Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKUZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. drejt. I ngarkoj fajet një të pandehuri në gjyq, ngre akuza kundër dikujt, çoj në gjyq dikë. E akuzuan për shpërdorime. Unë akuzoj. Akuzoi drejtpërdrejt.
2. I hedh fajin dikujt, e quaj fajtor për diçka, fajësoj. Akuzoj për fajësi. E akuzuan rëndë.
✱Sin.: padit, pandeh, fajësoj.
BEH,~U m. 1. Vëmendje e kujdes i madh para diçkaje që vjen papritur, gatishmëri për t'u ruajtur nga befasia; beft. Është pa beh. Eci (rri) në beh. Kam beh. E vë në beh.
2. Gjendje kur diçka e papritur dhe e fshehtë na zë të papërgatitur; befasi. E zuri në beh. I ra (e vrau) në beh. I doli në beh. Gjendej në beh.
♦ Bën beh (dikush a diçka) ndodh papandehur, vjen befas. E bëj beh (për diçka). 1. shih i vë mendjen (diçkaje). 2. Pandeh, kujtoj; më shkon (më vete) mendja. Ia bëj behun (diçkaje) i ruhem diçkaje të papritur ose të fshehtë, rri gati; kam mendjen. S’ia bëj beh (dikujt) shih s’i trembet (s’i fiket) syri (dikujt).
BES/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. edhe jokal. E marr diçka për të vërtetë, pranoj që është ashtu ose që përputhet me të vërtetën, i zë besë; kund. dyshoj. Besoj një lajm. I besoi fjalët. Nuk u besoj shenjave. E beson lehtë diçka. Vështirë ta besosh. Mos i beso gjarprit të ngordhur! (fj. u.).
2. edhe jokal. Kam bindje të fortë se diçka do të kryhet, se diçka është e drejtë a e përpiktë; kam besim se dikush do t’i plotësojë shpresat e mia ose zotimet që ka marrë, mbështetem te dikush, i jap besë. I besoj popullit. I besoj shkencës. Besoj në drejtësinë. Besoj në të ardhmen. Besoj në aftësitë e dikujt. Besoj se do ta vlerësojnë drejt. Besoj në pafajësinë e dikujt. Beso e kontrollo! (fj. u.).
3. I ngarkoj dikujt një barrë a një detyrë ose i jap diçka, duke pasur besim tek ai; ia lë në dorë; i them dikujt një lajm, një të fshehtë etj., duke pasur besim se nuk do t'ia tregojë askujt. I besoi një detyrë. I besuan një vend (një rol). I besoi fëmijët. I besoi një të fshehtë.
4. Jam i mendimit; e quaj të mundshme, kujtoj se..., mendoj se..., pandeh se.... E besoja të humbur. Besoj se po. Besoj se mjafton. Besoj se vjen. Besoj se kështu është. Besoj se e ke gabim. Besoj se do të pranojë.
5. edhe jokal. Kam pranuar një fe, jam fetar.
♦ Nuk u besoj (nuk u zë besë) *syve. Nuk u besoj *veshëve.
DI vep., ~TA, ~TUR kal. 1. Kam njohuri pak a shumë të plota ose të veçanta për diçka, e njoh mirë diçka pasi e kam parë, e kam dëgjuar, e kam studiuar etj.; e kam mësuar diçka, e zotëroj. Di dy gjuhë. E di drejtshkrimin. E di mirë shqipen (frëngjishten, anglishten...). E di mirë rolin. E di zanatin e vet. E di përmendsh (ujë, për fije, në majë të gishtave, me sy mbyllur) e di shumë mirë. S’e di si duhet. Aq di, aq bën. Më mirë të dish se të kesh. (fj. u.). E di gomari ku e vret samari. (fj. u.). E di mesi se ç'ka thesi. (fj. u.). Njeriu që nuk di, turbullon ujin që pi. (fj. u.). E di mirë se kush është. S’di gjë ende. Se di pse u zemërua. Do të dijë gjithçka. E di gjendjen. Siç e di... S’di ç'të them. S'e di ç'kanë vendosur. Me sa di unë nga të dhënat a njoftimet që kam unë, nga ç'kam dëgjuar e ç'kam marrë vesh unë. - E di rrugën? - Di ndonjë mënyrë tjetër?
2. Jam i zoti për të bërë diçka, kam aftësitë e shprehitë e nevojshme për t'i dalë në krye një pune (me një folje në mënyrën lidhore). Di të lexojë (të shkruajë, të vizatojë). Di të notojë. Di t'i bjerë violinës (çiftelisë, pianos...). Di ta rregulloj (ta ndreq). Di të drejtojë (të udhëheqë). Di të sillet. Di të jetojë. Di të arsyetojë. Di ta përmbajë veten. Nuk di të lidhë dy fjalë (bashkë) s'është i aftë t'i shprehë qartë mendimet, mezi flet.
3. Jam i vetëdijshëm për diçka, e kuptoj mirë diçka, ia njoh vlerën e rëndësinë, e çmoj; ruaj masën a kufijtë. Di se ç’bën. E di detyrën time. Ia di vlerën. E di vendin tim. E di masën. As vetë s'e di se ç'kërkon. E di, ai ka shumë punë, por... Kur s’e ke një gjë, atëherë ia di kimetin. (fj. u.).
4. E njoh, e kam provuar a e kam përjetuar diçka. S’e di ç’është rakia (duhani). E di ai ç’është varfëria (uria). S’dinte ç’ishin përkëdheljet. S’dinte të ngopur nuk ngopej kurrë.
5. edhe jokal. Jam në gjendje të kuptoj diçka, marr vesh; kuptoj. Di diçka nga muzika (nga piktura). E bëri pa e ditur. S’ditën nga ikën ikën të shpërndarë. -E di ç’të bëj unë?
6. zakon. moh. (edhe me foljen dua). Nuk i nënshtrohem diçkaje a dikujt, nuk pyes për të, nuk e përfill, nuk trembem, nuk thyhem; nuk merrem kurrë me diçka, nuk e bëj asnjëherë diçka. Nuk di ç’është frika nuk ka frikë fare. S’di ç’është rreziku. Nuk di ç'është gënjeshtra nuk gënjen kurrë. Nuk di ç’është pushimi nuk pushon asnjëherë. Nuk do t’ia dijë nga të ftohtët (nga shiu, nga dëbora, nga balta). S’donin t’ia dinin. Ku do t'ia dijë ai!
7. Pandeh, kujtoj; besoj; mendoj. E dinin njëri-tjetrin të vrarë. E kam ditur njeri me mend. E dinim për njeri të mirë. Unë kështu e dija.
8. Ngulit në mend; mësoj. - Dije mirë. – T’i dish numrat përmendsh. - Dije se ai është shoku im.
✱Sin.: njoh, çmoj, kuptoj, pandeh, kujtoj, besoj, mendoj, mësoj.
♦ Një *avaz di (dikush). S’di tjetër *avaz (dikush). E di edhe *bufi! (diçka) tall. Ia di (ia njoh) *burmat (dikujt a diçkaje). I di *bytha (dikujt) tall. vulg. Ia di *çarkun (dikujt). Nuk di *fjalë (dikush). Ia di *gjuhën (dikujt). E di Gjoni çfarë ka *trasta (thesi). S’di *këngë tjetër (dikush). Ia di *kimetin (dikujt a diçkaje). Kjo *kockë e di! I di *koka (dikujt). Ia di *kokën (dikujt). S’di *ku të futet (dikush). Nuk di (nuk njeh, nuk ka) *kufi (dikush a diçka). I di *lëkura (dikujt). Ku ta dish? ndoshta, mbase. Di ku *shkel (dikush). E ku di unë … mospërf. e të tjera të tilla; e plot të tjera, që s’kanë rëndësi, që s’më interesojnë. E di ç’ke ti? fj. ndërm. përdoret për t’i tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit, kur i themi për një punë a kur e këshillojmë për diçka. *Djalli (dreqi) e di (e merr vesh)! bised. Dreqi (*djalli) e di (e merr vesh)! bised. Nuk *do t’ia dijë (dikush a diçka). S’do t’ia dijë (s’dëgjon) nga ajo *anë (dikush). E di edhe *lopa (diçka) tall. Nuk di *llafe. Ia di për *të mirë (dikujt). Ia di për *nder (dikujt). Ia di *pirrën (dikujt). I di *rradakja (dikujt) bised. Nuk ia di *skajin (diçkaje). Di ku *shkel (dikush). Ia di mirë *shtegun (shtigjet) (diçkaje). Nuk ia di *tymin (dikujt a diçkaje). Ia di (ia njoh) *vidhat (dikujt a diçkaje). Ia di *vlerën (dikujt a diçkaje). Një *Zot e di!
►DÚK/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Jam në një vend ku mund të më shohin të tjerët,. Duket mali (fusha, qyteti, fshati). Duken dritat. Dukej mirë (qartë). Duket nga lart. Sa mezi duket. Fshihu se dukesh!
2. Shfaqem përpara syve të dikujt, dal në një vend ku më rrok syri i dikujt a ku vihem re mirë nga dikush, shfaqem; kund. zhdukem. U duk dielli (hëna). U dukën re të zeza. U dukën dy njerëz. U duk atje tej. U duk në horizont. Nuk u duk gjëkundi.
3. bised. Shkoj diku për të parë a për të takuar dikë. Dukej rrallë nga këto anë. - Duku nga shtëpia! - Mos u duk më këtej!
4. Lë një përshtypje a krijoj një ide të caktuar te të tjerët; lë një përshtypje a krijoj një ide tjetër, jo të saktë ose të gabuar, lë përshtypjen sikur jam i tillë, shfaqem si...; shëmbëllej me dikë a me diçka. Duket i ri (plak, i shëndoshë, i sëmurë, i lodhur, i gëzuar, i hidhëruar, i lumtur). Duket si i përdorur. Duket si i vëllai (si e motra). - Si të duket? Kushedi s’i duket vetja vlerëson shumë veten, mbahet me të madh.
5. vet. v. III (zakonisht me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam një mendim, një ide ose një përshtypje të caktuar për dikë a për diçka; kujtoj se është kështu ose ashtu, më ngjan, më bëhet sikur, pandeh. Më duket i drejtë (i padrejtë). M'u duk shumë i nxehtë (shumë i ftohtë). Më duket se është nisur mund të jetë nisur. Më duket e udhës. S'më duket gjë dikush a diçka s’e vlerësoj fare, s'ma mbush syrin; s'më tërheq, s'më hyn në sy. - Kështu më duket. - Si të të duket më mirë. - Më duket se ka të drejtë.
6. Jam në një gjendje të caktuar trupore a shpirtërore, ndihem; jam; kam këto ose ato përfu-ndime, arritje në punë a në jetë; shkoj. Sot duket më mirë (më keq). - Si dukesh me shëndet? - Si duket sot i sëmuri? - Si duken punët? - Si dukesh me punë?
7. Shfaq veten përpara të tjerëve me të gjitha vetitë e tiparet që kam, zbuloj vetveten, e tregoj kush jam. U duk se kush është. Miku i vërtetë duket në ditë të vështira. (fj. u.). Kapiteni i mirë duket në furtunë.( fj. u.).
8. keq. Përpiqem të dal mbi të tjerët, bëj çmos që të bie në sy a të dallohem për çdo gjë. Kërkon (i pëlqen) të duket. Nuk punon për t'u dukur. Se bëri për t’u dukur. Puno, se duhet punuar, jo për të dukur e lavdëruar. (fj. u.).
9. bised., vet. v. III Dallohet qartë (nga tiparet, nga cilësia, nga shenjat, nga trajta a pamja e jashtme etj.), vihet re, bie në sy menjëherë; është fare e qartë, merret vesh, kuptohet; mund të merret me mend qysh tani përfundimi i një pune; ndihet. Duket puna (dora) e dikujt. Duket ndikimi i dikujt a i diçkaje. U duk kjo punë. Duket sheshit. Duket që është i ri (i vjetër, i përdorur, i mbajtur, i paprekur, i shëndoshë). Duket që është i përgatitur (që ka mësuar). Duket që është vepër e mirë. Duket që e duan shumë njëri-tjetrin. Siç duket... (fj. ndërm.). Me (nga) sa duket... (fj. ndërm.). Kur të jesh në dhe të huaj, dita të duket një muaj. (fj. u.). Stani duket në të pjellë, ara duket në të mbjellë. (fj. u.).
10. bised., vet. v. III Botohet, del në qarkullim, del në dritë. Kohët e fundit janë dukur shumë vepra të reja.
✱Sin.: shihem, diktohem, zbulohem, dallohem, shquhem, përfaqem, vizatohet, buthtohet, mbij, stërditem, tregohem, dëftohem, tregoj, rrëfej, ngjan, tingëllon, shëmbëllej, përngjaj, ngjaj, pandeh, ngjason, bëhet, vjen, vërehet, demonstrohet.
♦ Siç duken (siç tregojnë) *bathët... S’i duket (s’i gjendet) *binaja (dikujt a diçkaje) bised. Nuk i duket (i humbi) *boja (diçkaje). S’më duket *gjë (dikush a diçka). Duket *sheshit (diçka). Kushedi ç’i duket vetja! (dikujt) iron. e vlerëson veten më lart nga ç’është; është dashuruar pas vetes; shet mend (dikush).
KUJT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Sjell ndërmend dikë a diçka që kam parë, kam dëgjuar etj. Kujtoj fëmijërinë (rininë) në fshat. I ngopuri s’e kujton të uriturin (fj. u.).
2. kal. I sjell ndërmend dikujt një ngjarje, një ndodhi etj. të rëndësishme; i përmend. Kujtoj nënën. Ia kujtova ngjarjen (premtimin). Kujto qenin, bëj gati shkopin (fj. u.).
3. edhe jokal. Mendoj; pandeh; kam përshtypjen se... Kujtova se bënte ftohtë. Kujtoj se diçka do të arrijmë të bëjmë.
✱Sin.: përmend, mendoj, pandeh.
♦ Pa *pritur e pa kujtuar.
►MBÁ/HEM jovep., ~JTA (u), ~JTUR 1. vetv. Qëndroj në një gjendje të caktuar pasi jam kapur pas dikujt a pas diçkaje që të mos bie; qëndroj diku pa u rrëzuar; mbështetem diku që të mos bie. Mbahej me shkop. Mbahej me duar (me këmbë). Mbahej pas krahut të nënës. Mbahej pas parmakëve. Mbahej pas meje. Mbahej në degën e një peme. Ecte pa u mbajtur gjëkundi. Mbahej mirë në kalë.
2. fig., vetv. Jetoj, qëndroj e veproj duke u kapur pas diçkaje, duke u përpjekur të përfitoj nga diçka a dikush. Mbahet pas meritave të kaluara. Mbahet pas lidhjeve e krushqive. Mbahet pas fijes së kashtës (pas flokëve të vet).
3. vetv., vet. v. III Qëndron, nuk këputet, nuk thyhet, nuk bie etj.; fig. nuk është prishur ose zhdukur plotësisht, qëndron, rron. Këpucët (rrobat) mbahen ende. E vjetra kërkon të mbahet me çdo mënyrë.
4. vetv. Jam në gjendje të qëndroj, i bëj ballë një peshe, lodhjes etj.; jam mirë me shëndet, nuk më ka mposhtur sëmundja a pleqëria; kam ende forca për të jetuar, për të punuar a për të luftuar, qëndroj, nuk dorëzohem; kam ende mjete a mundësi ekonomike etj. për të jetuar ose për të kryer një veprimtari. Plaku mbahet mjaft mirë. Mezi mbahej më këmbë. S’i mbaheshin këmbët nga lodhja. A mbahesh? si je, si shkon? (përshëndetje). Skuadra u mbajt deri sa i erdhën përforcimet.
5. fig., vetv. Qëndroj i fortë e i patundur moralisht, nuk zmbrapsem para asnjë pengese a vështirësie, nuk më mposhtin dot hallet a fatkeqësitë. Mbahu, mos e lësho veten! U mbajt si trime. Mbahet mirë.
6. vetv. Përmbahem; e mbaj veten. Nuk mbahet nga gëzimi. S’u mbajt pa ia thënë të gjitha.
7. vetv. Tregoj kujdes për veten time; ushqehem, vishem e mbathem mirë; bëj jetë të mirë e të rregullt. Mbahet mirë. Mbahet pastër.
8. edhe fig., vetv. Jetoj, rroj. Njerëzit mbahen me bukë. Bagëtitë mbahen me bar e me kashtë. Nuk mbahet shtëpia me miell hua. (fj. u.).
9. fig., vetv. E quaj apo e vlerësoj veten në një mënyrë të caktuar, e heq veten, e pandeh, sillem në një mënyrë të caktuar; mburrem. Mbahet si i mençur (si budalla). Mbahet si shkrimtar. Mbahej për trim. Mbahet me të madh (rëndë). Mbahet se i di të gjitha. Mbahet si mik i shtëpisë. Si shumë na mbahet!
10. vetv. I qëndroj besnik diçkaje a dikujt, nuk i kapërcej caqet e diçkaje, nuk lëviz; i përmbahem (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). I mbahem mendimit të parë. U mbahet rregullave e udhëzimeve. I mbahet pikë për pikë tekstit.
11. vetv., vet. v. III Më pengohet, më zihet, nuk shkon, nuk lëviz a nuk rrjedh lirisht (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). I mbahet goja. Më mbahet fryma. I mbahej ujët e hollë.
12. fig., bised., vetv. Lidhem me dikë, mbaj anën e tij. Me cilën anë mbahet? Me kë mbahesh ti?
13. vetv., vet. v. III Zhvillon punimet, bëhet. U mbajt një mbledhje e rëndësishme. U mbajtën punimet e Kuvendit. U mbajt një kongres.
14. pës. e MBAJ.
✱Sin.: mbështetem, jetoj, veproj, kapem, qëndroj, rroj, përmbahem, shtirem, pengohet, zë, bëhet, zhvillohet, lidhem, ruhet, quhem.
♦ Mbahet *gjallë (dikush a diçka). Mbahet më *këmbë (dikush a diçka). Mbahet më *të madh (dikush). Mbahet *mend (dikush a diçka). Mbahet (varet) në një *qime.
MBAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. E shtrëngoj diçka a dikë me dorë ose me anën e një sendi dhe nuk e lë të bjerë, të shkasë, të lëvizë, të ikë etj. Mbaj gotën në dorë. E mbajti lapsin me dhëmbë. Mbaj karrigen në krahë. E mban drejt timonin. Mbaj fëmijën për dore (për krahu). E mbante fort e nuk e lëshonte. I mbaj pallton (çadrën) dikujt.
2. Qëndroj duke pasur mbi vete diçka a dikë ose e çoj këtë vetë a me një mjet nga një vend në një tjetër; mbart. E mbajti fëmijën (thesin) në kurriz (në qafë, në krahë). Mbanin ujë me bucela. E mbajti me karrocë (me kamion). Nuk e mban dot vetëm.
3. E kam ose e marr diçka a dikë me vete, s’e ndaj nga vetja për një kohë të gjatë; kam; vesh a mbath, përdor si pjesë të veshmbathjes sime, ngjesh pas trupit. Mbante shkop (bastun). Mbaj kartën e identitetit me vete. S’mban gjë nëpër xhepa. Mbante armë. Mban syze. S’mban unaza. Mbanin xhoke me kinda. Mban këpucë me qafa. Mban çorape leshi. Nuk mban kapelë. Mban brez. Mbante rroba pune. Mban mustaqe. E mbaj për (si) kujtim. E mbante djalin gjithnjë pas. I mbajtsh më shëndet! (ur.)
4. fig. Kam një emër a mbiemër, një titull, një dekoratë etj. Mban mbiemrin e mëparshëm (e burrit). Brigada mban emrin e heroit. Mban disa urdhra e medalje (dekorata). E mbajtshi me nder! (ur.)
5. Ndal në vend dikë a diçka, nuk e lë të lëvizë, të ecë a të veprojë më tej, e pengoj të rrjedhë etj.; ndal, ndaloj; pengoj, vonoj. Shoferi e mbajti makinën te sheshi. Mbaje kalin (qenin)! Më mbajti pak në rrugë. E mbajti me fjalë. E mbajti në këmbë. E mbajtën me zor. E mbajtën për darkë. S’e mbajti njeri, vetë qëndroi. Nuk po ju mbaj më gjatë. E mbajti vrapin në oborr. Mbaj këmbët (hapin) ndalem. Mbaj frymën ndal frymëmarrjen. Mbaje dorën! mos qëllo!
6. E përmbaj diçka e nuk e lë të shfaqet a të shpërthejë; ndrydh në veten time (një ndjenjë etj.); e fsheh diçka, nuk e tregoj, nuk e shfaq. Mbaj teshtimën. Mezi i mbajti lotët. E mbajti të qeshurën (gazin). E mbajti zemërimin. Mbaj gjakftohtësinë. E mbaj në zemër (në shpirt). E mban përbrenda. E mbaj të fshehtë. S’mban gjë ai.
7. vet. v. III I lidh e i rrit kokrrat derisa piqen, nuk i bien kokrrat (për një pemë). Kjo mollë nuk i mban kokrrat.
8. E rrit të voglin a pjellën në bark deri sa lind, nuk e dështon (për njerëzit dhe për kafshët). Nuk e mbajti fëmijën, bëri abort spontan. Nuk e mbajti lopa viçin, e dështoi.
9. jokal., vet. v. III Mbarset, ndërzehet (për kafshët). Nuk mbajti lopa.
10. Marr, pranoj diçka nga dikush. Nuk ia mbajti dhuratat (peshqeshin). Mbajti për vete vetëm gjysmat, të tjerat ua dha shokëve.
11. E ndal dikë, nuk e lë të kthehet në vendin a në familjen e vet, nuk e lë të ikë; e detyroj dikë të qëndrojë në një vend a në një gjendje të caktuar; e ndal diçka, nuk e jap, nuk ia kthej diçka të zotit. I mbajtën peng dy fëmijë. E mbajtën tre muaj në spital. E mbajtën pesë vjet në burg. I mbajti dyqind lekë më shumë. S’më mbajti asgjë. S’të mban gjë çfarë ka e jep. Nuk mban gjë (dikush) flet për çdo gjë që di ose që ndien.
12. E bëj të qëndrojë diçka në një gjendje a në një drejtim që i kam dhënë. E mban trupin (shtatin) drejt. E mbante kokën përpjetë. I mbajnë krahët hapur (shtrirë, varur). I mban sytë poshtë (ulur). E mbante gojën mbyllur (kyçur). I mban dritaret hapur.
13. zakon. v. III Është mbështetje për diçka, shërben që diçka të qëndrojë në një gjendje të caktuar, të mos rrëzohet, të mos çahet etj.; i qëndron një force, një peshe, një goditjeje etj., e përballon; nuk thyhet a nuk këputet; është i fortë a i qëndrueshëm, është në gjendje të mirë (edhe fig.). Çatinë e mbajnë trarët. Urën e mbajnë këmbëzat (qemerët). Peshën kryesore të ndërtesës e mbajnë shtyllat. Frontin e mbajtën pesë divizione. Nuk e mbanin këmbët (gjunjët). Si e mban gjithë atë peshë! Ky litar (pe, tel, tra) nuk mban. Kjo fuçi nuk mban ujë (nuk e mban ujin).
14. fig. I siguroj jetesën dikujt, e ushqej dhe e rrit me të ardhurat e mia, kujdesem për dikë; ushqej. Mban pleqtë (fëmijët, shtëpinë). I mbante me bukë. E mbajti gjallë. E mban në pëllëmbë të dorës (me të gjitha të mirat). E mban babai. I mban i biri (e bija). Na mban puna (toka). E mban shteti me ndihma. E mbajnë me bursë.
15. E ruaj ose e lë diçka për një farë kohe në një gjendje të caktuar; e trajtoj dikë në një mënyrë të caktuar ose e lë në një gjendje të caktuar. E mban të ngrohtë gjellën. Kjo sobë e mban nxehtësinë. Kjo tokë nuk e mban ujin (lagështirën). I mban mirë rrobat. E mban pastër shtëpinë. I mban keq fletoret. I mbante mirë (keq) fëmijët. E mbante me hatër.
16. E fut diçka në një vend a në një lëndë të caktuar dhe e lë atje për disa kohë, e vë diku përkohësisht. E mbajnë mishin në frigorifer. E mbaj birrën në akull. E mbajmë djathin në shëllirë. E mbante koburen në xhep (nën jastëk). E mban në dollap (në shishe). I mban paratë në arkën e kursimit. Mbaj mënjanë. E mbante fshehur (në shtëpi).
17. Rrit kafshë a shpendë; kam mbjellë pemë, bimë etj. e kujdesem për to. Mban pula (rosa, derra, lepuj). Mban bletë. Mban mollë (rrush, fiq, kumbulla). E mban për damaz.
18. bised. Zotëroj diçka që e përdor për tregti ose për një veprimtari tjetër; vë në shitje a në qarkullim, shes. Mbante një hotel (një han, një pijetore). Mbante një dyqan. Mbante një gazetë. Mban verë të mirë. Nuk mbajnë pije alkoolike. Kjo librari mban edhe sende shkollore.
19. E ngarkoj dikë të kryejë një punë a detyrë të caktuar në një ndërmarrje a institucion. E mbajtën në kompani si ekonomist.
20. E marr ose e pranoj dikë në shtëpi a në punë për një shërbim a qëllim të caktuar, kam. Mbante qiraxhinj në shtëpi. Mbanin shërbëtorë (hyzmeqarë).
21. Bëj gati diçka për një punë, e shtrij, e hap etj. Mbaje thesin, të të hedh miellin! Mbaje shishen, të të hedh verën! Mbanin çarçafin për të shkundur manat.
22. E lë dikë të vijojë punën ose të kryejë një detyrë të caktuar, nuk e largoj, nuk e heq. Disa vetë i mbajtën në laboratorin qendror. Pjesën më të madhe të punëtorëve e mbajtën në perimore, të tjerët i dërguan në pemishte.
23. fig. E quaj, e vlerësoj, e çmoj dikë a diçka për një tipar a cilësi të caktuar; e kujtoj për të tillë, e pandeh. E mbante për të mençur (për budalla). E mbanin për trim (për frikacak). E mbanin për nxënësin më të zgjuar. E mbajnë për mjekun më të aftë. E mban veten (si) të ditur. E mbajnë veten farefis (të afërt) me të. E mbajnë si romanin më të mirë të kohës sonë. Për kë më mban ti mua? E mbanim për të mirë, po doli i keq.
24. Zbatoj disa rregulla të caktuara në mënyrën e jetesës, në punë etj., bëj siç kërkohet; i vë vetes kufi në të ngrënë e në të pirë sipas disa kërkesave e porosive. I mban të gjitha rregullat. Mbaj porositë (këshillat) e dikujt. Mban pehriz (dietë). S’mbante të kremte. Mbajnë kreshmë. Mbajnë Ramazan.
25. fig. I qëndroj besnik fjalës që kam dhënë ose zotimit që kam marrë. E mbaj fjalën (zotimin). E mbajti besën si burrat.
26. edhe jokal. Eci ose shkoj në një drejtim të caktuar, i bie; nisem. Mbaj krahun (nga e djathta). Mbaj drejtimin. Ia mbajtën drejt (djathtas, majtas, nga lindja, nga jugu). Mbaja bregut e bregut! Ia mbajti për në Durrës. Ia mbajti me të katra. Nga po ia mban? Nuk dinë nga t’ia mbajnë.
27. Përqendroj sytë, mendjen etj. në një drejtim ose në një vend. Vështrimin e mbante nga rruga (nga dera). Aty e mbante mendjen.
28. Lexoj një leksion, një raport etj.; flas për diçka. Mbajti një ligjëratë (një fjalim, një kumtesë, një bisedë). Mbajti raportin. Mban leksione në fakultet.
29. Bëj, organizoj një mbledhje etj.; zhvilloj. Mbajtën një mbledhje (një konferencë, një kongres).
30. Shkruaj diçka; kam e përdor diçka për një punë. Mbaj shënime. Mbaj ditar. Mbajnë dosje të veçanta për çdo çështje. Mbaj protokollin
31. Zë (radhën), rri (në radhë); edhe fig. zë një vend të caktuar (në një radhë, në një renditje a në një shkallëzim). Mbaj radhën. Mban vendin e parë. Mban rolin kryesor.
32. edhe fig. Kam; ruaj. Secili mban vendin e tij. Mbajnë marrëdhënie të mira. Mbaj lidhje të rregullta me dikë. E mbajnë miqësinë. Mbaj qetësi. Mbaj rregullin. Mbaj një minutë heshtje (zi). Mban qëndrim të mirë. Mban përgjegjësi. I mbajmë shpresat lart.
33. bised. Qëlloj dikë a diçka me armë ose me një send tjetër; shënoj me armë përpara se të qëlloj, marr nishan. Ia mbajti me pushkë (me dyfek). Ia mbajti me pëllëmbë. Ia mbajti në kokë (në lule të ballit). Mbaja pak më poshtë (më lart)!
34. Duroj. Nuk e mban rakinë. Nuk mban shaka. Si e mban atë turp? Mban shumë ai.
35. edhe fig. Kam një erë të caktuar, më vjen era; bie erë, kundërmon. Mban erë parfum. Shtëpia mban erë peshk. Dhoma mban erë myk. Mban erë të mirë (të keqe). I mban erë goja. Mban erë formalizëm (burokratizëm) ka formalizëm (burokratizëm).
36. bised. Kërkoj një shumë të caktuar parash për diçka që dua ta shes. Sa e mbante? E mbante lirë (shtrenjtë).
37. vet. v. III Të bën të jesh i ngopur e me energji për një kohë të gjatë. Mishi të mban. Kosi (gjiza) nuk të mban shumë.
38. jokal., vet. v. III Zgjat në kohë, vazhdon (një punë, një udhëtim, një dukuri etj.); rron, qëndron (për veshmbathjet, orenditë etj.). Sa mbajti mbledhja? Shfaqja nuk mbajti shumë. Mbajti deri vonë. Rruga mbajti dy orë. Shiu mbajti gjithë ditën. Dasma mbante një javë. Mbajnë shumë këto këpucë. Mbajnë edhe ca kohë.
39. bised., vet. v. III Nxë, merr. Shishja mban një litër. Ena s’mbante shumë gjellë.
40. muz. Shoqëroj me zë të dytë ose me iso, ia kthej; shoqëroj dikë që hedh valle. Njëri ia merr e tjetri ia mban. Ia mbante vallen. Mbajmë avaz mbajmë iso. Mbajmë kaba mbajmë iso. Mbajmë zënë mbajmë ison.
41. E bëj dikë të presë a të durojë (me premtime, me shpresa etj.) sa për të fituar kohë; vet. v. III ka ende, nuk e ka lënë (shpresa etj.). E mbajti me shpresa (me fjalë, me gënjeshtra). E mbajti me kurajë. E mban shpresa ka ende shpresë, shpreson.
42. bised., vet. v. III Bën (për kohën, zakonisht kur bën kohë e mirë a e përshtatshme për punët bujqësore). Mbajti mirë (butë) koha. Nuk ka mbajtur këtë javë (këtë vit). Ka mbajtur dimër (behar) sivjet.
✱Sin.: mbart, kam, ruaj, përdor, zotëroj, përmbaj, duroj, pranoj, vë, ngre, qëndroj, marr, vesh, ndaloj, ushqej, rrit, quaj, vlerësoj, kujtoj, pandeh, përmbahem, zbatoj, rri, shkoj, përqendroj, zhvilloj, trajtoj, zë, kundërmon, shes, zgjat, rron, shkon, vazhdon, vijon, nxë, bën, lë qëlloj, kam, ruaj.
♦ Nuk ia mban bised. nuk ka guxim për të bërë diçka a për t’i dalë zot një pune; ka frikë. S’kam nga t’ia mbaj s’di si t’ia bëj që të shpëtoj nga një hall i madh, nga një vështirësi etj.; s’di a s’kam ç’të bëj; jam në një gjendje të rëndë e nuk dal dot prej saj; s’i gjej majë vetes. E mbaj *afër (dikë). Mban *anë (dikush). I mbaj *anën (dikujt). I mban *avazin (dikujt). Nuk mban *baltë në vesh (dikush). Nuk i mban *barku (dikujt). Nuk mban gjë në *bark (dikush). I mban *bishtin (i shkon pas bishtit) (dikujt) mospërf. S’mban s’ha (s’ha) *bodec (dikush). Aq sa mban *bryma. S’ia mban *bytha (dikujt) tall. vulg. E mban pas *bythe (dikë) përb. vulg. Mban *dizgjinët (dikush). Mbaj *dorën. Ia mbaj *dorën (dikujt). Mbaj në *dorë (diçka). E mbaj nëpër duar (diçka). S’e mban *dheu (toka) (diçka). Ma mbajtën *dhëmbët (diçka). Mban (bie, vjen) *erë (diçka). I mbaj (i marr) *erë (diçkaje). E mbajti në *errësirë (dikë a diçka). E mban *fjalën (dikush). Mban *flamurin (dikush). Mban *frerët (dikush). E mbaj në *fre (dikë). Mbaj *frymën. E mbajti *frymën (diku). Sa për të mbajtur *frymën. Mbaj *gojën! E mban në *gojë (dikë a diçka). E mban (e merr) nëpër *gojë (dikë a diçka). E mban (e ka) në *grusht (dikë). Më mban *të gjallë (dikush a diçka). E mbaj *të gjallë (dikë a diçka). S’mban *gjë (dikush). Nuk më mbajnë *gjunjët. Mban *hatër (dikush). E mbaj me *hatër (dikë). I mbaj *inat (mëri) (dikujt). I mban *ison (i bën iso) (dikujt). E mbaj nën *jastëk (diçka). S’e mban (s’e ngre) *kandari (diçka). S’i kam mbajtur *kandilin (dikujt). S’mban *kapistër (dikush). Mbaj *këmbët. Nuk më mbajnë *këmbët. E mbaj më *këmbë (dikë a diçka). E mbaj te *këndi (dikë). Ma mban (ma ka) *këngë (dikush). E mbaj (e ruaj) me *kimet (dikë). Mbaj (marr) *krahun (e dikujt). Mbaj *kreshmë shak. I mban *kuleta (dikujt). E mban mbi *kurriz (në shpinë) (dikë). Më mban *kurrizi (shpina) (dikujt). E mbaj *larg (dikë). E mban *lart (dikush). E mban nën *lëkurë (diçka). Nuk ma mban *lëkura (diçka). I mban *lëkura (dikujt). E mban me *limon (dikë). E mbaj si e mbaj (dikë) e çmoj shumë, e nderoj aq shumë sa mbi të s’vë njeri tjetër; e kam (e mbaj) mbi krye (mbi kokë) e lart (e sipër) (dikë); lë kokën (kryet) (për dikë). Mbaj *mend. E mbaj në *mend (diçka). Mbaj *mendjen! E mban *mendjen (te dikush a te diçka). Më mban *mendja (për diçka a te dikush). E mbaj *të ndezur (ndezur) (diçka). S’më mban *ngrohtë (dikush). Mban *pajë (dikush). I mbaj *pajë (dikujt). E mbaj (e kam) *parasysh (diçka). Mbaj *pehriz. E mbaj me *petulla (dikë). E mbaj *përbrenda (diçka). S’i kam mbajtur *pishën (dikujt). E mbaj *pranë (dikë). S’e mban *qielli (diçka). Mbaj *Ramazan shak. S’mban *rend (dikush). I mban *samari (dikujt) tall. Mban (bën) *sehir (dikush) keq. E mban (e ka marrë) nën *sqetull (dikë a diçka). E mban mbi *supe (diçka). I mbaj *sytë (nga dikush a nga diçka). E mban *syrin (një sy) (në diçka). E mban në *shenjë (dikë a diçka). E mbajtsh me *shëndet! iron. Mbaj (marr) *shënim (për diçka) libr. E mban mbi *shpatulla (diçka). S’ma mbajnë *shpatullat (diçka). Më mban shpina (*kurrizi) (diçka). Sa për të mbajtur *shpirtin. Nuk ia mbaj dot *shpirtin (dikujt). S’më mban *toka (dheu). E mban mbi *trup (diçka). Mbaj *udhën! Mbaj *vendin! keq. E mbaj (e mbërthej, e gozhdoj) në *vend (dikë). S’më mban *vendi. Mbaj *vesh. I mbaj *vesh (dikujt a diçkaje). E mbaj *veten. Mban (ka) *vlagë (dikush). E mbajti (e ndali, e la) *vrapin (diku). Ia mbaj (ia ruaj) në *xhep (dikujt). Nuk ma mban *xhepi. E mbaj në *zemër (dikë a diçka). I mban *zërin (dikujt).
MÉNDJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Aftësia e njeriut për të menduar, për të njohur e për të pasqyruar botën, për të arsyetuar e për të gjykuar, që arrihet me anë të veprimtarisë së trurit; arsyeja si veti e njeriut; truri si qendër e veprimtarisë mendore; mend (edhe në një varg njësish frazeologjike). Mendje e shëndoshë. Njeri i penës dhe i mendjes. Aq ia preu mendja. I punon mendja për... Është i mprehtë (i hollë, i trashë, i lehtë) nga mendja. Iu trash (iu hollua) mendja. I pret hollë mendja. E ka mendjen të hollë. I pjell mendja ka aftësi mendore krijuese. E ka mendjen femër. E ka mendjen akull (brisk, qiqër). E shtrydhi mirë mendjen u mendua fort për diçka, e vrau shumë mendjen. E lodh mendjen. Më zien mendja. Gjykon (vepron) me mendje të vet bën ashtu si e mendon e si do vetë, nuk pyet njeri. S’ia kap (s’ia pret, s’ia rrok) mendja. E ka (e tha) nga mendja e vet. E ka nxjerrë nga mendja e vet. S’i ka nga mendja e tij. I është bërë mendja sport (muzikë) (bised.) mendon vetëm për sportin (për muzikën). Bluaj me (në) mendje.
2. bised. Ajo që mendon dikush për dikë a për diçka; pikëpamje, bindje; gjykim, vlerësim, mendim. Sipas mendjes sime... Jam i mendjes që... Jam i një mendjeje me të. Nuk pajtohem me atë mendje. I erdhi një mendje. Ndërroi mendje hoqi dorë nga një mendim i mëparshëm. M’u kthye (m’u ndërrua) mendja nuk e kam me atë mendim që kisha, tashti mendoj ndryshe. Nuk i lot mendja nuk tundet nga mendimi që ka. Ia bleu (ia gjeti, ia zgjodhi) mendjen. Ia di mendjen. Ç’mendje keni për atë? Shkon pas mendjes së tjetërkujt. U vijnë gjithfarë mendjesh. Jam dy mendjesh jam më dysh, ndërdyshas, kam dy mendime, s’di si t’ia bëj. Një mendje më thotë po, një mendje jo jam në mëdyshje.
3. bised. Këshillë, mendim si këshillë; mësim. Më jep një mendje! Donte (kërkonte) një mendje nga i ati. S’e do (s’e pëlqen) atë mendje.
4. Kujdesi e vëmendja që tregojmë për diçka a për dikë, vëmendje. Ki mendjen! ki kujdes!, hap sytë! S’e ka mendjen aty. S’ia vuri mendjen këshillës që i dhanë. E hoqi (e largoi) mendjen nga dikush a nga diçka nuk kujdeset, nuk shqetësohet më për të. I vë mendjen dikujt a) kujdesem për të që të shkojë mirë; b) e dëgjoj me vëmendje. Atje (tek ai) i rri mendja për atë është i shqetësuar, për atë ka merak.
5. Të menduarit. Higjiena e mendjes. E marr me mendje e kuptoj, jam në gjendje ta kuptoj nëpërmjet të menduarit. E kaloi nëpër mendje. E çoj (e shpie) mendjen te dikush a te diçka.
6. Kujtesë, mend (edhe në një varg njësish frazeologjike). E kam (e ruaj) në mendje. Nuk me hiqet (nuk e largoj) nga mendja. E hoqi nga mendja. E fshiu nga mendja nuk e kujton më fare, e harroi krejt. M’u ngul në mendje. Më doli (më iku) nga mendja e harrova fare. Më erdhi (më shkoi, më vajti) në mendje m’u kujtua. E sjell në mendje e kujtoj, e sjell ndër mend. E fut (e shtie) në mendje.
7. fig. Njeriu si bartës i të menduarit; njeri me aftësi mendore në një gjendje a në një shkallë të caktuar. Mendje e ndritur (e madhe). Mendje e re (e vjetër). Mendje krijuese. Mendje e ngushtë (e thatë, e mykur). Mendjet më të shquara të njerëzimit.
8. bised. Qëllim, synim. Kishte mendje të mirë (të ligë). Erdhi me mendje të keqe. Nuk ia dinim mendjen. Ia kuptoi mendjen. Ia njoh mirë mendjen. Me atë mendje që ka, do ta pësojë. Mendja e madhe e zeza e të zot. (fj. u.) mendjemadhi e pëson vetë. Mendja e madhe ta thyen qafën (zverkun). (fj. u.) mendja e madhe e zeza e të zot.
✱Sin.: mend, tru, fiqir, të menduarit, arsye, gjykim, vëmendje, kujdes, mendim, kujtesë, këshillë, qëllim, synim.
♦ Me *akull të mendjes. Iu arratis mendja (dikujt) u shpërqendrua fare; u hutua krejt; i bredh mendja në kujtime, në vende të largëta, në ngjarje të jetuara etj.; i bredhërin mendja. Aq ia arrin (ia pret) mendja (dikujt) mospërf. aq di e aq mund të kuptojë; nuk është shumë i zgjuar, është i kufizuar në arsyetim; aq e ka. I është bërë mendja... e ka gjithnjë mendjen te diçka, mendon vazhdimisht vetëm për të; i është bërë koka...M’u bë mendja (koka) *bozë. M’u bë mendja *çarçaf. M’u bë mendja *çorap. M’u bë mendja (koka) *çorbë. M’u bë mendja (koka) *dhallë. M’u bë mendja *havale. M’u bë mendja (koka) *lëmsh. M’u bë mendja (koka) *llum. M’u bë mendja (koka) *përshesh. M’u bë mendja *top (për diçka). M’u bë mendja (koka) *tym. M’u bë mendja *ujë. M’u bë mendja *veri. Ia bëj mendjen (kokën) *bozë (dikujt). Ia bëri mendjen *çapraz (dikujt). Ia bëj mendjen *çarçaf (dikujt). Ia bëj mendjen *çorap (dikujt). Ia bëri mendjen *çorbë (dikujt). Ma bëri mendjen (kokën) *dhallë (dikush).Ia bëri mendjen *firifiu (dikujt). Ia bëj mendjen *hirrë (dikujt). E bën mendjen *hu (dikush). Ia bëj mendjen *livadh (dikujt). Ma bëri mendjen *mulli (dikush).E bëra mendjen *okë. Ia bëri kokën (mendjen) *përshesh (dikujt). Ia bëri mendjen *pordhë (dikujt) bised. vulg. E bëra mendjen *pupa. Ma bëri mendjen (kokën) *sallatë (dikush). E bëra (e mblodha) mendjen *top (për diçka). Ia bëj mendjen (kokën) *tym (dikujt). Ia bëri mendjen *ujem (dikujt). Ma bëri mendjen *ujë (dikush a diçka). Ia bëri mendjen *veri (dikujt). Ra në mendje (dikush). 1. Erdhi në gjendje normale, kupton se ku është, ç’po ndodh etj.; e mblodhi mendjen; erdhi në vete; ra në vete. 2. U kujtua; i shkoi (i vajti) mendja (dikujt); i shkoi ndër mend (dikujt). I ra në mendje (dikujt). 1. Nuk i hiqet mendimi për dikë a për diçka, për atë mendon vazhdimisht; iu ngul (iu ngulit) në mendje. 2. Kujtohet për dikë a për diçka pas shumë kohësh, i vjen dikush a diçka në kujtesë; e mendon; i ra në tru. I ra mendjes (prapa) (dikush) e mblodhi veten, e kuptoi më në fund diçka; u bë më i zgjuar; erdhi në udhë (të mbarë). Bie në një mendje (me dikë) pajtohem në mendim me dikë; merrem vesh, kuptohem me të; i puq fjalët. I blej mendjen (dikujt) e gjykoj dhe e kuptoj se ç’mendon për një çështje të caktuar a për diçka; e marr vesh se ç’ka ndër mend të bëjë, duke e hetuar e duke e ngacmuar që t’i zbuloj mendimin. E bluaj në mendje (diçka) e mendoj mirë e mirë dhe për një kohë të gjatë, e rrah me vete nga të gjitha anët; bluaj me mend. I bredhërin mendja (dikujt) është i shpërqendruar, është i shpërndarë e i hutuar, mendon për gjëra të ndryshme kalimthi; nuk përqendrohet dot në një gjë, shikon si i hutuar, nuk e ka mendjen aty; është si i çoroditur; iu arratis mendja; i kullot mendja (gjetkë); i fluturon (i ikën) mendja3; kullot retë (dikush). M’u çakërdis mendja u hutova krejt e nuk di si të veproj; m’u prish mendja. Çalon nga mendja (dikush) keq. shih nuk ka (as) pesë (as dy) para mend (dikush).E çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka) nis të mendoj për dikë a për diçka; e sjell ndër mend (dikë a diçka); e hedh mendjen; kund. e heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka). Më doli nga mendja (diçka) e harrova fare; më doli (më iku) nga mendtë; më iku nga trutë. I ka dalë mendja mbi kapë (dikujt) keq. shihi bie kashtës përmbi kalli (dikush). (Del) mendje mbi mendje (dikush) iron. del mbi të gjithë, e bën veten për më të zgjuarin; i duket se po thotë mendimin më të zgjuar. Ma do mendja besoj; kujtoj se...; ma ha (ma merr, ma pret) mendja; ma thotë mendja; shkoj (vete) me mendjen se... I ecën (i bredhërin) *gjuha para mendjes (dikujt). M’u errësua mendja. 1. Nuk e kam mendimin aq të qartë, jam i turbulluar e nuk mendoj si duhet; m’u turbullua (m’u mjegullua) mendja. 2. Më hipi inati a zemërimi dhe nuk arsyetoj më, humba kontrollin e vetes dhe nuk di ç’bëj; m’u veshën sytë. Ma errësoi mendjen (dikush a diçka) më bëri të mos i shoh më gjërat qartë ashtu siç janë e të veproj gabim; ma turbulloi (ma mjegulloi) mendjen. I ka fërshëllyer mendja (dikujt) tall. e vlerëson veten më shumë nga ç’është, i pëlqen vetja e mburret; i ka hyrë vetja në qejf (dikujt); mbahet më të madh (dikush); shet mend (dikush); i është rritur mendja; është dashuruar me vetveten (dikush). E fjeti mendjen (dikush) është i qetë për diçka; e hoqi merakun, nuk shqetësohet më, është i sigurt për diçka që pret, për një porosi etj.; e hodhi (e vuri) festen (qeleshen, kapelen, takijen) mbi sy; e hedh (e vë) këmbën mbi këmbë; i shtiu veshët në lesh. Më fle mendja (te dikush a te diçka) kam besim të plotë te dikush a te diçka; jam i qetë e i sigurt plotësisht; qetësohem, duke u bindur për diçka a duke i besuar diçkaje; jam i vendosur; m’u mbush mendja; më fle kandari. Më fluturoi (më iku) nga mendja (diçka) e harrova shumë shpejt, nuk kujtohem më për të; e harrova pa dashje; më doli nga mendja; më doli (më iku) nga mendtë. I fluturoi (i iku) mendja (dikujt). 1. U çmend dikush, shkalloi; po i luan mendja (e kokës); i kapërceu (i kaloi) mendja. 2. U hutua fare, s’është në vete, s’e di ku është a ç’të bëjë; i ka mendtë në tra (nga trarët) (dikush); i ka mendtë në tufë të festes (dikush).3. (diku). I shkoi mendja gjetkë, mendoi për diçka tjetër; i bredhërin mendja; i livadhis mendja; i kullot mendja (gjetkë). E fshij (e shlyej) nga mendja (dikë a diçka) e harroj përfundimisht, nuk dua të mendoj fare për të; nuk e kujtoj më; e fshij (e shlyej) nga kujtesa; e heq (e fshij) nga koka. Ia fut (ia shtie) në mendje (dikujt) ia kujtoj; e bëj të kujtohet ose të mendojë për dikë a për diçka; ia fut (ia shtie) në mend. E gënjen (e rren) mendja (dikë) ashtu kujton, gabon duke e marrë diçka si të vërtetë; shpreson më kot, gënjehet, mashtrohet; bën dy pendë me tre qe (dikush).E gjen mendjen (dikush) është i zgjuar, i kap a i zbulon gjërat shpejt; e zgjidh vetë problemin që ka; bën atë që duhet bërë; më në fund e kupton; e ka mendjen femër; i pjell mendja (dikujt). Gjeti mendja mendjen mendojnë njëlloj si njëri e tjetri, të dy një kokë kanë; gjeti tenxherja kapakun keq. Me *gjysmë mendje. Më ha mendja (për dikë a për diçka) dyshoj, kam dyshim për dikë a për diçka; më ha zemra (te dikush a te diçka); më gërryen zemrën (dikush a diçka). Ma ha (ma merr, ma pret) mendja besoj se..., kujtoj se..., më duket se...; ma do mendja; ma thotë mendja; shkoj (vete) me mendjen se...Hajde mendje, hajde! iron. ama ç’mendje më paske! (kur dikush bën diçka të papëlqyeshme, të çuditshme a mendon gabim). E hedh mendjen nis të mendoj për dikë a për diçka; e kujtoj si rastësisht e shkarazi; e çoj (e shpie) mendjen. E heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka) nuk mendoj më për dikë a për diçka, e harroj; nuk kujdesem e nuk shqetësohem më për dikë a për diçka; e heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka);kund. e çoj (e shpie) mendjen (te dikush a te diçka).E heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka) e harroj krejt, s’e kujtoj më kurrë; e heq (e largoj) mendjen (nga dikush a nga diçka);kund. e ngul (e ngulit) në mendje. I ka hipur mendja mbi kësulë (dikujt) shihi ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt).I ka hipur mendja në qafë (në qiell) (dikujt) është bërë shumë mendjemadh; i pëlqen shumë vetja; i është rritur mendja. Nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja (dikush a diçka) s’e harroj dot kurrë, më kujtohet vazhdimisht, më është ngulitur në kujtesë; nuk më hiqet (nuk më shkulet, nuk më shqitet) nga mendtë; më rri mendja (te dikush a te diçka);(atje) e kam mendjen; më ka mbetur (më ka ngelur) në mendje; s’më hiqet nga koka; e kam plagë në zemër (diçka).I është holluar mendja (dikujt) është bërë më i zgjuar, është bërë më i ditur e më i mprehtë; i është holluar truri; kund. i është trashur mendja. Humbi mendjen (dikush) është dhënë aq shumë pas dikujt a pas diçkaje, sa s’është më në gjendje të gjykojë në mënyrë të shëndoshë; u harrua pas dikujt a pas diçkaje, nuk mendon për gjë tjetër; la mendjen; humbi mendtë (e kokës); s’është në vete. I iku (i fluturoi) mendja (dikujt) u çmend, lajthiti; iku nga mendtë (dikush); luajti nga mendja (dikush); luajti mendsh (nga mendtë) (dikush); doli mendsh (dikush); u prish nga mendja (dikush); u prish nga mendtë (mendsh) (dikush).Është afër mendjes (diçka) kuptohet vetvetiu, është fare e qartë; është afër mendsh; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; s’do fjalë; kund. është jashtë mendjes. Është më afër mendjes (diçka) ka më shumë të ngjarë, është më e mundshme; lë të kuptohet vetvetiu; është më afër mendsh. (Jam) me dy mendje s’di si të veproj a ç’anë të marr; nuk kam vendosur ende të bëj diçka, mund të pranoj ose mund të mos pranoj, jam mëdyshas; e kam (mendjen) më dysh; përkundem në dy djepe. Është *fushë nga mendja (nga mendtë, nga koka) (dikush) mospërf. Është *fyell nga mendja (nga mendtë, nga koka) (dikush) mospërf. Është jashtë mendjes (diçka) as që mund të mendohet diçka, s’ta pranon arsyeja, nuk mund të pajtohesh me të; s’ka të ngjarë, është i paqenë; është larg mendsh; kund. është afër mendjes. Është *kërcu nga mendja (dikush). Jam në një mendje (i një mendjeje) (me dikë) mendoj si dikush, pajtohem në mendim me të, nuk kam mendim tjetër nga ai; kam një mendje (me dikë).Është *poç nga mendja (nga koka) (dikush). Është *pupël (nga mendja) (dikush). Është *qyp nga mendja (nga koka) (dikush). Është *trëndelinë nga mendja (dikush) mospërf. Është *trokë nga mendja (dikush) keq. Jap një mendje propozoj diçka; jap një mendim se si mund të zgjidhet a të bëhet diçka. Ka katërqind mendje (dikush) nuk ka një mendim të përcaktuar qartë; i vijnë mendime të ndryshme; ndryshon shpejt mendim, nuk është i qëndrueshëm në një mendim. E ka mendjen (dikush). 1. Mendon të bëjë diçka; ka ndër mend. 2. shih e mban mendjen (te dikush a te diçka). Kam mendjen. 1. Ruhem, kam kujdes. 2. Mendohem mirë para se të bëj diçka, jam i kujdesshëm; hap sytë. Kam një mendje (me dikë) mendoj njësoj si ai; kam të njëjtën mendësi a mënyrë të menduari; jam në një mendje (i një mendjeje) (me dikë). E ka mendjen *aguridhe (dikush) keq. E ka mendjen *akull (dikush). E ka mendjen *brisk (dikush). E ka mendjen *çarçaf (dikush). E kam mendjen (kokën) *çorbë. E ka mendjen *esëll (dikush). E ka mendjen *femër (dikush). E ka mendjen *fije peri (dikush). E ka mendjen *firifiu (dikush). E ka mendjen *të fjetur (dikush). Ka mendje të ftohtë (dikush) e ka gjykimin të kthjellët; mendon e arsyeton me gjakftohtësi, qartë e me logjikë të shëndoshë; e ka mendjen akull. E ka mendjen (trurin) *fushë shpërf. E ka mendjen *të hollë (dikush). E ka mendjen *hu (dikush). E ka mendjen *kobure (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) në *kokë (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) prapa *kokës (dikush). E ka mendjen *të kthjellët (dikush). E ka mendjen *të kulluar (dikush). E ka mendjen *lëndinë (dikush) keq. E ka mendjen në *majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). E ka mendjen *të mbledhur (dikush). E ka mendjen *të mprehtë (dikush). E ka mendjen *okë (dikush). E kam mendjen *të prishur. E ka mendjen (i ka mendtë) pas *qafe (dikush). E ka mendjen për *sorra (dikush).E ka mendjen *qiqër (dikush). E kam mendjen (kokën) *rrëmujë. E ka mendjen *të shkurtër (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) pas *shpine (dikush). E ka mendjen *tel (dikush). E ka mendjen *top (dikush). Nuk e ka mendjen (kokën) në *vend (dikush). E ka mendjen *veri (dikush). E ka mendjen *xham (dikush). I kapërceu mendja (dikujt) shih luajti nga mendja (dikush). *Karafil nga mendja (dikush) tall. Nga këmbët *borroviq e nga mendja eksiq mospërf. *Kërcu nga mendja. Të kripsha mendjen! iron. mospërf. shih të kripsha trutë! iron. mospërf. I krisi mendja (dikujt) shih i krisi koka (dikujt). I krisur nga mendja i vrazhdë e i pasjellshëm; jo i arsyeshëm; kokëkrisur; i shartuar në degë përb. M’u kthye (më ndërroi) mendja u binda për diçka dhe nisa të mendoj ndryshe ose të mos bëj atë që kisha menduar më parë; e lashë një mendim të mëparshëm, u tërhoqa nga ajo që kisha vendosur; m’u prish mendja; m’u kthjellua mendja; hoqa dorë. Ia kthej (ia ndërroj) mendjen (dikujt) e bëj dikë të mendojë ndryshe ose të mos bëjë atë që kish menduar më parë; e bind që të ndryshojë mendim ose të tërhiqet nga ajo që kish vendosur; ia prish mendjen. M’u kthjellua mendja. 1. U qartësova e nisa të gjykoj mirë e drejt; më iku lodhja a turbullimi dhe e kujtoj fare qartë diçka. 2. Nuk kam më atë mendim që kisha, mendoj ndryshe; m’u kthye (më ndërroi) mendja. Ia kulloi mendjen (dikujt) e bëri që të njohë mirë e të kuptojë diçka, e bëri t’i shohë gjërat ashtu siç janë; ia shpëlau mendjen; ia shpëlau kokën. I kullot mendja (gjetkë) (dikujt) mendon për dikë a për diçka tjetër ose që ndodhet larg, mendimi i shkon për një kohë të gjatë te dikush a te diçka, nuk e ka mendjen këtu, mendon për shumë gjëra të tjera lirisht e vetvetiu; sodit lirisht; i bredhërin mendja; i livadhis mendja; i fluturon (i ikën) mendja3. S’i kuqet *e bija e mendjes (dikujt) përçm. E laj mendjen (nga dikush a nga diçka) nuk mendoj më për dikë a për diçka, ndërpres së menduar për të; nuk shpresoj më që ta shoh dhe e harroj; e heq (e shkul) nga mendja (dikë a diçka); e hedh (e lë) pas mendsh (dikë a diçka).Është lehtësuar nga mendja (dikush). 1. I është dobësuar kujtesa dhe përgjithësisht aftësia mendore (zakonisht nga pleqëria). 2. tall. Është bërë mendjelehtë; është trëndelinë (nga mendja). La mendjen (pas dikujt a pas diçkaje) u habit shumë, u çudit, u mahnit, mbeti si i shastisur; shkalloi fare, u çmend pas dikujt a pas diçkaje; humbi mendjen; la mendtë (e kokës); humbi mendtë (e kokës); la sytë. E ka lënë mendja (dikë) është bërë budalla; është marrosur, është çmendur; e lanë (e lëshuan) mendtë; e kanë lënë trutë; është prishur nga mendtë (dikush). Të lësh mendjen (pas dikujt a diçkaje) është shumë i bukur, shumë i mirë; t’i marrësh (t’i rrëmbesh) kokën (dikujt); shtie hënën përdhe (dikush); të rrëzon nga kali (dikush). E la mendja në udhë (dikë) u hutua fare, s’është në vete, s’di ku është a ç’duhet të bëjë, u shastis; e humbi toruan (dikush); e humbi busullën (dikush);e humbi si lepuri në thekra (dikush). I livadhis mendja (dikujt). 1. Nuk është i përqendruar, e ka mendjen të shpërndarë, i shkon mendja lirisht nga një gjë në një tjetër; i bredhërin mendja; i kullot mendja (gjetkë); i fluturon (i ikën) mendja3. 2. Ëndërron lirisht për gjëra të paarritshme, fantazon. Lodh mendjen (për diçka) mundohem të kuptoj diçka a të gjej një zgjidhje; përpiqem me këmbëngulje të mësoj a të përvetësoj diçka; vras mendjen; më hahen mendtë (ndër vete); lodh trurin; lodh kokën (kryet). Nuk më luan mendja nuk tundem nga mendimi që kam; jam i vendosur për diçka; nuk ndërroj (nuk kthej) mendje. Luajti nga mendja (dikush) u çmend, shkalloi, lajthiti, shkau; luajti mendsh (nga mendtë); lajthiti nga mendtë; i iku mendja (dikujt); u prish nga mendja; doli mendsh; mori malet. E luajti nga mendja (dikë) e çmendi, e shkalloi; e luajti mendsh (nga mendtë) (dikë). (Po) më luan mendja (e kokës) po çmendem nga dhembje të mëdha, nga shumë shqetësime, telashe a probleme që s’di si t’i zgjidh; s’di ç’të bëj nga gjithë ato halle; po humbas arsyen e gjykimin; po çmendem; (po) më luan (më ikën) kapaku i kokës; (po) më digjet mjekra. Ia mori mendjen (dikujt) shih ia mori mendtë (dikujt). Ma merr (ma ha, ma pret) mendja jam i bindur për diçka; besoj se mund ta bëj një punë a se mund të ndodhë diçka; besoj, kujtoj se...; ma do mendja. Ta merr (ta pret) mendja natyrisht, kuptohet vetvetiu, kuptohet lehtë që ashtu është; s’ka se si të jetë ndryshe; sigurisht, patjetër, s’ka dyshim; s’do mend; është afër mendsh; del (vjen) vetvetiu; merret vesh; s’do fjalë. Merr mendjen (e dikujt) dëgjon vetëm fjalët e dikujt, vepron siç thotë ai, nuk gjykon vetë në mënyrë të pavarur; merr mendtë (e dikujt). I ka marrë mendja (koka) *erë (dikujt). I ka marrë mendja *revan (dikujt) përçm. Mbaj mendjen! kujdes, të mos lajthitësh!; eja në vete!;mos u lësho e mos e humb! E mban mendjen (te dikush a te diçka) mendon vazhdimisht për të, nuk e harron për asnjë çast; e ka mendjen (te dikush a te diçka); i punon mendja; i rreh mendja; i rri mendja; i mbeti (i ngeli) mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka). Më mban mendja (për diçka a te dikush) shpresoj te dikush a te diçka; vetëm nga ai ose nga ajo pres diçka; besoj; kam shpresë; i var shpresat (te dikush a te diçka);e kam syrin (i kam sytë) (te dikush a te diçka); i mbaj sytë (te dikush a te diçka). E mban mendjen në *vend (dikush). I mbeti (i ngeli) mendja (te dikush a te diçka) nuk e harron; i ka bërë përshtypje a ka merak dhe gjithnjë për të mendon; e ka mendjen; e mban mendjen; i punon mendja; i rreh mendja; i rri mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka). Më ka mbetur (më ka ngelur) në mendje (diçka) nuk e harroj dot, për atë mendoj; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja. Më mbiu në mendje (diçka) më erdhi papritur një mendim e m’u ngul në kokë; aty e kam mendjen; më shkrepi në mendje; më mbiu në kokë (në krye); më mbiu në tru. E mblodhi mendjen (dikush). 1. Vendosi për diçka, pasi s’kishte ç’të priste më ose të shpresonte për një gjë; u mendua mirë e u bind të kthehej në rrugë të mbarë; e ndau mendjen; e mblodhi (e ndau) mendjen top; i ra mendjes prapa; i erdhi mendja në vend (dikujt); i thirri mendjes; i vuri gishtin kokës; i shtrëngoi rrathët. 2. U qetësua pasi u sigurua për diçka, nuk ka më frikë a dyshime. Mbuloi *balta baltën përb. Ia mbush mendjen (dikujt) e bind më në fund për diçka, e bëj që të mos jetë më i lëkundur a mëdyshas; ia mbush kokën (kryet). M’u mbush mendja u binda plotësisht për të bërë diçka; e vendosa, s’kam më lëkundje, nuk jam më mëdyshas; jam i bindur e nuk dyshoj më; m’u mbush mendja top; m’u mbush mendja qyp; më fle mendja. Nuk i mbushet mendja (dikujt) nuk bindet a nuk beson për diçka; dyshon shumë dhe s’është i vendosur për diçka; nuk arsyeton mirë; nuk i mbushet koka (kryet); nuk ha arsye (dikush); s’lidhet as për bishti as për krye (dikush); s’i fle kandari. M’u mbush mendja *qyp. M’u mbush mendja *top. Me mendje të arratisur. 1. I shpërqendruar fare; krejt i hutuar, sa s’di si të veprojë; me mendje të çakërdisur.2. Që ka humbur diku, i tretur larg; i shpërndarë. Me mendje të çakërdisur krejt i hutuar, sa s’di si të veprojë; i shpërqendruar fare; me mendje të prishur; me mendje të arratisur. Me mendje të errësuar i paaftë për t’i parë gjërat ashtu si janë, i shastisur. Me mendje të errët me synime të këqija; me gjykim të errësuar. Me mendje të fjetur. 1. I qetë, pa ndonjë shqetësim; i sigurt për diçka që pres; pa merak. 2. I ngathët nga mendja; jo shumë i zgjuar. Me mendje të ftohtë jo i lodhur a i ngarkuar mendërisht, i qartë; që e merr diçka shtruar e me qetësi, i qetë; kund. me mendje të nxehtë. Me mendje të lehtë me mendjelehtësi. Mendja e madhe mendjemadhësia. Me mendje të mbledhur. 1. Duke qenë i vendosur për të vepruar ose për të mos vepruar, kur e ke punën të qartë dhe nuk ke ç’pret më a nuk shpreson më për diçka; pa lëkundje e pa mëdyshje; me mendje të mbushur; me mendje të ndarë. 2. I qetë, pa ndonjë shqetësim; qetësisht; me mendje të shtruar. Me mendje të mbushur i bindur përfundimisht për diçka, i palëkundur, i pamëdyshje; me mendje të mbledhur; me mendje të ndarë. Me mendje të ndarë i vendosur njëherë e mirë për diçka, i bindur e i palëkundur; pa mëdyshje; me mendje të mbledhur; me mendje të mbushur. Mendje e ndritur lart. njeri i ditur, me veti e merita të larta, shumë i ngritur e i shquar; kokë e madhe. Me mendje të ndriçuar (të ndritur) i ditur e i kulturuar; i arsimuar e i civilizuar. Me mendje të ndryshkur keq. që ka mbetur prapa zhvillimit të jetës e të shoqërisë, i prapambetur, i vjetruar, i mykur. Me mendje të ngritur i shqetësuar për diçka, që i punon mendja për diçka, i paqetë; kokën këtu e këmbët atje (dikush); kund. me mendje të shtruar. Me mendje të nxehtë shumë i shqetësuar dhe i nxituar; me inat a me zemërim, i nxehur, i ndezur; me kokë të ndezur (të nxehtë); kund. me mendje të ftohtë. Me mendje të njomë ende i papjekur, si fëmijë; i parrahur në jetë, delikat. Me mendje plot i mençur, i ditur; me kokë plot. Me mendje të prishur i hutuar e i çoroditur, sa s’di ku jam e ç’duhet të bëj; i shqetësuar e i shpërqendruar; me mendje të çoroditur. Me mendje të shtruar duke e parë punën me gjakftohtësi; i qetë; me mendje të mbledhur; kund. me mendje të ngritur. Me mendje të tredhur keq. i mpitë nga trutë, i paaftë të mendojë si duhet, torollak. Me mendje të turbullt (të turbulluar) i hutuar; i trullosur; i paqartë në të menduar. *I metë (çyryk, sakat) nga mendja (nga trutë) (dikush). E ndava mendjen (për diçka) e vendosa një herë e mirë për diçka, jam i bindur e nuk kam më lëkundje; e mblodha mendjen; e mblodha (e bëra) mendjen top; lidha mendjen; i dhashë karar (diçkaje). Ndriçoj mendjen fitoj dije e kulturë, arsimohem, bëhem i ditur. Ia ngriti mendjen (dikujt) e bëri të mendojë me shqetësim për diçka, e nxiti a e bindi që të bëjë diçka sa më shpejt; ia bëri mendjen veri; ia bëri mendjen firifiu. M’u ngrit mendja. 1. Nuk jam më i qetë, e kam mendjen te diçka tjetër që më shqetëson. 2. Më erdhi menjëherë një mendim për të bërë diçka dhe s’rri dot pa e bërë; më shkrepi, më hipi; m’u bë mendja veri. E ngul (e ngulit) në mendje (diçka) e shoh a e dëgjoj me kujdes ose e mësoj shumë mirë që të mos e harroj, bëj që të më mbetet në kujtesë për shumë kohë; e mbaj mend; e ngul (e ngulit) në kokë (në krye); e ngul (e ngulit) në tru; e var (e vë, e mbaj, e kam) vath në vesh; e vë (e fut) në xhep; kund. e heq (e shkul) nga mendja. Iu ngul (iu ngulit) në mendje (dikujt) i ka lënë mbresa të forta e të pashlyeshme sa nuk e harron për shumë kohë; i ra në mendje; iu ngul në kokë; iu ngul (iu ngulit) në tru; i ka rënë në tru të vogël. S’ma nxë mendja (diçka) shih s’ma nxë koka (diçka). E nxjerr nga mendja (dikë a diçka) e harroj vetë, nuk dua të mendoj më për dikë a për diçka; e lë në harresë, nuk dua ta kujtoj; heq dorë nga një mendim. I pëlqen mendja (e vet) (dikujt). 1. Është mendjemadh, i duket vetja si më i zgjuari, s’dëgjon askënd; shet mend (dikush); ika hyrë vetja në qejf; u jep mend të tjerëve (dikush). 2. Vepron në kokë të vet, pa pyetur njeri; i duket e mirë vetëm ajo që bën ai. S’ma përthekon mendja (diçka) shih s’ma merr (s’ma pret) mendja. Piu mendjen (dikush) mospërf. shih u bë tapë (dikush).E pjek mendjen (për diçka) vendos për diçka; e ndaj mendjen; i jap karar. I pjell mendja (dikujt). 1. Është i zoti për të shpikur dhe për të krijuar gjëra të reja; e ka mendjen femër (dikush); i pjell koka; i pjell truri. 2. keq. Sajon gjëra të paqena, trillon. S’ia pret (s’ia kap, s’ia rrok) mendja (dikujt) nuk e kupton, nuk e kap dot diçka; s’i hyn në kokë; s’ia pret koka; s’ia pret truri; nuk ka (as) pesë (as dy) para mend (dikush).I pret mendja *hollë (dikujt). Të bën atë që s’ta pret mendja (dikush) të bën një të keqe të madhe; është njeri i pamëshirshëm, që bën shumë të këqija e nuk përgjigjet përpara askujt; është kriminel; të bën gjëmën; të vret e s’të paguan; vret e pret. Ia prish mendjen (dikujt). 1. E bëj të mendojë ndryshe; e bëj të besojë atë që i them unë, të mendojë a të veprojë si i them unë; ia kthej (ia ndërroj) mendjen; ia marr mendtë. 2. E hutoj dikë, e turbulloj; ia marr mendtë; ia bëj kokën (mendjen) dhallë; ia bëj kokën (mendjen) sallatë. M’u prish mendja. 1. Fillova të mendoj ndryshe; nuk ruaj po atë mendim; m’u kthye (më ndërroi) mendja. 2. U hutova, u turbullova; m’u çakërdis mendja; m’u bë mendja ujë; më merren mendtë; e kam mendjen të prishur. U prish nga mendja (dikush) u çmend, u marros; u prish nga mendtë (mendsh); luajti mendsh (nga mendtë); i iku mendja (dikujt); iku nga mendtë; doli mendsh. I punon mendja (dikujt). 1. Është i zgjuar, i kap a i zbulon gjërat shpejt; i punon truri; i punon koka. 2. (për diçka). Mendon gjithnjë për diçka; e ka mendjen; e mban mendjen; i rri mendja (te diçka); i rreh mendja; i mbeti (i ngeli) mendja (te diçka); i qan mendja.*Pykë nga mendja. I qan mendja (për dikë a për diçka) mendon shumë për dikë a për diçka, është i shqetësuar për të; ku ta gjejë që ta ketë, e dëshiron shumë; e ka mendjen; e mban mendjen (te dikush a te diçka); i rri mendja (te dikush a te diçka); i punon mendja; i rreh mendja; i mbeti (i ngeli) mendja (te dikush a te diçka); i qan syri. *Qyqe nga mendja. Është ronitur nga mendja (dikush) është matufosur; ka rrjedhur, ka lënë; ka rrjedhur nga mendja; është ronitur nga trutë. E ruaj në mendje (dikë a diçka) nuk e harroj, e kujtoj vazhdimisht me dashuri. Rrah mendjen (për diçka) mendohem mirë e mirë për diçka, e shoshit si duhet diçka; lodh mendjen; vras mendjen; bluaj me mend. I rreh mendja (për diçka) është i shqetësuar për diçka dhe për atë mendon vazhdimisht; e ka mendjen (te diçka); e mban mendjen (te diçka);i punon mendja; i rri mendja (te diçka); i mbeti (i ngeli) mendja (te diçka); i qan mendja. Rrëshqiti nga mendja (dikush) u çmend, lajthiti, shkau; luajti nga mendja; luajti mendsh (nga mendtë); lajthiti nga mendtë; doli (iku) nga faza. I rri mendja (diku ose te dikush a te diçka) mendon vazhdimisht për dikë a për diçka; është i shqetësuar e ka merak vetëm për të; nuk i hiqet (nuk i shqitet) nga mendja (dikush a diçka);i mbeti (i ngeli) mendja; i qan mendja (për dikë a për diçka); e ka syrin (ika sytë) (te dikush a te diçka). I rri (i rreh) mendja në një *vend (dikujt). *Rrip nga mendja përb. Ia rrit mendjen (dikujt) i bëj lëvdata të tepruara, e bëj të mburret e t’i pëlqejë vetja; bëj që ta ndiejë veten mbi të tjerët. I është rritur mendja (dikujt) është bërë mendjemadh, është fodull, mburret e krekoset; shet mend (dikush); i ka hipur mendja në qafë (në qiell); i është rritur hunda; i ka ngritur veshët (dikush); ka ngritur bishtin (dikush); mbahet më të madh (dikush); i ka hyrë vetja në qejf; i ka hipur kalit lakuriq (dikush);e mban bishtin përpjetë (dikush) iron. Ka rrjedhur nga mendja (dikush) është matufosur, nuk kupton shumë e nuk mban mend, ka rrjedhur; bën si budalla, bën budallallëqe; ka rrjedhur nga trutë; i është trashur mendja (dikujt); është ronitur nga mendja. Nuk ta rrok (nuk ta kap) mendja (diçka) është e pabesueshme a shumë e çuditshme, as që mund të mendohet; nuk ka anë e udhë.*Rrotë nga mendja përb. I sillet (i vjen) mendja (koka) përqark (*rrotull) (dikujt). Ia sjell mendjen përqark (*rrotull) (dikujt). E sjell në mendje (dikë a diçka) e kujtoj; e sjell ndër mend; e shkoj në mendje. Ia sjell mendjen përqark (dikujt) shih ia sjell mendjen rrotull (dikujt).Ia sjell mendjen *rrotull (përqark) (dikujt). Me sytë e *mendjes. E shkoj në mendje (diçka) e mendoj; e kujtoj rrëshqitazi; e sjell në mendje. Më shkon (më vete) mendja. 1. Mendoj se është..., them se...; kujtoj. 2. (për diçka). Kam dëshirë për diçka, më teket për diçka. 3. Mendoj për dikë a për diçka; kujtohem për dikë a për diçka; më erdhi (më vajti) në mendje. Shkoj (vete) me mendjen (se)... kujtoj (se)..., besoj (se)...; ma thotë mendja (se)... I shkrepi në mendje (diçka) i erdhi një mendim i shpejtë e i papritur për diçka; i mbiu në mendje; i shkrepi në kokë. Ia shkuli nga mendja (diçka) bëri që të mos e kujtojë më, ta harrojë, të mos mendojë më për të a të heqë dorë prej saj; ia shkuli nga koka. Na shkuli mendjen e kokës (dikush) na lodhi e na mërziti shumë me të bërtitura, me ankime etj., na dhemb koka prej tij; na shkuli nga mendtë. I shtegton mendja (dikujt) nuk është i përqendruar; mendon kalimthi për gjëra të ndryshme; i bredhërin mendja; i livadhis mendja. E shtroi mendjen (dikush) arriti në një përfundim të caktuar dhe mori një vendim për një çështje, e gjykon tashmë me gjakftohtësi; e mblodhi mendjen. Shtrydh mendjen (për diçka) mendohem fort për të kujtuar diçka, për të gjetur një zgjidhje etj.; vras mendjen; shtrydh trutë; shtrëngoj kokën me duar. I është trashur mendja (dikujt) nuk është më i zgjuar, është bërë si budalla; ka rrjedhur nga mendja (dikush); i është trashur koka; i është trashur truri; i ka zënë dhjamë truri (truri dhjamë); kund. i është holluar mendja. *I trashë nga mendja (nga trutë, nga koka). E tret mendjen mendoj për diçka të largët ose që ka ndodhur shumë kohë më parë; harrohem duke menduar për dikë a për diçka të largët. Trupi *boçkë e mendja lomçkë mospërf. Trupi (shtati) *pyll e mendja fyell. M’u turbullua (m’u mjegullua) mendja nuk mendoj më qartë e nuk e kam më veten në dorë, jam i turbulluar; m’u errësua mendja. Ma turbulloi (ma mjegulloi) mendjen (dikush a diçka) më bëri që të mos i shoh më gjërat qartë ashtu siç janë, të mos i kuptoj drejt dhe të veproj gabim; më errësoi mendjen. E kam tharë mendjen (për diçka) shih e ndava mendjen (për diçka). Ma thotë mendja se... mendoj se..., kujtoj se...; pandeh; ma do mendja; ma ha (ma merr, ma pret) mendja se...; shkoj (vete) me mendjen (se)...Më thotë një mendje (një mendje më thotë) mendoj një herë të veproj në një mënyrë të caktuar, prirem për të vepruar kështu ose ashtu. Ç’të thotë mendja. 1. Ç’mendim ke për diçka; ç’ke ndër mend të bësh, si mendon të veprosh. 2. iron. Ç’pandeh ti, kujton se je ashtu si mendon vetë?!; sigurisht që gabon. I thërras mendjes përpiqem të përmbahem e të mendoj mirë për një veprim, nis të arsyetoj si duhet e të kuptoj drejt; e mbledh mendjen; i vë gishtin kokës; e vë gishtin në tëmth; i bie veshit; i thërras arsyes. Të ka vdekur mendja! mospërf. mendon a flet gjëra të kota e pa vlerë, nuk e kupton drejt realitetin; s’je në rregull nga mendtë, ke rrjedhur. I vë mendjen (dikujt a diçkaje). 1. E dëgjoj me vëmendje. 2. Shqetësohem për dikë e kujdesem që të shkojë mirë. 3. (diçkaje). E shoh a e ndjek me kujdes, e trajtoj me vëmendje; i vë mend; vë re (dikë a diçka). E vë në mendje. 1. (diçka). E ruaj në kujtesë për të mos e harruar, kam kujdes që ta kujtoj kur duhet; e vë ndër mend; e mbaj (e kam) parasysh. 2. Mendoj të bëj diçka; bëj mend. Më vërtitet mendja jam i shqetësuar, mendoj lloj-lloj gjërash; kam shumë kokëçarje e nuk di si t’ia bëj; jam krejt i hutuar; më buçet koka; më vjen (i sillet) festja (takija) rrotull (përqark); më vjen (m sillet) mendja (koka) vërdallë; më vjen tjegulla përqark. E vërtit nëpër mendje (diçka) mendoj shumë për diçka, e shoshit nga të gjitha anët, mendoj gjatë para se të marr një vendim për diçka; vras mendjen. Më erdhi (më vajti) në mendje m’u kujtua; synova, mendova se...; më shkon (më vete) mendja; më erdhi (më shkoi) ndër mend; më erdhi në kokë. I vjen mendja të marrit (diku) është rrëmujë e madhe, s’kupton dot ku je, me kë je e çfarë bëhet; s’e njeh qeni të zotin; nuk e merr vesh (nuk e njeh) i pari të dytin. Më vjen (më sillet) mendja (koka) *rrotull (përqark). I erdhi mendja në vend (dikujt). 1. U përmend, e mblodhi veten, kupton se ku është. 2. U bind e u ndreq pas një çoroditjeje, u shtrua, u përmblodh, mendon si duhet; tregon pjekuri; e mblodhi mendjen (dikush). Më vjen (më sillet) mendja (koka) *vërdallë (dikujt). Vras mendjen (për diçka) mendohem shumë, përpiqem shumë për ta zgjidhur diçka; e arsyetoj dhe e rrah nga të gjitha anët diçka; shtrydh mendjen; rrah mendjen; më hahen mendtë (ndër vete); vras trutë; vras kokën; shtrëngoj kokën me duar. Më zien mendja jam shumë i shqetësuar për dikë a për diçka, aty e kam mendjen dhe s’di ç’të bëj; më zien (më mizëron) koka; më ziejnë trutë.
MEND/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Kam aftësinë të gjykoj, të arsyetoj, të formoj një mendim etj.; bie në mendime, vras mendjen, mendohem. Njeriu mendon. Aftësia për të menduar. Kur nuk flet, mendon. Mendon drejt. Mendo mirë! Mendo për këto që të thashë. Rri e mendoj... S’mendoi më gjatë. Na ka bërë të mendojmë. Mendo dhjetë herë e fol një herë. (fj. u.).
2. kal. Rrah diçka me mend, arsyetoj për një gjë dhe përpiqem me mend të zbuloj thelbin e lidhjet e saj, ta kuptoj, ta zgjidh etj.; gjykoj. E mendoi thellë punën.
3. kryes. kal. Kam një mendim të caktuar për diçka a për dikë, e di a e vlerësoj si të tillë. Mendon mirë (keq) për të tjerët. Reflektuan për qëndrimin (për sjelljen, për punën) e tyre.
4. jokal. dhe kal. E çoj mendjen te dikush a te diçka, e shkoj nëpër mend; e sjell në mend, e kujtoj gjatë; e marr parasysh, e llogarit me mend. Mendoj për nënën (për djalin, për vajzën). Mendoj (për) shokët e mi. Mendoj për qytetin (për fshatin, për shtëpinë) ku kam lindur. Mendoj për vendlindjen. Mendon për pasojat. Nuk mendon për vështirësitë. S’mendonin fare për rreziqet që i prisnin. Për kë (për se) po mendon?
5. kryes. kal.; edhe jokal. Ringjall në kujtesë dikë a diçka të kaluar; kujtoj. Mendoj të kaluarën (vitet e krizës). Mendoj shokët e shkollës. Mendoj kohën e rinisë. Mendonte për vuajtjet që kishte hequr. Mendoj për vendet që kam parë.
6. jokal. dhe kal. I kushtoj vëmendje dikujt a diçkaje, shqetësohem dhe kujdesem për të; e vras mendjen, e kam mendjen atje. Prindi mendon për të mirën e fëmijës. Mendonte për familjen (për fëmijët) e saj. Më shumë mendon për të tjerët se për vete. Mendojmë edhe për të tashmen edhe për të ardhmen. Ka menduar për gjithçka. Ka kush mendon për të.
7. jokal. dhe kal. Kam ndër mend, e kam si synim, matem për të bërë diçka, them. Mendoj të nisem nesër. Mendojmë të shkojmë në shfaqje. Mendoj të shkruaj një artikull. Çfarë mendoni të bëni? Nuk më doli ashtu si e mendova. Mendonte ta njoftonte më vonë.
8. jokal. dhe kal. Ma merr mendja, më shkon nëpër mend, më duket, besoj se..., kujtoj; kam përshtypjen, pandeh; kam mendimin, jam i mendimit, them se... Mendoj se ka nevojë për ndihmë. Mendoj se është ide e mirë. Mendoj se nuk varet vetëm nga ai. Mendoni se kam frikë? Si e mendoni ju këtë? Unë mendoj se keni të drejtë. Mendoja se e dinte. Kurrë s’do ta mendoja një gjë të tillë. Mendon se i di të gjitha. Ashtu mendoni? Mendoni se ai mund ta bëjë?
9. kal. E përfytyroj diçka në një mënyrë të caktuar, e gjykoj, e quaj; arsyetoj. E mendonte shtëpinë e tij me një kopsht të madh me pemë. Pa mendoni ç’dobi do të kishim po ta bënim atë gjë! Po si s’e mendoni që ai është ende i ri? Kështu e mendoni ju, po s’është ashtu. Mendon zi parashikon diçka të keqe, ndjell diçka të keqe.
✱Sin.: gjykoj, mendohem, përsiat, them, thellohem, përthellohem, arsyetoj, bluaj, shestoj, stërshosh, pres, nëpërmend, kujtoj, synoj, matem, kujdesem, vështroj, shikoj, quaj, besoj.
PANDÉH vep., ~A, ~UR 1. kal. E quaj për dikë a për diçka, e marr për..., e kujtoj. E pandehu për të vëllanë. E pandehte për njeri të mirë. Ç’më pandeh ti mua? E pandehën për të vdekur.
2. kal. (zakon. me mohim). Nuk e pres diçka prej dikujt, më vjen e papritur. Nuk e pandehja prej tij. E gjetsh nga mos e pandefsh! (mallk.).
3. jokal. Mendoj, kujtoj; më duket, kam përshtypjen. Pandehu se kishte të drejtë. Pandeh se do t’i lutem?! Mos pandeh se do të kthehet!
✱Sin.: kujtoj, quaj, di, marr, mendoj, kujtoj, besoj, duket, them, vlerësoj, pres.
♦ E *gjetsh nga mos e pandehsh! mallk.
PRESII vep., PRÍTA, PRÍTUR 1. kal., edhe jokal. Rri në një vend për një kohë derisa të vijë dikush, të ndodhë diçka, të mbarojë një punë etj. Pres autobusin (tragetin, trenin, taksinë). Pres të më vijë radha. E prita gjithë pasditen. Të pres në shtëpi (në orën nëntë). Pres me padurim. Pritmë pak, se erdha! Ke kohë që po pret? S’mund të pres më (më gjatë). Më fal, se të bëra të presësh! Pres të pushojë shiu. Priti sa priti, pastaj iku. Më dolën thinjat duke pritur. Ç’të hedhësh, do të presësh. (fj. u.). Te prite të pakën, prit edhe të shumën. (fj. u.).
2. kal., vet. v. III Është gati për dikë a për diçka, mund të përdoret, të fillohet etj.; kërkon, do punën a dorën tonë, është për t’u nisur, për t’u bërë etj. Po ju pret dreka. Një taksi po e priste përjashta. Vajti ora, aeroplani s’të pret. Ajo punë pret zgjidhje.
3. kal. Ruaj, përgjoj; gjej; rri gati për të vepruar. Pret rastin (çastin) e volitshëm. Pret fjalën e tij. Pret ditën (orën, kohën) kur... Pres njoftimin (përgjigjen përfundimtare).
4. kal. Besoj se do të vijë dikush ose se do të ndodhë diçka, e quaj të mundshme; e dëshiroj të vijë a të ndodhë; shpresoj të kem diçka; parashikoj, mendoj, kujtoj. Ajo pret fëmijë do të lindë së shpejti. Ata presin që unë të kthehem sot. Ai pret ndihmë nga ne. E goditi aty ku nuk e priste. S’e prisja këtë prej teje! E ç’pret prej tij?! Ç’prisja e ç’më doli! Diçka pret. Prisnin shumë nga jeta.
5. kal. Kam përpara diçka që do të ndodhë patjetër dhe përgatitem për të; jam përpara diçkaje që do të vijë. E presim festën e Pavarësisë me dëshirë të madhe. E prisja këtë.
6. edhe jokal. Bëj durim, duroj; lë të kalojë një kohë para se të bëj diçka, të marr një vendim etj. Do të presësh ca, se puna nuk zgjidhet menjëherë. Presim edhe pak para se të vendosim! Priti sa priti, pastaj u largua.
7. kal. E rrok me dorë ose me një gjë tjetër dikë a diçka që vjen drejt meje, e kap diçka që më hidhet. Priti topin. Prite, se e hodha! E priti në gjoks. E priti me një dorë.
8. kal. Pranoj dikë për vizitë; pranoj një shok, një mik a të ftuar në shtëpi; gëzohem kur më vjen dikush në shtëpi dhe e mbaj mirë, e gostit me të gjitha ç’kam. Është njeri që të pret është mikpritës. Shtëpi që pret miq. Të pret me buzë në gaz (me dashamirësi, krahëhapur). Pret e përcjell është shumë mikpritës; i vijnë shumë miq në shtëpi, ka shumë hyrje e dalje.
9. kal. Dal në mënyrë të organizuar në vendin ku do të arrijë dikush për ta përshëndetur a për t’i uruar mirëseardhjen. Populli i Prizrenit priti të ardhurit e shumtë për përvjetorin e Lidhjes.
10. kal. I gjendem pranë dikujt, rri afër për t’i ardhur në ndihmë. Fëmijën e priti mjeku gjinekolog.
11. kal. I dal përpara dikujt që niset drejt meje, i bëj pritë. E priti ballë për ballë.
12. kal. E pranoj dikë për të zhvilluar bisedime, e lejoj të hyjë në zyrë për një punë, për ndonjë kërkesë etj.; takohem me dikë; e lejoj dikë të vijë të më takojë e të flasë me mua. Priti delegacionin e Bashkimit Evropian.
13. kal. Shpreh qëndrimin a mendimin tim për dikë a për diçka; i përgjigjem aty për aty (me fjalë, me veprime etj.) duke shprehur mendimin e qëndrimin tim për diçka. E pritën mirë ardhjen e tij. Nuk i priti mirë vërejtjet.
14. si pj. Dale. Prit ta shoh! Prit se s’e mora vesh. Prit t’ia tregoj.
✱Sin.: ruaj, gjej, gjuaj, përgjoj, mendoj, pandeh, besoj, parashikoj, shpresoj, kujtoj, duroj, kap, rrok, pranoj, qas, kërkoj, dua, takoj, përshëndes.
♦ *Hidh e prit. Njëri ia *thotë e tjetri ia pret. Pa pritur e pa kujtuar befas, menjëherë. S’ia pret *luga lugën (dikujt). Pret e përcjell (dikush) është shumë mikpritës e bujar; i vijnë shumë miq në shtëpi, ka hyrje e dalje vazhdimisht, është derëçelë. *Vetë ia merr e vetë ia pret (dikush).
QÍE/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Hapësira me ajër rreth Tokës; hapësira e lirë dhe e pafund ku shihen Dielli, Hëna, yjet; hapësira e lirë dhe e pafund që duket nga një trup tjetër qiellor. Qiell i pastër. Kaltërsia e qiellit. Qiell pa re. Bojë qielli ngjyra e kaltër. Qielli i Tokës. Harta e qiellit. Yjet e qiellit. Qiell me yje. Ra një meteor nga qielli.
2. Vendi ku mendohet se rrinë perënditë, engjëjt etj.; hyjnia; parajsa. Perënditë (engjëjt) e qiellit. Nuk i mbajmë sytë nga qielli. Besonin se u shkonte shpirti në qiell.
✱Sin.: hyj, hyjnia, parajsa, xhenet.
♦ Për atë qiell! bet. Kur të bashkohet (të puqet) qielli me tokën iron. kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë. Bën një *vrimë në qiell (në ujë, në shoshë) (dikush). Ra nga qielli (diçka) u bë ose erdhi vetvetiu, papritur e pa mundim. Më ra qielli (në kokë) shih më ra çatia (në kokë). Ra qielli dhe e zuri (dikë) i ra një fatkeqësi e madhe, e pllakosi një mjerim i madh. *Brezi i qiellit astr. U çanë qiejt shih u hap qielli1. Sa të enden *hëna e yjet nëpër qiell. Hap *gojën e shikon qiellin (dikush). U hap qielli. 1. Ra shi i madh e pa pushim; u shpua (u ça, u shemb) qielli; rrodhën qiejt; u poq (u puq) qielli me detin. 2. U bë një gjëmë e madhe, ka ndodhur një fatkeqësi e madhe. 3. U çel dikush e nisi të qeshë, pasi ka qarë shumë. M’u hapën qiejt m’u krijua një gjendje shumë e mirë dhe u gëzova shumë, u lumturova; m’u zgjerua zemra. Hap *vrimë në qiell (dikush) iron. U hodh në qiell (dikush) shih u hodh (kërceu, hovi) përpjetë (dikush). Hidhu (kërce) në qiell! shih hidhu (kërce) përpjetë! I ka hipur *mendja në qiell (në qafë) (dikujt). Sa të ketë *hënë e yje në qiell. Sa të ketë qiell e dhe (e tokë) përgjithmonë, përjetësisht; sa të jetë jeta; në jetë të jetëve; për jetë e mot; mot e jetë; në shekuj të shekujve libr. (Sikur) ka kapur (ka zënë) qiellin me dorë (dikush). 1. Fluturon nga gëzimi, s’ka lumturi më të madhe për të. 2. I është rritur mendja shumë, mbahet më të madh; pandeh se arrin çdo gjë. Me *kryet në qiell. I ktheu *potkonjtë nga qielli (nga dielli) (dikush) përçm. Ktheu *sytë nga qielli (dikush). E mban hundën në qiell (dikush) iron. mburret, mbahet më të madh; e mban hundën përpjetë (lart); e ka hundën në lis; shet mend. S’e mban qielli (diçka) është tepër e rëndë, sa që s’mund të durohet (një sharje, fyerje a shpifje); s’e mban dheu (toka). (Sikur) mban qiellin mbi kokë (dikush) tall. është mendjemadh, mburret shumë; flet kot e si fodull, kujton se prej tij varet fati i botës; (sikur) ka kapur (ka zënë) qiellin me dorë2; vret veten me gishtin e madh; i bie kashtës përmbi kalli. I mban sytë nga qielli (dikush) pret të vijnë të mirat vetiu, nuk përpiqet e nuk lodhet për të fituar diçka; shpreson më kot. E ngre në qiell (në kupë të qiellit) (dikë a diçka) e lëvdon shumë, e mburr sa s’ka ku të shkojë më; i thur (i këndon) himne (dikujt); i thur ditirambe (dikujt) iron. libr. E ngre zërin në qiell (dikush) e kërkon a e kundërshton diçka me të madhe, ngul këmbë duke bërë shumë zhurmë; bërtet, ulërin; (thërret) në kupë të qiellit; bën namin. I pikuar (i pikur) nga qielli njeri shumë i mirë a shumë i bukur, dikush që dallohet shumë nga të tjerët për veti të mira e të rralla, s’ka më të mirë se ai, i përsosur; (si) i rënë nga qielli. U poq (u puq) qielli me detin. 1. Ra shi i madh, pati shtrëngatë të madhe me shi e me erë; u shpua (u ça, u shemb) qielli. 2. U bë një e keqe e madhe, ndodhi hataja. 3. U bë diçka që mendohej si e pamundur, ndodhi diçka e çuditshme që s’ta pret mendja. (Edhe sikur) qielli (*bota, dynjaja) të përmbyset! Në qiellin e shtatë libr. në një vend të mrekullueshëm a në një gjendje shumë të lumtur, me plot gëzim e kënaqësi, si në parajsë. (Janë) si qielli me tokën janë shumë larg njëri nga tjetri nga vlerat a nga cilësitë, nuk afrohen, s’mund të krahasohen. As në qiell e as në tokë (as në dhe) në një gjendje të paqartë a të papërcaktuar, nuk dihet si do të bëhet a si do të shkojë më tej diçka, pezull; as në det e as në breg; është (qëndron, mbeti) në hava. (Sikur) qielli me tokën të puqen! çfarëdo që të bëhet, nuk ka për t’u arritur diçka, asnjë përpjekje ose rrethanë nuk ndihmon; (edhe sikur) qielli të përmbyset; njëra të bëhet. I rënë nga qielli (dikush). 1. Shumë i mirë, shumë i bukur, pa ndonjë të metë; i veçantë, që s’i gjendet shoku; i pikuar (i pikur) nga qielli. 2. (diçka). Që është fituar shumë lehtë, që ka ardhur vetë, pa mundime e papritur. Rrodhën qiejt ra shi shumë i rëndë e pa ndërprerje; u shpua (u ça, u shemb) qielli; u poq (u puq) qielli me detin; (ra shi) me grykë gjymi. *Rrufe (bubullimë, vetëtimë) në qiell të kaltër (të kthjellët). Sulmon qiejt (dikush) libr. është shumë guximtar, hidhet me trimëri në veprime të mëdha, të vështira e të rrezikshme. *Sytë nga qielli e duart nga mielli. U shpua (u ça, u shemb) qielli ra shumë shi e i pandërprerë; rrodhën qiejt; u hap qielli; u poq (u puq) qielli me detin. *Yll i rënë (i këputur) nga qielli.
QÚAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) E thërras me një emër; quhem. Si të quajnë?
2. I vë një emër dikujt për ta thirrur, i vë emrin. Djalin e quajtën Ron. Nuk e di si e quajnë.
3. fig. Kam një mendim për dikë a për diçka, e vlerësoj; e shpall diçka. E quanin fajtor. E quan të arsyeshme. E quan për detyrë. E quan veten hiqet.
4. Shpall fillimin a përfundimin e diçkaje. Konferencën e quaj të hapur. Projektin e quajmë të përfunduar.
✱Sin.: quhem, thërres, thërras, emërtoj, emëroj, shpall, ngjit, mbaj, mendoj, pranoj, gjykoj, konsideroj, llogaris, pandeh.
♦ E quaj (e shoh, e gjej) *të udhës (diçka).
SUPOZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. dhe jokal. 1. E quaj si të vërtetë diçka që e marr si pikënisje për të provuar një hipotezë, e zë se. Supozojmë se A është e barabartë me B. Mos supozo nevojat e mia.
2. E marr me mend diçka si të mundshme a të vërtetë pa mundur të jap një gjykim të prerë për të; besoj; dyshoj se. Supozonte se aty kishte ekzistuar një vendbanim i lashtë. S'ka ndonjë arsye për të supozuar një gjë të tillë.
✱Sin.: hamendësoj, zë, pandeh, parakuptoj, nënkuptoj, dyshoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë