Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MËNGJÉS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Fillimi i ditës, koha pak përpara e pas lindjes së diellit; pjesa e parë e ditës, koha që kur gdhihet e deri në mesditë, paradrekja; kund. mbrëmje. E fillonte punën herët në mëngjes. Mëngjes i bukur (i kthjellët, i vrenjtur, i ftohtë). Mëngjes janari (vere). Era (vesa, mjegulla) e mëngjesit. Drita e mëngjesit. Gjumi i mëngjesit. Gjimnastika e mëngjesit. Në orën pesë të mëngjesit. Sot (nesër) në mëngjes. Ngrihem herët në mëngjes herët (vonë). Edhe mëngjeset kanë bukurinë e vet. Gjithnjë çoheshim vonë mëngjeseve të të dielave Nga mëngjesi deri në mbrëmje gjithë ditën. Mëngjes për mëngjes çdo mëngjes. Dielli duket (shihet) që në mëngjes (që kur lind). (fj. u.). Dita e mirë (moti i mirë) duket që në mëngjes. (fj. u.) vlerat, anët e mira të dikujt a të diçkaje duken që në fillim, se si do të jetë dikush a diçka duket që në krye. Lule mëngjesi (bot.). Ylli i mëngjesit (astr.).
2. Ushqimi që hahet në këtë kohë të ditës; të ngrënët në këtë kohë; sillë. Ha mëngjesin. Pas mëngjesit u ngrit e shkoi.
3. fig. Fillimi i diçkaje, agim, pranverë. Njerëzimi vuan, por pret mëngjeset e reja madhështore.
✱Sin.: sabah, paradite, paradreke, sillë, kafjall, agim, pranverë.
♦ Matet me *hijen e mëngjesit (e mbrëmjes) (dikush) keq. Ç’pështyn në mëngjes e lëpin në darkë (dikush) përb. Është njeri i paqëndrueshëm, që e ha fjalën, që e mohon atë që thotë ose që i ka shpifjet e trillimet në majë të gjuhës; është i pacipë e i paturp, e kthen pa zor fjalën; është njeri i ulët, pa karakter e pa parime. Sheh si nëpër *ag të mëngjesit (dikush). Ku e zë *darka nuk e gjen mëngjesi (dikë). Në *pikë të mëngjesit. Si *vesa e mëngjesit.
PARA- fjalëform. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra e të përngjitura që u përgjigjet kuptimeve të ndajfoljeve përpara e para dhe shërben për të formuar:
a) emra p.sh.: parabimë, paraçlirim, paradite, paradreke, paradhënie, paradhomë, parafjalë, parafolës, parakthinë, parakusht, parapleqëri, paraprovim, pararojë, parastërvitje, parashtesë, parathënie etj.
b) mbiemra p.sh.: paraardhës, parafundor, parakapitalist, i parakohshëm, parakombëtar, parambrojtës, parashkollor, paratheksor, paraushtarak etj.
c) folje p.sh.: paracaktoj, parafytyroj, parakaloj, paralajmëroj, parandaloj, parapaguaj, parapëlqej, parapërgatit, paraqit, parashikoj, parashtroj etj.
d) ndajfolje p.sh.: parasysh etj.
PARADITÓR,~E mb. Që ka të bëjë me paraditen, që bëhet paradite, që është karakteristike për paraditen, i paradites. Shëtitje paraditore.
PUN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Bëj një punë të caktuar duke përdorur forcën e krahut e të mendjes dhe vegla e mjete pune për të prodhuar diçka, për të ndërtuar, për të krijuar etj. Punon në uzinë (në fabrikë, në kombinat, në arë, në fushë). Punon në arsim (në ndërtim, në bujqësi). Punon edhe jashtë orarit (me orar të zgjatur). Punonte si kalë. Punon mirë (pastër). Punonte shkel e shko. Kemi punuar bashkë. Kush s’punon, dheut i rëndon. (fj. u.). Kush nuk punon, nuk ha. (fj. u.). Punove, gëzove. (fj. u.). Trupi shëndoshet me të punuar, mendja ndritohet me të mësuar. (fj. u.). Do punuar koka, që të japë toka. (fj. u.). Hekuri punon, shakulli gjëmon. (fj. u.).
2. jokal. Ushtroj një mjeshtëri a profesion të caktuar; jam në një punë a në një detyrë të caktuar. Punon si marangoz (si traktorist, si minator, si murator, si shofer, si mësues, si agronom, si llogaritar).
3. jokal. Zhvilloj një veprimtari a kryej një veprim me vetëdije, sillem a veproj në një mënyrë të caktuar; përpiqem për të mirën e dikujt a të diçkaje. Punon me mend në kokë. Punon haptazi (fshehurazi). Ka punuar nën rrogoz (pas shpine).
4. jokal., vet. v. III Zhvillon punën a veprimtarinë e vet, është i hapur dhe kryen shërbime (për një ndërmarrje, institucion, dyqan etj.); funksionon. Dogana ka punuar rregullisht. Biblioteka punon tërë ditën. Libraria punon vetëm paradite.
5. jokal., vet. v. III Është në gjendje pune, nuk është i prishur (për një makinë a një mekanizëm); funksionon, shkon. Makina (motori, ora) punon në rregull.
6. jokal., vet. v. III Kryen punën e vet, është i aftë për punë (për një organ a gjymtyrë të trupit); funksionon. I punon zemra. S’i punojnë sytë (mirë) nuk sheh mirë. S’i punon më dora nuk është më i zoti për punë. Nuk i punonin më këmbët nuk ecte dot më. Sa të më punojë këmba e dora. I punon mendja për shumë gjëra i vete mendja për shumë gjëra. I punon fantazia atij.
7. jokal. Bëj punë edukuese, sqaruese etj. me dikë për ta bindur e për ta ngritur nga ana arsimore, kulturore etj. Punon me pionierët (me fëmijët, me rininë).
8. jokal., vet. v. III (kryes. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) Më vete mbarë, më ecën; vepron. I punoi fati (zari). S’na punoi koha (moti) sivjet. Koha punon për ne.
9. jokal., vet. v. III Mbledh qelb, nuk është mbyllur ende (për një plagë). I punonte plaga.
10. bised., jokal., vet. v. III Ka vlerë, ka rëndësi; është i dobishëm, i nevojshëm a i domosdoshëm; të mbaron punë, hyn në punë. Sot punon shkolla (kualifikimi, specializimi).
11. jokal., vet. v. III Shkon e vjen, kalon; përdoret, vihet në përdorim. Atje punojnë kafshët. Në atë rrugë punon treni. Këtej punojnë makinat çdo ditë. Ajo rrugë nuk punon më.
12. bised., jokal. Kam lidhje ose marrëdhënie me dikë a me diçka, marr e jap me të; lidhem. Elbasani punonte me Durrësin. Ne punonim më shumë me Tiranën.
13. kal. Lëroj, rrëmih (për tokën). E punuan arën (tokën) me traktor. Ia punonin tokat argatët. Toka i përket atij që e punon.
14. kal. Përpunoj një lëndë të parë dhe nxjerr prodhime të ndryshme; e përpunoj diçka për t’ia përmirësuar cilësinë ose për ta bërë të gatshme për t’u përdorur. Punon lëkurën (drurin, baltën, hekurin). Punon pemët (ullinjtë, qumështin).
15. kal. Bëj a prodhoj diçka. Punon voza (arka). Punon çorape (triko). Punonin qymyr. Punonte djathë (gjalpë).
16. bised., kal. E vë në lëvizje a në veprim diçka, e përdor, e luaj. Ai punonte rremat (lopatat). E punonte shpatën me lehtësi. S’e punonte dot makinën.
17. fig., kal. Zbërthej e shpjegoj një fjalim, një temë, një artikull a diçka tjetër dhe nxjerr përfundime e detyra. Punoi me nxënësit një temë mbi drogën (mbi alkoolin).
18. kal. E ngre diçka në një shkallë më të lartë, e përmirësoj, e përsos, e përpunoj. Punoi gjuhën (stilin). Punon shijen muzikore.
19. bised., kal. Merrem rregullisht me një punë a me një veprimtari të caktuar; ushtroj. Punon bujqësinë. Punonte mërgimin. Punonte zanatin e vet.
20. bised., kal. E përdor për të kaluar në të, e rrah (një rrugë); jap e marr kryesisht për punë tregtie me një vend. Nuk e punonim më atë udhë. Ai punonte rrugën e Vlorës. Ata punojnë Prishtinën (Tetovën, Ulqinin)).
21. fig., bised., kal. I bëj dikujt një të keqe; e mashtroj dikë, ia hedh; bëj diçka të keqe. I punoi të zezën (qindin). I punoi një rreng (një hile). Ia punoi mirë. Harrove ç’na punoi? Ia punoi prapa krahëve. Të punon atë që s’ta pret mendja!
✱Sin.: funksionoj, shkoj, eci, vete, përdor, lëvroj lëroj, përpunoj, bëj, ushtroj, rrah, hedh, veproj, kryej, rreh, regëtin, edukoj, sqaroj, mbledh, qelbëzon, kaloj, lidh, thur, këpus, rrëmih, prodhoj, lëviz, luaj, zbërthej, shpjegoj, përsos, mashtroj.
♦ Punon nën *dhe (dikush) keq. I punon *goja (dikujt). Punon prapa *gardhit (dikush). Punon nën *gunë (dikush). Nuk më punojnë (nuk më bëjnë) *gjunjët. I punon *koka (dikujt). Punon prapa *krahëve (dikush). Ia punoi prapa *krahëve (dikujt). S’i punon një *kuti (dikujt) tall. I punon *mendja (dikujt). I punoi *qindin (dikujt). I punoi (i luajti) një *rreng (dikujt). Punon nën *rrogoz (dikush) keq. Punon prapa *skenës (dikush) libr. keq. Punon *sot e ha sot (dikush). Ia punoi pas *shpine (dikujt). I punon *truri (dikujt). Më punon *zemra (për dikë a për diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë