Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ATÉST,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Dokument që dëshmon një kualifikim, një aftësi ose vërtetësinë e diçkaje. Atest profesional. Atest mjekësor. Atest teknik. Atest për përfundimin e kursit të informatikës (të gjuhës së huaj etj.).
2. Certifikatë ose vërtetim me shkrim i një organi zyrtar ose i një kompanie me autorizim të veçanta për të dëshmuar cilësitë e pranueshme standarde të një prodhimi ose për të licencuar një patentë (një zbulim). Atest për prejardhjen e një malli. Atest për cilësinë e prodhimeve të qumështit. Atest për një pajisje elektronike.
✱Sin.: certifikatë, dëshmi, vërtetim, dokument, diplomë.
ATESTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET zyrt. 1. Njohje, pranim zyrtar i një diplome, një titulli, një grade me anë të një dëshmie. Atestimi profesional e kulturor. Atestimi i kandidatit. Dëshmi atestimi. Komisioni i atestimit.
2. Veprim i një organi zyrtar ose i një kompanie me autorizim të veçanta për të verifikuar cilësitë e pranueshme standarde të një prodhimi ose për të licencuar një patentë (një zbulim). Atestim i prodhimeve bujqësore. Atestimi i mallit të importuar nga jashtë.
✱Sin.: certifikim, njohje, pranim, dëshmi, vërtetim, konfirmim, verifikim, dokumentim.
ATEST/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR zyrt., kal. 1. Njoh zyrtarisht me anë të një dëshmie një gradë a një titull që i jepet dikujt pas mbarimit të një forme studimi a të një shkalle kualifikimi; vërtetoj, dëshmoj, lëshoj dëshmi; përcaktoj shkallën e aftësive profesionale dhe të përgatitjes arsimore e kulturore të një individi. Atestoj shkallën e aftësive profesionale. Atestoj diplomën universitare të arritur jashtë shtetit.
2. Njoh me shkrim zyrtarisht, si përfaqësues i një organi kompetent me autorizim të veçantë, një prodhim ose një patentë (zbulim) sipas verifikimit të cilësive përkatëse standarde të përcaktuara me ligj.
✱Sin.: certifikoj, njoh, pranoj, dëshmoj, vërtetoj, konfirmoj, verifikoj, dokumentoj.
LÉJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Miratimi ose e drejta që i jepet dikujt për të bërë diçka, për të kryer një punë a veprimtari të caktuar, për të përdorur a për të marrë diçka etj.; shkresa që vërteton këtë miratim a të drejtë. Leje profesioni (ushtrimi). Marr leje. I dha leje. Ka ikur (është larguar) me (pa) leje. - Me leje të të them diçka? - Mos folni pa leje! Ka leje për të hyrë (për të dalë, për të kaluar). I dha leje ta përdorë diçka. Me lejen tuaj... Leje zyrtare. Leje automjeti. Leje banimi (qëndrimi). Leje hyrjeje. Leje kalimi (qarkullimi, fluturimi). Leje peshkimi (gjuetie). Leje shfrytëzimi. Nxori lejen. I dha (i paraqiti, i tregoi) lejen. Ia hoqën (ia morën) lejen.
2. E drejta për t’u shkëputur nga puna për një kohë të caktuar dhe për të pushuar, për t’u mjekuar, për t’u marrë me një punë tjetër etj.; koha gjatë së cilës e gëzojmë këtë të drejtë. Leje e zakonshme (plotësuese). Leje vjetore. Leje shëndetësore (krijuese). Leja e lindjes (e shtatzënisë, e barrës). Leje pushimi. Leje me (pa) të drejtë page. Koha e lejes. Mori lejen. Është me leje. Ka një muaj (dy javë) leje.
3. Dokument ligjor publik i lëshuar nga një organ shtetëror i autorizuar në një procedurë administrative, që njeh të drejtën e subjekteve juridike për të ushtruar një veprimtari ose për të realizuar një të drejtë; miratimi ose e drejta që i jepet dikujt për të kryer një punë, për të përdorur ose për të marrë diçka; shkresa që vërteton këtë miratim ose të drejtë (p.sh., patentë shoferi). Leje zyrtare. Leje ndërtimi. Leje përmbarimi (drejt.) akt juridik në formë aktvendimi, ku gjykata në procedurën përmbaruese konstaton se janë plotësuar të gjitha supozimet e nevojshme për realizimin e ekzekutimit. Leje pune (drejt.) dokument zyrtar i dhënë një të huaji nga organi kompetent, për qëllime biznesi, për t’u punësuar ose për t’u vetëpunësuar. Leje qëndrimi (drejt.) dokument që i jepet një të huaji prej një organi shtetëror, që vërteton se i huaji gëzon të drejtën të jetojë në atë shtet. Leje transporti (drejt.) akt i caktuar me ligj ose me marrëveshje ndërkombëtare, në bazë të cilës kryhet transporti rrugor i udhëtarëve ose i mallrave, të cilën e lëshon organi kompetent shtetëror. Leje ujore (drejt.) e drejtë e dhënë me shkrim nga institucionet e përcaktuara me ligj për të përdorur apo shkarkuar një sasi uji për një qëllim dhe kohë të caktuar.
✱Sin.: miratim, liratë, pushim.
MBRÓJTUR (i, e) mb. 1. Që ka një mbrojtje e nuk e zë era etj., që është në kushte të përshtatshme për t’u ruajtur nga diçka. Luginë e mbrojtur (nga era). Gji deti i mbrojtur. Është i mbrojtur.
2. Që ka mbrojtje nga një rrezik, nga i ftohti etj. Fëmija u ndje i mbrojtur në krahët e të atit. Me atë pallto ishte më e mbrojtur nga i ftohti.
3. usht. Që është i përgatitur për t’u mbrojtur kundër armikut, që ka mbrojtje të organizuar mirë. Vend i mbrojtur. Pozicion i mbrojtur.
4. mjek. Që ka mbrojtje nga një mikrob, që ka imunitet. Është i mbrojtur nga gripi.
5. drejt. Që mbrohet me ligj. Vend historik i mbrojtur. Prodhim i mbrojtur me patentë ose të drejtë autori.
NÁFT/Ë,~A f. 1. Vaj mineral natyral i djegshëm, me erë karakteristike, i përbërë nga një mori përbërjesh organike, kryesisht hidrokarbure, që nxirret nga formacione specifike gjeologjike dhe përdoret si burim energjie pas rafinimit. Pus nafte. Naftë bruto. Prodhimet e naftës. Nxjerrja e naftës. Industria e naftës. Rafineri nafte. Uzinë e përpunimit të naftës. Punëtorët e naftës.
2. Një nga produktet që përftohet nga distilimi i kësaj lënde. Automjet me naftë. Pompë e naftës. Tregti nafte. Patentë nafte leje aftësie për të ngarë automjete që punojnë me këtë lëndë djegëse.
♦ I bëj naftën (diçkaje) vulg. shih i bëj shurrën (diçkaje) vulg.
PATÉNT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Dokument, me të cilin njihet dhe mbrohet e drejta e autorësisë për një shpikje; të dhënat e plota për një shpikje a një teknologji ose për mënyrën e funksionimit të një pajisjeje. Patenta e shpikjes. Regjistrimi i patentës. Patentë për prodhimin (për nxjerrjen) e diçkaje. Blenë (shitën) patentën. Pajis me patentë. Prodhojnë sipas një patente.
2. Dokument, me të cilin pajiset dikush që mbaron një kurs dhe vërteton se ai është i aftë e ka të drejtë të ushtrojë një mjeshtëri a një veprimtari të caktuar; leja e aftësisë që i lëshohet një shoferi a një punonjësi për një mjeshtëri. Patentë shëndetësore. Patenta për drejtimin e makinës. Patentë shoferi. I hoqën pikë nga patenta. Rinovoj patentën. Patentë e përkohshme. Patentë 5-vjeçare (10-vjeçare, 15-vjeçare).
3. vjet. Taksë tregtie që u vihej zejtarëve. Patenta të larta (të mëdha). Komisioni i patentave.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë