Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DERDH vep., ~A, ~UR kal. 1. Zbraz një lëng a diçka të imët nga një enë, nga një thes etj., duke e kthyer enën përmbys ose duke e shkundur me forcë në mënyrë që lëngu a lënda tjetër të bjerë vetë; hedh a flak diku atë ç'ka brenda një enë; zbraz; kund. mbush. Derdhi vajin (ujin, qumështin, verën, rakinë). Derdh betonin (llaçin). Derdh miellin (sheqerin, grurin, orizin). Derdh plehrat. E derdhi shishen (pjatën, kovën, gotën). Derdh thesin (koshin, shportën). E derdhi përtokë (në dysheme). - Ngadalë, mos e derdhësh! Mil e mil e derdh me këmbë. (fj. u.). Mbaj ujë me shoshë e derdh me kosh. (fj. u.).
2. vet. v. III Shkarkon, hedh; lëshon atë që përmban (kryesisht ujin). Lumi e derdh ujin në liqen. Derdh pesë metra kub në sekondë. Retë derdhën shiun (borën). Lumenjtë kudo që të venë, në det do të derdhen (fj.u.).
3. Nxjerr nga brenda (nga sytë etj.) zakonisht diçka të lëngshme, qit jashtë; e bëj të rrjedhë jashtë. Derdh lot qaj me lot. Njeriu që nuk derdh djersë, nuk di çfarë shije ka buka. (fj. u.).
4. I var poshtë e i përhap, i lëshoj lirshëm; ia sjell sipas trupit, ia bëj të derdhur. I derdhi flokët mbi supe. Ia ka derdhur fustanin.
5. edhe fig. Hedh me vrull e me shumicë mbi dikë a mbi diçka, i lëshoj diçka; përhap rreth e rrotull. Derdhi dritë mbi shesh. Trëndafilat derdhnin një erë të këndshme. Derdhën plumba mbi armikun. Derdhi vështrimin (shikimin) mbi të. E derdhi si lumë.
6. fig. Nxjerr ç’kam brenda, shpreh me vrull dhe pa u përmbajtur një ndjenjë; zbraz. E derdhi tërë gëzimin (dashurinë). E derdhi urrejtjen (zemërimin). E derdhi tërë vrerin (helmin). Derdhi një rrëke të sharash (mallkimesh). Derdhi një lumë fjalësh.
7. fig. Vë të gjitha forcat e mundësitë e mia dhe nuk kursej asgjë për të bërë diçka a për të arritur një qëllim, shkrij. Derdh aftësitë (talentin). Derdhi mundin. Derdhi tërë artin e tij.
8. tek. Hedh në kallëp një metal a një lëndë tjetër të shkrirë për t'i dhënë një formë të caktuar; bëj një detal, një statujë etj., duke hedhur lëndë të shkrirë në një kallëp të parapërgatitur. Derdh gizë. Derdh një unazë. Derdh shkronja. Derdhnin armë. Derdhën pjesë këmbimi. E derdhën bustin (monumentin). E derdhën në bronz.
9. fin. Vë një shumë të hollash në bankë në emrin tim a të dikujt tjetër, paguaj. Derdh një shumë në bankë. Derdhi para në fondin e shkollës. Derdhën ndihmat e tyre.
10. bised. Shpenzoj pa kursim, harxhoj shumë, e lëshoj dorën, nuk kursej (kryesisht për para). Ka derdhur para të madhe. E derdhte paranë lumë (me të dyja duart). E derdhi në dasmën e vajzës.
11. bised., vet. v. III Shkrifëron (për tokën). Ngrica e derdh tokën.
12. bised. Kaloj një sëmundje nga ato që zakonisht u bien fëmijëve. E ka derdhur linë (fruthin, kollën e mirë).
✱Sin.: zbraz, hedh, flak, shkarkoj, lëshoj, nxjerr, qit, përhap, shkrij, paguaj, shpenzoj, harxhoj, shkrifëron, kaloj.
♦ I derdhi (i vuri) *balsam (dikujt). Derdh *gjak. Derdh *gjakun (për dikë a për diçka). E derdhi *kupën (dikush). Derdh *lot (për dikë a për diçka). Derdh *trutë. Ia derdhi (ia zbrazi) *trutë (dikujt) bised. As *mbush e as derdh (dikush). I derdhi *zorrët (dikujt) bised.
GÁTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka marrë të gjitha masat, që ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar një punë, për t’u nisur a për të pritur dikë a diçka, që është gati a në gatishmëri. I gatshëm për t’u nisur. 1 gatshëm për të filluar punën. I gatshëm për betejën.
2. Që është gjithmonë gati për të përmbushur një detyrë a çdo gjë që kërkohet, që është i papërtueshëm për të bërë çdo gjë; që shpreh gatishmërinë për të kryer diçka. Njeri i gatshëm. I gatshëm për çdo punë. Është (tregohet, rri) i gatshëm.
3. Që është përgatitur, që është menduar a që është bërë gati që më parë, që është i parapërgatitur (për diçka). Përgjigje e gatshme. Frazë (formulë) e gatshme.
4. Që është kryer a ka përfunduar krejtësisht në të gjitha proceset; që ka marrë trajtën e duhur, që nuk ka nevojë të punohet ose të gatuhet më dhe mund të përdoret menjëherë. Rroba të gatshme. Gjellë e gatshme. Prodhime të gatshme (gjysmë të gatshme). Ushqim i gatshëm (gjysmë i gatshëm).
✱Sin.: i parapërgatitur, i hazërtë, i qepur, gati, i pakursyer, i papërtueshëm.
KÚRTH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Çark a mjet për të zënë kafshë, shpendë të egra etj.; grackë; lak. Kurth minjsh. E futi (e zuri) në kurth. I ngriti një kurth. Ra në kurth.
2. Vend i fshehur, i mbyllur dhe i parapërgatitur, nga i cili nuk mund të ikë ose të shpëtojë dot askush që arrin të futet aty brenda; rreth; rrethim. Kurth nga i cili nuk del dot. E mban në kurth.
3. fig. Gjendje e vështirë që krijohet me dredhi dhe me keqdashje kundër dikujt; situatë e vështirë që i krijohet dikujt për qëllime jo të mira; dredhi; grackë. Ngre kurthe. Hyri (ra vetë, u fut vetë) në kurth.
✱Sin.: çark, grackë, lak, rreth, rrethim, rrjetë, kllapë, dredhi.
♦ Ra në kurth (dikush) e pësoi të keqen që ia kishte krijuar dikush tjetër me dredhi e me keqdashje, u mashtrua e ra në atë gjendje të vështirë e pa rrugëdalje që ia kishte kurdisur dikush pas shpine; ra në grackë; ra në rrjetë; ra në kllapë; ra në lak; ra në grep. I ngre një kurth (kurthe) (dikujt) punon me dredhi e me keqdashje për t’i bërë dikujt një të keqe, i kurdis pas shpine diçka për ta vënë në një gjendje të vështirë e pa rrugëdalje; i përgatit diçka të papritur e të fshehtë për ta kapur dhe për ta dëmtuar; i ngre një grackë. E shtiu (e futi) në kurth (dikë) e bëri të vuajë një të keqe që ia kishte përgatitur me dredhi e me keqdashje, e mashtroi dhe e vuri në një gjendje të vështirë e pa rrugëdalje, që ia kishte kurdisur pas shpine; e vuri në kushtet që deshte; e shtiu (e futi) në grackë; e shtiu (e futi) në thes; e shtiu në rrjetë; e futi në xhep; e shtiu (e futi) në kllapë; e futi (e zuri) në lak.
PARAFABRIKÚAR (i, e) mb., ndërt. Që është parafabrikuar për t’u përdorur gjatë ndërtimit të ndërtesave, të urave etj.; i parapërgatitur. Pjesë (blloqe) të parafabrikuara. Shtylla të parafabrikuara.
►PARAPËRGATÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Bëj gati që më parë veglat, mjetet e sendet e tjera të nevojshme për një punë, pajisem me to. Parapërgatiten për fushatën e korrjeve. Ishte parapërgatitur për punë (për rrugë).
2. vetv. Bëj me kohë të gjitha përgatitjet në rast se vjen dikush a ndodh diçka, i dal përpara. Ishin të parapërgatitur për çdo rast.
3. vetv. Përgatitem që më parë për ta bërë më mirë e më lehtë diçka. Parapërgatiten për ndeshje (për gara). Parapërgatiten për provimet.
4. pës. e PARAPËRGATÍT.
PARAPËRGATÍTUR (i, e) mb. Që është përgatitur që më parë për diçka, që është parapërgatitur. Ishin të parapërgatitur përmbytjet e dimrit. I gjeti të parapërgatitur.
✱Sin.: i gatshëm, i hazërtë, i parafabrikuar.
PARASHIKÚES,~E mb. 1. Që ka aftësinë të parashikojë diçka; që është karakteristik për një njeri të tillë; largpamës. Njeri parashikues. Mendje parashikuese.
2. Që përgatitet me kohë për t’i dalë përpara çdo të papriture, që e llogarit çdo gjë që më parë.
✱Sin.: largpamës. profet, i parapërgatitur, nuhatës, organizues, fatthënës, parathënës.
PËRGATÍTUR (i, e) mb. Që ka fituar njohuritë, shprehitë dhe përvojën e duhur për të kryer një punë a veprimtari të caktuar; i mësuar; që ka bërë përgatitjen e duhur për një punë a detyrë të caktuar, që i ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Specialistë të përgatitur. Mësues i përgatitur. Është shumë i përgatitur. Mjekë (veterinerë) të përgatitur.
✱Sin.: i formuar, i stërvitur, i brumosur, i kalitur, i arsimuar, i aftësuar, i rrahur, i gatshëm, i përpunuar, i prodhuar, i thellë, i rregulluar, i zbukuruar, i ormisur, i ushtruar, i mësuar, i edukuar, i sajuar, i parapërgatitur.
SHTRATËZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal., bujq. Vë në shtretër me rërë, me tallash a me miell sharre të lagët dhe në temperaturë të ulët farat a fidanët për t'i parapërgatitur që të mbijnë ose të lëshojnë rrënjë më shpejt; vendos perime të ndryshme në dhe për t'i ruajtur. Shtratëzoj farat (fidanë hardhish, kalema). Shtratëzoj shartesat në arka. Shtratëzoj patatet.
STËRVÍTUR (i, e) mb. 1. Që ka fituar aftësi dhe përvojë në një punë pas një kohe të gjatë; i ushtruar, i mësuar; që është shkathtësuar e zhvilluar me ushtrim të vazhdueshëm. Ishte një djalë i stërvitur me këto situata të vështira. Ushtarët e stërvitur u mobilizuan të parët. Kishte një vesh të stërvitur për njohjen e muzikës së mirë. Ishte një mjek i sprovuar e i stërvitur me këto lloj ndërhyrjesh.
2. Që ka mësuar të bëjë diçka me anë të ushtrimeve (për kafshët). Kalë i stërvitur. Qen i stërvitur.
✱Sin.: i ushtruar, i praktikuar, i trajnuar, i përgatitur, i parapërgatitur, i kalitur, i regjur, i çelikosur, i mushtuar, i thekur, i vuajtur, i rrahur, mjeshtëror.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë