Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BATÁLL,~E mb., bised. 1. Që nuk hyn në punë, që nuk vlen për asgjë, i pavlefshëm; i papërdorshëm, i kotë, si mulli pa mokra. Njeri batall. Mall batall. Vegël batalle. Makinë batalle.
2. Që është lënë djerr, i papunuar (për tokat); që s'jep prodhim; djerr. Vend batall. Tokë batalle.
3. fig. I trashë e i ngathët, jo i zhdërvjellët; trashaman. Me mendje batalle. E ka trupin batall. Me duar batall.
BATALLÍSUR (i, e) mb., bised. I lënë djerr, i papunuar. Vend i batallisur.
BRÚTO mb., libr. 1. spec. Me gjithë peshën e mbështjelljes, që përfshin edhe peshën e paketimit (për mallrat); kund. neto. Peshë bruto.
2. fin. Që është së bashku me shpenzimet e bëra (për fitimin e të ardhurat); kund. neto. Të ardhura bruto. Paga bruto.
3. I papërpunuar; i papastruar, që nuk i janë hequr lëndët e panevojshme, që është në atë gjendje siç është prodhuar në natyrë. Naftë bruto. Prodhim bruto. Lëndë druri bruto. Yndyra bruto. Minerale bruto.
4. I pavërtetuar, i papërcaktuar në mënyrë të përpiktë; që nuk i janë bërë ndreqjet e nevojshme. Të dhëna bruto. Material (tekst, shkrim) bruto diçka e shkruar, por e paredaktuar, e pandrequr nga gabimet.
✱Sin.: i papërpunuar, i papunuar, i papastruar, i papërcaktuar, i paprovuar, i paredaktuar, i parregulluar, i pandrequr.
DJERR,~E mb. 1. E papunuar (për tokat); e papunuar për disa vjet (për një arë). Tokë (arë, fushë) djerre. Vend djerr.
2. I endur a i punuar thjesht, pa lule, pa vija etj. Pëlhurë djerre.
3. fig. I palëvruar, i pastudiuar (për një fushë të shkencës etj.). Fushë djerre. Është ende djerr.
✱Sin.: i djerrë, i papunuar, i palëvruar, i palëruar, i shkretë, batall, i pastudiuar.
DRU,~RI m. sh. ~RË, ~RËT 1. Bimë shumëvjeçare me trung të trashë, të fortë e me degë të shumta që dalin në një farë lartësie nga toka; pemë. Dru i lartë. Dru frutor (jofrutor). Dru i butë (i egër). Dru halor (gjethor). Dru zbukurues. Drurët e pyllit. Lesh druri (ndërt.). Trungu i drurit. Rrënjët (degët, gjethet, lëvorja, lëkura) e drurit. Mbjellja (rritja) e drurëve. Hipi në një dru. Druri gjenealogjik figurë që ka pamjen e një druri, trungu dhe degët e të cilit tregojnë lidhjet e birërisë së një familjeje ose lidhjet e pjesëve të diçkaje me burimin e tyre gjatë zhvillimit. Druri ndreqet sa është i njomë. (fj. u.). S’pritet druri (lisi) me një sëpatë (me një të rënë të sëpatës). (fj. u.). Nuk ka pyll pa dru të shtrembër. (fj. u.). Dru pa rrënjë nuk gjen. (fj. u.).
2. Lënda e fortë nën lëvoren, që përbën pjesën kryesore të trungut e të degëve të trasha të këtyre bimëve; trungu dhe degët e tyre, që përdoren si lëndë ndërtimi ose për të bërë orendi, sende të ndryshme etj. Dru i fortë (i butë). Dru i bardhë (i kuqërremtë). Dru i kalbur. Dru i gdhendur. Dru pishe (arre, bushi). Lëndë druri. Tallash druri. Krevat (dollap) druri. Ndërtesë druri. Çekiç (varre) druri. Qymyr druri. Industria e drurit. Punimi i drurit. Prodhime druri. Gdhend në dru. Druri i thatë nuk drejtohet. (fj. u.). Në kudhrën e nxehtë rrihet me çekan druri. (fj. u.). Mashë prej druri nuk bëhet. (fj. u.). Druri i gardhit kalbet, fjala e keqe nuk harrohet. (fj. u.).
3. bised. Send a pjesë sendi që është bërë nga lënda e këtyre bimëve; copë nga trungu a nga degët e tyre. Druri i qerres. Druri i krevatit. Druri i dritares (i derës...). I vë drurin portës. Nguli dy drurë. Njeriu i pamësuar – si druri i papunuar. (fj. u.).
4. fig. Njeri i trashë nga mendja; njeri i pagdhendur; gdhe; bagëti e trashë. Është dru. S’kupton (s'merr vesh) druri. Hyri si hu, doli si dru. (fj. u.).
5. Druja; hu, dajak. Dru i thatë. Luajti (valoi) druri u rrahën keq.
♦ U bë dru. 1. (diçka). U tha a u forcua shumë; u bë kockë. 2. (dikush). Ngriu nga të ftohtët; u mpi fare, nuk ndien më asgjë; u bë dërrasë; u bë trung; u bë gur. 3. shih u bë tapë (dikush). 4. (dikush). U lig e u dobësua së tepërmi, u tha. I ra *gurit e drurit (dikush). I rëntë *gurit e drurit! mallk. Çau *gur e dru (dikush). Digj dru e hiq hi! iron. e shkon kohën kot, nuk bën gjë prej gjëje, është dembel; hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall.; numëron qimet e postiqes (dikush); ngul hunj e shkul hunj (dikush). Dru arre njeri i fortë fizikisht; njeri i paepur, që ka qëndresë; njeri i regjur; racë e fortë; kockë e fortë. Dru shelgu mospërf. njeri që rri pa folur si i ngrirë; Dru i kalbur. 1. Njeri i sëmurë prej kohësh a që sëmuret shpesh; njeri që nuk ka shëndet të mirë, njeri i dobët; mollë e kalbur. 2. Plak i rënë. Dru i shtrembër njeri i edukuar keq, me vese, që prish edhe të tjerët. Do dru (dikush) e ka hak ta rrahësh a ta qortosh rëndë që të mbledhë veten, të sillet mirë, të kënaqet me ato që ka etj. I dhimbset *gurit e drurit (dikush). U gëzuan *gurët e drurët (për dikë a për diçka). Ha *gur e dru (dikush). Më hëngri si *krimbi drurin (dikush). Nuk sheh *pyllin prapa drurëve (dikush).
MËNDÁFSH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Fije të holla dhe të ndritshme që nxirren nga fshikëza e një lloj krimbi dhe që përdoren zakonisht për pëlhura të holla e për endje të tjera. Mëndafsh natyror. Mëndafsh artificial fije të holla që nxirren nga celuloza dhe që përdoren për pëlhura etj. Mëndafsh i punuar (i papunuar). Krimbi i mëndafshit. Fije mëndafshi. Pëlhurë mëndafshi. Stof (fustan, shall) mëndafshi. Këmishë (shami) mëndafshi. Perde mëndafshi. Industria e mëndafshit. Vë mëndafsh rrit krimba mëndafshi me gjethe mani për të marrë fijet e fshikëzave të tyre. Tërheq mëndafsh hedh në ujë të nxehtë fshikëzat dhe u heq fijet duke formuar me to palëza.
2. edhe sh. ~RA, ~RAT Pëlhurë e punuar me këto fije; lloje të ndryshme pëlhurash të tilla. Fabrika e mëndafshrave. Dyqani i mëndafsheve. I veshur në mëndafsh.
3. si mb., fig., bised. Shumë i butë e i lëmuar. Me flokët mëndafsh. I kishte faqet mëndafsh. Gur mëndafshi (liri, leshi, pambuku) (bised.) gur leshi, asbest, amiant.
PAKULTIVÚAR (i, e) mb. Që nuk është kultivuar; kund. i kultivuar. Tokë e pakultivuar tokë e papunuar dhe e pambjellë me kultura të ndryshme bujqësore. Gjuhë e pakultivuar. Shoqëri e pakultivuar.
PALËVRÚAR (i, e) mb. 1. I palëruar, i papunuar; kund. i lëvruar.
2. I pakrehur, i pashprishur, i palënurur.
3. Që nuk është studiuar nga dijetarët, që nuk është trajtuar nga ndonjë shkrimtar, e palëruar, e pastudiuar; kund. i lëvruar. Fushë (gjini) e palëvruar. Temë e palëvruar.
✱Sin.: i palëruar, i papunuar, i pakrehur, i palënurur, i pashprishur, i pastudiuar, i patrajtuar.
PAMËSÚAR (i, e) mb. 1. Që nuk ka marrë arsim të mjaftueshëm; që nuk di ose di pak; i pashkolluar; i paditur; kund. i mësuar, i shkolluar. Njeri i pamësuar. Njeriu i pamësuar - si druri i papunuar. (fj. u.).
2. Që nuk e ka përvetësuar mirë një mjeshtëri; që nuk ka përvojën e duhur në punë ose në jetë, i papërvojë. Punëtor (djalë) i pamësuar.
3. Që nuk është ushtruar ose nuk është stërvitur me diçka, i pastërvitur; kund. i mësuar, i stërvitur. Sy i pamësuar. Dorë e pamësuar.
✱Sin.: i paarsimuar, i paditur, i pastërvitur, i patrajnuar, i papërvojë, i pashkolluar, i pashkollë, i papërgatitur, i paushtruar, i pashtruar, i pashaluar, hergjele.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë