Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LËKÚNDSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që lëviz sa nga një anë në tjetrën, që lëkundet; i lëvizshëm; kund. i palëkundshëm. Urë e lëkundshme. Karrige e lëkundshme.
2. fig. Që nuk është i qëndrueshëm a i sigurt në mendimet e në veprimet e veta, që nuk ka besim të patundur në vetvete ose te diçka a te dikush; i pavendosur. Njeri i lëkundshëm. Qëndrim i lëkundshëm.
3. I pasigurt, i paqëndrueshëm; i dobët. Regjim i lëkundshëm. Monedhë (pagë) e lëkundshme.
✱Sin.: i lëvizshëm, i pavendosur, i pasigurt, i lëkundur, i druajtur, i paqëndrueshëm, i dobët, i prishur, i pataban.
PAKARAKTÉR (i, e) mb. Që ka karakter të dobët e të paqëndrueshëm, që i ndërron qëndrimet e fjalët sipas rastit; që i mungon vendosmëria e burrëria. Njeri i pakarakter.
✱Sin.: xarnavel, i paqëndrueshëm, i dobët, i shpirtdobët, i shpirtpaktë, i pavendosur, i paburrë, i paburrëri, i pataban, i lëkundshëm, i lëkundur, baltë, qesharak, palaço, delenxhi, matrapaz, këmborë, teneqe.
PAQËNDRÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk qëndron fort në vendin a në gjendjen e vet; që nuk mbahet mirë; që nuk është i qëndrueshëm; kund. i qëndrueshëm. Lidhje kimike e paqëndrueshme. Baraspeshë e paqëndrueshme (fiz.).
2. Që dëmtohet a prishet lehtë; jo i shëndoshë, jo i fortë; kund. i qëndrueshëm. Shtyllë e paqëndrueshme. Ngjyrë e paqëndrueshme.
3. Që ndryshon shpejt, që nuk mbetet njësoj për një kohë të gjatë; i lëkundshëm; i lëvizshëm; kund. i qëndrueshëm. Çmime të paqëndrueshme. Kohë e paqëndrueshme. Mot i paqëndrueshëm. Popullsi e paqëndrueshme popullsi që e ndërron shpesh vendin e banimit.
4. fig. Që nuk ka baza të shëndosha, që mbahet vetëm për një kohë të shkurtër; që nuk zgjat shumë, që prishet me kalimin e kohës; kund. i qëndrueshëm. Miqësi e paqëndrueshme. Mbështetje e paqëndrueshme. Tipare të paqëndrueshme.
5. Që nuk u përmbahet me vendosmëri mendimeve, bindjeve ose rrugëve që ka zgjedhur, që ndryshon shpesh, i lëkundshëm; që është veti e një njeriu të tillë; kund. i qëndrueshëm. Njeri i paqëndrueshëm. Me karakter të paqëndrueshëm.
✱Sin.: i dobët, i lëvizshëm, i lëkundshëm, i ndryshueshëm, i luhatshëm, i lagatershëm, i larmë, i lëkundur, i pavendosur, i përkulshëm, i dobët, levarash, mendjeveri, i brishtë, i shkatërrueshëm, i dëmtueshëm, mendjeveri, i pakarakter, i pavendosur, i pataban, karavidhe, ciripupe, çililingë, legen, xarnavel.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë