Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MÁRRTË (i, e) mb. 1. I dobët, i veshur si me mjegull, i zbehtë, i paqartë (kryesisht për dritën a fotografinë); i lëbyrtë. Dritë e marrtë. Fotografi e marrtë.
2. Që nuk është i tejdukshëm, i veshur, i turbullt (zakonisht për xhamin, qelqin a pllakat). Qelq i bardhë e i marrtë. Xham i marrtë xham qorr, xham akull. Pasqyrë e marrtë pasqyrë që nuk pasqyron qartë, që duket si e veshur. Pllakat jepnin një ndriçim të marrtë.
3. fig. Që nuk kuptohet mirë, i paqartë. U përgjigj me një zë të lodhur e të marrtë. Përdorte një gjuhë të marrtë në letrat e tij.
4. fig. I ngathët.
✱Sin.: i dobët, i veshur, i zbehtë, i paqartë, i lëbyrtë, i patejdukshëm, i turbullt, i hirtë, i mugët, i tymtë, i ngathët.
MJÉGULL,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Grumbull avujsh të dendur e të ftohtë, që formohen zakonisht në vise të ulëta, në gryka malesh etj. nga pika shumë të imëta dhe që qëndrojnë mbi tokë si tym i patejdukshëm. Mjegull e dendur (e trashë, e hollë). Mjegull e bardhë. Mjegull deti. Mjegulla e mëngjesit. Shtresa mjegulle. Ra mjegulla. Nuk shihet nga mjegulla. Ujku mjegull do (kërkon). (fj. u.) armiku kërkon situatë të turbullt e të paqartë që të arrijë synimet e veta.
2. Diçka si perde ose si tym që pengon a vështirëson të parët. Ka një mjegull në sy i janë veshur sytë, nuk sheh qartë. I kanë zënë sytë mjegull.
3. fig. Paqartësi a turbullirë në mendime, në qëllime etj.; gjendje e paqartë, e errët; errësirë. Në mjegullën e lashtësisë. Çanë mjegullën e shekujve. Ka mjegull në kokë. E pllakosi një mjegull dyshimesh.
4. bot. Sëmundja e hithit; mykëz.
✱Sin.: mjegullinë, mjegulli, kith, cikth, mjegullnajë, mjegullishtë, lëpe, gjeq, qiqërim, qiqërimë, duman, errësirë, myk.
♦ U bë *tym e mjegull (dikush). Hedh mjegull (dikush) përpiqet ta errësojë e ta bëjë të paqartë diçka, me qëllim që të mos e kuptojnë të tjerët a të mos e zbulojnë. Ka mjegull në kokë (dikush) nuk është i qartë në mendime, ka dyshime e paqartësi për diçka, është i turbullt; (është) si miza pa kokë (pa krye). E la në mjegull (diçka) nuk e sqaroi mirë, nuk e zbuloi e nuk e ndriçoi, nuk e bëri të qartë e gjithkush mund të dyshojë, që të mos kuptohet a të mos merret vesh; e la në tym; e la në errësirë2; e la në hije1. I kanë zënë sytë mjegull (dikujt) nuk i shikon qartë a nuk i kupton drejt gjërat (kryesisht për të metat); i janë veshur sytë; i janë mjegulluar sytë. *Tym e mjegull.
OPÁK,~E mb., 1. fiz. Që nuk e lë dritën të kalojë nëpër të; i patejdukshëm; kund. i tejdukshëm, transparent. Lëndë (cipë) opake. Sfond opak. Atmosfera është opake. Materialet që nuk transmetojnë dritë quhen materiale opake. Uji u bë opak pas shirave.
2. fig. Që nuk kuptohet lehtë, i paqartë, i mbyllur në kuptim. Teksti i tij poetik është opak, plot simbole që kërkojnë interpretim. Mendimi opak i asaj kohe dhe i atyre njerëzve. Ekzistenca jonë do të ishte e paplotë dhe opake.
PANËPËRDÚKSH/ËM (i), ~ME (e) mb. I patejdukshëm.
PAPËRDÚKSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i përdukshëm; i patejdukshëm.
PATEJDUKSHMËRÍ,~A f., libr. Të qenët i patejdukshëm, vetia e një trupi që është i patejdukshëm; kund. tejdukshmëri. Patejdukshmëria e një trupi (e një lëngu, e një lënde).
PATEJDÚKSH/ËM (i), ~ME (e) mb., libr. Që nuk e lë dritën të kalojë nëpër trupin e vet, që nuk mund të përshkohet nga rrezet e dritës; që të pengon të shohësh sendet matanë tij; kund. i tejdukshëm. Lëndë e patejdukshme. Trup (lëng, xham) i patejdukshëm. Bëhet i patejdukshëm.
✱Sin.: i patejpashëm, i panëpërdukshëm.
PATEJPÁSH/ËM (i), ~ME (e) mb. I patejdukshëm; kund. i tejpashëm.
SMÁLT,~I m. 1. Lëndë e bardhë, shumë e fortë dhe e ndritshme që vesh kurorën e dhëmbit. Smalti i dhëmbit. Dëmton smaltin.
2. Vernik i patejdukshëm që përdoret për të lyer enët a pajisjet prej qeramike, fajance a metali, që të marrin shkëlqim, të mbrohen nga ndryshku ose të zbukurohen. Lyej me smalt. I bie (i cifloset) smalti.
TEJDÚKSH/ËM (i), ~ME (e) mb., libr. 1. Që lë dritën të kalojë tejpërtej një trupi, që mund të përshkohet nga rrezet e dritës; i nëpërdukshëm; transparent, i qartë, i shfaqshëm; kund. i patejdukshëm, i marrtë, i paqartë, i veshur, i turbullt, i lëbyrtë. Lëndë (cipë) e tejdukshme. Xham (lëng) i tejdukshëm. Letër e tejdukshme. Ajër i tejdukshëm. Liqeni i Pogradecit ka ujë të tejdukshëm. Ujëra të tejdukshme aspak të turbullt, të kthjellëta. U bë (gjysmë) i tejdukshëm. Është i tejdukshëm.
2. fig. Që dallohet qartë, që kuptohet shumë lehtë, që duket sheshit; i kuptueshëm. Romuz (shpoti, thumb, aluzion, gëzim) i tejdukshëm që duket sheshit, hapur fare.
✱Sin.: i nëpërdukshëm, transparent, i qartë, i shfaqshim, i kuptueshëm.
TRANSPARÉNT,~E mb. 1. I tejdukshëm, i tejpashëm, i qartë, i kthjellët; kund: i marrtë, i patejdukshëm. Ujë transparent. Qelq transparent. Letër transparente.
2. Që është i hapur, i qartë dhe nuk fsheh gjëra. Çështjet publike duhet të jenë transparente. Të ardhurat e tij janë transparente i ka siguruar në mënyrë të ndershme, duke paguar taksat, duke mos bërë evazion fiskal.
✱Sin.: i tejdukshëm, i tejpashëm, i qartë, i kthjellët, i hapur, i pastër.
►TURBULL/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Bëhet i turbullt duke u tundur a duke u përzier me lëndë të tjera jo të pastra ose me diçka të trashë, humbet kthjelltësinë, bëhet i patejdukshëm (për ujin dhe për lëngje të tjera të kulluara); kund. kullohet; kthjellohet. U turbullua uji. U turbullua lumi.
2. vetv., vet. v. III Prishet, bëhet me re, me shi etj. (për motin). U turbullua moti (qielli).
3. fig., vetv., vet. v. III Bëhet jo i qartë, ngatërrohet, prishet; trazohet e pështjellohet; ndërlikohet, bëhet i turbullt. U turbullua gjendja. U turbulluan marrëdhëniet. U turbullua puna.
4. fig., vetv., vet. v. III Humb qartësinë, errësohet, nuk është më i kthjellët; kund. kthjellohet. Iu turbulluan mendimet. Iu turbullua gjykimi. Iu turbullua koka. Uji del i kthjellët prej kroit, por turbullohet rrugës. (fj. u.)
5. fig., vetv. Më merren mendtë, trullosem, shastisem; shqetësohem, më prishet gjaku; mërzitem. U turbullua fare. Iu turbullua gjaku. Nuk turbullohet kurrë nuk shqetësohet për asgjë, nuk e çan kokën. U turbullova sa e pashë. Mos u turbullo!
6. pës. e TURBULLÓJ.
✱Sin.: përlyhet, nakatoset, vrenjtem, pështjellohem, tronditem, trullosem, errësohem, shqetësohem, trazohem, emocionohem, tollovitem,
TURBULL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Bëj të turbullt ujin a një lëng tjetër të kulluar, duke e përzier, duke e tundur, duke i hedhur brenda lëndë të tjera jo të pastra ose diçka të trashë, humb kthjelltësinë e një lëngu të tejdukshëm, e bëj të patejdukshëm; kund. kulloj. E turbulloi ujin (verën, rakinë). Shirat e turbulluan lumin.
2. fig. Bëj rrëmujë që të ngatërroj diçka që është e rregullt ose që shkon mirë; fut grindje ndërmjet njerëzve, që t’i ngatërroj e t’u prish marrëdhëniet; shkaktoj trazira a pështjellime me paramendim, ngatërroj e ndërlikoj gjendjen, prish normalitetin e një gjendjeje a të një veprimtarie. E turbulloi mbledhjen. I turbulloi marrëdhëniet. Nuk e lëmë të na turbullojë.
3. fig. E bëj dikë të humbë qartësinë e mendimit, i errësoj gjykimin, i prish kthjelltësinë e mendjes; ia bëj diçka të errët e të paqartë; v. III më errëson mendjen, më trullos; kund. kthjelloj. Alkooli turbullon mendjen. I turbulloi gjykimin (mendjen). I turbulloi ndërgjegjen. Më turbulloi dielli. E turbulloi rakia (vera).
4. fig. Ia marr mendjen dikujt, e trullos, e hutoj, e shastis; e shqetësoj, i prish gjakun; e mërzit. I turbulloi kokën. E turbulloi me fjalë. E turbulloi kot. I turbulloi gjakun. Pse ta turbulloj? Mos më turbullo!
✱Sin.: trullos, hutoj, shastis, shqetësoj, trondit, trazoj, ngatërroj, errësoj, trallis, emocionoj, mërzit.
♦ As *kullon e as turbullon (dikush). Më turbullon (më prish) *gjakun (dikush a diçka). Nuk e turbullon (nuk e prish, nuk e çart) *gjakun (dikush). As turbullon e as kthjellon (e as kullon) (dikush) rri mënjanë dikush dhe as ndihmon e as shqetëson njeri; është i mbyllur në vetvete e duket sikur nuk është i gjallë; është njeri që s’të kryen asnjë punë, por edhe që s’të prish asnjë punë; njeri fare i qullët, që s’bën as mirë e as keq; as të ngroh e as të ftoh; as ndez e as shuan; as të pjek e as të djeg; as të qan e as të qesh; as të prin e as të ndjek; as prish e as ndreq; (s’është) as për tutje e as për tëhu; nuk nxjerr (dot) qimen nga qulli. Ma turbulloi (ma mjegulloi) *mendjen (dikush a diçka). Nuk turbullon *ujë (dikush). Turbullon *ujërat (dikush).
TÚRBULLT (i, e) mb. 1. Që ka brenda lëndë të tjera jo të pastra ose diçka të trashë, që nuk është i kthjellët dhe i tejdukshëm, jo i kulluar (për ujin a për një lëng tjetër); i ndotur, i papastër; kund. i kulluar; i kthjellët; i qartë. Ujë i turbullt. Verë (raki) e turbullt. Gjak i turbullt. Lumë i turbullt.
2. Që është me re a me mjegull, i trazuar, i zymtë, i vrenjtur (për qiellin, për motin). Qiell i turbullt. Kohë e turbullt. Mot i turbullt. Ditë e turbullt.
3. Që nuk duket qartë, jo i kthjellët, jo i kulluar, i paqartë, i zbehtë; kund. i qartë. Dritë e turbullt. Figurë (fotografi) e turbullt. Pamje e turbullt.
4. Që nuk dëgjohet mirë, jo i qartë; që nuk shqiptohet me tinguj të dallueshëm, i mbytur; kund. i kthjellët. Zë i turbullt. Shqiptim i turbullt.
5. fig. Që është i errët dhe i paqartë, jo i kthjellët; që të trazon pa e kuptuar mirë e nuk të lë të qetë. Kujtim i turbullt. Mendim i turbullt. Ndjenjë e turbullt.
6. fig. Që është i shqetësuar, Që nuk e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë. Ishte në gjendje shpirtërore të turbullt.
7. fig. Që shpreh zemërim, i zymtë, i ngrysur. Vështrim (shikim) i turbullt.
8. Që është mbushur me trazira, i pasigurt, i pështjelluar. Gjendje e turbullt.
9. fig. Që është i paqartë, i errët, që s’njihet a s'dihet mirë, i dyshimtë, i pasqaruar mirë. Në rrethana të turbullta. Mbeti një ngjarje e turbullt.
✱Sin.: i papastër, i ndotur, i paqartë, i zbehtë, i përlyer, i llumtë, i këllirë, i tinë, i kalfët, i hirrët, ujem, i nakatosur, i vrenjtur, i patejdukshëm, i zymtë, i ngrysur, i errët, trazuar, i pështjelluar.
♦ Me *mendje të turbullt (të turbulluar). Peshkon në *ujë të turbullt (në ujëra të turbullta) (dikush) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë