Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MÁJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Skaji më i hollë dhe i mprehtë i diçkaje, pjesa e sipërme dhe më e lartë që vjen duke u holluar; thumb. Maja e shpatës (e thikës, e bajonetës, e gjilpërës, e turjelës). Maja e gozhdës. Maja e shkopit. Majë pene pjesa e metaltë e penës për të shkruar. E bëj me majë diçka e mpreh. I bëj majën lapsit e mpreh që të shkruajë.
2. Pjesa e fundit e diçkaje që vjen e zgjatur dhe më e hollë a më e ngushtë; skaji i fundit të diçkaje. Maja e gishtit. Maja e hundës. Maja e gjuhës. Këpucë me maja. Gur me majë. Eci në majë të gishtërinjve.
3. Pjesa më e lartë e një mali, e një druri, e një trupi etj., që vjen më e ngushtë nga pjesa tjetër; pjesa e sipërme e diçkaje. Hipi në majë të malit. Rri në majë të shkëmbit. Mbjell vreshtin në majë të kodrës. Shoh nga maja e kullës (e çatisë). Hipi (u ngjit) në majë të pemës. Maja e kësulës. Nga maja e shkallës vërej bulevardin. Maja e kokës çaçka e kokës. Pa hipur në majë nuk mund të shohësh luginën. (fj. u.).
4. fig., bised. Pika më e mirë ose në niveli më i lartë që arrin diçka, kulmi. Drejt majave më të larta të diturisë. Këto poezi përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.
5. fig. Pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje; ajkë. Maja e miellit. Maja e djalërisë.
✱Sin.: thumb, cep, çukë, majoke, majole, majuc, cikol, xip, xipë, kreshtë, puç, shtang, skape, çupejkë, krecë, çyçë, kulm, paskajë, paskaq, paskraq, ajkë.
♦ Bën majë (diçka). 1. Nis të mbijë, sapo ka shpërthyer e po del në sipërfaqe. 2. Sapo fillon të duket së largu; shfaqet a duket tutje. 3. Duket sheshit, shfaqet haptazi. Ia bëj me majë (dikujt) e nderoj, e pres me gjithë të mirat; i bëj hatrin; kund. nuk e vë në shpatull të pulës (dikë). E bëj majë e krye (dikë) e çmoj shumë, ia vlerësoj lart meritat e cilësitë; e lavdëroj; e ngre lart. Më ra maja e gjuhës përdhe u lodha shumë së foluri për të njëjtën gjë; më vajti goja prapa qafës; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më ra goja; më zuri gjuha (goja) lesh. Ma pruri (ma solli) (shpirtin) në majë të hundës (dikush) më mërziti shumë, sa s’e duroj dot; më inatosi aq shumë sa nuk e përmbaj dot veten; më plasi shpirtin; më plasi buzën; m’u bë gur në opingë. *Breshri e rreh e hunda me majë iron. I doli *huri në majë të kokës (dikujt). Më ka dalë në majë të flokëve (diçka a dikush) më ka mërzitur shumë, s’e duroj dot, nuk e përmbaj dot veten; më plasi buza (me dikë a me diçka); ma solli në majë të hundës; ta pjek peshkun në buzë (dikush); ma poqi buzën (dikush); jam mbushur deri në fyt (me dikë a me diçka). I fërkon majat e gjilpërave (dikush) shih i hedh benzinë (vajgur) zjarrit (hedh benzinë në zjarr) (dikush). (Flet) si *e ëma e Zeqos në majë të thanës (dikush) bised. Fle në majë të dëllinjës (dikush) fle dosido, nuk ka kërkesa, e zë gjumi edhe pa rehati; bën si të ndodhet a si të vijë puna, bën si bën në çdo rrethanë a në çfarëdo kushtesh. *Fund e majë (e krye). Në *fund e në majë (e në krye). *Gjel (këndes, kaposh) në majë të plehut. *Gjilpërë pa majë. Të hedh e të pret në majë të gishtit (dikush) është shumë i shkathët dhe i fortë; duron shumë a qëndron pa u mposhtur, është më i zoti; s’do t’ia dijë, nuk ke ç’i bën; t’i ha arrat; e tredh dashin; t’i shkosh nën krah (dikujt); kund. s’ka këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). Më ka hipur në majë të kokës (dikush a diçka) më ka mërzitur e më rëndon shumë, mezi po e duroj, nuk e duroj dot më; nuk më përfill fare. (Është) me dy *fara në majë (dikush) mospërf. (Janë) si *gjilpërat majë më majë. Jam në majë të gjembit jam shumë i shqetësuar e në merak të madh për diçka, s’jam i qetë fare deri sa ta zgjidh; jam mbi gjemba. Është në majë të kalit (dikush) shih është (flet) kaluar (dikush). Jam majë më majë (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, zihem e grihem orë e çast, jam në grindje të vazhdueshme me të; i kemi marrëdhëniet shumë të acaruara e nuk i bëjmë lëshime njëri-tjetrit; e kundërshtoj haptas e me guxim; (jemi) si gjilpërat majë më majë; shkoj majë më majë (majë e brisk. (Është, bie) shtatë *hostenë e një në majë (me dikë). (Është) tri në *degë e dy në majë (dikush) iron. (S’të jep) një majë gjilpëre (dikush) nuk të jep asgjësend, është shumë dorështrënguar; s’të jep asnjë thërrime. E ka arsyen në majë të shpatës (dikush) keq. nuk vepron me urtësi e drejtësi, i zgjidh çështjet si do vetë, sepse hiqet si më i fortë se të tjerët; është sherrxhi i madh, grindet e zihet me të tjerë për hiçmosgjë, është i gatshëm të bëjë sherr në çdo rast; e kërkon sherrin me qiri; tërheq buallin për bishti. I kanë (i kanë vënë, i shpunë, i ngritën) gjilpërat majë më majë shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, janë shumë të acaruar, zihen e grihen dhe nuk pajtohen, nuk i bëjnë asnjë lëshim e nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit; shkojnë majë më majë (majë e brisk); (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shkojnë gjak e lak. S’ke ku të futësh majën e gjilpërës (diku) shih s’ke ku të hedhësh mollën (diku). E ka hundën në majë të çatisë (dikush) përb. shih e mban hundën në qiell (dikush). I ka (lotët) në majë të syrit (dikush). 1. Qan lehtë, është gati të qajë edhe për gjënë më të vogël. 2. Është shumë i ndjeshëm, preket shpejt; është zemërbutë. 3. Ankohet shumë, qahet për hiçmosgjë; është qaraman. E ka në majë të gjuhës. 1. (dikush). Ta jep përgjigjen menjëherë, ta kthen përgjigjen në çdo rast, aty për aty; është i shkathët nga goja; e ka te buza. 2. (diçka). E përsërit shpesh diçka; s’e ka zor ta thotë a ta kërkojë diçka. 3. v. I. Jam gati ta them diçka, por s’e them dot në këtë çast; e di mirë, por s’më vjen ndërmend tani, nuk më kujtohet aty për aty a nuk më del nga goja; e kam në gojë; më erdhi në dhëmbë. E ka në majë të thoit (diçka) e bën pa vështirësi diçka, e ka fare të lehtë; e përballon pa u munduar fare; e zotëron mirë (një punë, një mjeshtëri); nuk e ka për gjë; e ka bukë e djathë; e ka një kafshatë bukë; e ka gjethe; s’e ka për gajle. E ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). 1. Është mendjelehtë, nuk mendon e nuk gjykon thellë; i ka mendtë në majë të thanës. 2. Mendon gjithnjë për të njëjtën gjë; i rri (i rreh) mendja në një vend (dikujt). I ka mendtë në majë të thanës (dikush) është shumë mendjelehtë e i papjekur; e ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes); nuk i ka mendtë në kokë. Ka tri *qime në majë (dikush) përçm. Ka tri *thërrime në majë (dikush) mospërf. E luan (e sjell) në majë të gishtit (të gishtave) (dikë) e sorollat a e tall si do vetë; ia hedh, ia punon; e vë në lojë; e luan në tel; e luan në litar. Maja e ajsbergut libr. pjesa e dukshme, më e vogël, e diçkaje të keqe a të rrezikshme, pas së cilës fshihet gjithë e keqja. Majë e brisk me inat e i zemëruar, duke e kundërshtuar në çdo çast, pa u frikësuar prej dikujt; dhëmbë për dhëmbë; brisk më brisk. Nga maja e flokut te thonjtë e këmbëve në të gjithë trupin, krejt; i tëri; tërësisht. Në majë të gishtave shumë mirë, duke e njohur plotësisht, duke e ditur ujë; përmendsh. Majë më majëI mbushur plot, sa nuk nxë më (për një enë etj.); buzë më buzë. Majë më majëII duke ia kthyer fjalën dikujt në çast, duke iu përgjigjur aty për aty; flakë për flakë. Majë mielli diçka shumë e mirë ose e zgjedhur. Maja e piramidës libr. grup njerëzish në krye të shtetit, të një partie etj., drejtuesit më të lartë, udhëheqësia; paria. Majë plori shih buzë gjyshi. Majë pa rrëzë gjë e pamundur; diçka që nuk mund të ekzistojë. Mban *draprin në thes e majën jashtë (dikush). (E mbaj) si *zogun në majë të gjembit (dikë). Më mbinë *qepët nga maja (me dikë). Ç’ngre maja e boshtit shumë pak (për ushqime etj.), me kursim, sa për të jetuar; sa për të mbajtur shpirtin; sa për të mbajtur frymën. E nxjerr në majë (diçka) e zgjidh a e përfundoj një punë, e mbaroj, e çoj deri në fund; i jap majë (diçkaje); e nxjerr në krye; ia dal mbanë (diçkaje); i jap rrugë (diçkaje); e nxjerr në dritë. E sjell (e luan) në *majë të gishtit (majë gishtave) (dikë). Shkova në majë të briskut shih shkova në teh të briskut. Shkojnë majë më majë (majë e brisk) shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, grinden vazhdimisht; janë majë më majë; i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë; shkojnë thikë e brisk; (shkojnë) si qeni me macen; (shkojnë) si macja me miun. Sheh gjer te maja e hundës (dikush) keq. shih nuk sheh më larg se hunda e vet (përtej hundës së vet) (dikush). Kur të shohë majën e veshit pa pasqyrë (dikush) shih kur të shohë zverkun pa pasqyrë (dikush). (Shpëtoi) për një majë gjilpëre (dikush) shpëtoi për pak gjë; (shpëtoi) për një fije floku; (shpëtoi) për një qime. I vë majën (diçkaje) e çoj deri në fund, e mbaroj; ia vë majën mullarit. S’e vë as në majë të gishtit (dikë) as që mund të krahasohet me mua; nuk hahet dot ai me mua, as që dua t’ia di për të; s’e vë as në gishtin e vogël. E vë në majë të hostenit (dikë) e tall, e qesëndis; e bën fare qesharak; e vë në bisht të lahutës; e vë në lojë. Ia vë majën mullarit e çoj punën deri në fund, e kryej ashtu si duhet; e zgjidh diçka drejt; i vë majën (diçkaje). Vë majat nga thembrat (dikush) iron. shkon andej nga ka ardhur; ia mbath, kthehet e ikë me turp; vë thembrat nga majat; vë ballin nga thembrat. Vë *thembrat nga majat (dikush) iron. Më erdhi (qumështi i nënës, shpirti) në majë të hundës. 1. Jam lodhur shumë, jam rraskapitur; s’mbaj më; më erdhi (shpirti) te hunda; më erdhi (shpirti) në fyt. 2. keq. Jam shumë i mërzitur a i inatosur me dikë a me diçka; nuk e duroj dot më, më është neveritur fare; më hipi (më erdhi) zemra në fyt; më erdhi mëlçia në grykë; më plasi buza; jam mbushur deri në fyt.
PJALM,~I m. 1. bot. Pluhur shumë i imët, zakonisht me ngjyrë të verdhë, që e kanë lulet kur çelin dhe që shërben për të pllenuar bimët. Bletët (grerëzat) mbartin pjalmin nga një lule në tjetrën.
2. Borë shumë e hollë; borë e imët që e ngre era përpjetë. Pjalm bore. Pjalm e borë.
3. Maja e miellit; miell i situr imët; pluhuri i miellit që ngrihet përpjetë e bie mbi sendet; ëndë, paskaq. U bë me pjalm mielli.
4. Pluhur shumë i hollë i diçkaje.
✱Sin.: end, endë, endëz, ëndë, polen, pah, plusk, borimë, pluhurizë, pluhur, majë, ajkë, paskaq, shtresë, tufk, lind.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë