Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKSIOMATÍK,~E mb. 1. filoz. Që ndërton, një sistem logjik mbi parime bazë të pranuara si të vërteta pa prova, që ka vetitë e një aksiome; që ka karakterin e një aksiome, që nuk ka nevojë për vërtetim, që pranohet si diçka e ditur ose e vetëkuptueshme. Sistem aksiomatik. Teoria aksiomatike. Parim aksiomatik. E vërtetë aksiomatike. E drejta aksiomatike. Hulumtimet aksiomatike. Marrëdhënie aksiomatike. Qasje aksiomatike. Themele aksiomatike. Në mënyrë aksiomatike.
2. logj., mat. Që përdor rregulla logjike për të nxjerrë teorema dhe përfundime. Sistem aksiomatik strukturë teorike që fillon me një grup aksiomash dhe që përdor rregulla logjike për të nxjerrë teorema dhe përfundime. Logjika aksiomatike. Funksionet aksiomatike. Premisat aksiomatike. Përkufizim aksiomatik. Gjeometria aksiomatike.
✱Sin.: parimor, themeltar, i vetëkuptueshëm, i vërtetë, i ditur, i njohur.
ANËMBÁJTËS,~I m. sh. ~, ~IT Ai që mban anën e dikujt, ai që mbështet ose që përkrah hapur dikë. Anëmbajtësi i tij. Anëmbajtës parimor.
✱Sin.: anambajtës, anues, krahmbajtës, pajëmbajtës, përkrahës, mbështetës, hatërmbajtës.
BARASVLERËSÍM,~I m., libr. Veprimi kur barasvlerësoj dikë a diçka ose kur barasvlerësohem; dhënie e vlerave të barabarta dy a më shumë faktorëve, madhësive etj. Barasvlerësim parimor. Barasvlerësimi në fjalorë dygjuhësh.
ÉR/Ë,~AI f. sh. ~ËRA, ~ËRAT 1. Rrymë e madhe ajri që lëviz horizontalisht. Erë e ftohtë (e ngrohtë). Erë e lehtë (e fortë, e tërbuar, e hollë, e lagësht, e thatë). Erë pranverore. Era mëngjesore. Era e malit (e fushës). Era e diellit era që fryn nga lindja. Era e lindjes (e perëndimit, e veriut, e jugut). Erë bore (shiu) erë që sjell borë (shi). Erë me shi (me dëborë). Forca (shpejtësia) e erës. Drejtimi i erës. Matës i erës. Mot me (pa) erë. I shpejtë si era. Fryn erë. Fishkëllen era. Pushoi (ra) era. Të than (të pret, të shkurton, të gërryen) era. E rreh (e zë, e kap, e ha) era. Vend i mbrojtur nga era.
2. bised. Ajër. Vrimë (baxhë) për erë. Shtie (qëlloj) në erë. Fluturoi në erë. Marr erë marr frymë.
✱Sin.: rrymë, ajër.
♦ U bë erë (dikush) iku me vrap, vrapoi me shpejtësinë më të madhe, fluturoi menjëherë; u zhduk shumë shpejt; u bë veri; u bë tym1; (u bë) tym e mjegull; (iku) tym dose; u bë lepur; ia mbathi me të katra; s’i zënë këmbët dhe (dikujt). Bën (ngre) *kështjella (kala) në erë (në ajër) (dikush) keq. Bie (mban) erë *barut. Bie (mban) erë *myk. I bie koka erë hallvë (dikujt) keq. është plakur shumë, nuk është në gjendje të mirë mendore, është matufosur; i janë thartuar (i janë uthulluar) trutë; i kanë rrjedhur trutë. Erë më erë gjithkund, kudo; gjithandej. Erë mali dikush që është i rrëmbyer ose shumë mendjelehtë dhe i papjekur; ia ka marrë mendtë era (dikujt); e ka mendjen veri. Erë me shi diçka e papritur, e shpejtë a me rrëmbim; diçka që kalon shpejt e rrëmbyeshëm.*Fjalë në erë. Flet në erë (dikush) flet pa u menduar; flet a premton kot, pa asnjë siguri, grin kot; flet në tym; prashit në erë keq.; flet pa doganë; grin sallatë bised.; grin lakra bised.; rreh ujë në havan; çan dërrasa bised.; i bie legenit bised. Fluturon në erëI (diçka) shkatërrohet krejt, prishet kot, vete dëm; fluturon në ajër. Fluturon në erëII (dikush) i merr gjërat lehtë, nuk mendon thellë; i duket çdo gjë e arritshme, nuk i kupton vështirësitë; është mendjelehtë e i rrëmbyer; fluturon në hava. Fryjnë erërat (për dikë a për diçka) libr. vjen diçka që e nxit ose e pengon një ndryshim, zhvillim a përparim, krijohen kushte nxitëse a penguese. Hedh në erë (diçka). 1. E prish krejt diçka, e shpërthej, e shkatërroj me lëndë plasëse; hedh në hava. 2. I prish menjëherë planet e dikujt, i shkatërroj krejt; hedh në hava. Ku e hedh era (dikë) ku ndodhet rastësisht, ku qëllon të jetë. Ia hodhi leckat në erë (dikujt) përb. e zhduku, e asgjësoi; e shkatërroi përfundimisht; ia hodhi potkonjtë në erë përçm.; ia hodhi trutë në erë keq. I hodhi paratë në erë (dikush) i prishi paratë kot; i bëri rrush e kumbulla (paratë). Ia hodhi potkonjtë në erë (dikujt) përçm. e la në vend të vdekur, e vrau; ia hodhi leckat në erë përb.; ia hodhi trutë në erë keq. Ia hodhi trutë në erë (dikujt) keq. e vrau (zakonisht me plumb dhe duke e qëlluar në kokë); ia derdhi (ia zbrazi) trutë; ia hodhi leckat në erë përçm.; ia hodhi potkonjtë në erë përçm. (Humbi) si *pluhuri në erë (dikush a diçka). Erë bjeshke shumë mendjelehtë; i nxituar e nuk vë re se ç’po bën; erë mali; e ka mendjen veri. Kërkon të kapë erën (dikush) përpiqet më kot, do që të arrijë të pamundurën, ia hyn një pune që nuk mund të bëhet. Kthehet nga të fryjë era (dikush) shih kthen gunën nga të fryjë era (dikush). Kthen gunën nga të fryjë era (dikush) vepron si t’i bëhet më mirë atij, shkon nga t’i leverdisë më shumë; nuk është parimor dhe ndryshon bindjet me lehtësi për të mbrojtur interesat e vet, anon herë këtej, herë andej, nuk qëndron në një mendje; kthehet nga të fryjë era; shkon nga të fryjë era; ruan erërat; si të jetë moti e kthen gëzofin; e kthen barkun nga (del) dielli; (është) me dyzet (me njëqind) flamurë. E la në *krahët e erës (dikë). Leh në erë të ujkut (dikush) bised. tall. flet tjetër për tjetër, flet kot, si t’i vijë, pa i ditur gjërat e pa i gjykuar fare; rri me dhen e flet për dhi; flet për gogla dushku në lëmë. Ia ka lëshuar kryet (dikujt) shih ia lëshoi (ia liroi) frerin (dikujt) keq. Lufton me *mullinjtë e erës (dikush) iron., tall. Merr erëI (diçka). 1. Qelbet, prishet, bie erë të keqe; merr amë. 2. Bëhet e ditur diçka, mësohet prej të gjithëve; nuk është më e fshehtë, zbulohet sheshit e përhapet; ka filluar t’i dalë nami i keq; e përflasin; i vjen era (diçkaje); merr amë. Merr erëII (nga diçka) e njeh diçka; e kupton, di ta bëjë a ta përdorë; ka njohuri për diçka; merr amë (nga diçka); merr vesh; ka haber bised. E merr eraI (dikë). 1. Është fare i dobët e me trup të lehtë; s’mbahet dot më këmbë. 2. Nuk është i qëndrueshëm në bindje e në fjalë, lëkundet shpejt; ndjek një rrugë të rastësishme. E merr era II (diçka) shkon kot; nuk zë vend; zhduket pa lënë gjurmë; nuk ngjit ose harrohet shpejt. I marr (i mbaj) erë (diçkaje). 1. E nuhat. 2. Përpiqem ta njoh mirë e nga afër diçka, të zbuloj ç’është a ç’vlera ka. I ka marrë erë *barutit (dikush). I ka marrë era *miellin (dikujt). I ka marrë koka (mendja) erë (dikujt) bën veprime të pamenduara mirë, punon a vepron pa llogaritur pasojat; nuk është në gjendje të mendojë mirë; është kokëkrisur, kërkon t’ia hyjë një rreziku pa u menduar; i ka hipur në kokë. Ia ka marrë mendtë era (dikujt) është shumë mendjelehtë; është i nxituar e nuk vë re se ç’po bën; është si era e malit (dikush); e ka mendjen veri (dikush). I mban goja erë *qumësht (dikujt). Mbolli erën e korri furtunën (dikush) libr. bëri një të keqe dhe si pasojë e pësoi nga një e keqe më e madhe; çfarë mbolli (edhe) korri. Të ngop me erë (dikush) të ngop me fjalë e me premtime të kota; të mban me shpresa të kota; të mban me erë të mollës; të ngop me lugë të zbrazët; të jep ujë me shoshë. Prashit në erë (dikush) keq. shih flet në erë (dikush). Qëllon në erë (dikush) shprehet për diçka pa e ditur e pa e njohur, jep një mendim të kotë; ia fut kot; flet në erë; flet në tym; flet në hava. Ruan erërat (dikush) bën si të vijë puna a si t’i interesojë, pret e sheh si venë punët e shkon andej nga i leverdis; është njeri me dy faqe; kthen gunën nga të fryjë era; shkon nga të fryjë era. Rron me erën e mollës (dikush) nuk vë gjë në gojë, nuk i pëlqen asnjë ushqim (nga sëmundja etj.); bën naze në të ngrënë. Shkel në erë (dikush) është shumë i shpejtë; ikën e vrapon si veriu, fluturon si era; bëhet erë; bëhet veri; s’i zënë këmbët dhe (dikujt); ia mbath me të katra. Shkon nga të fryjë era (dikush) shih kthen gunën nga të fryjë era (dikush). Ia ka shkundur era *trutë (dikujt) mospërf. *Vrimë në erë. Nuk e zë as era e as shiu (dikë) është në kushte shumë të mira, nuk i mungon asgjë. Më zuri goja erë shih më zuri goja bar.
KARRÍG/E,~IA f. sh. ~E, ~ET 1. Ndenjëse me katër këmbë dhe me shpinëz, pa mbështetëse për bërrylat, ku mund të ulet vetëm një njeri. Karrige e drunjtë. Karrige elektrike ndenjëse metalike për të ekzekutuar të dënuarin me vdekje (në disa vende) me anë të rrymës së fortë elektrike. Karrige e zakonshme. Rri (ulem) në karrige. Qëndrim në dy karrige (keq.) mani a tendencë për karrierizëm.
2. fig., bised., mospërf. Punësim a vend i rehatshëm pune në një zyrë, ku mund të fitohen më shumë të ardhura pa u lodhur. Interesim (qëllim) për karrige.
♦ Rri (qëndron) në dy karrige (dikush) keq. i bën qejfin edhe njërit, edhe tjetrit për përfitime më të shumta vetjake nga të dy krahët; nuk është parimor dhe i qëndrueshëm në pikëpamjet e tij, lëkundet sa në një anë në tjetrën.
KOHERÉNC/Ë,~A f., libr. Të qenët koherent; virtyt i njeriut parimor e me karakter; parimorësi. Koherencë mendimesh (pikëpamjesh, idesh).
✱Sin.: karakter, parimorësi.
KOHERÉNT,~E mb., libr. 1. fiz. Që lidhet me koherencën, që karakterizohet nga parimorësia; parimor. Njeri koherent. Ka karakter koherent.
2. libr. I logjikshëm, i menduar mirë dhe pa kontradikta; që është veçori e një njeriu parimor. Gjykim (mendim) koherent.
✱Sin.: parimor, i logjikshëm.
KONSENSÓR,~E mb., libr. Që ka të bëjë me konsensusin, që i përket një konsensusi; që arrihet me konsensus a me mirëkuptim; konsensual. Vendim (miratim) konsensor.
✱Sin.: konsensual, parimor.
KORRÉKT,~E mb. 1. Që sillet e vepron në përputhje me normat e sjelljes, me rregullat shoqërore në punë etj.; i rregullt, i përpiktë dhe i saktë. Njeri (mësues, nxënës) korrekt.
2. Që është veti a veçori e një njeriu të drejtë, të rregullt, të përpiktë e parimor. Qëndrim (veprim) korrekt. Sjellje (disiplinë) korrekte. Në mënyrë korrekte.
3. gjuh. Që është në përputhje me normën letrare. Të folur (të shkruar) korrekt.
✱Sin.: i rregullt, i përpiktë, parimor.
KORREKTËSÍ,~A f. Të qenët korrekt a parimor. Korrektësia është veti e njeriut të urtë e punëtor.
PAÉPSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk lakohet, i papërkulshëm; kund. i epshëm. Thupër e paepshme.
2. fig. I paepur. Vullnet i paepshëm. Njeri i paepshëm.
✱Sin.: i papërkulshëm, i pathyeshëm, i patundshëm, parimor, i paligështueshëm, i qëndrueshëm, i vendosur, i fortë, burrëror, trim, granit, derr, thi.
PALËKÚNDSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk mund të lëkundet, shumë i qëndrueshëm; kund. i lëkundshëm. Themel i palëkundshëm. Mure të palëkundshëm.
2. fig. Që u përmbahet me vendosmëri mendimeve e qëndrimeve të veta, që nuk e ndryshon në asnjë rast sjelljen e qëndrimin e tij, i vendosur, i patundur; i fortë, i qëndrueshëm; kund. i lëkundshëm. Njeri i palëkundshëm. Me vullnet të palëkundshëm. Miqësi e palëkundshme. Bindje e palëkundshme. Mendim i palëkundshëm.
✱Sin.: i palëkundur, i patundshëm, i patundur, i paluhatshëm, i qëndrueshëm, i paluajtshëm, i vendosur, i papërkulshëm, i padiskutueshëm, i papajtueshëm, i fortë, i shëndoshë, besnik, parimor.
PARIMÓR,~E mb. 1. Që ka të bëjë me parimet themelore, që u përket këtyre parimeve; që është themelore, thelbësore dhe e përgjithshme. Çështje parimore. Gabime parimore. Kontradikta parimore. Arsye parimore. Me karakter parimor.
2. Që mbështetet në parime të forta; që u përmbahet në mënyrë të prerë parimeve dhe udhëhiqet prej tyre, që nuk bën lëshime në parimet. Njeri parimor. Qëndrim parimor. Politikë parimore. Në mënyrë parimore.
3. Që ka të bëjë vetëm me anën thelbësore a themelore të diçkaje dhe jo me hollësirat a me anët e dorës së dytë, që bëhet në parim. Marrëveshje parimore. Pranim parimor.
✱Sin.: principial, themelor, thelbësor, i përgjithshëm, i paanshëm, kryesor, i palëkundur, i palëkundshëm, i patundur, i patundshëm, i paepshëm, këmbëngulës.
PARIMORËSÍ,~A f., libr. Të qenët parimor; qëndrim, gjykim a veprim parimor. Dallohet për parimorësi.
PARIMËSÍ,~A f., libr. Të qenët parimor; qëndrim parimor i palëkundshëm; mbështetja në parimet dhe ndjekja e tyre pa lëkundje. Parimësi e lartë. Fryma e parimësisë. Mungesa e parimësisë.
✱Sin.: principialitet, palëkundshmëri.
PATÚNDSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që s’mund të zhvendoset; që s’tundet dot nga vendi. Sende të patundshme.
2. Që është i vendosur një herë e mirë dhe s’mund të ndryshohet; që është i sigurt, që s’mund të vihet në dyshim; këmbëngulës, i vendosur; i patundur. Tezë (e vërtetë) e patundshme. Vendosmëri e patundshme. Qëndrim i patundshëm.
3. drejt. Që përfshin tokën dhe ndërtesat si pronë a si pasuri e dikujt, i paluajtshëm. Pasuri e patundshme pasuri themelore që përfshin toka, shtëpi, dyqane etj.
✱Sin.: i patundur, i paluajtshëm, i palëkundshëm, i palëkundur, i ngulët, i paepur, i pandryshueshëm, i pamposhtshëm, i vendosur, i qëndrueshëm, i paepshëm, parimor, këmbëngulës.
PRÉRË (i, e) mb. 1. Që është ndarë nga një e tërë me një vegël të mprehtë (me thikë, me sëpatë etj.). Djathë i prerë.
2. Që është bërë pjesë-pjesë. Bukë e prerë.
3. Që është shkurtuar, rrafshuar, krasitur, korrur, kositur etj. me një vegël prerëse, që është prerë. Vajzë me flokë të prerë. Pemë të prera. Pyll i prerë. Livadh (bar) i prerë. E ka një këmbë të prerë.
4. gjeom. Që ndërpritet a këputet, që nuk vijon më tej; që është prerë me një rrafsh. Vijë e prerë. Kon i prerë.
5. Që e ka majën si të shtypur a si të prerë, jo me majë.
6. Që ka pjerrësi të madhe, që shtrihet pingul tatëpjetë, thikë. Maja vjen pak e prerë. Brigje të prera.
7. Që vjen i hollë e si i tërhequr, që s’është i gjerë a i trashë. Me vetulla të prera. Me tipare të prera. Hënë e prerë hënë e ngrënë.
8. I vendosur përfundimisht, që nuk mund të ndryshohet a të diskutohet, përfundimtar; urdhërues, kategorik. Çmime të prera. Urdhër i prerë. Vendim (qëndrim) i prerë. Përgjigje e prerë. Mendim (gjykim) i prerë. Është i formës së prerë (zyrt.). Foli në mënyrë të prerë (me fjalë të prera).
9. I rreptë në kërkesa a në zbatimin e detyrave, që nuk bën lëshime Njeri i prerë. Tregohet (është) i prerë.
10. Që e thotë diçka hapur, shkoqur e pa shumë fjalë, që nuk ta zgjat.
11. Që flet në mënyrë të përpiktë e shkurt; fjalëshkurtër.
12. sport. Që merr me shpejtësi një drejtim tjetër, që gjuhet prerazi; i shpejtë dhe i fortë (për një gjuajtje). Gjuajtje e prerë. Top i prerë.
13. I thartuar e i mpiksur; i prishur; që i është hedhur brenda diçka tjetër. Qumësht i prerë. Verë e prerë verë me ujë.
14. Që s’ka pikë fuqie, i këputur; që shpreh lodhje të madhe a rraskapitje; i mekur. I kam këmbët (duart) të prera. Jam me gjunjë të prerë. U lëshua i prerë në shtrat. Fliste me zë të prerë.
✱Sin.: i shkurtuar, i çarë, i cunguar, i cungët, i cungulluar, i therur, i ndërprerë, i thepisur, i caktuar, i vendosur, përfundimtar, i palëvizshëm, fiks, i padiskutueshëm, i paapelueshëm, urdhërues, i rreptë, kategorik, i mpiksur, i prishur, i ndarë, i gjymtë, i rrafshuar, i krasitur, i korrur, i kositur, i sharruar, i këputur, i rrafshët, i shtypur, pingul, thikë, hollë, i pandryshueshëm, i ashpër, kërkues, i fortë, parimor, shembullor, fjalëpakë, fjalëshkurtër, i shpejtë, i thartuar, i tharmëtuar.
♦ I ka duart të prera (krahët të prerë) (dikush) nuk ka fuqi të veprojë, ia kanë ndrydhur a ia kanë pakësuar shumë forcat e mundësitë; i ka duart të lidhura; i ka duart të zëna. I ka fjalët të prera (dikush) shih i ka fjalët të shkurtra (dikush). I *formës së prerë drejt. I ka thonjtë të prerë (dikush). 1. mospërf. S’ka fuqi të të bëjë keq, s’ka më forcë e mundësi të të dëmtojë; s’të bën dot gjë; i ka duart të shkurtra. 2. Nuk vjedh më, ia kanë prerë vesin e hajdutit. Me *kokë të prerë. Me *krahë të prerë. I prerë me *gërshërë. I prerë me *thikë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë