Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AROMATIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Përdor ose shtoj erëza a aroma të këndshme për të përmirësuar shijen ose erën e mirë të gatesave, të prodhimeve kozmetike ose të prodhimeve të industrisë ushqimore; aromëzoj. Kuzhinieri aromatizoi gjellën me rozmarinë. Aromatizoj lëngun e frutave me portokall. Aromatizova rrobat me parfum.
AROMATIZÚAR (i, e) mb. Që është aromatizuar, që i është hedhur ose i është shtuar lëndë aromatizuese për ta bërë më të këndshme ose për të përmirësuar shijen dhe erën; i aromëzuar. Gjellë (pije) e aromatizuar. Uji i aromatizuar me limon. Çokollatë e aromatizuar me kafe. Parfum i aromatizuar me trëndafil. Vajra të aromatizuara.
AROMATIZÚES,~I mb. Që përdoret për të shtuar aromë në prodhime të ndryshme për t’i bërë më të këndshme ose për të përmirësuar shijen dhe aromën e tyre; aromëzues. Vaj aromatizues. Erëza aromatizuese. Çaj aromatizues. Shampo aromatizuese për bebe. Parfum aromatizues. Detergjent aromatizues. Qirinj aromatizues. Tretës aromatizues antibakteror.
ENERGJIZÚES,~E mb. Që të jep energji dhe forcë, që të energjizon. Qumësht trupi energjizues. Parfum shtëpie energjizues. Shampo energjizuese. Vitamina energjizuese.
GJYLÁF,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Parfum trëndafili; gjyljak.
HÓLLË (i, e) mb. 1. Që është shumë i ngushtë dhe i gjatë, që e ka gjerësinë e trupit të vogël, që e ka prerjen tërthore shumë të vogël; që nuk është i trashë, i fryrë a i shëndoshë dhe që duket i hijshëm, i hajthëm; që është i mprehtë e me majë; kund. i trashë. I hollë e i gjatë. Dru (lastar, shkop) i hollë. Shufër (purtekë) e hollë. Bar i hollë. Pe i hollë. Me trup (me shtat) të hollë. Me qafë të hollë. Me gishta të hollë. Me duar (me këmbë) të holla. Me buzë (me vetulla) të holla. Gjemb i hollë. Sqep i hollë. Gjilpërë e hollë. Me majë të hollë.
2. Që ka trashësi të vogël, që është si cipë a si petë (për sende të rrafshëta e të shtrira); që është bërë prej diçkaje jo të trashë ose që në llojin e vet është i imët, që nuk ka trashësi; kund. i trashë. Letër (cipë, petë, lëvore) e hollë. Shtresë e hollë. Dërrasë (pllakë) e hollë. Xham i hollë. Libër i hollë. Rroba të holla. Çorape të holla. Perde e hollë. Jorgan (qilim) i hollë. Mur i hollë.
3. Që ka gjerësi të vogël, i ngushtë; kund. i gjerë. Brez i hollë. Rrip i hollë toke. Vijë e hollë uji.
4. Që përbëhet nga grimca, kokrriza a thërrmija shumë të vogla ose nga pika të imëta; që është me vrima shumë të ngushta dhe lë të kalojnë grimca a pikla shumë të imëta; i imët. Rërë e hollë. Pluhur i hollë. Miell (sheqer) i hollë. Sitë (kullore) e hollë. Shi i hollë. Breshër i hollë.
5. I rrallë e i imët, që nuk është i dendur; që është i pakët e jo i ngjeshur, i rrallë e pak a shumë i tejdukshëm. Pyll i hollë. Mjegull e hollë. Tym i hollë.
6. Që është shumë i lëngshëm (kryes. për lëndë që përmban shumë ujë); kund. i trashë. Qumësht i hollë. Kos i hollë. Supë e hollë. Baltë e hollë.
7. edhe fig. Që është bërë me mjeshtëri e me kujdes të veçantë, nga që është shumë i ndërlikuar dhe ka pjesë shumë të vogla e të imëta; që është punuar me shumë shije e mprehtësi, që është i përsosur e i përpiktë. Punë e hollë. Punim i hollë. Vepër e hollë. Prerje e hollë. Qëndisje e hollë.
8. fig. Që është shumë i paktë a i vogël sa mezi vërehet, që shquhet me vështirësi, që mezi dallohet; që është shumë i vështirë për t'u kapur. Buzëqeshje (nënqeshje) e hollë. Dallime (ndryshime) të holla. Nuancat e holla të ngjyrave.
9. I lartë; i mprehtë (për tingujt dhe zërin). Zë (tingull) i hollë. Fishkëllimë e hollë. Cicërima e hollë e zogjve.
10. fig. I ftohtë, që të pret, i mprehtë. Thëllim i hollë. Fryn erë e hollë.
11. fig. Që është shumë i lehtë e i këndshëm. Parfum i hollë. Aromë (erë) e hollë.
12. fig. Që është shumë i ndjeshëm, që i kap edhe gjërat me të vogla a me të imëta (për organet e shqisave etj.); që preket shpejt nga diçka, që e ndien menjëherë atë. Ka shije të hollë. Ka ndjenja të holla.
13. fig. Që i kap gjërat shpejt e si duhet, që depërton thellë deri në gjërat më të imëta, që kupton dhe vepron me shumë mprehtësi, i zgjuar, mendjemprehtë; që bëhet a paraqitet me shumë mprehtësi, shumë i thellë. Diplomat i hollë. Është djalë i hollë.
14. fig. Që bëhet me shumë imtësi, i hollësishëm. Njeri (vëzhgues, psikolog) i hollë. Kritikë e hollë. Përgjigje (pyetje, vërejtje) e hollë. Arsyetim (mendim) i hollë. Shaka e hollë. Lëvdatë e hollë. Analizë e hollë.
15. bised.,edhe fig. I dobët, i pazhvilluar; dorëhollë, i varfër. Bagëtitë dolën të holla nga dimri. Misrat ishin të hollë. Ishte në gjendje të hollë. Tokë e hollë tokë e varfër, që jep prodhim të dobët. Misër i hollë misër kokërrvogël.
✱Sin.: i hajthëm, i imët, i ngushtë, hollak, i lëngshëm, i ujshëm, i rrallë, i tejdukshëm, i hollësishëm, i përsosur, i thepët, i përpiktë, i mprehtë, i lehtë, i zgjuar, mendjeprehtë, i mençur, i dobët, i pazhvilluar, i varfër, dorëhollë.
♦ Bëj (derdh) *ujët e hollë euf. Bluan *miell të hollë (dikush). Nuk hipën në *degë të hollë (të thatë) (dikush). Ka *hundë të hollë (dikush). E ka hundën të hollë (dikush). 1. I kap shpejt e mirë erërat e ndryshme, ka nuhatje të fortë; ka nuhatje të hollë. 2. I kap shpejt gjërat, i parandien a i parasheh shpejt e mirë, i kupton menjëherë, i nuhat shpejt; ka hundë të hollë; ka nuhatje të hollë. 3. iron. Nuk pranon çdo gjë, zgjedh shumë e bën naze; është buzëhollë; ka hundë të hollë. E ka mendjen të hollë (dikush) është shumë i zgjuar e i mprehtë, i kap gjërat shpejt; është mendjehollë; i pret mendja hollë (dikujt). Ka *nuhatje të hollë (dikush) i parandien a i parashikon shpejt e mirë gjërat, i kap menjëherë; e ka hundën të hollë. I ka veshët të hollë (dikush) dëgjon shumë mirë; e rrok menjëherë një zë a një tingull; i ka veshët të mprehtë. *Ujët e hollë (e vogël) euf.
LÉHTË (i, e) mb. 1. Që ka peshë të vogël, që rëndon pak; kund. i rëndë. Trup (gur) i lehtë. Barrë (ngarkesë) e lehtë. Arkë e lehtë. Thes i lehtë. Këpucë të lehta. Peshë e lehtë. sport. ndarje ku bëjnë pjesë sportistë që peshojnë nga 62 deri 68 kg (në mundje), nga 60 deri 67 kg (në ngritje peshash) dhe nga 57 deri 60 kg (në boks). Është më i lehtë se uji.
2. tek., usht. Që ka përmasa të vogla e fuqi jo shumë të madhe dhe që mund të lëvizë pa vështirësi; që është pajisur me armatim jo shumë të fuqishëm, që nuk ka armatim të rëndë. Traktor i lehtë. Artileri e lehtë. Top (mitraloz) i lehtë. Tank i lehtë. Bombardues i lehtë. Këmbësori (kalorësi) e lehtë.
3. Që bëhet ngadalë, pa rënduar shumë, pa shumë forcë e pa zhurmë, që bëhet me majat e gishtave; që bëhet sipër e sipër ose anës e anës diçkaje, që prek vetëm sipërfaqen e diçkaje; që kryhet në një shkallë të vogël, që nuk është i thellë a i theksuar; që mezi dallohet a mezi shihet, që mezi dëgjohet a mezi ndihet, që mezi kuptohet; kund. i rëndë; i thellë. Hap i lehtë. Ecje e lehtë. Prekje e lehtë. Ndrysje (shtypje) e lehtë. Valle e lehtë lloj valleje popullore që nuk bëhet me lëvizje të forta. Krasitje (tëharrje) e lehtë. Përpunimi i lehtë i diçkaje. Gërvishtje (plagë) e lehtë. Gjurmë (shenjë) e lehtë. Vijë e lehtë. Dritë (ngjyrë) e lehtë. Skuqje e lehtë. Parfum i lehtë parfum i këndshëm për nuhatje, që ndihet paksa. Lëvizje e lehtë. Zhurmë e lehtë. Buzëqeshje e lehtë. Dridhje e lehtë. Tronditje e lehtë. Rrahjet e lehta të zemrës. Ka një theks të lehtë (dialektor) në të folur.
4. Që tretet pa vështirësi, që nuk të rëndon në stomak (për ushqimet); që nuk përmban shumë alkool etj., që nuk është i fortë në të pirë, i butë. Ushqim (mish) i lehtë. Gjellë e lehtë. Ujë i lehtë. Pije (verë) e lehtë. Çaj i lehtë. Duhan i lehtë.
5. Që është endur rrallë e me fije të holla; që është bërë prej pëlhure a prej stofi të hollë, i hollë. Qilim i lehtë. Veshje e lehtë. Rroba të lehta. Pallto e lehtë. Batanije e lehtë.
6. I hollë e i rrallë, i imët, jo i dendur (për shiun, dëborën, mjegullën etj.); me fuqi të pakët, i dobët (për flladin, erën). Mjegull e lehtë. Re të lehta. Vranësirë e lehtë. Shi i lehtë. Dëborë e lehtë. Erë e lehtë. Ajër i lehtë ajër shumë i pastër që thithet me lehtësi e me kënaqësi, ajër mali. Frynte një fllad i lehtë.
7. Që kërkon pak mund, që arrihet, që bëhet a që kalohet pa vështirësi të mëdha; që mësohet a që kuptohet pa vështirësi; që mund ta lëvizësh a ta drejtosh pa vështirësi; kund. i vështirë, i rëndë. Timon i lehtë (për ta rrotulluar). Punë (detyrë, barrë) e lehtë. Fitore e lehtë. Jetë e lehtë. Udhëtim i lehtë. Mësim (ushtrim, problem) i lehtë. Provim i lehtë. Gjuhë e lehtë. E ka të lehtë. Ndjek rrugën me të lehtë. Më duket e lehtë. S’është kaq e lehtë (sa duket).
8. I shkathët, i shpejtë. Është i lehtë, nuk përton. Ka këmbë të lehta ecën shpejt.
9. fig. Që i sheh gjërat në mënyrë të përciptë, që nuk gjykon thellë, që nuk i merr punët në mënyrë serioze; mendjelehtë; kund. i thellë. Njeri i lehtë. Është i lehtë (nga mendja).
10. edhe fig. Që nuk godet me forcë të madhe e nuk sjell pasoja të rënda; që nuk është aq i rëndë e i rrezikshëm, që nuk i shkel rëndë rregullat a kërkesat; kund. i rëndë. Goditje e lehtë. Grusht i lehtë. Dëm (dëmtim) i lehtë. Bombardim i lehtë. Tërmet i lehtë. Humbje e lehtë. Krizë e lehtë. Gabim i lehtë. Faj i lehtë. Ka dorë (e ka dorën) të lehtë.
11. Që nuk e dëmton shumë shëndetin e nuk e rrezikon jetën e njeriut, që kalohet pa shumë vuajtje e shërohet shpejt; kund. i rëndë. Sëmundje (rrufë) e lehtë. Grip i lehtë. Kollë e lehtë. Forma e lehtë e një sëmundjeje. Është në gjendje të lehtë.
12. Që nuk bëhet me ashpërsi, i butë; kund. i rëndë. Dënim (qortim, ndëshkim) i lehtë. Vërejtje (kritikë, masë ndëshkimore) e lehtë. Shaka e lehtë. Humor (thumb) i lehtë.
13. Që ulet a që ngrihet pak e nga pak, që nuk vjen thikë, i butë. Pjerrësi (e përpjetë) e lehtë. 14. Që del shpejt ose që ndërpritet edhe nga një zhurmë fare e vogël a nga një ngacmim i vogël, që nuk është i thellë (për gjumin). Gjumë i lehtë. Dremitje e lehtë.
15. Që është i thjeshtë, i ngrohtë e të ngjall gëzim, që të argëton. Muzikë e lehtë. Pjesë të lehta. Këngë të lehta.
16. sport. Që përfshin ushtrime e lojëra jo të vështira e jo të rënda. Sportet e lehta. Atletikë e lehtë.
17. Pjesë e dytë në disa emërtime të pathjeshta në fushën e shkencës e të teknikës. Ujë i lehtë. fiz., kim. ujë që nuk përmban shumë kripëra gëlqerore. Benzinë e lehtë. Naftë e lehtë. Vajguret e lehta. Metalet e lehta metale me peshë të vogël, si alumini, magnezi etj. Elementet e lehta. kim. elemente që kanë peshë atomike të vogël. Tokë e lehtë. bujq. tokë e shkrifët, që e kullon shpejt ujin.
✱Sin.: i lëvizshëm, i manovrueshëm, i kollajtë, i tretshëm, i hollë, i butë, i imët, i kapshëm, i thjeshtë, i kuptueshëm, i shkathët, i zhdërvjellët, i shpejtë, mendjelehtë, mendjeshkurtër, i cekët, i shkrifët, i padëmshëm, i dobët, i parrezikshëm, i përballueshëm.
♦ I bëri këmbët të lehta (dikush) iku me të shpejtë, fluturoi; ua mbathi (ua dha, u ra, ua theri) këmbëve. I qoftë dheu i lehtë! ur. u prehtë në paqe!, mos vuajttë në botën tjetër! (për dikë që vdes). Është i lehtë nga mendja (dikush) është mendjelehtë; e ka kokën të cekët. E ka dorën të lehtë (dikush). 1. Nuk e ndien shumë kur të bën gjilpërën. 2. Nuk godet rëndë, nuk e ndien kur të rreh; kund. e ka dorën të rëndë. Me *këmbë të lehta! I ka këmbët të lehta (dikush) ecën shpejt, është i lehtë në të ecur; nxiton. E kam zemrën (shpirtin) të lehtë jam qetësuar shpirtërisht, nuk jam më në ankth, jam lehtësuar e jam i qetë. Me *krahë të lehtë! ur. Me *mendje të lehtë. *Peshë e lehtë mospërf.
LIVÁND/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bot. (lat. Lavandula) Gjysmëshkurre shumëvjeçare, me degë të shumta e të thjeshta, me gjethe vezake ose edhe të zgjatura si heshtë, që bën lule të kaltra me erë të mirë, që përdoret për vajra eterike, qetësim, parfumeri dhe si bimë shëruese; trumzë e butë. Vaj livande. Erë livande.
2. Vaj me erë të këndshme, që nxirret nga lulet e kësaj bime dhe që përpunohet e përdoret për t'u lyer ose për t'ia hedhur diçkaje; parfum. Lyhet me livandë.
3. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të kësaj bime. Livanda e zakonshme (lat. Lavandula angustifolia) lloj livande, që lulëzon me lule vjollcë të zbehta deri të errëta, me gjethe të holla, të ngushta, me ngjyrë gri në jeshile, me aromë më të pastër se llojet e tjera, që përdoret në aromaterapi për efektet qetësuese. Livanda iberike (lat. Lavandula stoechas) lloj livande, me lule në formë spirale të dendura, të errëta, zakonisht me gjetheza të gjata ngjyrë vjollcë në majë, që rrinë si kapelë, me gjethe me ngjyrë gri në jeshile, të ngushta dhe të zbehta, me aromë të fortë, e të ashpër, që përdoret në vajra esencialë, por edhe si bimë e kultivuar për estetikë në kopshte; livanda me kapelë. Livanda gjethegjerë (lat. Lavandula latifolia) lloj livande, me gjethe më të gjera se llojet e tjera, me lule me ngjyrë vjollcë të zbehtë, me aromë shumë më të fortë si të kamfurit, që përdoret industrialisht për vajra esenciale, balsame etj.
MBAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. E shtrëngoj diçka a dikë me dorë ose me anën e një sendi dhe nuk e lë të bjerë, të shkasë, të lëvizë, të ikë etj. Mbaj gotën në dorë. E mbajti lapsin me dhëmbë. Mbaj karrigen në krahë. E mban drejt timonin. Mbaj fëmijën për dore (për krahu). E mbante fort e nuk e lëshonte. I mbaj pallton (çadrën) dikujt.
2. Qëndroj duke pasur mbi vete diçka a dikë ose e çoj këtë vetë a me një mjet nga një vend në një tjetër; mbart. E mbajti fëmijën (thesin) në kurriz (në qafë, në krahë). Mbanin ujë me bucela. E mbajti me karrocë (me kamion). Nuk e mban dot vetëm.
3. E kam ose e marr diçka a dikë me vete, s’e ndaj nga vetja për një kohë të gjatë; kam; vesh a mbath, përdor si pjesë të veshmbathjes sime, ngjesh pas trupit. Mbante shkop (bastun). Mbaj kartën e identitetit me vete. S’mban gjë nëpër xhepa. Mbante armë. Mban syze. S’mban unaza. Mbanin xhoke me kinda. Mban këpucë me qafa. Mban çorape leshi. Nuk mban kapelë. Mban brez. Mbante rroba pune. Mban mustaqe. E mbaj për (si) kujtim. E mbante djalin gjithnjë pas. I mbajtsh më shëndet! (ur.)
4. fig. Kam një emër a mbiemër, një titull, një dekoratë etj. Mban mbiemrin e mëparshëm (e burrit). Brigada mban emrin e heroit. Mban disa urdhra e medalje (dekorata). E mbajtshi me nder! (ur.)
5. Ndal në vend dikë a diçka, nuk e lë të lëvizë, të ecë a të veprojë më tej, e pengoj të rrjedhë etj.; ndal, ndaloj; pengoj, vonoj. Shoferi e mbajti makinën te sheshi. Mbaje kalin (qenin)! Më mbajti pak në rrugë. E mbajti me fjalë. E mbajti në këmbë. E mbajtën me zor. E mbajtën për darkë. S’e mbajti njeri, vetë qëndroi. Nuk po ju mbaj më gjatë. E mbajti vrapin në oborr. Mbaj këmbët (hapin) ndalem. Mbaj frymën ndal frymëmarrjen. Mbaje dorën! mos qëllo!
6. E përmbaj diçka e nuk e lë të shfaqet a të shpërthejë; ndrydh në veten time (një ndjenjë etj.); e fsheh diçka, nuk e tregoj, nuk e shfaq. Mbaj teshtimën. Mezi i mbajti lotët. E mbajti të qeshurën (gazin). E mbajti zemërimin. Mbaj gjakftohtësinë. E mbaj në zemër (në shpirt). E mban përbrenda. E mbaj të fshehtë. S’mban gjë ai.
7. vet. v. III I lidh e i rrit kokrrat derisa piqen, nuk i bien kokrrat (për një pemë). Kjo mollë nuk i mban kokrrat.
8. E rrit të voglin a pjellën në bark deri sa lind, nuk e dështon (për njerëzit dhe për kafshët). Nuk e mbajti fëmijën, bëri abort spontan. Nuk e mbajti lopa viçin, e dështoi.
9. jokal., vet. v. III Mbarset, ndërzehet (për kafshët). Nuk mbajti lopa.
10. Marr, pranoj diçka nga dikush. Nuk ia mbajti dhuratat (peshqeshin). Mbajti për vete vetëm gjysmat, të tjerat ua dha shokëve.
11. E ndal dikë, nuk e lë të kthehet në vendin a në familjen e vet, nuk e lë të ikë; e detyroj dikë të qëndrojë në një vend a në një gjendje të caktuar; e ndal diçka, nuk e jap, nuk ia kthej diçka të zotit. I mbajtën peng dy fëmijë. E mbajtën tre muaj në spital. E mbajtën pesë vjet në burg. I mbajti dyqind lekë më shumë. S’më mbajti asgjë. S’të mban gjë çfarë ka e jep. Nuk mban gjë (dikush) flet për çdo gjë që di ose që ndien.
12. E bëj të qëndrojë diçka në një gjendje a në një drejtim që i kam dhënë. E mban trupin (shtatin) drejt. E mbante kokën përpjetë. I mbajnë krahët hapur (shtrirë, varur). I mban sytë poshtë (ulur). E mbante gojën mbyllur (kyçur). I mban dritaret hapur.
13. zakon. v. III Është mbështetje për diçka, shërben që diçka të qëndrojë në një gjendje të caktuar, të mos rrëzohet, të mos çahet etj.; i qëndron një force, një peshe, një goditjeje etj., e përballon; nuk thyhet a nuk këputet; është i fortë a i qëndrueshëm, është në gjendje të mirë (edhe fig.). Çatinë e mbajnë trarët. Urën e mbajnë këmbëzat (qemerët). Peshën kryesore të ndërtesës e mbajnë shtyllat. Frontin e mbajtën pesë divizione. Nuk e mbanin këmbët (gjunjët). Si e mban gjithë atë peshë! Ky litar (pe, tel, tra) nuk mban. Kjo fuçi nuk mban ujë (nuk e mban ujin).
14. fig. I siguroj jetesën dikujt, e ushqej dhe e rrit me të ardhurat e mia, kujdesem për dikë; ushqej. Mban pleqtë (fëmijët, shtëpinë). I mbante me bukë. E mbajti gjallë. E mban në pëllëmbë të dorës (me të gjitha të mirat). E mban babai. I mban i biri (e bija). Na mban puna (toka). E mban shteti me ndihma. E mbajnë me bursë.
15. E ruaj ose e lë diçka për një farë kohe në një gjendje të caktuar; e trajtoj dikë në një mënyrë të caktuar ose e lë në një gjendje të caktuar. E mban të ngrohtë gjellën. Kjo sobë e mban nxehtësinë. Kjo tokë nuk e mban ujin (lagështirën). I mban mirë rrobat. E mban pastër shtëpinë. I mban keq fletoret. I mbante mirë (keq) fëmijët. E mbante me hatër.
16. E fut diçka në një vend a në një lëndë të caktuar dhe e lë atje për disa kohë, e vë diku përkohësisht. E mbajnë mishin në frigorifer. E mbaj birrën në akull. E mbajmë djathin në shëllirë. E mbante koburen në xhep (nën jastëk). E mban në dollap (në shishe). I mban paratë në arkën e kursimit. Mbaj mënjanë. E mbante fshehur (në shtëpi).
17. Rrit kafshë a shpendë; kam mbjellë pemë, bimë etj. e kujdesem për to. Mban pula (rosa, derra, lepuj). Mban bletë. Mban mollë (rrush, fiq, kumbulla). E mban për damaz.
18. bised. Zotëroj diçka që e përdor për tregti ose për një veprimtari tjetër; vë në shitje a në qarkullim, shes. Mbante një hotel (një han, një pijetore). Mbante një dyqan. Mbante një gazetë. Mban verë të mirë. Nuk mbajnë pije alkoolike. Kjo librari mban edhe sende shkollore.
19. E ngarkoj dikë të kryejë një punë a detyrë të caktuar në një ndërmarrje a institucion. E mbajtën në kompani si ekonomist.
20. E marr ose e pranoj dikë në shtëpi a në punë për një shërbim a qëllim të caktuar, kam. Mbante qiraxhinj në shtëpi. Mbanin shërbëtorë (hyzmeqarë).
21. Bëj gati diçka për një punë, e shtrij, e hap etj. Mbaje thesin, të të hedh miellin! Mbaje shishen, të të hedh verën! Mbanin çarçafin për të shkundur manat.
22. E lë dikë të vijojë punën ose të kryejë një detyrë të caktuar, nuk e largoj, nuk e heq. Disa vetë i mbajtën në laboratorin qendror. Pjesën më të madhe të punëtorëve e mbajtën në perimore, të tjerët i dërguan në pemishte.
23. fig. E quaj, e vlerësoj, e çmoj dikë a diçka për një tipar a cilësi të caktuar; e kujtoj për të tillë, e pandeh. E mbante për të mençur (për budalla). E mbanin për trim (për frikacak). E mbanin për nxënësin më të zgjuar. E mbajnë për mjekun më të aftë. E mban veten (si) të ditur. E mbajnë veten farefis (të afërt) me të. E mbajnë si romanin më të mirë të kohës sonë. Për kë më mban ti mua? E mbanim për të mirë, po doli i keq.
24. Zbatoj disa rregulla të caktuara në mënyrën e jetesës, në punë etj., bëj siç kërkohet; i vë vetes kufi në të ngrënë e në të pirë sipas disa kërkesave e porosive. I mban të gjitha rregullat. Mbaj porositë (këshillat) e dikujt. Mban pehriz (dietë). S’mbante të kremte. Mbajnë kreshmë. Mbajnë Ramazan.
25. fig. I qëndroj besnik fjalës që kam dhënë ose zotimit që kam marrë. E mbaj fjalën (zotimin). E mbajti besën si burrat.
26. edhe jokal. Eci ose shkoj në një drejtim të caktuar, i bie; nisem. Mbaj krahun (nga e djathta). Mbaj drejtimin. Ia mbajtën drejt (djathtas, majtas, nga lindja, nga jugu). Mbaja bregut e bregut! Ia mbajti për në Durrës. Ia mbajti me të katra. Nga po ia mban? Nuk dinë nga t’ia mbajnë.
27. Përqendroj sytë, mendjen etj. në një drejtim ose në një vend. Vështrimin e mbante nga rruga (nga dera). Aty e mbante mendjen.
28. Lexoj një leksion, një raport etj.; flas për diçka. Mbajti një ligjëratë (një fjalim, një kumtesë, një bisedë). Mbajti raportin. Mban leksione në fakultet.
29. Bëj, organizoj një mbledhje etj.; zhvilloj. Mbajtën një mbledhje (një konferencë, një kongres).
30. Shkruaj diçka; kam e përdor diçka për një punë. Mbaj shënime. Mbaj ditar. Mbajnë dosje të veçanta për çdo çështje. Mbaj protokollin
31. Zë (radhën), rri (në radhë); edhe fig. zë një vend të caktuar (në një radhë, në një renditje a në një shkallëzim). Mbaj radhën. Mban vendin e parë. Mban rolin kryesor.
32. edhe fig. Kam; ruaj. Secili mban vendin e tij. Mbajnë marrëdhënie të mira. Mbaj lidhje të rregullta me dikë. E mbajnë miqësinë. Mbaj qetësi. Mbaj rregullin. Mbaj një minutë heshtje (zi). Mban qëndrim të mirë. Mban përgjegjësi. I mbajmë shpresat lart.
33. bised. Qëlloj dikë a diçka me armë ose me një send tjetër; shënoj me armë përpara se të qëlloj, marr nishan. Ia mbajti me pushkë (me dyfek). Ia mbajti me pëllëmbë. Ia mbajti në kokë (në lule të ballit). Mbaja pak më poshtë (më lart)!
34. Duroj. Nuk e mban rakinë. Nuk mban shaka. Si e mban atë turp? Mban shumë ai.
35. edhe fig. Kam një erë të caktuar, më vjen era; bie erë, kundërmon. Mban erë parfum. Shtëpia mban erë peshk. Dhoma mban erë myk. Mban erë të mirë (të keqe). I mban erë goja. Mban erë formalizëm (burokratizëm) ka formalizëm (burokratizëm).
36. bised. Kërkoj një shumë të caktuar parash për diçka që dua ta shes. Sa e mbante? E mbante lirë (shtrenjtë).
37. vet. v. III Të bën të jesh i ngopur e me energji për një kohë të gjatë. Mishi të mban. Kosi (gjiza) nuk të mban shumë.
38. jokal., vet. v. III Zgjat në kohë, vazhdon (një punë, një udhëtim, një dukuri etj.); rron, qëndron (për veshmbathjet, orenditë etj.). Sa mbajti mbledhja? Shfaqja nuk mbajti shumë. Mbajti deri vonë. Rruga mbajti dy orë. Shiu mbajti gjithë ditën. Dasma mbante një javë. Mbajnë shumë këto këpucë. Mbajnë edhe ca kohë.
39. bised., vet. v. III Nxë, merr. Shishja mban një litër. Ena s’mbante shumë gjellë.
40. muz. Shoqëroj me zë të dytë ose me iso, ia kthej; shoqëroj dikë që hedh valle. Njëri ia merr e tjetri ia mban. Ia mbante vallen. Mbajmë avaz mbajmë iso. Mbajmë kaba mbajmë iso. Mbajmë zënë mbajmë ison.
41. E bëj dikë të presë a të durojë (me premtime, me shpresa etj.) sa për të fituar kohë; vet. v. III ka ende, nuk e ka lënë (shpresa etj.). E mbajti me shpresa (me fjalë, me gënjeshtra). E mbajti me kurajë. E mban shpresa ka ende shpresë, shpreson.
42. bised., vet. v. III Bën (për kohën, zakonisht kur bën kohë e mirë a e përshtatshme për punët bujqësore). Mbajti mirë (butë) koha. Nuk ka mbajtur këtë javë (këtë vit). Ka mbajtur dimër (behar) sivjet.
✱Sin.: mbart, kam, ruaj, përdor, zotëroj, përmbaj, duroj, pranoj, vë, ngre, qëndroj, marr, vesh, ndaloj, ushqej, rrit, quaj, vlerësoj, kujtoj, pandeh, përmbahem, zbatoj, rri, shkoj, përqendroj, zhvilloj, trajtoj, zë, kundërmon, shes, zgjat, rron, shkon, vazhdon, vijon, nxë, bën, lë qëlloj, kam, ruaj.
♦ Nuk ia mban bised. nuk ka guxim për të bërë diçka a për t’i dalë zot një pune; ka frikë. S’kam nga t’ia mbaj s’di si t’ia bëj që të shpëtoj nga një hall i madh, nga një vështirësi etj.; s’di a s’kam ç’të bëj; jam në një gjendje të rëndë e nuk dal dot prej saj; s’i gjej majë vetes. E mbaj *afër (dikë). Mban *anë (dikush). I mbaj *anën (dikujt). I mban *avazin (dikujt). Nuk mban *baltë në vesh (dikush). Nuk i mban *barku (dikujt). Nuk mban gjë në *bark (dikush). I mban *bishtin (i shkon pas bishtit) (dikujt) mospërf. S’mban s’ha (s’ha) *bodec (dikush). Aq sa mban *bryma. S’ia mban *bytha (dikujt) tall. vulg. E mban pas *bythe (dikë) përb. vulg. Mban *dizgjinët (dikush). Mbaj *dorën. Ia mbaj *dorën (dikujt). Mbaj në *dorë (diçka). E mbaj nëpër duar (diçka). S’e mban *dheu (toka) (diçka). Ma mbajtën *dhëmbët (diçka). Mban (bie, vjen) *erë (diçka). I mbaj (i marr) *erë (diçkaje). E mbajti në *errësirë (dikë a diçka). E mban *fjalën (dikush). Mban *flamurin (dikush). Mban *frerët (dikush). E mbaj në *fre (dikë). Mbaj *frymën. E mbajti *frymën (diku). Sa për të mbajtur *frymën. Mbaj *gojën! E mban në *gojë (dikë a diçka). E mban (e merr) nëpër *gojë (dikë a diçka). E mban (e ka) në *grusht (dikë). Më mban *të gjallë (dikush a diçka). E mbaj *të gjallë (dikë a diçka). S’mban *gjë (dikush). Nuk më mbajnë *gjunjët. Mban *hatër (dikush). E mbaj me *hatër (dikë). I mbaj *inat (mëri) (dikujt). I mban *ison (i bën iso) (dikujt). E mbaj nën *jastëk (diçka). S’e mban (s’e ngre) *kandari (diçka). S’i kam mbajtur *kandilin (dikujt). S’mban *kapistër (dikush). Mbaj *këmbët. Nuk më mbajnë *këmbët. E mbaj më *këmbë (dikë a diçka). E mbaj te *këndi (dikë). Ma mban (ma ka) *këngë (dikush). E mbaj (e ruaj) me *kimet (dikë). Mbaj (marr) *krahun (e dikujt). Mbaj *kreshmë shak. I mban *kuleta (dikujt). E mban mbi *kurriz (në shpinë) (dikë). Më mban *kurrizi (shpina) (dikujt). E mbaj *larg (dikë). E mban *lart (dikush). E mban nën *lëkurë (diçka). Nuk ma mban *lëkura (diçka). I mban *lëkura (dikujt). E mban me *limon (dikë). E mbaj si e mbaj (dikë) e çmoj shumë, e nderoj aq shumë sa mbi të s’vë njeri tjetër; e kam (e mbaj) mbi krye (mbi kokë) e lart (e sipër) (dikë); lë kokën (kryet) (për dikë). Mbaj *mend. E mbaj në *mend (diçka). Mbaj *mendjen! E mban *mendjen (te dikush a te diçka). Më mban *mendja (për diçka a te dikush). E mbaj *të ndezur (ndezur) (diçka). S’më mban *ngrohtë (dikush). Mban *pajë (dikush). I mbaj *pajë (dikujt). E mbaj (e kam) *parasysh (diçka). Mbaj *pehriz. E mbaj me *petulla (dikë). E mbaj *përbrenda (diçka). S’i kam mbajtur *pishën (dikujt). E mbaj *pranë (dikë). S’e mban *qielli (diçka). Mbaj *Ramazan shak. S’mban *rend (dikush). I mban *samari (dikujt) tall. Mban (bën) *sehir (dikush) keq. E mban (e ka marrë) nën *sqetull (dikë a diçka). E mban mbi *supe (diçka). I mbaj *sytë (nga dikush a nga diçka). E mban *syrin (një sy) (në diçka). E mban në *shenjë (dikë a diçka). E mbajtsh me *shëndet! iron. Mbaj (marr) *shënim (për diçka) libr. E mban mbi *shpatulla (diçka). S’ma mbajnë *shpatullat (diçka). Më mban shpina (*kurrizi) (diçka). Sa për të mbajtur *shpirtin. Nuk ia mbaj dot *shpirtin (dikujt). S’më mban *toka (dheu). E mban mbi *trup (diçka). Mbaj *udhën! Mbaj *vendin! keq. E mbaj (e mbërthej, e gozhdoj) në *vend (dikë). S’më mban *vendi. Mbaj *vesh. I mbaj *vesh (dikujt a diçkaje). E mbaj *veten. Mban (ka) *vlagë (dikush). E mbajti (e ndali, e la) *vrapin (diku). Ia mbaj (ia ruaj) në *xhep (dikujt). Nuk ma mban *xhepi. E mbaj në *zemër (dikë a diçka). I mban *zërin (dikujt).
MERESHKNÍK,~U m. Parfum.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë