Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANKÉT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pyetje që u bëhen shumë njerëzve për të mbledhur të dhëna, mendime etj. për një çështje politike, ekonomike, shoqërore etj. Anketë muzikore (gjuhësore, parlamentare). Anketa e gazetës. Anketë shkencore. Përfundimet (të dhënat) e anketës. Pjesëmarrësit e anketës. Bëj (hap) një anketë. Anketë televizive.
2. Fletanketë, pyetësor. Pyetjet e anketës. Plotësoj anketën.
✱Sin.: fletanketë, anketim, pyetësor.
ARÉN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Hapësirë skenike rrethore, gjysmërrethore ose vezake, kryesisht në një hapësirë të hapur, me prejardhje nga koha antike, ku zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve, lojërat publike, ose ndëshkimet publike në Romën e Lashtë.
2. Shesh i rrumbullakët në mes të një cirku, stadiumi a amfiteatri, ku zhvillohen lojëra ose ndeshje, ku jepen shfaqje akrobatike etj. Arena e Koloseut në Romë. Arena dardane. Arena kombëtare e Tiranës. Arena e cirkut (e amfiteatrit). Guximtarët në arenë. Dolën në arenë.
3. fig. Fusha ku zhvillohet një përleshje, një luftim, një ndeshje, një spektakël ose gara, koncerte etj.; lëmë veprimtarie ku ndeshen palë a rryma të kundërta. Arena politike (parlamentare). Arena ndërkombëtare (botërore). Arenë lufte (betejash). Në arenën e historisë. Doli në arenë.
✱Sin.: shesh, terren, skenë, ring, stadium, amfiteatër.
ASAMBLÉ,~JA f. sh. ~, ~TË 1. Mbledhje e përfaqësuesve të zgjedhur të një vendi, si organi më i lartë ligjvënës, që ka të drejtë të diskutojë e të vendosë për çështjet më të rëndësishme dhe të kontrollojë organet e zgjedhura prej saj; mbledhja e përfaqësuesve të vendeve të ndryshme në një organizatë ndërkombëtare, e cila shqyrton çështje të ndryshme dhe merr vendime për to; tërësia e përfaqësuesve në këto mbledhje; ndërtesa ku mbahen rregullisht këto mbledhje; kuvend. Asambleja kombëtare. Asamble kushtetuese (ligjvënëse). Asambleja parlamentare. Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës. Sesion i asamblesë. Thirrja e asamblesë. Punimet (vendimet) e asamblesë.
2. Mbledhja e gjithë anëtarëve të një institucioni, të një kompanie, të një organizate a të një shoqate, si organi më i lartë që ka të drejtë të shqyrtojë çështjet e përbashkëta me rëndësi, të marrë vendime për to dhe të kontrollojë organet e zgjedhura prej saj; tërësia e pjesëmarrësve në këtë mbledhje. Asambleja e Akademisë së Shkencave. Asambleja e sindikatës. Mbledhja e asamblesë. Anëtarët e asamblesë.
BUTAFORÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. teatër. Sendet e ndryshme (orenditë, armët, enët etj.) që shërbejnë për të vënë në skenë një shfaqje teatrale. Butaforia e shfaqjes (e skenës). Vë (heq) butaforinë. Objekte butaforie.
2. fig., libr. Kushte e rrethana të jashtme të krijuara në mënyrë të rreme për të mashtruar dikë, për t’u hedhur të tjerëve hi syve. Butafori mashtruese. Butafori politike (parlamentare). Butafori zgjedhore. Butaforia e biznesmenëve.
DEMOKRACÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Sistem politik, ku pushteti ushtrohet nga populli dhe ku shtetasit gëzojnë liri e të drejta të barabarta; shtet a vend me këtë formë qeverisjeje a organizim politik. Demokraci e brishtë. Demokraci shekullore.
2. Mënyrë drejtimi a organizimi në jetën e një partie, të një shoqate etj., që u siguron anëtarëve pjesëmarrje aktive dhe ndikim vendimtar në veprimtari të ndryshme; e drejta e mundësia për të thënë fjalën lirisht. Demokraci e brendshme (parlamentare). Demokracia në shkollë (në familje). Demokraci në vendimmarrje.
DYDHOMËSÍ,~A f., zyrt. Sistem qeverisjeje në të cilin parlamenti përbëhet nga dy dhoma deputetësh. Prejardhja e dydhomësisë britanike. Dydhomësia parlamentare.
ETIKÉT/Ë,~AII f., libr. Rregulla në marrëdhëniet me të tjerët; mirësjellje. Etiketë zyrtare. Etiketa e mirësjelljes. Flet me etiketë. E kërkon etiketa. Respektoi etiketën parlamentare. Sipas etiketës diplomatike të kohës.
ETÍK/Ë,~A f. 1. filoz. Sistemi i parimeve morale, i normave dhe i rregullave të sjelljes së njerëzve në shoqëri. Etikë parlamentare. Etika idealiste. Çështje të etikës. Të bësh thirrje për etikë. Etikë qytetare.
2. Shkenca që studion sjelljen praktike të njeriut dhe kriteret vlerësuese për këtë sjellje në lidhje me veten dhe të tjerët. Etika aristoteliane. Bazat e etikës. Etika dhe morali. Etika protestante. Etika e krishterë e mesjetës.
EUROAZIATÍK,~E mb. Që lidhet me Evropën dhe me Azinë, i Evropës dhe i Azisë. Ariu i murrmë euroaziatik. Republikë parlamentare euroaziatike. Në hapësirat euroaziatike. Nga kohërat e miteve të përbashkëta euroaziatike.
EVROPIÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Banor vendës i Evropës ose me prejardhje nga Evropa. Ka shumë evropianë që jetojnë këtu. Figurë e pranueshme nga evropianët. Evropianët thirren në zgjedhje parlamentare. Prania për herë të parë e evropianëve në Australi.
INTERPELÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT pol. 1. Procedurë zyrtare parlamentare përmes së cilës anëtarët e parlamentit kërkojnë që qeveria të shpjegojë, të sqarojë ose të justifikojë politikat, veprimet ose vendimet e saj.
2. Kërkesë e posaçme që i bëhet qeverisë ose një ministri të saj nga ana e deputetëve të parlamentit për të dhënë shpjegime për një çështje. I bënë qeverisë një interpelancë. Iu përgjigj interpelancës.
✱Sin.: ndërpyetje, kërkesë.
INTERPELÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur interpeloj ose kur interpelohet.
2. Rrjedhimi kur interpeloj ose kur interpelohet. Interpelim në seancën parlamentare.
INTERPEL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. I bëj interpelancë qeverisë.
2. jokal. Jap shpjegime në kuvend pas kërkesës nga një grup deputetësh. Interpeloj në seancën parlamentare.
JASHTËPARLAMENTÁR,~E mb. Që nuk bën pjesë a që nuk përfaqësohet në parlament, që gjendet a që bëhet jashtë parlamentit; që nuk lidhet me jetën dhe veprimtarinë e parlamentit, që nuk bëhet sipas rregullave a sipas formave parlamentare; jashtëkuvendor. Forma jashtëparlamentare. Veprime jashtëparlamentare. Shumica (masa, pjesa) jashtëparlamentare. Lufta (lëvizja) jashtëparlamentare.
LIGJVËNËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Ajo që merret me hartimin e ligjeve, ajo që bën ligjet, legjislatore; anëtare e parlamentit, deputete. Janë një sfidë e vazhdueshme ndaj ligjvënëseve.
✱Sin.: ligjhartuese, ligjbërëse, ligjtare, kuvendare, parlamentare, deputete.
MOCIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. drejt. Kërkesë e bërë në gjykatë për një urdhër ose një vendim. U dorëzua një mocion në gjykatë për pranimin e dokumenteve.
2. pol. Propozim zyrtar që paraqitet për t’u hedhur në votim sipas procedurave parlamentare. U votua një mocion mosbesimi në parlament. Parlamenti miratoi (hodhi poshtë) mocionin.
NËNKOMISIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET Nënndarje e një komisioni të organizuar zakonisht për një qëllim të caktuar. Nënkomisione parlamentare.
OPOZÍT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT pol. Veprimtari politike kundër pikëpamjeve a qëndrimeve të një partie, të një qeverie etj. ose kundër pikëpamjeve të shumicës në një parti, në një parlament, në një organizatë etj.; grupi i njerëzve, i rrymave, i partive a i organizatave politike që zhvillon një veprimtari të tillë. Opozitë politike (parlamentare, demokratike). Opozitë politike. Partitë (udhëheqësit) e opozitës. Bënte pjesë në opozitë.
* Jam (qëndroj, ndodhem, rihem) në opozitë me dikë a me diçka libr. nuk jam i një mendjeje me dikë, e kundërshtoj, kam pikëpamje të kundërta me të për një çështje të rëndësishme.
PARLAMENTÁR,~E mb. 1. Që ka të bëjë me parlamentin, që i përket parlamentit, i parlamentit; që bëhet për të zgjedhur anëtarët e parlamentit. Bisedimet parlamentare. Shumica (pakica) parlamentare. Komision parlamentar. Zgjedhjet parlamentare.
2. Që e ka me parlament sistemin e qeverisjes. Republikë parlamentare. Monarki parlamentare. Me rrugë parlamentare.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë