Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ZÓRR/Ë,~A f. kryes. sh. ~Ë, ~ËT 1. anat. Pjesë e aparatit tretës të njeriut e të kafshëve, në trajtën e një gypi të mishtë, të gjatë e të ngushtë, që fillon nga stomaku, përdridhet disa herë në bark e mbaron në të ndenjurat. Zorrë dashi (qengji). Ngatërrim zorrësh. Lëngu i zorrëve. Tifoja e zorrëve (mjek.). Kanceri i zorrës së trashë (mjek.). Sëmundjet e zorrëve. Ngatërrim zorrësh. Flora e zorrëve. Parazitët e zorrëve. Gjellë me zorrë. Më kërcisnin zorrët në bark. Ujku e mbërtheu me dhëmbë, i shqeu barkun dhe zorrët i dolën përjashta. (folk.).
2. anat. Pjesa e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për llojet e zorrëve. Zorra e drejtë fundi i zorrës së trashë që mbaron me pasdaljen (anusin). Zorra e hollë pjesë e aparatit tretës të njeriut dhe kafshës nga stomaku deri te zorra e trashë. Zorrë e kuqe (bised.) ezofagu, gurmazi. Zorra e majme (bised.) zorra e trashë. Zorra e trashë pjesë e aparatit tretës të njeriut dhe të kafshës nga zorra e hollë deri në pasdalje. Zorra e verbër (qorre) pjesë mbeturinore që ndodhet në krye të zorrës së trashë dhe ka trajtën e një krimbi.
3. vet. sh. Pjesët e poshtme të aparatit tretës bashkë me pjesët e tjera të barkut; rropullitë, të përbrendshmet. Mori ilaçin dhe e piu, / Po ai qenkej bar miu, / Zorrët e mëlçitë ia griu. (folk.). Me zorrët jashtë. I vogli luan me zorrë sheshit. (fj. u.). është shumë i sinqertë. Nuk i varen ujkut zorrët në qafë. (fj. u.). Edhe zorrët e barkut ngatërrohen. (fj. u.). Mos shpurdh si zorra në prush. (fj. u.). Që kur polla m’u tha zorra. (fj. u.).
4. Gyp i gjatë e i ngushtë, zakonisht prej gome a prej lënde plastike, që përdoret kryesisht për të çuar e për të tërhequr me të ujë ose lëngje të tjera. Zorrë prej llastiku. Zorra e ujit. Ujit me zorrë. E zbrazi (e thithi) me zorrë. Po i dridheshin duart nga forca e ujit që kalonte nëpër zorrë.
5. kryes. sh. Zemra e kungullit, e pjeprit etj. që mban farat, bëltajë. I hoqën zorrët kungullit. Nuk hahet pjepri me gjithë zorrë.
✱Sin.: rropulli, të përbrendshme, të brendshme, qarkje, zorrovinë, bëltajë, bëltacë.
♦ M’u bë zorrë (dikush) përb. vulg. m’u ngjit prapa e nuk më ndahet; m’u bë rrodhe. I dolën zorrët (përjashta) (dikujt) volli shumë; i erdhi shumë ndot, u pështiros; nxori zorrët (zorrët e barkut); nxori bark e zorrë; shkuli barkun. I derdhi zorrët (dikujt) thjeshtligj. e vrau, duke e goditur me thikë në bark, i çau barkun; e vrau mizorisht. I dridhen zorrët e barkut (dikujt) trembet shumë, dridhet nga tmerri, i ka hyrë frika në palcë, lemeriset; i dridhen plaçkat e barkut. Më gërthasin zorrët kam shumë uri, më griu uria; më këndojnë zorrët; më grijnë (më gërryejnë) zorrët; m’u shkundën (m’u shkrëndën) zorrët. Më gërvisht (më gërryen) zorrët (dikush a diçka) s’e duroj dot ta shoh me sy, ta dëgjoj, ta kem pranë etj., më ngjall neveri; më ha zorrët. Më grijnë (më gërryejnë) zorrët kam shumë uri, sa nuk duroj dot; e kam stomakun bosh dhe e ndiej shumë urinë; m’u shkundën (m’u shkrëndën) zorrët; më gërthasin zorrët; më këndojnë zorrët. Më ha zorrët (dikush a diçka). 1. Nuk e duroj dot, s’e shoh dot me sy a ta kem pranë; më ngjall neveri; më dhembin sytë (kur e shoh dikë a diçka); më therin sytë (kur e shoh dikë a diçka); e kam halë në sy (dikë); nuk e shoh dot me sy (dikë); e kam kripë në sy (dikë); (e dua) si kripa në sy (dikë) iron.; (e dua) si zjarrin në gji (dikë) iron.; (e dua) si prushin në gji (dikë) iron.; e kam prush në gji (dikë). 2. Më bëhet i padurueshëm dikush me fjalët që thotë a diçka me zhurmën që bën; më plasi shpirtin. Më hapi zorrët (dikush a diçka) më ngjalli neveri; më bëri të më vijë pështirë, më bëri për të vjellë; më nxori (më shkuli) zorrët; më hapi barkun; më shtiu (më ngjalli) krupën përb. Më këndojnë zorrët kam uri, dua të ha; më gërthasin zorrët; më grijnë (më gërryejnë) zorrët. S’na la zorrë në bark (dikush) qeshëm shumë, u shkulëm së qeshuri, u gajasëm. E mbushi zorrën (dikush) thjeshtligj. hëngri sa u ngop; e mbushi barkun; e mbushi plëndësin thjeshtligj. Nxori *bark e zorrë (dikush). Nxori zorrët (e barkut) (dikush). 1. Volli shumë, nxori gjithçka që kishte në stomak; nxori bark e zorrë; i dolën zorrët (përjashta); shkuli barkun. 2. shih i tregoi zorrët e barkut (dikujt). Më nxori (më shkuli) zorrët (dikush a diçka) nuk e duroj dot dikë a diçka, më pështiros ta shoh a ta kem pranë, më vjen për të vjellë prej dikujt a prej diçkaje; më hapi zorrët; më hapi barkun; më shtiu (më ngjalli) krupën. E njomi zorrën (dikush) theshtligj. 1. Hëngri pak; e shoi urinë (për dikë që ka jetuar në varfëri të madhe ose që ka një kohë të gjatë pa ngrënë). 2. Ka të hajë, nuk vuan më për bukën e gojës; u mëkëmb ekonomikisht; e mori veten4. (Përpëlitem) si zorra në prush 1. jam shumë i shqetësuar për dikë a për diçka, nuk di ç’të bëj e përpiqem sa andej e këtej t’ia dal mbanë a të gjej një zgjidhje; (përpëlitem) si veza në prush. 2. shih nuk më mban vendi. M’u përzien (m’u rrotulluan) zorrët më erdhi të pështirë nga dikush a nga diçka, s’e duroj dot, kam të përzier kur e shoh, më vjen për të vjellë nga dikush a nga diçka; më erdhën zorrët në grykë (në fyt). *Qen (zagar) zorrësh (rrugësh, sokaku) përb. M’u shkundën (m’u shkrëndën) zorrët më griu uria; jam fare i pangrënë; e kam stomakun bosh; më grijnë (më gërryejnë) zorrët; m’u tha zorra; më gërthasin zorrët; më këndojnë zorrët. I tregoi zorrët e barkut (dikujt) ia tha të gjitha, tregoi gjithçka, nuk mbajti asnjë të fshehtë, ia zbuloi ç’kishte e nuk kishte; i zbrazi barkun; nxori zorrët (e barkut) (dikush). M’u tha zorra nuk kam ngrënë prej kohësh e jam i uritur, vdiqa për të ngrënë; kam vuajtur shumë për të jetuar, kam hequr keq për bukën e gojës; m’u shkundën (m’u shkrëndën) zorrët; m’u tha barku; m’u ngjit barku për shpine (me kurrizin). Ia thau zorrën (dikujt) nuk i dha gjë për të ngrënë, e la pa ngrënë e të uritur për një kohë të gjatë; ia thau barkun; ia thau gojën. Më erdhën zorrët në grykë (në fyt) më erdhi neveri, më erdhi për të vjellë nga diçka e ndyrë ose nga dikush që nuk e duroj dot, m’u pështiros; m’u përzien (m’u rrotulluan) zorrët; m’u ngrit stomaku përpjetë. (Ia di, ia njoh) zorrët e barkut (dikujt) e njoh shumë mirë dikë, e di deri në imtësi si është; (ia di, ia njoh) fundin e barkut; (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë); (e njoh) me rrënjë e me degë (dikë).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë