Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HIPOKRÍT,~E mb. 1. Që shtiret sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur, që mban qëndrim me dy fytyra, që nuk e zbulon fytyrën e vërtetë; kund. i çiltër, i sinqertë. Buzëqeshje hipokrite. Fjalë hipokrite.
2. fig., mospërf. Që nuk i shpreh haptas ndjenjat, bindjet e veta ose qëllimet e vërteta; që bëhet për të mbuluar qëndrimin e qëllimin e vërtetë, për të mashtruar dhe për të gënjyer të tjerët; mashtrues, gënjeshtar. Qëndrim hipokrit. Sjellje hipokrite. Njeri hipokrit.
✱Sin.: mashtrues, gënjeshtar, dredharak, shtirak, shtinjak, shtiracak, dyfytyrësh, dallkauk, i pasinqertë.
LOT,~II m. kryes. sh. ~, ~ËT 1. Lëng pa ngjyrë e i tejdukshëm si uji, me shije si të kripur, që del nga gjëndrat e syrit kur kemi ngacmime në sy, kur qajmë etj.; një pikë e këtij lëngu. Lot të nxehtë (të hidhur). Lot hidhërimi (mallëngjimi, përmallimi, gëzimi). Rrëke (çurg) lotësh. Një pikë lot. Gjëndra e lotëve. Me lot në (nëpër) faqe duke qarë; duke vajtuar. Derdhi lot qau; vajtoi. I shkanë (i rrodhën) lotët. S'i mbante dot lotët. Kapërdiu (gëlltiti) lotët. Fshiu lotët. E mbytën lotët qau shumë. U la në lot qau shumë. Iu mbushën sytë me lot. Qau (qeshi) me lot. E qau me lot (pa lot). I shkojnë lotët rrëke. I binin lotët si breshër. Iu thanë lotët. I kulluar si pika e lotit.
2. Vaj, vajtim. Lëndina e lotëve (hist.) shesh në të dalë të qytetit, ku njerëzit ndaheshin me të afërmit e tyre kur shkonin në kurbet. S’biem në lot. Armiku mbolli lot e mjerim.
3. Pikë uji a bulë lëngu që del nga një degë a bimë e prerë, nga muri me lagështirë etj.; pikë e vogël e një lëngu. Lot uji (vese, gjaku). Një lot vaj. Hardhia lëshon lot kur pritet. Muri ka nxjerrë lot.
4. Njollëz, pullë e vogël. Dele me lot të zi.
5. si mb. Shumë i kthjellët. Koha (qielli) ishte lot.
✱Sin.: vaj, vajtim, lotim, pikë, njollëz, pullë, i kthjellët.
♦ Bëri lot e valë (dikush) qau shumë, derdhi shumë lot për dikë, e vajtoi me të madhe; e lau me (në) lot (dikë); i shkuan lotët breshër (dikujt); i shkonin (i vinin, i rridhnin) lotët çurg (dikujt). Derdh lot (për dikë a për diçka). 1. Qaj; vajtoj. 2. Më vjen shumë keq; më dhemb (më ther) zemra (në zemër). E ha bukën me lot mezi nxjerr bukën e gojës; vuaj shumë në jetë, jetoj në mjerim. I hedh lotët *përpjetë (dikush) iron. (Janë) lot e shpirt ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, janë njësoj, s’i dallon dot; (janë) si dy pika uji; (janë) motër e vëlla. E laj me (në) lot (dikë a diçka). 1. E qaj shumë, derdh shumë lot për të; e vajtoj me të madhe. 2. Më erdhi shumë keq për dikë a për diçka, se nuk do ta kem më; e humba pa ia ditur vlerën; e qaj me lot. Lot krokodili iron. pikëllim i pasinqertë, qarje e shtirur. Mbjell lot (dikush a diçka) shkakton mjerim të madh diku; shkakton mallëngjim e dhembje shpirtërore. I mbledh lotët. 1. Pushoj së qari. 2. Qetësohem e përmbahem; e mbledh veten. Iu mbushën (i mbushi) *sytë (me lot) (dikush). *Pikë loti. E qaj me lot (diçka). 1. E bëj shumë mirë diçka, me merak e në mënyrë të përsosur; e mësoj shumë mirë një punë, një pjesë etj., e thaj. 2. Më ikën nga duart diçka e s’e gjej dot më, më shkon për gjithnjë; e quaj si të humbur, nuk do ta kem më; e laj me (në) lot; më fluturon nga duart. Për të qarë me lot në gjendje shumë të keqe, për të vajtuar; nuk të kënaq, s’të pëlqen fare; në gjendje të vajtueshme, të trishton kur e sheh; për të vënë duart në kokë. S’janë tharë lotët nuk është harruar ende dhembja, hidhërimi, pikëllimi për dikë a për diçka; sapo ka ndodhur një vdekje, një vrasje a një fatkeqësi tjetër e rëndë.
MANIPUL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ndikoj me dinakëri, me dredhi e zgjuarsi te dikush me qëllim që të marr rezultatin që dua, e kontrolloj dikë a diçka me shumë mjeshtëri dhe në mënyrë të pasinqertë për përfitimin tim. Fëmija po mundohej ta manipulonte të ëmën me të qara. E manipuloi kolektivin. Manipuloj opinionin publik.
2. Ndërhyj në mënyrë dëmshme ose falsifikoj për përfitime personale. Manipuloj tregun. Manipuloj votat. Manipuloj çmimet e aksioneve.
3. Vë në rregull, ndreq me kujdes ose përpunoj diçka zakonisht me dorë sipas kërkesave të caktuara. Manipuloj duhanin (grurin, pambukun, barin, arën). E manipuloj me dorë (me makinë).
PASINQÉRTË (i, e) mb. 1. Që nuk i shpreh me çiltëri ndjenjat e mendimet e veta, që nuk thotë të vërtetën a nuk shpreh atë që ndien, jo i çiltër, jo i sinqertë; kund. i sinqertë. Njeri i pasinqertë.
2. Që nuk shpreh të vërtetën ashtu siç është, që nuk bëhet a nuk thuhet me çiltëri; i shtirë; kund. i sinqertë. Fjalë të pasinqerta. Urime të pasinqerta.
✱Sin.: i paçiltër, fsheharak, i fshehur, i shtirë, i fshehtë, sypërmbysur, tinëzar.
PASINQERTËSÍ,~A f. Të qenët i pasinqertë; pasinqeritet; kund. sinqeritet.
PRAGFSHÉHUR mb., fig. 1. Që nuk të tregon se nga vjen, që nuk tregon origjinën; fsheharak.
2. I djallëzuar, i pasinqertë.
3. Smirëzi, zemërlig.
✱Sin.: fsheharak, i pasinqertë, i djallëzuar, smirëzi, zemërlig, keqdashës.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë