Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMENORRÉ,~JA f., mjek. Mungesë ose ndalim jonormal i përkohshëm ose i përhershëm i ciklit menstrual te femrat, në periudhën e pjekurisë gjinore, nga ndryshime biologjike, hormonale, patologjike. Amenorre parësore mospasja e menstruacioneve deri në moshën 16 vjeçe. Amenorre dytësore ndalimi për tre muaj ose më shumë, i ciklit menstrual.
AMÍNE,~T f. sh., kim. Derivate që formohen nga zëvendësimi i një a më shumë atomeve të hidrogjenit në amoniak ose në amonium, që janë pjesë përbërëse e aminoacideve, e vitaminave, e enzimave etj., me erë karakteristike si të amoniakut. Aminet parësore (dytësore) Aminet e thjeshta (të përbëra). Aminet aromatike. Roli i amineve në sintezën e barnave bashkëkohore.
EMOCIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET Përjetim psikik i thellë dhe i përkohshëm (gëzim, zemërim, mallëngjim a ngashërim, turp, frikë etj.) i shoqëruar me reagim fizik a fiziologjik dhe që shkaktohet nga faktorë të brendshëm a të mjedisit të jashtëm. Emocion i fuqishëm (i madh, i thellë). Forca e emocionit. I ngjalli (i zgjoi) emocione. Flet me emocion. Përmbaj emocionet. Dridhej nga emocioni. Emocione parësore. Mësohu të njohësh emocionet e tua.
✱Sin.: përjetim, mallëngjim, ndjesi, ndjenjë, emocionim.
ETNOKOREOGRAFÍ,~A f., etnogr. Degë e etnografisë që studion vallet popullore dhe dukuri e krijime të tjera etnografike që shoqërohen me valle. Etnokoreografia shqiptare. Studimet në fushën e etnokoreografisë shqiptare. Botim për etnokoreografinë shqiptare. Detyra parësore në etnokoreografi.
IDEALÍZ/ËM,~MI m. 1. filoz. Botëkuptim filozofik që merr si parësore në natyrë idenë, ndërgjegjen, shpirtin, kurse materien, qenien e quan dytësore, të varur nga ndërgjegjja, nga idetë; kund. materializëm. Idealizmi objektiv idealizëm që merr si parësore një ndërgjegje mbinjerëzore, të pavarur nga njeriu, të quajtur “ide absolute”, “arsye botërore” etj. Idealizmi subjektiv idealizëm që merr si parësore ndërgjegjen e njeriut ose elemente të veçanta të saj (ndijimet, perceptimet, emocionet, vullnetin etj.). Përfaqësuesit e idealizmit. Bie në idealizëm.
2. Tërësia e idealeve të larta, ndjenjat e synimet fisnike që e udhëheqin dikë në jetë, qëllimet e larta për të cilat ai lufton deri në vetëmohim; qëndrim e prirje prej idealisti.
3. Prirje për t’i zbukuruar e për t’i idealizuar gjërat.
MILITARÍZ/ËM,~MI m. Besimi se një vend duhet të ndërtojë forcat e tij ushtarake dhe t’i përdorë ato për të mbrojtur veten dhe për të marrë atë që dëshiron; politikë në të cilën gatishmëria ushtarake ka rëndësi parësore për një shtet. Filloi militarizmi në Europë. Janë vende që kanë vuajtur nga militarizmi.
NDËRGJÉGJ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. filoz., psikol. Forma më e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv si veçori e veprimtarisë së trurit të njeriut dhe si funksion i tij. Materia është parësore, ndërgjegjja është dytësore. Materia ekziston pavarësisht nga ndërgjegjja. Ndërgjegjja shoqërore tërësia e pikëpamjeve politike, filozofike, fetare, juridike, morale, shkencore, estetike etj., që pasqyrojnë qenien shoqërore. Ndërgjegjet njerëzore.
2. Gjendja e njeriut që ka dijeni për botën e jashtme dhe për ndijimet e veta, aftësia për të rrokur e për të kuptuar botën e jashtme dhe të brendshme të njeriut, vetëdije. Me ndërgjegje të plotë. Humbi ndërgjegjen humbi ndjenjat, iu err mendja. I errëson ndërgjegjen. E bëri me ndërgjegje. Ndërgjegje të trazuara (të fjetura). Iluzione që jetojnë në ndërgjegjet e njerëzve.
3. Aftësia për të kuptuar vendin dhe detyrën në jetën shoqërore; kuptimi i qartë i vetive kryesore e dalluese, që përcaktojnë qëndrimin dhe sjelljen e njeriut a të një grupi njerëzish në jetën shoqërore, vetëdije. Ndërgjegje politike. Ndërgjegje kombëtare. Rritja e ndërgjegjes. I ngre (i zhvillon) ndërgjegjen. I zgjohet ndërgjegjja. Zëri i ndërgjegjes. A ka ndërgjegje inteligjenca artificiale?
4. Ndjenja vetjake e përgjegjësisë morale për sjelljen e veprimet përpara të tjerëve ose përpara shoqërisë, vlerësimi i brendshëm i sjelljes e i veprimeve në përputhje me kërkesat e shoqërisë; qëndrimi i drejtë e i ndershëm në punë a në një veprimtari, që niset nga kjo ndjenjë. Ndërgjegje e pastër (e lartë). Ndërgjegjja në punë. Zëri i ndërgjegjes. Njeri me (pa) ndërgjegje. Punon me ndërgjegje. E bren (e vret) ndërgjegjja. E them me ndërgjegje të pastër (të qetë). Vepron kundër ndërgjegjes. E kam barrë në ndërgjegje. Heroi zgjoi ndërgjegjet e njerëzve.
✱Sin.: vetëdije, përgjegjësi, ndershmëri, shpirt.
OBJÉKT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Çdo gjë materiale, që mund të kapet nga organet e shqisave si diçka me vete; send. Objekt i gjallë. Objektet e natyrës. Grup (grumbull) objektesh.
2. Send, mjet, përdorëse etj. që i hyn në punë njeriut për të plotësuar nevojat dhe për të përmbushur kërkesat e tij; send i tillë me vlerë arkeologjike, etnografike etj. Objektet shkollore. Objekte me vlerë. Objekte të nevojshme (të domosdoshme). Objekte arkeologjike (etnografike). Objekte zbukurimi. Objekte prej bakri (prej ari).
3. Ndërtesë ku prodhohet diçka ose kryhet një veprimtari industriale, bujqësore etj., që ndërtohet për qëllime të caktuara. Objekte ekonomike. Objekt industrial (bujqësor, ushtarak). Objekte social-kulturore. Punohet në pesë objekte njëkohësisht. Po ndërtohen shumë objekte të reja.
4. filoz. Bota materiale me sendet e dukuritë e saj, që ekziston jashtë nesh e pavarësisht nga ne, që nuk varet nga ndërgjegjja e që është parësore kundrejt saj dhe që i nënshtrohet veprimtarisë njohëse të njeriut. Objekti i njohjes. Objekti dhe ideja.
5. Qenie, send a dukuri, ku përqendrohet vëmendja jonë ose që i nënshtrohet një studimi, një vëzhgimi, a një veprimi; ajo me të cilën merret shkenca, arti etj.; përmbajtja themelore e diçkaje; qëllimi ku synon një veprimtari, objektiv. Objekt studimi (vëzhgimesh, kërkimesh). Objekti i diskutimit (i mbledhjes). Objekti i një vepre (i një shkence). Objekti i filozofisë (i gjuhësisë, i pedagogjisë). E arriti objektin. Ka objekt të sajin muzeumologjinë dhe trashëgiminë kulturore.
✱Sin.: send, mjet, përdorëse, ndërtesë, vepër, objektiv.
OBJEKTÍV,~E mb. 1. filoz. Që ekziston jashtë ndërgjegjes dhe pavarësisht prej saj, që nuk varet nga ndërgjegjja dhe që është parësore kundrejt saj; kund. subjektiv. Bota objektive. Realiteti objektiv. Dukuri objektive. E vërteta objektive. Ligjet objektive të zhvillimit. Kushte (shkaqe) objektive.
2. fig. Që gjykon drejt dhe nuk niset nga interesat, nga ndjenjat ose nga qëllimet vetjake, që nuk ndikohet nga ndonjë paramendim; i paanshëm. Njeri objektiv. Vlerësim (përfundim) objektiv. Pikëpamje objektive. Kriter objektiv. Me sy objektiv. U tregua objektiv. Idealizmi objektiv.
3. si em. f. ~E, ~JA filoz. Bota e jashtme, që ekziston jashtë ndërgjegjes dhe pavarësisht prej saj, ajo që nuk varet nga ndërgjegjja dhe që është parësore kundrejt saj; ajo që është objektive. Objektivja dhe subjektivja. Në themel të subjektives është objektivja.
PARALIGJÓR,~E mb., drejt. Që ka të bëjë me këshillim ligjor a ndihmë juridike parësore falas, zakonisht për të drejtat e qytetarëve dhe për shkeljet e tyre të mundshme. Institucion paraligjor. Ndihmë paraligjore. Çfarë janë proceset paraligjore dhe pse ankohen më shumë qytetarët?
PARËSÓR,~E mb., libr. 1. Që vjen përpara një tjetri dhe nuk varet prej tij, por mund ta përcaktojë atë ose mund ta ketë si rrjedhim a si pasojë (zakonisht në kundërvënie me “dytësor”). Dukuri parësore.
2. Që qëndron në vend të parë nga rëndësia, i dorës së parë; më i rëndësishëm. Çështje parësore. Kërkesë parësore.
✱Sin.: primar, prioritar, i parë, kryesor, përcaktues, themelor.
PËRJETUESHMËRÍ,~A f. Të qenët i përjetueshëm. Parësore për të ishte përjetueshmëria e muzikës.
QELÍZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. biol. Njësia themelore më e thjeshtë, e ndërtimit të indeve të qenieve të gjalla dhe të bimëve, që ka aftësinë e shkëmbimit të lëndëve dhe përbëhet prej bërthamës, prej cipës e prej lëndës së brendshme. Qelizë shtazore. Qelizë bimore. Qelizë nervore. Bërthama e qelizës. Ndarja e qelizës. Qelizë bazë. Qelizë bijë. Qelizë e gjakut. Qelizë e trurit. Qelizë embrionale. Qelizë epiteli. Qelizë gjëndërore. Qelizë hormonale. Qelizë kanceroze.
2. biol. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme qelizash që kryejnë funksione të veçanta. Qelizë antipodale qelizë e lokalizuar në polin e poshtëm të trastës embrionale të farëveshurave. Qelizë barkore qelizë që ndodhet në sipërfaqen e poshtme ose të brendshme përkundrejt një boshti. Qelizë bijë qelizë e formuar nga ndarja ose nga sythimi i një qelize tjetër. Qelizë epibazore qelizë e sipërme të embrionit të myshqeve dhe të fierajave që formojnë kapsulën dhe pjesë të kërcellit e të thelbëzës. Qeliza roje çifte të specializuara qelizash të epidermës së gjethes, që rrethojnë një pore. Qelizë e Shvanit qelizë e sistemit nervor periferik që formon një pjesë të mbështjelljes mielinike. Qelizë haploide qelizë që përmban një numër kromozomesh dhe që është karakteristike për fazën e gametofitit. Qelizë hualli hojëz gjashtëkëndëshe e pites së mjaltit si njësia më e vogël elementare e një hualli blete. Qelizë neurosekretimore neuron që prodhon një hormon apo një lëndë të ngjashme dhe që e nxjerr atë në lëngun ndërqelizor. Qelizë parësore qelizë që ka një zhvillim më të hershëm sesa qelizat e tjera. Qelizë satelite qelizë që shërben si mbështetje për një neuron të sistemit nervor periferik, si p.sh. qelizat e Shvanit, që formojnë mbështjelljen mielinike. Qelizë seksuale qelizë riprodhuese haploide, që ka aftësi të bashkohet për të prodhuar zigotë gjatë riprodhimit seksual. Qelizë shenjë qelizë që ndikohet drejtpërdrejt nga një hormon apo qelizë nervore. Qelizë ujëmbajtëse qelizë që ka cipa të holla dhe përmasa të mëdha për ruajtjen e ujit në to. Qelizë vezë qelizë seksuale femërore që zotëron një numër kromozomesh, sa gjysma e atyre që ndodhen në qelizat e tjera të trupit, e cila bëhet e aftë të zhvillojë në vetvete embrionin e një organizmi të ri, pasi bashkohet me qelizën seksuale mashkullore (spermatozoidin). Qelizë qumështore e thjeshtë ose e degëzuar, e cila rrjedh nga zmadhimi i një qelize të vetme dhe që përmban lëng qumështor ose lateks.
3. fig. Njësia më e vogël e mëvetësishme dhe e organizuar e një tërësie a e një sistemi shoqëror. Të gjitha qelizat e shoqërisë. Në çdo qelizë të ekonomisë. Familja është qeliza bazë e shoqërisë.
✱Sin.: njësi, ndarje, bulëz, celulë, rruazë, qukëz.
QÉRTHU/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Vegël druri, me dy rrathë anësorë ku mbërthehen dërrasa të holla dhe me bosht, që rrotullohet e mbledh fillin nga shkuli; shtjellës.
2. Rrethore, në të cilën futet fëmija i vogël për të mësuar të qëndrojë në këmbë e të ecë; kosh. E vë fëmijën në qerthull. Ecën me qerthull.
3. Vendi përreth diçkaje; qark. Qerthulli i dritës. Mbetën në një qerthull pa rrugëdalje.
4. bot. Degët e bimës, që rriten rreth e rrotull kërcellit a trungut kryesor; renditje gjethesh apo lulesh rreth një kërcelli apo dege në të njëjtën lartësi apo nyjë. Në qerthullin e hardhisë u lidhën lastarët.
5. fig. Varg ngjarjesh, veprimesh a dukurish, që përbëjnë një rreth të plotë; vorbull, shtjellë ngjarjesh. Gërshetoi një qerthull ngjarjesh. Tregoi një qerthull veprash trimërie. Qerthull politik.
6. gjeogr. Pjesë e parë e emërtimit të pathjeshtë për një pjesë toke. Qerthull bimësie (lat. Circulus vegetacionalis) ndarje parësore detare ose tokësore e sipërfaqes së rruzullit tokësor; një pjesë e tokës e karakterizuar qartë nga jeta bimore dhe shtazore.
✱Sin.: frikëlore, qarkull, rreth, cikël, lastar.
REALITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Të qenët në të vërtetë, të qenit real, pavarësisht nga përfytyrimet e njeriut, njëmendësi. Realiteti i botës objektive. Dyshoj për realitetin e diçkaje.
2. Ajo që ekziston me të vërtetë, bota objektive natyrore e shoqërore; sendet dhe dukuritë e vërteta, që nuk janë vetëm në përfytyrimin e njeriut ose që nuk janë nxjerrë nga koka e tij. Realiteti i gjallë. Realiteti objektiv gjithë bota materiale në tërësi, gjithçka që ekziston pavarësisht nga ndërgjegjja, që nuk varet prej saj dhe që është parësore kundrejt saj. Ëndrra dhe realiteti. Jashtë realitetit. Përballë realitetit. Njoh realitetin. Përshkruaj (pasqyroj) realitetin. Nisem nga realiteti. E bëj realitet.
3. Kushtet në të cilat jeton një shoqëri ose një grup njerëzish, rrethanat e vërteta të jetës në një kohë a në një vend. Realiteti shqiptar. Realiteti shoqëror. Realiteti historik (i sotëm). Realiteti i jetës së përditshme. Nuk shkëputet nga realiteti.
4. Gjendja e vërtetë e sendeve, e ngjarjeve dhe e rrethanave, e vërteta. Realitet i hidhur. Ndjenja e realitetit. I them (i tregoj) realitetin. E shoh realitetin në sy. Në realitet në të vërtetë.
✱Sin.: njëmendësi, praktikë, botë, e vërtetë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë