Ka njohuri të thella autodidakte.
AUTOGJENÉZ/Ë,~A f., biol. 1. Teoria e origjinës ose e krijimit të jetës nga vetvetja, pa ndikimin e jashtëm.
2. Aftësia e organizmave për t’u riprodhuar, për t’u zhvilluar ose për t’u modifikuar përmes proceseve të brendshme biologjike; procese përmes të cilave një organizëm përtërin materialin e vet gjenetik ose strukturat e reja biologjike në mënyrë të pavarur; kund. ektogjeneza. Teoria e autogjenezës. Konceptet e autogjenezës. Autogjeneza si proces i riprodhimit.
AUTOMATIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR tek., kal. Pajis një degë të prodhimit me makina e aparate automatike, e bëj të prodhojë në mënyrë automatike, përshtat një proces, një sistem elektronik ose algoritmik apo një pajisje që të funksionojë në mënyrë të pavarur, pa nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme njerëzore. Automatizoj prodhimin. Automatizoj menaxhimin e të dhënave. Automatizoi pajisjet. Automatizova shërbimet publike.
✱Sin.: mekanizoj, kompjuterizoj, programoj, robotizoj, thjeshtoj, përshtat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë