Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PAKTHÝER (i, e) mb. 1. Që nuk është në trajtë të lakuar, i drejtë; kund. i kthyer. Tel i pakthyer.
2. Që nuk është lëruar thellë me plug (për tokën); kund. i kthyer. Arë e pakthyer. Ugar i pakthyer.
3. Që nuk është kthyer ende nga ana tjetër (për një veshje). Kostum i pakthyer.
✱Sin.: i papërkulur, i palakuar, i drejtë, i palëvruar, i palëruar, i papluguar, i paharkuar, i pashqepur, i pashlyer, i papaguar.
PAPUNÚAR (i, e) mb. 1. Që nuk është lëruar, djerr; që nuk është bërë gati për t’u mbjellë; kund. i punuar. Tokë e papunuar.
2. I papërpunuar. Lëndë të papunuara. Mëndafsh i papunuar. Njeriu i pamësuar - si druri i papunuar. (fj. u.).
3. fig. Që nuk është punuar e lëmuar mirë, i papërpunuar. Vepër e papunuar. Ka gjuhë të papunuar.
✱Sin.: i palëvruar, i palëruar, i papluguar, i pangarë, i pakthyer, batall, i shkretë, i virgjër, djerr, i papërpunuar, i palëmuar.
THELLËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Largësia nga sipërfaqja e diçkaje deri në fund të saj ose deri në një pikë të caktuar në drejtim të këtij fundi; lartësia e trupave të zgavërt a të lugët e matur në drejtimin nga lart poshtë; vend a pikë që është shumë poshtë sipërfaqes së diçkaje dhe larg saj, vend i thellë; të qenët i thellë; kund. cektësi. Thellësi e madhe (e vogël). Thellësia e pusit (e gropës, e hendekut). Thellësia e detit (e liqenit, e lumit). Thellësia e gërmimeve. Thellësia e prerjes. Në thellësitë e tokës (e oqeaneve). Matësi i thellësisë. Bimësia e thellësive detare. Ka thellësi. Thellësia arrin 300 m. Arriti thellësinë më të madhe.
2. Krahinë a zonë që ndodhet larg nga kufiri, nga skaji a nga fillimi i një vendi ose larg nga bregdeti; vend a hapësirë që gjendet larg në brendësi; krahinë a zonë e thellë. Në thellësitë malore. Në thellësi të vendit. Në thellësi të pyllit (të fushës, të luginës). Në thellësitë e qiellit. Luftime në thellësi.
3. Largësi shumë e madhe kohe në të shkuarën. Në thellësi të shekujve. Nga thellësitë e së kaluarës. Vjen nga thellësia e kohës.
4. Të qenët e mbyllur a e errët, të qenët e thellë (për ngjyrat). Thellësia e ngjyrave.
5. fig. Të qenët i mbështetur, i peshuar e i arsyetuar mirë, të qenët i mbështetur në një zbërthim e në një përgjithësim të shumanshëm të gjërave; brendi a përmbajtje e thellë; të qenët shumë i përgatitur e i pjekur; kund. cektësi. Thellësia e njohjes (e gjykimit). Thellësia e analizës. Thellësia e mendimit (e ideve). Thellësia e ndjenjave. Thellësia e kritikës. I mungon thellësia atij.
6. Të qenët shumë i madh e i theksuar; shkalla që arrin një dukuri. Thellësia e krizës. Thellësia e kontradiktave. Thellësia e dallimeve.
7. Tërësia e anëve të ndryshme të brendshme të diçkaje, e rrethanave, e shkaqeve, e pasojave etj., që na lejojnë ta njohim e ta kuptojmë atë mirë e thellë, të depërtojmë në brendinë e vërtetë të saj, ta vlerësojmë drejt e në mënyrë të gjithanshme. E panë (e shqyrtuan) në thellësi. E studioi në thellësi. E njoh në thellësi.
8. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje thellësish. Thellësi e mbjelljes (bujq.) thellësi në të cilën vendoset fara në shtratin e mbjelljes. Thellësi plugimi (bujq.) trashësia e shtresës së tokës që kthehet gjatë plugimit ose trashësia e matur vertikalisht, sipas faqes (murit) së brazdës, nga sipërfaqja e tokës së papluguar në fundin e brazdës së hapur nga plugu.
✱Sin.: brendësi, mprehtësi.
♦ Në thellësi të shpirtit në botën e brendshme të njeriut, në botën e ndjenjave të tij; fshehur, në vetvete. Nga thellësia e zemrës me ndjenjat më të ngrohta, me dashuri shumë të madhe, me shpirt, me zemër; nga thelbi i zemrës (i shpirtit).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë