Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGJENT,~III m. sh. ~Ë, ~ËT spec. Shkaktar (lëndë, forcë lëvizëse faktor veprues) i një dukurie a i një ndryshimi në natyrë ose në organizmat e gjalla; diçka që ndikon, nxit, vepron, krijon, lëviz; shkaktari i një sëmundjeje. Agjent jashtëm (i brendshëm). Agjent nervor. Agjent fizik (atmosferik). Agjent kimik element që shkakton ose që përshpejton një reaksion kimik. Agjent patogjen mikroorganizëm (bakter, virus ose parazit) që shkakton sëmundje.
BARKMÁDH,~E mb., bised. 1. Që e ka barkun të madh; barkbuall. Vozë (barkë, shishe) barkmadhe.
2. Me trup të ngjallur e me bark të kërcyer. Njeri barkmadh. Barkmadh e këmbëcingël.
3. Që ha shumë, grykës, i babëzitur.
4. fig., keq. Që pasurohet në kurriz të të tjerëve; parazit. Matrapazë barkmëdhenj.
5. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Barkmëdhenjtë e pangopur.
✱Sin.: barkaçok, barkalaq, barkbardhak, barkdaulle, barkbuall, barkderr, barkthi, barkhambar, barkzhabë, bushiq, mullëmadh, barkledh, barkvozë.
BRENDAQELIZÓR,~E mb., biol. Që ndodh a që zhvillohet brenda qelizës. Uji (lëngu, mjedisi) brendaqelizor. Parazit brendaqelizor. Frenimi i veprimtarisë brendaqelizore.
BÚJTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që kalon natën ose fle përkohësisht diku, ai që rri një natë a më shumë si mysafir te dikush, ai që vjen për të bujtur; ai që rri disa ditë në një vend; bujtar. Bujtës të përhershëm. Bujtësit e hanit. Bujtës të largët. Nuk jemi as të huaj e as bujtës. Vijnë shumë bujtës. Presim përherë bujtës.
2. spec. Ai që bëhet shtrat për diçka, mbartës. Bujtës ndërmjetës (përfundimtar) i larvave. Bujtësit e mikrobeve. Raporti parazit - bujtës.
DEKOMPOZÚES,~I m. sh. ~, ~IT libr. Lëndë a material që dekompozon diçka; shpërbërës, kalbëzues, prishës. Organizmat që e bëjnë këtë njihen si dekompozues. U shndërrua nga një parazit në një dekompozues.
EKTOPARAZÍT,~I m., biol. Parazit që jeton në sipërfaqen e trupit të organizmit bartës. Janë ektoparazitë që ushqehen me gjakun e gjitarëve. Ektoparazitët janë organizma shumëqelizorë. Ektoparazitët dëmtojnë shëndetin.
GLÍST/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT zool. 1. Krimb unazor në ngjyrë të mishit që rron në vende me lagështirë, në pleh etj. dhe që zakonisht del pas shiut; krimbi i tokës, krimb shiu; karrem. Shtyp një glistër. Zë peshk me glistër.
2. Parazit që jeton në zorrët e njeriut a të kafshëve, rre. Glistrat e zorrëve. Nxjerr glistra. Bar glistrash.
✱Sin.: rra, rre, krimb, karrem.
KOT ndajf. 1. Pa ndonjë fitim a dobi; në mënyrë të kotë; dëm. Lodhet kot. E kalon kohën kot.
2. Pa bërë asgjë. Rri kot. Ka jetuar kot.
3. Pa ndonjë qëllim, pa kuptim, pa shkak, humbur, bosh. Ka bërtitur kot. Kot më kot fare kot. Ecte kot.
4. Në tym, në erë, bosh, kuturu.
✱Sin.: humbur, bosh, kuturu, dëm, huq, kotas.
♦ E ha bukën kot (dikush) keq. nuk e meriton atë që merr; nuk jeton me djersën e vet, është parazit; nuk punon, rri duarkryq; nuk vlen. Merr kot (dikush). 1. Zemërohet pa ndonjë shkak të rëndësishëm. 2. I duket ngandonjëherë vetja sikur është njeri me rëndësi, ngrefoset pa meritë. 3. (diçka) Rritet e zhvillohet shumë, por jo drejt (për bimë). (Flet) kot më kot (dikush) flet kuturu, nuk i peshon fjalët; flet në tym (në erë); flet pa doganë; flet përçart; (flet) në arë e në vresht; (flet) kodra pas bregut; hidhet kodër më kodër. Mpreh *kunja (kot) (dikush).
KRÍMB,~I m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Verrmes) Zvarranik i vogël dhe zakonisht i gjatë, me trup unazor e jovertebror, që rron zakonisht nën tokë, nën gurë etj. Krimb toke. Krimbi i lakrës. Krimbi i misrit krimb që ushqehet me gjethet e misrit. Zvarritet si krimb.
2. zool. Zvarranik i tillë që përdoret si karrem për të peshkuar me grep; karrem. I vë grepit krimbin. 3. zool. Rre a bubë që shfaqet në zorrët e njeriut, zakonisht tek fëmijët. Fëmija ka krimba në bark.
4. zool. Larva a vemja e disa insekteve, që dëmton bimët, drithërat, frutat etj.; mizë. Krimbi i ullirit. Krimbi i pambukut. Krimbi i drurit kërrmia. Krimbi i mëndafshit larva e krimbit të mëndafshit.
5. fig., mospërf. Njeri që zvarritet në jetë, njeri dembel e parazit.
6. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të përbëra për lloje të ndryshme krimbash. Krimbi i mëndafshit (lat. Bombyx mori) lloj fluture që mbyllet në mëshikëzën e vet, nga e cila prodhohen fijet e mëndafshit. Krimbi i syrit lloj krimbi që zhvillohet në sy dhe shkakton sëmundjen me të njëjtin emër. Krimbi i tokës (lat. Lymbricus terrestris) emërtim për llojin e zakonshëm të krimbave që jetojnë nën tokë dhe përdoren si karrem në peshkim.
✱Sin.: karrem, glistër, rre, bubë, larvë, kërrmi, mizë, dembel, parazit.
♦ I futi krimbin (dikujt) e bëri të shqetësohet për diçka; i tha diçka që i futi dyshimin; e nxiti për diçka duke i ngjallur dëshirën. E ha (e bren) krimbi (dikë) e mundon diçka përbrenda vazhdimisht; e grin përbrenda pak e nga pak, e bën të vuajë; e bren dyshimi për diçka, s’e lë të qetë. Më hëngri si krimbi drunë (dikush) më shkatërroi shëndetin dalëngadalë e pa kuptuar, duke më grindur vazhdimisht; më hëngri shpirtin; më plasi shpirtin; më hëngri zorrët; më futi në dhe të gjallë. I hyri krimbi (dikujt) ka filluar ta shqetësojë diçka; iu ndez dëshira për diçka; i hynë mizat; i hyri gjembi. Kur të zërë dëbora krimba iron. kurrë, asnjëherë; kur të bjerë borë e kuqe. Si krimbi në djathë. 1. Fshehur, mbyllur. 2. Në mes të të gjitha të mirave, me të gjitha ç’i duhen, në gjendje shumë të mirë; veshkë në mes të dhjamit; si pula në mulli; kund. si krimbi nën gurë. Si krimbi nën gurë shih si miza në bythë të kalit vulg., iron. Ka zënë krimba. 1. (dikush a diçka) Është fëlliqur shumë; është shumë i papastër, ngaqë nuk është larë prej kohësh. 2. (dikush) Ka ndenjur për një kohë të gjatë në një vend pa lëvizur, është qelbur në një vend; nuk punon a nuk vepron për një kohë të gjatë.
KURRÍZ,~I m. sh. ~E, ~ET 1. anat. Pjesa e prapme e trupit të njeriut, bashkë me shtyllën vertebrore dhe me shpatullat; shpinë. Dhembja e kurrizit. Me kurriz të kërrusur. Përkul (kruaj) kurrizin. I ra (i hipi) në kurriz. Palca e kurrizit (anat.) palca kurrizore. Shtylla e kurrizit (anat.) shtylla vertebrore.
2. Veshja që mbulon këtë pjesë të trupit të njeriut; shpinë. Nëna mbaroi (thuri, qepi) kurrizin.
3. Pjesa e sipërme e trupit të disa kafshëve, të gjitarëve etj., që ndodhet në dy anët e shtyllës kurrizore; shpinë. Kurrizi i kalit (i mushkës, i kaut, i lopës).
4. Gungë mbi shpatullat e dikujt që krijohet nga pleqëria ose nga ndonjë sëmundje. I ka dalë kurrizi.
5. Gjëja e sipërme e diçkaje që ka pozicionin dhe trajtën e gungës (tek njeriu, tek kafshët etj.); ana e prapme e një objekti (e një kodre a mali, e një thike etj.); shpinë. Kurrizi i dorës (i hundës). Kurrizi i kodrës (i Dajtit). Kurrizi i pallatit (i shtëpisë, i kishës). Kurrizi i thikës. Në kurriz të ndërtesës.
6. bujq. Pjesa më e ngritur e tokës së lëvruar a e hullisë etj. Kurrizi i brazdës (i lehes).
7. edhe fig. Pesha sa mund të mbajë njeriu ose kafsha mbi shpinë; fuqia sa mban kafsha a njeriu; shpinë. Nuk ia mban kurrizi (shpina) nuk mund ta bëjë dot një punë a një detyrë (sepse është e rëndë). Jeton (rron) në kurriz të të tjerëve jeton me mundin dhe djersën e të tjerëve.
✱Sin.: shpinë, krah, shpatull, sup, gungë, fuqi.
♦ M’u bashkua *barku me kurrizin. M’u bë kurrizi *tevlik. Ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun (dikujt) e rrahu shumë, e zhdëpi në dru, e shqepi, e zbrujti; ia zbuti kurrizin; e bëri për vaj e për uthull (dikë); ia veshi këmishën me uthull; e bëri peshk (dikë); e bëri pelte (dikë); e bëri petë. Ia bëri kurrizin *qull (dikujt). Rashë në kurriz (në *shpinë). I ka dalë dhjamët në kurriz (dikujt) përb. është shëndoshur shumë; tul e dhjamë; për ta ndarë (për ta çarë) më katërsh; s’e nxë as derë as ortë (dikë); është bark e bythë (dikush) përçm. vulg. E di kurrizi (*lëkura, shpina) (i dikujt). E drejtoi kurrizin (*shpinën) (dikush). I fërkon kurrizin (dikujt) keq. shih i fërkon krahët (dikujt) keq. E futi *qafën në kurriz (dikush). I ha *fasha e kurrizit (dikujt). I ha (i kruhet) kurrizi (shpina, rruaza) (dikujt) jep shkak vetë që ta qortojnë rëndë a ta rrahin; e kërkon sherrin vetë; i ha (i kruhet) koka; i hanë (i kruhen) hundët; i hanë brirët. Të ha pas kurrizit (pas *shpine) (dikush). E hodhi pas (prapa) kurrizit (diçka) shih e hodhi pas (prapa) krahëve (diçka). I ka hipur në kurriz (në *shpinë) (dikujt). S’ka kurriz për atë barrë (dikush) shih s’ka qafë për atë këmborë (dikush). M’u këput (më ra) kurrizi kam punuar shumë e jam lodhur së tepërmi, u këputa, u rraskapita, u shkreha fare; më ranë (m’u këputën) kryqet; më ra bretku. Kërrusi kurrizin (*shpinën) (dikush). I ktheu kurrizin (*shpinën) (dikujt a diçkaje). Kurriz më kurriz fare pranë, ngjitur. Ia la në kurriz (në shpinë) (diçka) ia la dikujt ta bëjë vetëm një punë a një detyrë që duhej ta bënin bashkë, ia vuri si barrë, i ngarkoi atij diçka. E mban mbi kurriz (në shpinë) (dikë) e ushqen e kujdeset për të; përgjigjet për të; e ka si barrë. Më mban kurrizi (shpina) (diçka) jam në gjendje të përballoj një punë, i kam mundësitë e aftësitë e nevojshme, jam në gjendje ta bëj diçka; duroj; i mban samari (dikujt) tall. *Mëngë në mes të kurrizit. Ia ndreqi kurrizin (dikujt) shih ia ndreqi samarin (dikujt). I ngul *thikën prapa kurrizit (pas shpine, prapa krahëve) (dikujt). M’u ngjit *barku (mulla) me kurrizin (për shpine). Qesh *kërmilli kurrizin e breshkës iron. Rron (ha) në kurriz (në shpinë) (të dikujt) nuk punon vetë dikush e rron me mundin e djersën e dikujt tjetër, është parazit. Kur të shohë kurrizin (*shpatullat, shpinën) pa pasqyrë (dikush) iron. I sheh edhe kurrizi (*shpina) (dikujt). Shtatë *pëllëmbë në (mbi) kurriz. Shtroj (ul) kurrizin i vihem punës me të gjitha forcat, shtrohem mirë në punë, nuk i shmangem punës, ia hyj seriozisht; përkul (ul) mesin; përvesh krahët. E uli (e shtroi) kurrizin (shpinën) (dikush) përb. shih e uli qafën (zverkun) (dikush) përb. Më vajti pas (prapa) kurrizit nuk hëngra i qetë, nuk më lanë të ha mirë, më shqetësuan e ma ndërprenë disa herë të ngrënët, më bezdisën; nuk e shijova ushqimin. I vuri kurrizin (diçkaje) e mbajti veshur për një kohë të gjatë, e përdori shumë (pallton, kostumin etj.). Ia zbuti kurrizin (shpinën) (dikujt) keq. e rrahu fort, e zhdëpi mirë e mirë, e shqepi, e zbrujti; ia bëri kurrizin (shpinën) më të butë se barkun; ia zbuti brinjët; ia ndreqi samarin bised.; i nxori rripa nga lëkura; e bëri për vaj e për uthull (dikë); e bëri peshk (dikë); e bëri pelte (dikë); e bëri petë (dikë); e bëri tul (dikë) tall.; ia theu samarin përb. Nuk ia ka zënë trari kurrizin (dikujt) nuk i kanë rënë halle a telashe mbi kokë; nuk ka pasur ndonjë hall a barrë të madhe mbi shpinë, ka qenë rehat; nuk e ka vrarë (nuk e ka shtrënguar) këpuca (dikë); nuk e ka vrarë (nuk e ka shtrënguar) opinga (dikë); nuk e ka vrarë samari (samari) tall.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë