Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KORNÍZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Parvaz prej druri a prej dërrase, ku mbahet zakonisht një foto, një portret etj. Kornizë e gdhendur (e zbukuruar). Vuri portretin e tij në kornizë.
2. Skelet i ngjashëm me këtë parvaz që mban xhamat dhe perden e dritareve. Korniza për xhamat (për perden e dritares).
3. Skelet i tillë prej druri për zgjoin e bletëve. Kornizë e zgjoit të bletëve.
4. Këmbalec prej dërrase a prej plastike, ku vendosen rrobat e lara për t’u tharë; tharëse. Thaj (vë) plaçkat në kornizë.
5. edhe fig., zyrt. Tërësi parimesh, kriteresh a normash që e kufizojnë, por edhe përcaktojnë veprimtarinë e lirë shoqërore e politike të një shteti, të një krahine autonome etj.; suazë. Kornizë ligjore (kushtetuese). E vuri dikë në kornizë ia përcaktoi kufijtë, i kufizoi mundësitë për veprim dhe zhvillim a përparim.
✱Sin.: parvaz, tharëse, kuadër, suazë.
♦ Dal nga kornizat libr. i shoh a i trajtoj gjërat jashtë kallëpeve, më gjerë nga vështrimet e ngushta të mëparshme; e vlerësoj në një mënyrë të re, duke kapërcyer kufizimet e vendosura më parë. E fut në kornizë (dikë a diçka) libr. e kufizon veprimtarinë e dikujt ose zhvillimin e lirë të diçkaje, i vë kufi; e sheh ngushtë, jo në mënyrë të gjerë; i fut në kallëpe (gjërat).
PARMÁK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Radhë shufrash prej hekuri, prej druri etj., me një brez të ngushtë përsipër, që vihen në anë të shkallës, të ballkonit etj. për t’u mbështetur ose që të mos bien njerëzit. Parmakë hekuri (druri). Parmakët e shkallës (e ballkonit). U mbështet në parmak.
2. Parvaz, pragu i dritares. Dritare me parmak. Vënë lule në parmak.
3. Kanata e dritares. Hap (mbyll) parmakët.
4. Radhë me çengela druri nën strehën e çatisë, ku varen veglat bujqësore. Vë kazmën (lopatën, belin) në parmak.
✱Sin.: kangjella, prag, basamak, gardhor, gardh, pahi.
PARVÁZ,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Korniza e derës a e dritares. Parvazi i dritares.
2. Dërrasë e gjatë a pllakë guri, e nxjerrë pak jashtë dritares, mbi të cilën mbështetet korniza; pragu i dritares. Parvaz i gjerë (i ngushtë). Mbështetem në parvaz. Vë lulet në parvaz.
3. Dërrasë e gjatë e vënë brinjazi në mur, zakonisht në dhomën e miqve, për të vënë në të sende a rroba të ndryshme; sergjen i ngushtë. Vë (var) në parvaz.
✱Sin.: kornizë, prag, sergjen, shtalkë, shtyllak, parmak, prag.
PRA/G,~GU m. sh. ~GJE, ~GJET 1. Brez guri, betoni a druri, që vihet për së gjeri në pjesën e poshtme të derës dhe që shërben si mbështetje për këtë. Pragu i derës. Pragu i shtëpisë. Prag prej guri. Kaloi (kapërceu, hodhi) pragun. Doli (rri) te pragu. U ul në prag. U rrëzua (u pengua) fëmija te pragu. Mos i kapërce kurrkujt pragun me sherr! (fj. u.).
2. Brez guri, betoni a druri, që vendoset në pjesën e poshtme të dritareve. Pragje dritaresh.
3. Rrasë e gjatë dhe e trashë katërkëndëshe guri që vihet mbi këmbët e oxhakut, buhari. Pragu i oxhakut.
4. fig. Vendi i banimit, shtëpia. Pragu im. Prag më prag shtëpi më shtëpi, në çdo shtëpi. S’ka dalë nga pragu sot ka ndenjur brenda në shtëpi, s’ka dalë fare jashtë. S’ia kam shkelur (s’ia kam parë) pragun s’kam qenë asnjëherë në shtëpinë e tij, s’ia kam shkelur derën.
5. Familja. Iu shua pragu mbeti pa njeri, u shkretua.
6. Atdheu. Ka lënë pragun ka ikur në emigrim. Rri në prag nuk largohet nga shtëpia a nga fshati i tij, nuk shkon për të punuar në një vend tjetër.
7. Pllakë e trashë guri, aq e madhe sa mund të rroket me duar. Mori një prag.
8. Dru i gdhendur me katër faqe, që vendoset zakonisht në pjesën e përparme të shtratit të qerres, të sajës, të lesës etj., ku mbërthehen pjesët e tjera. Pragu i qerres (i lesës, i sharrës).
9. Pjesë e ngritur e me pjerrësi të vogël në shtratin e një lumi; brez guri që ndërtohet në shtratin e lumit për ta bërë rrjedhjen më të qetë; diçka që ka trajtën e një shkallareje ose të trarit. Pragje bore. Ka pragje lumi. Ndërtuan disa pragje.
10. Copë prej druri ose prej ndonjë lënde tjetër të fortë, që vendoset në trupin e një vegle muzikore e mbi të cilën mbështeten telat, urë.
11. fig. Pengesë. Iu bë (i doli) prag dikujt. E kaloi pragun. S’ka prag që s’kapërcehet.
12. fig. Kohë që i paraprin një ngjarjeje të caktuar, parakohë; koha para fillimit të diçkaje (zakonisht me parafjalën në). Në pragun e fitores. Në prag të zgjedhjeve (të festës). Në prag të martesës (të pleqërisë). Në prag të pranverës. Në pragun e jetës i ri në moshë, që sapo ka hyrë në moshën madhore.
13. spec. Madhësia më e vogël e diçkaje.
14. spec. Kufiri, caku më i lartë i shfaqjes së diçkaje; shkalla a forca e shfaqjes së diçkaje. Pragu absolut i ndijimit (psikol.) madhësia më e vogël e një ngacmuesi që shkakton lindjen e ndijimit. Pragu i dëgjimit (psikol.) intensiteti më i vogël i një tingulli që mund të shkaktojë ndijimin e të dëgjuarit. Pragu i dhembjes kufiri më i lartë i intensitetit, përtej të cilit ndijimi shkakton dhembje.
✱Sin.: shqem, parvaz, sofat, soft, parmak, pezul, buhari, shtëpi, familje, pritë, urë, pengesë, vigjilje, kufi, cak, vendbanim, atdhe, shkëmb, pllakë, parakohë, grykë, buzë.
♦ I bëhem prag. 1. (dikujt). E pengoj që të mos arrijë diçka, i bëhem pengesë; i bëhem gardh; i bëhem ledh; i bëhem barrikadë libr. 2. (diçkaje). E pengoj diçka që nuk duhet të ndodhë; i bëhem gardh; i bëhem ledh; i bëhem barrikadë libr. I bie pragut të dëgjojë dera (dikush) nuk e thotë drejtpërdrejt atë që kërkohet, i drejtohet dikujt tjetër që ta kuptojë vetë ai që duhet; e hedh fjalën gjetkë; flet tërthorazi e me nënkuptime; i bie derës të dëgjojë qilari; i bërtet së bijës të dëgjojë e reja. I bie *shiu në prag të derës (dikujt). S’ka dalë nga pragu (dikush) është i padalë e i pashëtitur; nuk e njeh botën, ka formim të kufizuar; nuk ka dalë shumë nga shtëpia në shoqëri (kryesisht për shkak zakoni) dhe nuk është zhvilluar; ka mbetur me horizont të ngushtë. Na hëngri pragun e shtëpisë (dikush) përçm. shih e bëri kalldrëm (diku) përçm. Është në prag të derës (diçka) thuajse ka ardhur, është shumë afër, e kemi pranë; është prapa derës; po troket në derë. E kapërceu (e kaloi) pragun. 1. (dikush a diçka). E kaloi masën a kufirin, shkoi më tej nga ç’duhej; e teproi; e kapërceu (e kaloi) cakun; e kaloi (e kapërceu) kufirin. 2. (dikush). Doli në jetë nga një gjendje e mbyllur, hyri në jetë; e kapërceu një pengesë në përpjekjet e tij për të arritur diçka. Prag më prag shtëpi më shtëpi, kudo; derë më derë; portë më portë; vatër më vatër. Puthe pragun! iron. mos guxo të shkelësh më në këtë shtëpi a në këtë vend!, mos guxo të vish më këtu!, thuaji “lamtumirë” këtij vendi. *Pyll në prag të derës. Nuk qas (nuk do) pragu mushkë shih nuk qas ahuri mushkë. Me *rraqe e me pragje. Nuk ia kam shkelur pragun (derën) (dikujt) nuk kam qenë asnjëherë tek ai; s’i kam vajtur asnjëherë në shtëpi a në zyrë. Iu shua pragu (dera) (dikujt) i vdiqën të gjithë, mbeti pa njeri, u shkretua; iu shua vatra (oxhaku); iu mbyll shtëpia; i vuri kyçin (shtëpisë) (dikush); i vuri ferrën (shtëpisë) (dikush); s’i këndon më gjeli në shtëpi. T’u shoftë pragu (dera)! mallk. të vdekshin të gjithë!, mos të mbettë njeri gjallë prapa!; të mbiftë ferra në derë!; të dalshin hithra në vatër!; të zëntë shtëpia bar! I tregoj pragun (dikujt) shih i zbraz barkun (dikujt).
SERGJÉN,~I m. sh. ~E, ~ET Dërrasë e ngushtë, e vendosur brinjazi gjatë murit për të vënë enë kuzhine e sende të tjera; raft i hapur me disa dërrasa, i vendosur pranë murit. Sergjeni i enëve. I vunë të gjitha enët në sergjen. Ra diçka nga sergjeni. Sergjenet i mbante gjithmonë pastër.
✱Sin.: raft, shtreth, parvaz, lëpizë.
♦ E hedh bishtin mbi sergjen (dikush) shih e hedh bishtin mbi kurriz (dikush).
SHTÁLK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Secili prej drurëve ose secila prej dërrasave ku mbahen kanatet e derës; parvaz; korniza e dritares; kornizë. Shtalka të trasha. Shtalka e derës (e dritares).
2. Dru a rrip dërrase që shërben për të mbajtur diçka pingul. I vë shtalka gardhit (mollës).
3. krahin. Patericë. Ecën me shtalka.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë