Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AFORFÉ,~JA f. sh. ~, ~TË libr. Llogaritje ose përcaktim i një shume mesatare ose të përgjithshme që duhet të paguhet pa marrë parasysh punën e bërë, koston etj.; llogaritje e përafërt, llogaritje me hamendje. Aforfeja e energjisë elektrike. Aforfetë dhe faturat abuzive e të padrejta. Operatori i shpërndarjes hoqi aforfetë për shumë konsumatorë. Aforfe qesharake.
AGROBOTANÍK/Ë,~A f., bujq., ek. 1. Disiplinë shkencore që studion veçoritë morfologjike dhe fiziologjike të bimëve. Njohuri të agrobotanikës. Studiues (ekspert) i agrobotanikës. Parku i agrobotanikës.
2. Dije që merret me zbatimin e njohurive botanike në bujqësi, e që merr parasysh të gjitha anët e mbarështimit të bimëve, si anën gjenetike, fiziologjike, morfologjike, ekologjike dhe praktike. Agrobotanikë zbatimore (praktike). Arritjet e agrobotanikës. Agrobotanika bashkëkohore.
AHISTORÍZ/ËM,~MI m. 1. Parim studimi sipas të cilit sendet, ngjarjet, dukuritë etj. nuk vështrohen e nuk vlerësohen në zhvillimin e tyre historik, parim metodologjik johistorik. Ahistorizmi i kritikës së re.
2. Mënyrë e të menduarit, e të analizuarit ose e të interpretuarit që nuk merr parasysh kontekstin historik, politik, shoqëror, kulturor të një fenomeni, të një ideje ose të një ngjarjeje. Koncepti i ahistorizmit. Ahistorizmi e përshkon gjithë veprën e tij. Ahistorizmi nuk njeh rrjedhën kohore prandaj lidh të shkuarën me të tashmen.
ANARKOSOCIALÍZ/ËM,~MI m., filoz., pol. Filozofi politike e majtë, që afirmon liritë individuale dhe mirëqenien shoqërore, duke pasur parasysh faktin se shoqëria është vendi ku liria (politike) e njeriut, kreativiteti dhe mirëqenia bëhen të mundshme dhe të realizueshme; filozofi politike që qëndron midis individualizmit të skajshëm që kërcënon të shkatërrojë komunitetin, dhe kolektivizmit të skajshëm, që mund të bëhet totalitar duke shtypur individin për hir të së mirës sociale, kolektive. Historia e anarkosocializmit. Idetë e anarkosocializmit.
ANTIDEMOKRÁCÍ,~A f. Qëndrim, sistem ose veprimtari që është kundër demokracisë; formë e qeverisjes që merr vendime politike që nuk mbështeten në vullnetin e shumicës e as nuk merren parasysh zgjedhjet ose referendumet ku marrin pjesë të gjithë qytetarët; kundërdemokraci; kund. demokraci. Kjo është antidemokraci. Mbron antidemokracinë. Lufta kundër antidemokracisë.
ANTIGLOBÁL,~E mb., libr. 1. Që është kundër të vështruarit të çështjeve të ndryshme në mënyrë tërësore, globale, pa marrë parasysh dallimet midis tyre etj. Mendim antiglobal
2. Që është kundër globalizimit, që është kundër bashkimit ose kundër sheshimit të sforcuar ekonomik, kulturor, politik dhe social të dallimeve e veçorive të vendeve dhe të popujve të botës, kundërglobal; kund. global.. Lëvizjet antiglobale. Metoda antiglobale. Politikë antiglobale. Integrim global.
APRIORÍZ/ËM,~MI m., filoz. 1. Doktrinë filozofike sipas së cilës ekziston njohja pavarësisht nga përvoja, duke u mbështetur në deduksionin teorik dhe në parimet e përgjithshme. Apriorizmi në matematikë. Apriorizëm radikal. Apriorizëm logjik. Apriorizëm metodologjik.
2. Pohim ose qëndrim për diçka, që nuk merr parasysh argumente të mbështetura në përvojën.
ARKIOPORTUNÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Kryeoportunist, që shfrytëzon mundësitë për përfitime individuale pa marrë parasysh parimet etike ose pasojat; individ që ndryshon qëndrimet ose veprimet për të fituar përparësi personale, shpesh duke shfrytëzuar situatat e favorshme për interesin e tij Politikan arkioportunist. Ai është arkioportunist.
ARKIOPORTUNÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Kryeoportuniste, që shfrytëzon mundësitë për përfitime individuale pa marrë parasysh parimet etike ose pasojat; individ që ndryshon qëndrimet ose veprimet për të fituar përparësi personale, shpesh duke shfrytëzuar situatat e favorshme për interesin e tij. Arkioportuniste klasike.
ASOCIACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Grup individësh, organizatash ose entitetesh të tjera që bashkohen për një qëllim të përbashkët. Asociacioni i komunave. Formimi i asociacionit. Asociacioni i shoqatave kulturore. Asociacion humanitar. Asociacion biznesor. Asociacion historik (politik, social, shoqëror, etik, antropologjik etj.). Asociacion me bazë etnike.
2. Organizëm juridik me status ligjor, shoqatë, klub etj. Asociacioni i ekologjistëve. Asociacioni i shkrimtarëve. Asociacioni i mjekëve.
3. psikol. Lidhja ndërmjet përmbajtjeve të ndryshme psikologjike apo aktiviteteve psikomotorike; lidhje mendore midis koncepteve, ngjarjeve, gjendjeve mendore e shpirtërore që dalin nga përvoja individuale. Asociacion përfytyrimesh (mendimesh). Asociacion idesh (fjalësh). Ngjall asociacione. Lojë asociacionesh. Zinxhir asociacionesh.
4. Marrëdhënia ndërmjet ndryshoreve (variablave) që nuk janë të pavarura, lidhje e ndryshoreve e mbështetur në kategori cilësore. Asociacioni i ndryshoreve.
5. bot. Njësi bazë sistematike (sintaksonomike) në shkencën e bashkësive bimore (familje, gjini etj.); grupime bimore me përbërje të ngjashme flore, me kushte të ngjashme ekologjike mjedisore dhe me ngjashmëri në pamje. Asociacion bimor karakteristik për zonën. Asociacioni Evropian për Fara.
5. zool. Grupim e sistemim i kafshëve në bashkësi më të mëdha duke pasur parasysh kushtet e rrethanat ekologjike, përfshirë ato klimatike. Asociacioni i parë (i dytë etj.). Asociacion i rritjes së temperaturave. Asociacion i specieve ujore.
6. kim. Grumbullimi i molekulave ose i joneve në grupime më të mëdha, ku forcat që mbajnë të bashkuara njësitë përbërëse janë më të dobëta se ato që çojnë në krijimin e një lidhjeje kimike. Krijimi i asociacioneve hidrogjenore. Asociacionet e çifteve jonike. Asociacioni i atomeve.
✱Sin.: bashkim, shoqëri, lidhje, shoqërim, shoqatë, grup, grupim, aleancë.
ASONÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT let. Figurë stilistike tingullore, që krijohet me përsëritjen e zanoreve të njëjta ose të ngjashme brenda fjalëve të afërta, në një fjali ose në një varg, pa marrë parasysh bashkëtingëlloret; poet. rimë jo e plotë e dy a më shumë vargjeve, që kanë të njëjta vetëm zanoret e theksuara dhe zanore të tjera të fjalëve fundore; rimë jo e plotë e vargjeve. Bëjnë asonancë. Asonanca e zanoreve a. Mbizotëron asonanca e zanores e.
BOSH ndajf., bised. 1. Zbrazur, pa njeri a pa gjë tjetër brenda; pa gjë në duar; kund. plot. Solli një enë (një kuti) bosh. Erdhi me duar bosh. Mbeti vendi bosh. U kthye bosh. E kishte barkun bosh s’kishte ngrënë asgjë, ishte i uritur. E kishte shtëpinë bosh. E kishte xhepin bosh. E shkrepi pushkën bosh. E bëri bosh e zbrazi, ia hoqi gjërat që kishte brenda. E la bosh. Është bosh në shtëpi. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda. (fj. u.). Kush hedh këmbën bosh, bie përposh. (fj. u.). Një ditë mbetet barku bosh dhe tërë jetën s’e harron. (fj. u.).
2. Pa ngarkesë, pa kryer punë të dobishme ose pa plotësuar qëllimin për të cilin bëhet. Lëvizje bosh. Goditje bosh. Rrotullohet bosh. Makina punonte bosh.
3. fig. Kot, humbur, huq, pa dobi, pa vlerë; pa kuptim. Rri bosh. Flet bosh. I shkoi (i vajti) puna (mundimi) bosh. E bëri rrugën bosh. I shkoi fjala bosh. Krevati mbeti bosh. I ziu bosh u ndodha, / Të flisja më merrej goja. (folk.). Në mendje bosh e në fjalë fushë. (fj. u.).
✱Sin.: zbrazët, zbrazur, lirë, tytë, fyell, firë, dakull, kot, humbur, dëm, humbazi, batall, fuq, kuturu, badihava, qyl, veresie, sallamatas, huq.
♦ Me *barkun bosh (të zbrazët). Ta bën fjalën bosh (dikush) nuk ta pranon, nuk e merr parasysh, të hedh fjalën poshtë. Me *duar bosh (zbrazur, thatë). E ka kokën (kryet) bosh (dikush). 1. Nuk i vjen asnjë mendim në kokë; është i hutuar e nuk di ç’të bëjë; nuk i punon truri (dikujt); është mizë pa kokë (pa krye). 2. Nuk di gjë fare, nuk ka mësuar asgjë, është i paditur; s’ka tru; s’ka tru (në kokë); është poç nga koka (nga mendja); është trokë nga mendja; është trëndelinë (nga mendja); kund. e ka kokën (kryet) plot. S’i mbetet luga bosh (dikujt) s’mbetet pa ngrënë, ka kurdoherë diçka për t’u ushqyer; s’i thahet luga. *Misër në thes e tenxheret bosh (dikush) iron. U ndodha (më zuri) bosh isha i papërgatitur para diçkaje të papritur, nuk dita si të përgjigjesha a si të veproja në një rast të vështirë; u kapa në befasi; s’e kisha në dorë veten. I shkoi fjala bosh (dikujt) nuk ia plotësuan kërkesën, ankesën etj.; nuk ia arriti asaj që kërkonte, nuk i shkoi. Me *xhepin bosh (zbrazët).
CAKTÚAR (i, e) mb. 1. Që është caktuar a është vendosur në mënyrë të prerë; që është në një masë ose sasi të prerë, që është caktuar me përpikëri qysh më parë. Me çmime të caktuara. Në orën (në kohën, në afatin) e caktuar. Në vendin e caktuar. Ditën e caktuar. Brenda afatit të caktuar.
2. Që është vënë si detyrë për ta zgjidhur a për ta arritur, që është caktuar si pikësynim. Detyrat e caktuara. Qëllime të caktuara.
3. Që dihet, që është pranuar si i njohur e i dhënë dhe që merret parasysh; që njihet pak a shumë. Në kushte (në rrethana) të caktuara. Në një shkallë të caktuar. Në një epokë të caktuar. Luan një rol të caktuar.
4. I përcaktuar, i vendosur. Mbaj një qëndrim të caktuar.
✱Sin.: i përcaktuar, i vendosur, i prerë, i palëvizshëm, i ndarë, i veçuar, i shquar.
DEFTÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. bised. Fletore. Defter shkrimi. Defter shënimesh. Defter bakalli (keq.) regjistër, libër etj. i mbajtur keq; diçka e ndotur dhe e grisur. Defter xhepi bllok shënimesh. Shkënoj në defter. Ua jep me defter diçka ua jep pa të holla në dorë, duke e shënuar shumën a mallin në fletore; ua jep veresie. Çifuti, kur del i falimentuar, hap defterët e vjetër. (fj. u.).
2. hist. Regjistër i kadastrës (në kohën e Perandorisë Osmane). Defteri i sanxhakut.
3. vjet. Fletëthirrje për të shkuar ushtar. Ditën që erdhi defteri,/ Neve zemra zu na theri. (folk.).
4. përmb., bised. Tufë me pesëdhjetë fije letrash cigareje të lidhura së bashku. Defter duhani. Bleu një defter. Iu mbarua defteri.
✱Sin.: fletore, bllok, radhua, radhor, regjistër, fletëthirrje.
♦ Ka dalë nga defteri (dikush) shpërf. nuk është më i aftë për punë a për diçka tjetër, nuk është më i zoti; u plak; nuk mund të mbështetemi më tek ai. Hap defterët e vjetër (dikush) edhe keq. ringjall një çështje (zakonisht të pakëndshme), që është mbyllur më parë, rikujton të kaluarën, kujton hesapet a mëritë e vjetra që ka me dikë; kund. e mbyll defterin (i mbyll defterët). E hoqi (e fshiu, e qiti) nga defteri (dikë a diçka) nuk mbështetet më tek ai, nuk ka më shpresë se mund ta ndihmojë, nuk e llogarit më; nuk e përfill më dikë, nuk kujdeset e nuk bëhet merak më për të; i vuri kryq (dikujt a diçkaje); i hoqi (i vuri) vizë (dikujt a diçkaje); s’e vë (s’e ka) në hesap. E mbyll defterin (i mbyll defterët) (dikush) i jep fund një çështjeje, një problemi etj., nuk merret më me të a nuk flet më për të; nuk e rikujton a nuk i rikthehet diçkaje; kund. hap defterët (e vjetër). S’e vë (s’e fut, s’e ka) në defter (dikë a diçka) mospërf. s’e përfill dikë a diçka, s’i kushton vëmendje; s’e merr parasysh diçka.
DETYRÚESH/ËM (i),~ME (e) mb. Që duhet bërë ose që duhet zbatuar patjetër, pa marrë parasysh dëshirën ose vullnetin e dikujt; që është një detyrim ose shpreh një detyrim; që bëhet me detyrim a me forcë. Arsim i detyrueshëm. Kalim (drejtim) i detyrueshëm. Rregulla të detyrueshme. Punë e detyrueshme. Vendim i detyrueshëm. Ulje e detyrueshme e aeroplanit. Është e detyrueshme.
DIKT/ÓJII vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Lexoj a them diçka qartë, ngadalë, shkoqur e me zë të lartë, në mënyrë që dëgjuesi të arrijë ta shkruajë ose ta mësojë mirë; lexoj një tekst në klasë fjalë për fjalë, qartë, ngadalë e me zë të lartë, në mënyrë që nxënësit të shkruajnë bukur e pa gabime, të ushtrohen për të përvetësuar drejtshkrimin etj. U diktoi ligjëratën (tekstin, pyetjet). Dikton me zë të lartë.
2. I kërkoj dikujt të bëjë medoemos atë që dua unë, pa marrë parasysh vullnetin ose dëshirën e tij, e detyroj dikë të veprojë si i them unë. I dikton vullnetin. U diktoi kushtet. U diktoi një marrëveshje të pabarabartë. U diktoi afatin. Ua diktojnë rrethanat (kushtet). Ua dikton nevoja.
DYÁNSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka dy anë, që është me dy anë. Koritë e dyanshme.
2. Që zhvillohet në të dyja anët a në të dyja drejtimet, që bëhet nga të dyja anët; që bëhet herë nga njëra anë e herë nga ana tjetër. Lëvizje e dyanshme. Proces i dyanshëm. Përcëllim i dyanshëm i pëlhurës. Krehje e dyanshme e bezes.
3. Që është i njëjtë e i përbashkët për dy sende, për dy dukuri, për dy njerëz ose për dy palë; që bëhet prej të dyja palëve; që ndodh ose që bëhet ndërmjet dy anëve shkëmbyerazi; që ka lidhje të ndërsjellë me diçka tjetër; i ndërsjellë, reciprok. Ndikim i dyanshëm. Lidhje (varësi) e dyanshme. Mirëkuptim i dyanshëm. Veprim (bashkëveprim) i dyanshëm. Zbritje (sulme) e kundërzbritje (kundërsulme) të dyanshme (sport.).
4. Që kryhet nga dy njerëz a nga dy palë; që lidhet me dy njerëz ose me dy grupe njerëzish, që u vë detyrime a u jep të drejta të caktuara të dyja palëve. Përfitim (dëm) i dyanshëm. Dobi (leverdi) e dyanshme. Marrëveshje e dyanshme. Bisedime të dyanshme. Detyrime të dyanshme. Përpjekje të dyanshme.
5. Që e vështron diçka nga të dyja anët, që merr parasysh të dyja anët e diçkaje. Vlerësim i dyanshëm. Në mënyrë të dyanshme.
6. fig. Që anon herë nga njëra anë herë nga ana tjetër, që nuk është i vendosur e i paanshëm; i lëkundur. Qëndrim i dyanshëm.
✱Sin.: dyanësor, dyanësh, dypalësh, i ndërsjellë, i lëkundshëm.
DËGJ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. dhe jokal. Kap ose kam aftësinë a mundësinë të kap me anë të veshit tingujt, zëra e zhurma të ndryshme; ndiej me vesh. E dëgjoi zërin. Dëgjon dhe zhurmat më të vogla. - Fol më fort se s'të dëgjoj. Dëgjon mirë. Mezi dëgjon. - Dëgjon apo s'dëgjon?
2. kal. dhe jokal. Ndjek me kujdes dikë a diçka për të kapur dhe për të kuptuar më mirë atë që thuhet, që lexohet etj.; e ndjek me vëmendje, i vë veshin. Dëgjojnë mësimin. Dëgjon radion. Dëgjoi raportin (dëshmitarët). Dëgjonte me kujdes. - Dëgjo këtu! - Dëgjoni, shokë! Fol pak e dëgjo shumë ( fj. u.). Dëgjo, pa gjyko. (fj. u.). Dëgjo dy herë dhe fol një herë. (fj. u.).
3. kal. dhe jokal. Marr vesh, bindem; e pranoj dhe mundohem ta vë në jetë atë që më thotë ose që më këshillon dikush, i shkoj pas fjalës, i vë vesh fjalës a këshillës së dikujt; marr parasysh diçka që më thonë. I dëgjon prindërit. Ia dëgjon fjalën. Dëgjoj zërin e masës. S’dëgjoi të ikte (të qëndronte). E dëgjojnë të gjithë. Dëgjoji më të mëdhenjtë! Koka që s'dëgjon, shumë pëson (fj. u.). I bie pragut të dëgjojë dera. (fj. u.). I bie së bijës të dëgjojë e reja. (fj. u.). I flas derës të dëgjojë qilari. (fj. u.).
4. kal. dhe jokal. Mësoj një gjë të re për dikë a për diçka, marr vesh një lajm, një ngjarje etj., arrij të mësoj diçka. E dëgjova në radio. Kam dëgjuar se... Me ç’kam dëgjuar... Kemi dëgjuar fjalë të mira për të.
5. bised., kal. dhe jokal. Kuptoj, marr vesh. -Dëgjon shqip ti, apo jo?
6. mjek., kal. Ndiej a kap me vesh, me dorë ose me aparat të veçantë punën e ndonjë organi të brendshëm të trupit. I dëgjoi pulsin. I dëgjoi frymëmarrjen (të rrahurat e zemrës).
7. bised., jokal., zakon. moh.Nuk dua t'ia di për dikë a për diçka, nuk e përfill, s'pyes. S'dëgjon nga të ftohtët. S'dëgjon nga ajo punë ai. -Je i fortë, ku dëgjon ti!
♦ S’dëgjon *andej (dikush). S’dëgjon (s’do t’ia dijë) nga ajo *anë (dikush). S’i kam dëgjuar as *emrin (dikujt a diçkaje). S’i dëgjon (s’i merr vesh) *kaptina (dikujt) bised. Nuk i dëgjon *koka (dikujt). *Thirri të dëgjojë (dikush). Vetë *flet e vetë dëgjon (dikush). Të dëgjofsha *të mirën! ur. Nuk i dëgjon *qesja (dikujt) shaka. Mos e dëgjosh *qyqen (këngën e qyqes)! mallk. Ç’po na dëgjojnë *veshët! *Vetë thërret e vetë dëgjon (dikush). S’ia kam dëgjuar *zërin (dikujt) mospërf. Mos ta dëgjofsha *zërin! mallk.
EKUILIBRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur ekuilibroj dy gjëra ose kur ekuilibrohem; kund. çekuilibrim. Ekuilibrim i kërkesë-ofertës. Është pasur parasysh ekuilibrimi i këtyre aspekteve. Me synim ekuilibrimin e interesave. Ekuilibrimi i buxhetit përmes futjes së sistemit të kursimit.
✱Sin.: baraspeshim, drejtpeshim, qëndrueshmëri, maturi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë