Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AUTOLÁRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Larje automatike e automjeteve përmes një sistemi të pajisjeve dhe të makinave të automatizuara, që kryejnë larjen pa nevojën e drejtpërdrejtë të dikujt; qendër larjeje me vetëshërbim për makina, kamionë, autobusë etj. Autolarje moderne. Autolarje pa prekje. Autolarje me vetëshërbim. Autolarje e thjeshtë. Autolarje e paplotë. Punon si teknik në autolarje.
2. Pajisje automatike që lan automjetet në mënyrë të programuar. Autolarje automatike. Autolarje me presion të lartë.
BRERÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. astr. Unazë drite e paplotë dhe e përkohshme, me Diellin apo me Hënën në qendër, që krijohet nga përthyerja e rastësishme e dritës prej kristaleve të akullta në retë e larta; rreth i shkëlqyer që shihet përqark një sendi të ndritshëm. Brerore drite. Brerorja e Hënës. Brerorja e Diellit. Ndrit si brerore. Brerore e lëbyrtë qiellore.
2. fet. Kurorë e ndritshme e pikturuar mbi kokat e shenjtorëve, për të treguar shenjtërinë e tyre. Brerore e artë. Brerorja e shenjtërisë.
✱Sin.: aureolë, kurorë, lëmë.
CUNGÚAR (i, e) mb. 1. Që është cunguar; që ka mbetur vetëm cung. Dru i cunguar. Trup i cunguar.
2. I gjymtë (për gjymtyrët). Krah i cunguar.
3. edhe fig. Që është shkurtuar a është zvogëluar dhe ka mbetur i mangët; i gjymtuar. Artikull i cunguar. Program i cunguar. Kërkesa të cunguara. Të drejta të cunguara. Fjalë e cunguar. Në mënyrë të cunguar.
✱Sin.: i prerë, i trunguar, i trupuar, i trupëzuar, i gjymtuar, i sakatuar, i gjymtë, i gjymtuar, i sakatuar, i paplotë, i mangët.
KONVALESHÉNC/Ë,~A f. mjek. 1. Periudhë e rimarrjes së shëndetit nga koha kur i sëmuri ka dalë nga spitali deri në përmirësim a në rehabilitim të plotë.
2. Mënyra si bëhet ky rehabilitim, duke pushuar disa ditë në shtëpi ose në një vend të zgjedhur klimaterik etj.
3. Koha e pushimit dhe vendi ku pushon dikush për rehabilitim. Konvaleshencë e plotë (e paplotë). Konvaleshenca e Durrësit. Jam në konvaleshencë.
✱Sin.: rehabilitim, pushim.
MÁS/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Njësi matjeje (e gjatësisë, e peshës, e vëllimit etj.); diçka që përdoret si mjet për të matur gjatësinë, vëllimin, peshën etj.; enë (gotë, tenxhere etj.), vëllimi i së cilës njihet dhe shërben si njësi matjeje për diçka zakonisht të lëngshme, si pluhur a kokrra-kokrra; sasia e lëndës që nxë një enë e tillë. Masë e madhe (e vogël). Masë drithi (mielli). Masë vaji (rakie, vere). Masë njëlitërshe. Masë gjatësie. Sistemi metrik i masave. Zyra e kontrollit të peshave dhe të masave. Mori një masë sheqer.
2. Vlera e një madhësie, e shprehur në njësi matëse; përmasat e diçkaje (gjatësia, gjerësia etj.), që duhen për të bërë një veshje, një pajisje etj. Masa e trupit. Masa e këmbës (e këpucës). Masa e enës. I mori masën. Janë prerë me një masë.
3. edhe fig. Madhësia a sasia e diçkaje; madhësi a vlerë që merret për krahasim. Në të njëjtën (në po atë) masë. Në masë të barabartë. Nuk duhen matur me të njëjtën masë.
4. fig. Kufi, cak; shkallë. Tej (jashtë) mase tepër, jashtë çdo kufiri. Ndjenja e masës njohja e një caku që nuk duhet kaluar në veprime, në qëndrimet ndaj të tjerëve etj. E kaloi masën e teproi. Në një masë të madhe. Deri në atë masë sa... Deri në një farë mase. Në masën e duhur. E di masën. Nuk ka masë. U gëzova pa masë u gëzova shumë. Buza me gaz, shëndeti pa masë. (fj. u.).
5. let. Numri dhe mënyra e radhitjes së rrokjeve të theksuara e të patheksuara në llojet e ndryshme të vargjeve. Masa e vargut. Masat e një vjershe.
6. muz. Ndarja e një pjese muzikore në disa pjesë të barabarta, për të formuar ritmin; fragmenti më i shkurtër muzikor i kufizuar me dy vija vertikale, taktII. Masë muzikore. Masë e lirë (e thjeshtë, e përbërë, e përzier, e çrregullt). Masë teke (çifte). Masë simetrike (josimetrike). Masë e plotësuar (e paplotësuar). Masë e paplotësuar krijim metrik i veçantë që fillon me një masë të paplotë metrikisht, të cilën e kompenson me krijimin metrik të masës së fundit. Masë e përbërë masë që bazohet në bashkimin e disa masave të thjeshta. Masë e përzierë masë që bazohet në bashkimin e masave 2 dhe 3 përpjesëtuese (p.sh. 5/8, 7/8, 9/8, 12/8). Masë katërpjesëtuese masë e ndashme në katër gjymtyrë kryesore (p.sh., 4/2, 4/4, 4/8, 4/16), në të cilën koha e parë është fortë, koha e dytë është e butë, koha e tretë është gjysmë e fortë dhe koha e katërt është e butë. Masë tripjesëtuese masë e ndashme në tri gjymtyrë kryesore (p.sh., 3/2, ¾, 3/8, 3/16).
✱Sin.: përmasë, madhësi, sasi, shkallë, nivel, kufi, cak, karar, takt, matës.
♦ E kaloi (e kapërceu) masën (dikush) e teproi, e kapërceu cakun e lejueshëm a të pranueshëm; e kaloi (e kapërceu) kufirin; ia nxori bishtin (diçkaje). E ka *ndjenjën e masës (dikush) libr. Nuk i vë masë gojës (dikush) nuk përmbahet, flet të lara e të palara, flet shumë e pa përgjegjësi; nuk i vë fre gojës.
MBÁJTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Veprimi ose gjendja kur mbaj dikë a diçka ose kur mbahem nga dikush a diçka. Mbajtja e anijeve nëpër porte. Mbajtja e makinave (e biçikletave, e armëve). Mbajtja e frymës gjatë zhytjes në ujë. Mbajtja e lidhjeve me të afërmit jashtë shtetit. Mbajtja e mbledhjes (e konferencës, e kongresit). Mbajtja e llogarisë (e procesverbalit). Mbajtja e ligjëratave (e leksioneve). Mbajtja e çmimeve në nivel normal. Mbajtja e pushtetit me çdo kusht. Mbajtje (nga pagesa) për garanci (bank.) përqindje parash që një punëdhënës ose një individ mban si garanci për punën e paplotë ose të pasaktë të kryer nga i punësuari.
OPÁK,~E mb., 1. fiz. Që nuk e lë dritën të kalojë nëpër të; i patejdukshëm; kund. i tejdukshëm, transparent. Lëndë (cipë) opake. Sfond opak. Atmosfera është opake. Materialet që nuk transmetojnë dritë quhen materiale opake. Uji u bë opak pas shirave.
2. fig. Që nuk kuptohet lehtë, i paqartë, i mbyllur në kuptim. Teksti i tij poetik është opak, plot simbole që kërkojnë interpretim. Mendimi opak i asaj kohe dhe i atyre njerëzve. Ekzistenca jonë do të ishte e paplotë dhe opake.
PAMJAFTÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk mjafton për të përmbushur nevojat ose kërkesat e duhura, që nuk del a nuk arrin; i mangët, i paktë; kund. i mjaftueshëm. Sasi e pamjaftueshme. Mjete të pamjaftueshme. Kohë e pamjaftueshme. Është e pamjaftueshme që...
2. Që nuk është në shkallën e duhur, i pakënaqshëm; kund. i mjaftueshëm. Njohuri të pamjaftueshme. Punë (përgatitje) e pamjaftueshme. Kujdes i pamjaftueshëm.
✱Sin.: i pamjaftë, i paktë, i mangët, i papërsosur, paplotë, i varfër, i pakënaqshëm, i dobët, kreshmor.
PAPLÓTË (i, e) mb. Që i mungon diçka, që nuk është i plotë; i mangët; i cunguar; kund. i plotë. Listë e paplotë. Numër i paplotë (mat.) numër që ka edhe pjesë të dhjeta, të qindta etj. Fjali e paplotë (gjuh.) fjali, së cilës i mungon njëra nga gjymtyrët kryesore ose së cilës i mungojnë të dyja gjymtyrët.
✱Sin.: i mangët, i cungët, i cunguar, i paplotësuar, mungesor.
PAPLOTËSÍ,~A f., libr. Të qenët i paplotë, paplotshmëri; kund. plotësi. Paplotësi e përsëritur.
PAPLOTËSÚAR (i, e) mb. 1. Që nuk është plotësuar tërësisht, i paplotë; kund. i plotësuar. Vend i paplotësuar. Shumë e paplotësuar.
2. Që nuk është mbushur me shkrim, i bardhë; kund. i plotësuar. Formular i paplotësuar. Skedë (kartelë) e paplotësuar.
3. Që nuk është zbatuar a kryer plotësisht; që nuk është çuar deri në fund, i pakryer; kund. i plotësuar. Detyrë e paplotësuar. Porosi e paplotësuar.
4. Që nuk është përmbushur; kund. i plotësuar, i përmbushur. Dëshirë e paplotësuar. Nevoja të paplotësuara.
✱Sin.: i paplotë, i bardhë, i pashkruar, i pakryer, i papërfunduar, i pambaruar, i pambushur, i pambyllur, i papërmbushur, i pazbatuar, i pajetësuar.
PJÉSSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka të bëjë vetëm me një pjesë a me një anë të diçkaje, jo i plotë; që përbën një pjesë të një të tëre; që bëhet vetëm në një pjesë të diçkaje, i kufizuar. Tregues të pjesshëm. Rregullim (përpunim) i pjesshëm. Ndryshime të pjesshme. Zgjidhje e pjesshme. Frenim i pjesshëm (psikol.) Prova të pjesshme. Përvojë e pjesshme. Kërkesa (nevoja) të pjesshme.
2. Që ka të bëjë me një njeri, me një kolektiv dhe jo me të gjithë njerëzit a me gjithë shoqërinë, që nuk është karakteristik për të gjithë a për gjithçka, i veçantë, jo i përgjithshëm. Zëvendësime të pjesshme. Interesa të pjesshme.
✱Sin.: pjesor, lokal, i paplotë, i kufizuar, i veçantë.
PSEUDOFORMÍM,~I m. Formim i paplotë, formim i gënjeshtërt ose i rremë.
PËRDJÉGI/E,~A f. 1. Veprimi kur përdjeg ose kur përdigjet diçka.
2. Gjendja kur përdjeg ose kur përdigjem.
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa procese nga fusha e mekanikës: Përdjegie e brendshme. Përdjegie e ngadalshme. Përdjegie e njëtrajtshme. Përdjegie e paplotë. Përdjegie e pjesshme. Përdjegie e plotë. Përdjegie e përshpejtuar. Përdjegie normale. Përdjegie pa tym.
PËRGJYSMÚAR (i, e) mb. 1. Që është harxhuar përgjysmë ose gati përgjysmë; që nuk është më i plotë.
2. Që ka humbur gjysmën e vet; që i ka mbetur pothuajse gjysma e vet. Popullsia e fshatit del e përgjysmuar.
3. Që nuk shqiptohet qartë, që flitet si nëpër dhëmbë ose me gabime e të meta. Fjalë (shprehje) të përgjysmuara. Fliste me një shqipe të përgjysmuar.
✱Sin.: i gjysmuar, i cunguar, i paplotë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë