Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PANORAMÍK,~E mb., libr. 1. Që ka pamje të bukur natyrore. Vend panoramik.
2. spec. Që rrok gjithë pamjen përqark, që përfshin gjithë pamjen rreth e rrotull. Dylbi panoramike. Tunel panoramik (ndërt.) tunel betoni, pa gërmime nëntokësore, me hapësira drite nga njëra anë gjatësore e tij, i cili mbron rrugën nga rrëshqitja e gurëve dhe e dherave.
3. Që paraqit në mënyrë të përgjithshme dukuritë e çështjet e një fushe, tërësor, i përgjithshëm. Vështrim panoramik. Pasqyrë panoramike. Në formë panoramike.
✱Sin.: i bukur, i përgjithshëm, tërësor, panoramor.
PËRGJÍTHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i përbashkët ose karakteristik për një tërësi njerëzish, sendesh a dukurish, që u përket të gjithëve ose një numri të madh njerëzish, sendesh etj.; kund. i veçantë; i posaçëm. Parime të përgjithshme. Tipare (karakteristika) të përgjithshme. Trajta më e përgjithshme e një fjale. Mënyra më e përgjithshme e shqiptimit. Rregull i përgjithshëm.
2. Që përfshin të gjithë anëtarët e një popullsie, të një grupi njerëzish etj.; që bëhet për të gjithë njerëzit ose nga të gjithë njerëzit; kund. i pjesshëm. Votim i përgjithshëm dhe i fshehtë. Arsim i përgjithshëm. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
3. Që prek diçka në tërësi, që e përfshin të tërën që ndodh ose që bëhet në përpjesëtime të gjera a në një hapësirë të madhe, që e përfshin të gjithë. Mobilizim i përgjithshëm. Rrëmujë e përgjithshme. Dobësi e përgjithshme e organizmit.
4. Që përfshin të gjitha sendet a dukuritë e një kategorie pa përjashtim; që bëhet në mënyrë tërësore dhe rrënjësore, i plotë; kund. i pjesshëm. Pastrim i përgjithshëm. Kontroll i përgjithshëm.
5. Që merret në tërësi, që merret i gjithë, tërësor. Prodhimi i përgjithshëm industrial. Vëllimi i përgjithshëm i qarkullimit të mallrave. Numri i përgjithshëm i popullsisë.
6. Që lidhet drejtpërdrejt me pjesën më të madhe të popullit, që i përket gjithë popullit ose shumicës dërrmuese të tij, që është i të gjithëve, që ka të bëjë me gjithë shoqërinë; që është pranuar nga të gjithë; kund. vetjak. Lumturia (e mira) e përgjithshme. Mendimi i përgjithshëm. Interesi i përgjithshëm.
7. Që ka të bëjë me natyrën, me botën reale e me shoqërinë në tërësi; që e formon njeriun në përgjithësi; kund. i veçantë; profesional. Ligjet e përgjithshme të natyrës (të shoqërisë). Kulturë e përgjithshme. Arsim i përgjithshëm. Lëndët e kulturës së përgjithshme.
8. Që është a që bëhet në përgjithësi, që nuk hyn në hollësira. Në vija të përgjithshme. Diskutim i përgjithshëm. I shtroi çështjet në mënyrë të përgjithshme. U shpreh me fjalë të përgjithshme. Si rregull e përgjithshme...
9. Që është në krye të të gjitha degëve a të të gjitha hallkave organizative të një administrate, të një ushtrie etj.; që udhëheq gjithë veprimtarinë e një organi a të një organizate. Komandanti i përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm.
10. mjek. Që prek të gjithë trupin; që vepron mbi të gjithë trupin; kund. i pjesshëm. Sëmundje e përgjithshme. Mpirje e përgjithshme. Bar (helm) me veprim të përgjithshëm.
11. tek. Që është ndërtuar për të kryer punë nga më të ndryshmet, i gjithanshëm, universal; kund. special.
12. shkenc. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa shkencave që merren me studimin e parimeve themelore, teorike dhe përfshijnë konceptet themelore ose japin njohuritë kryesore në fusha të caktuara. Gjeografia e përgjithshme. Historia e përgjithshme. Biologjia e përgjithshme. Kimia e përgjithshme. Gjuhësia e përgjithshme.
13. gjuh. Që emërton një klasë të tërë qeniesh të gjalla, sendesh a dukurish, sipas tipareve të tyre të përbashkëta; kund. i përveçëm. Emër i përgjithshëm (p.sh. njeri, dele, ujk, libër, shkollë, liri, lumturi etj.).
14. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa specialistëve, që punojnë në një fushë të gjerë të veprimtarisë, të prodhimit etj., që nuk janë të specializuar vetëm për një fushë të ngushtë: Agronom i përgjithshëm. Mjek i përgjithshëm. Gjeolog i përgjithshëm.
✱Sin.: i gjithmbarshëm, i gjithunjishëm, i gjithësishëm, i gjithanshëm, universal, frontal, botor, publik, plenar, tërësor, i tërësishëm, total, global, grumbullor, i plotë, kapital, panoramik, i përbashkët.
TUNÉL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Rrugë që hapet nën tokë, duke shpuar tejpërtej një mal, një kodër etj., a nën ujë, që shërben për qarkullim automjetesh, trenash etj. Tunel i gjatë (i madh, i vogël, i gjerë, i ngushtë). Tunel natyror. Tuneli i Kalimashit (i Llogorasë, i Kërrabës, i Murrizit). Tuneli i hidrocentralit. Tunel nënujor. Tunel nëndetar. Makinë tunelesh. Treni nuk duket hyri në tunel. Hapën një tunel. Hyrja (dalja) e tunelit.
2. Zgavër e madhe dhe e thellë, pa dalje nga ana tjetër që bëhet nën dhe ose brenda në një shkëmb për qëllime ushtarake, për mbrojtje etj.; gërfyell. Tunel për strehim. U futën në tunel. Nxorën aeroplanët nga tuneli. Futën armatimin në tunel.
3. tek. Furrë në trajtën e një korridori të ngushtë, që shërben në industri për qëllime të ndryshme. Tuneli i fermentimit. Tuneli i tharjes. Tunele të pjekjes. Thaj në tunel.
4. min. Galeri. Balli i tunelit. Gërmon në tunel.
5. fig. Rrugë me drurë të mëdhenj e të dendur në të dy anët, që mbulohet nga degët e tyre. Tunel i gjelbër. Tunel panoramik (ndërt.) tunel betoni, pa gërmime nëntokësore, me hapësira drite nga njëra anë gjatësore e tij, i cili mbron rrugën nga rrëshqitja e gurëve dhe e dherave. Tuneli panoramik i Pogradecit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë