Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PAKUJDÉS (i, e) mb. I pakujdesshëm. Fëmijë i pakujdes.
PAKUJDÉSSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. edhe si em. Që nuk tregon kujdes për dikë a për diçka; që sillet a vepron pa kujdes; kund. i kujdesshëm. Njeri i pakujdesshëm. Vajzë e pakujdesshme.
2. edhe si em. Që e bën diçka pa kujdes e pa vëmendje, që nuk e ka mendjen aq sa duhet te diçka; që nuk ka rregull në jetën e përditshme e në punë; kund. i kujdesshëm. Punëtor (nxënës) i pakujdesshëm.
3. Që bëhet pa kujdesin e pa vëmendjen e duhur; kund. i kujdesshëm. Punë e pakujdesshme. Qëndrim i pakujdesshëm.
✱Sin.: i pakujdes, i shkujdesur, i pavëmendshëm, i papërpiktë, i çrregullt, shkatarraq, xhanavar, i zhargët, i zhdërjendur, zhvatarak, branar, i papërqendruar, i shpërqendruar, i papërgjegjshëm.
PAPËRGJÉGJSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. drejt. Që nuk ka përgjegjësi për një vepër penale, sepse nuk ka qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e saj ose nuk ka mundur të kontrollojë veprimin a mosveprimin për shkak të sëmundjes psikike ose të zhvillimit mendor të metë; kund. i përgjegjshëm. Person i papërgjegjshëm.
2. Që nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie për sjelljen e për veprimet e veta, që nuk e ka fare ndjenjën e përgjegjësisë; kund. i përgjegjshëm. Drejtues (nëpunës, administrator) i papapërgjegjshëm.
3. Që punon shkel e shko, që nuk e ka fare a e ka të dobët ndjenjën e përgjegjësisë; që shpërdoron detyrën ose vlerat materiale; i pandërgjegjshëm; kund. i përgjegjshëm. Njerëz të papërgjegjshëm.
4. Që është bërë shkel e shko; që bëhet pa ndjenjën e përgjegjësisë; kund. i përgjegjshëm. Punë e papërgjegjshme. Veprime të papërgjegjshme. Hap (qëndrim) i papërgjegjshëm.
✱Sin.: i pavetëdijshëm, i pandërgjegjshëm, i pakujdesshëm, i pakujdes.
PAPËRPÍKTË (i, e) mb. 1. Që nuk është njehsuar, matur a vlerësuar me përpikëri; jo i përpiktë; kund. i përpiktë. Përfundim i papërpiktë. Përshkrim i papërpiktë.
2. Që e bën punën a detyrën pa kujdes, pa rregull e me të meta; kund. i përpiktë. Njeri i papërpiktë.
3. Që nuk i përmbahet orës ose afatit të caktuar për diçka ose një zotimi që ka marrë përsipër; kund. i përpiktë. Është i papërpiktë në punë.
✱Sin.: i pasaktë, i panjehsuar, i pallogaritur, i pamatur, i pavlerësuar, i pakujdes, i parregullt.
PAÇESHQÉPUR mb. Që nuk kujdeset për veshjen, i pakujdes.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë