Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FÚNDIT (i, e) mb. 1. Që është në fund a në skajin më të tejmë të një vargu ose të një radhe frymorësh, sendesh, dukurish etj.; që vjen pas gjithë të tjerëve; kund. i parë. Vagoni i fundit. Rreshti i fundit. Shtëpia e fundit. Stacioni i fundit.
2. Që ka mbetur në fund e një i vetëm, pasi janë larguar ose janë harxhuar gjithë të tjerët. Leku i fundit. Fisheku i fundit.
3. Që ndodhet në fund të një vendi të thelluar, të një ene etj. Shtresa e fundit.
4. Që shënon mbarimin e një kohe të caktuar; që nga ana kohore kryhet në fund të një vargu ngjarjesh, veprimesh, punësh a dukurish; që shënon cakun kohor kur dikush a diçka mbaron së qeni e nuk vijon më tej. Dita e fundit e javës. Viti i fundit i shekullit. Perandoria e fundit.
5. Që ka të bëjë me kohën më të afërt përpara çastit kur flasim, që sapo është bërë e ka ndodhur; më i ri. Kohët e fundit. Zbulimet e fundit. Të rejat e fundit. Prodhimi i fundit.
6. Që është para vdekjes, që e thotë në çastin para vdekjes. Në çastin e fundit. Dëshira e fundit.
7. Më i lartë; më i rëndë. Masa e fundit. Dënimi i fundit.
8. Përfundimtar; vendimtar. Qëllimi i fundit. Grushti i fundit.
9. fig. Që ka më pak vlerë ose rëndësi; që është më i prapambetur se të tjerët. Njeriu (më) i fundit.
✱Sin.: fundor, i fundmë, i prapmë, i pasmë, i prapsëm, i sprasëm, i mbramë, i pastajmë, përfundimtar, vendimtar.
♦ *Banesa e fundit lart. *Barku i fundit. Në *dorë të fundit (diçka). I *dorës së fundit. *Fisheku i fundit. *Fjala e fundit. Deri në *frymën e fundit. *Guri i fundit. I heq *gurin e fundit (dikujt a diçkaje). Është në *grahmat e fundit. I jap *dorën e fundit (diçkaje). Dha *frymën e fundit (dikush). Dha *grahmën e fundit (dikush). I jap *lamtumirën e fundit (dikujt). Luaj *asin e fundit. Luaj (hedh) *gurin e fundit. Luaj *letrën (kartën) e fundit. Ndan *kafshatën e fundit (e gojës) (me dikë). I *orës së fundit. Ka shkuar (ka vajtur) në *pikë të fundit. *Vrima (bira) e fundit e kavallit përçm.
MËPÁSSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që vjen a që ndodh më pas, i mëpastajshëm, i mëvonshëm; kund. i mëparshëm, i mëpërparmë. Në vitet e mëpasshme. Rrjedha e mëpasshme e ngjarjeve. Lexoj kapitujt e mëpasshëm. Shikoj ndryshimet e mëpasshme të kohës. U habita nga reagimi i mëpasshëm i tij.
✱Sin.: i mëpastajshëm, i mëvonshëm, i mëpasmë, i mëvonshëm, i mëtejshëm, i vonshëm, i pasmë, i pastajmë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë