Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUJARÍ,~A f. 1. Të qenët bujar e i pritur, vetia e njeriut dorëdhënë e zemërbardhë; zemërgjerësi, shpirtmadhësi, fisnikëri shpirtërore. Bujaria e shqiptarit. Pres me bujari. Gjest i lartë bujarie. Me bujari të madhe. Dallohej për bujarinë dhe shpirtin e mirë. Bujaria s’matet me kuletë. (fj. u.).
2. Të qenët i ndershëm dhe i drejtë. E shprehte bujarinë në çdo gjë.
3. hist. Shtresa e bujarëve; përmb. tërësia e bujarëve, bujarët, fisnikëria; parësia, shtresa më e lartë në një fis. Bujaria feudale. Bujaria e lartë. Bujaria e fisit. Shtresa e bujarisë.
✱Sin.: dorëdhënie, dorëgjerësi, çiltëri, mirëpritje, fisnikëri, shpirtlartësi, shpirtmadhësi, zemërgjerësi, zemërbardhësi, oborrësi, parësi, pari, aristokraci, kalorësi.
FISNIKËRÍ,~A f. 1. Të qenët fisnik, zemërgjerë e i ndershëm, bujari. Sillej me fisnikëri të madhe.
2. përmb., hist. Shtresa më e lartë në shoqërinë feudale, aristokracia feudale; tërësia e fisnikëve; parësia, shtresa më e lartë e një fisi. Fisnikëria feudale.
3. vjet. Titull, me të cilin thirrej një fisnik me nderim. Fisnikëria juaj.
✱Sin.: bujari, fisëri, shpirtmadhësi, burrëri, kalorësi, parësi, pari, aristokraci, oborrësi.
PÁR/Ë,~I (i) m. sh. ~Ë, ~ËT (të) 1. Ai që është në krye të një pune, të një veprimtarie a të një grupi njerëzish; ai që udhëheq a drejton një punë. I pari i shtëpisë (i fisit, i fshatit). I pari i valles (i muhabetit). Kë keni të parë këtu? Ku ka shumë të parë, puna s’ecën mbarë. (fj. u.). Mos u bëj i parë në shtëpi të huaj! (fj. u.).
2. Ai që ka arritjet më të mira në një punë a që del në krye të një gare; ai që është më i zoti, më i aftë se të tjerët. I pari i klasës (i ekipit).
3. vet. sh. Stërgjyshërit, breza, më të vjetër. Të parët tanë. Zakonet e të parëve. Na e kanë lënë të parët.
4. Ai që është i parë në një radhë etj. Të parët që shurdhohen janë kambanaxhinjtë. (fj. u.).
5. vet. sh. vjet. Krerët e vendit, parësia. Të parët e vendit.
✱Sin.: kreu, kryesues, drejtues, lider, udhëheqës, udhërrëfyes, paraardhës, paranik, stërgjysh, katragjysh, parësi, pari.
♦ Çaj *rrugën (udhën) (i pari). Lëshon *brezin (i pari) (dikush). Nuk e merr vesh (nuk e njeh) i pari të dytin (diku) është rrëmujë e madhe diku; s’merret vesh ç’bëhet; s’e njeh qeni të zotin; (u bë) merre ta marrim; u bë pazar; (është) “ik të ikim”; (është) dasmë minjsh; kape laro prite balo! tall.; tartari e merr vesh! Nuk e pa i pari të dytin (diku) ikën me vrap e në rrëmujë të madhe të gjithë nga frika, u shpërndanë në panik pa pritur njëri-tjetrin e pa e ditur për ku.
PLEQËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË etnogr. 1. përmb. Këshill burrash, të zgjedhur në një fshat që zgjidhnin çështje të ndryshme a një mosmarrëveshje; kuvendi i pleqve. Pleqësia e fshatit. E zgjidhi pleqësia.
2. Organ drejtues i një shoqërie, i një klubi etj., që përbëhej prej njerëzish të zgjedhur. Pleqësia e klubit (e shoqërisë, e kishës). Mbledhja e pleqësisë.
3. Puna që bënte ai që ishte vënë si plak; gjykim i urtë e i matur prej plakut; pleqësim, pleqërim. Bëri pleqësi e pleqëroi një punë. Ndau pleqësi. Punonin me pleqësi punonin me mirëkuptim e duke u këshilluar njëri me tjetrin, jo secili sipas kokës së vet.
4. Parësi e përgjegjësi në mbarështimin e diçkaje, drejtim. Kur vdiste plaku, pleqësinë e merrte plaka e shtëpisë.
✱Sin.: kuvend, parësi, urti, pleqëri, pleqni, këshill, gjykim, pleqësim, pleqërim, drejtim.
PËRPARËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i parë për nga rëndësia e vlera, vendi i parë që i jepet diçkaje në krahasim me të tjerat. Përparësia e interesave kombëtarë. I dhanë teknologjisë së informacionit. Bëje lumturinë tënde përparësinë më të madhe! (afor.).
2. Të qenët i pari në hartimin e një studimi, në kryerjen e një pune etj. Ka përparësinë në zbulimin e...
✱Sin.: parësi, epërsi, sipëri, prioritet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë