Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABONÉ,~JA f. sh. ~, ~TË ek. 1. Pajtim ose parapagim për një shërbim. Abone e studentëve. Vërtetim aboneje. Përditësim i abonesë. Abone për media.
2. Ai që bën një pajtim ose parapagim për një shërbim. Abone i një programi. Abone i përvitshëm.
3. Dokument që vërteton pajtimin për një shërbim. Abone mujore për autobus. Abone për sezonin futbollistik.
✱Sin.: pajtim, parapagim.
ABONÍM,~I m. sh. ~E, ~ET ek. Marrëveshje ose kontratë për të marrë një shërbim, një botim ose një produkt në mënyrë të rregullt, zakonisht për një periudhë të caktuar kohore dhe kundrejt një tarife; parapagesë për një shërbim ose një blerje. Abonim për një revistë (gazetë, program radio a televizion). Abonim për shërbime digjitale. Abonim për telefon (energji elektrike). Anulim i abonimit. Abonim për shërbime utilitare. Shërbimi i abonimit.
✱Sin.: pajtim, parapagim, abone.
AKONTACIÓN,~I m., ek., fin. Parapagim, parapagesë; konto; pagesë e pjesshme e një detyrimi të ardhshëm. Akontacion rroge. Shuma e akontacionit. Mora (dhashë) akontacion. Pagoi një akantacion për makinë. Akontacion i paguar. Përparësitë e akontacionit. Pagova qiranë me akontacion. Akontacion për shërbime tregtare. Akontacion për shpenzimet e dasmës. Mora akontacionin tatimor.
AKÓNTO,~JA f. sh. ~, ~T 1. fin. Paradhënie, pagesë paraprake, kapar. Pagoi një akonto për shtëpinë e re. Pagova akonton prej 10 % të çmimit të përgjithshëm.
2. kontab. Regjistër që përdoret për të ndjekur të ardhurat, shpenzimet, asetet dhe detyrimet e një individi, të një ndërmarrjeje etj. Akonto për shpenzimet e fluturimit. Akonto për të udhëtimet me traget.
3. bank. Xhirollogari, konto; llogari bankare, konto rrjedhëse e kursimeve dhe e depozitave. Llojet e akontove bankare. Hap (mbyll) akonton rrjedhëse të kursimeve. Akontot e depozitave. Numri i akontos sime. Akonto bankare online.
4. inf. Llogari e një profili përdoruesi në një sistem kompjuterik ose në një platformë online. Akonto në Microsoft. Akonto në gugël (google). Akonto emaili. Akonto fejsbuku (instagrami, tik-toku etj.). Krijova një akonton time për të hyrë në platforma online.
✱Sin.: paradhënie, parapagim, parapagesë, avancë.
ANTICIPÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur anticipoj ose kur anticipohet diçka.
2. Paraprirje; parashikim; paralajmërim i parakohshëm. Anticipimi i rezultateve të zgjedhjeve.
3. filoz. Supozim, paragjykim. Anticipim i saktë.
4. fin. Parapagim, pagesë para afatit të kontratës. Banka kërkoi një anticipim për kredinë.
5. muz. Paraqitje e parakohshme e një toni ose e më shumë toneve të akordit.
PARADHË́NI/E,~A f. sh. ~E, ~ET Shumë të hollash ose pjesë nga një shumë të hollash që i jepet dikujt përpara se të vijë afati për të marrë gjithë shumën që i takon ose përpara se të bëhet llogaria përfundimtare. Paradhënie për shërbime jashtë vendit. Paradhënie për blerje librash. E shleu paradhënien.
✱Sin.: parapagim, kapar.
PËRPÁRA ndajf. 1. Në vendin ose në drejtimin nga ana e fytyrës së dikujt a e faqes kryesore të diçkaje, nga ana e ballit; në drejtimin e lëvizjes së dikujt a të diçkaje ose më tej në këtë drejtim; ballë për ballë me dikë a me diçka; para; kund. prapa; pas. Në një shtëpi aty përpara. Eci përpara. Më doli përpara. E kam përpara. I rri përpara. Bëri dy hapa përpara. Mezi bëri përpara.
2. Në anën e kraharorit të trupit a në pjesën e ballit të diçkaje; kund. prapa. Fustan (bluzë) me kopsa përpara. Mbërthehet përpara.
3. Në pjesën në krye; kund. prapa. U ulën përpara në autobus (në teatër).
4. Në të ardhshmen, në kohën që do të vijë; në një kohë të afërt. Koha që kemi përpara. S’kemi shumë kohë përpara. Kemi përpara një datë të shënuar.
5. Në një kohë më të hershme a në të kaluarën; dikur. Përpara rronin keq (të veçuar). Nuk janë si përpara. E dinte që më përpara.
6. Më shpejt nga ç’duhet (për orën). I ecën (i shkon) ora përpara. E ka sahatin pesë minuta përpara.
7. fig. Në rrugën ku ecim, në jetën a në punën tonë (kur kemi të bëjmë me diçka që duhet shqyrtuar, zgjidhur, kapërcyer etj.). U doli një pengesë përpara. Përpara na shtrohet një detyrë e rëndësishme. U vuri përpara një propozim të ri.
8. Në radhë të parë, në fillim, më parë se diçka tjetër ose se të tjerat. Më përpara duhet menduar mirë. Përpara se të punojmë tokën, duhet të punojmë kokën. (fj. u.).
9. Për një llogari të ardhme, si parapagim, si paradhënie. E pagoi që më përpara. Paguhet përpara parapaguhet.
10. fig. Në një gjendje të re, më të përparuar, më tej; në një nivel më të ngritur nga ana sasiore e cilësore, në një shkallë më të lartë në krahasim me të tjerët a me një periudhë të mëparshme. Ka ecur përpara shkenca (letërsia, arti). Jemi më përpara në krahasim me të tjerët. Bënë një hap të madh përpara në automatizimin e proceseve të punës. Bëri (çau) përpara.
11. si mb. I përparmë. Ndodhet në pjesën (në radhën) përpara.
12. përd. pasth. Përdoret si thirrje për të nxitur dikë që të hidhet në sulm, të ndërmarrë diçka a të kapërcejë një pengesë me përpjekje e me guxim etj. Përpara për fitore të reja!
✱Sin.: para, parë, përballë, dikur, mbroth, fillimisht, së pari, paraprakisht, i përparmë.
♦ Bëj *hapa (një hap) përpara. Ka bërë (ka çarë) përpara (dikush) ka përparuar në një punë a në jetë; ka pasur suksese; është formuar e është zhvilluar më tej; kund. ka bërë prapa. Me *brirë përpara. I dal përpara. 1. (dikujt). Ia mirëpres një kërkesë dhe e përkrah; e kuptoj shpejt ç’kërkon. 2. (diçkaje). Marr masa më përpara që të mos ndodhë një e keqe ose që t’i shmangem një të keqeje. Me çfarë i del përpara pa zgjedhur, mbarë, me çdo gjë që i sjell rasti; me gjithçka. Nuk i dal (dot) përpara (dikujt) nuk kam guxim a kam turp të takohem me dikë, ngaqë kam bërë një gabim ose nuk kam plotësuar një zotim etj.; nuk i dal në sy. Nuk i dilet përpara (dikujt a diçkaje). 1. Është shumë i fuqishëm; është shumë i zoti për diçka, nuk mund të matesh dot me të, s’je i zoti sa ai që të hahesh me të. 2. Është inatosur dhe është egërsuar shumë dikush, nuk mund të flitet dot shtruar me të, nuk ka arsye, nuk guxon ta takosh; është e ashpër a e egër diçka, ka forcë të papërballueshme. E ka të ardhmen përpara (dikush) e pret një jetë më e mirë, plot mbarësi e suksese; është i ri e me perspektivë, ka kohë të jetojë a të ecë në jetë. Nxjerr (qit) *gjoksin (përpara) (dikush). I rri (i qëndroj) përpara (dikujt) i dal haptas e ballaballas, nuk trembem prej tij e nuk i fshihem; i qëndroj përballë. Shikon përpara (dikush) synon të zhvillohet e të përparojë, nuk merret me të kaluarën, përpiqet të ndërtojë të ardhmen; kund. shikon prapa. E vuri (e mori) përpara (dikë). 1. E theu, e shpartalloi, e detyroi t’ua mbathë këmbëve. 2. E mposhti, e mundi me argumente të pakundërshtueshme; e mbërtheu me fjalë, s’i la gjë pa thënë; e shau keq. E kam vënë përpara (diçka) ia kam marrë dorën mirë diçkaje, punoj shpejt e mirë; kam kryer pjesën më të madhe a më të vështirë të diçkaje; nuk e kam lënë pas dore diçka dhe kam bërë që ajo të ecë drejt përfundimit.
SELÉM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pasuri e tundshme që i përket jo të gjithë familjes, por vetëm një anëtari të saj. Vetëm sahati ishte selemi i tij. Pajën nusja e kishte selem të sajin.
2. Marrëveshje për të blerë diçka me parapagim. E kishin bërë selemin për tokën. Ai nuk kishte të drejtë të bënte selem për shtëpinë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë