Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANËSÓR,~III m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secili prej drurëve të trashë të lëmuar nga faqja e brendshme, që mbërthehen në të dy anët e lugut ku rrëshqasin poshtë trupat e prerë në pyjet malore. Anësorët e lugut. Bëra gati anësorët. Latova anësorët.
2. Secili prej drurëve të latuar e paksa të lakuar, që bashkojnë pjesën e përparme të samarit të kafshëve me të pasmen. Anësorët e samarit.
BASHKËTINGËLLÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET gjuh. 1. Tingull i të folurit që përftohet kur ajri kalon një pengesë në organet e të folurit, zakonisht i shoqëruar me zhurmë dhe pa lëvizur tejzat e zërit; shkronja që shënon këtë tingull. Bashkëtingëlloret e shqipes. Sistemi i bashkëtingëlloreve. Grup bashkëtingëlloresh. Këmbimi i bashkëtingëlloreve.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa prej llojeve të këtyre tingujve. Bashkëtingëllore anësore bashkëtingëllore e shqiptuar me gjuhën të mbështetur në të dyja anët a gojës. Bashkëtingëllore buzoredhëmbore bashkëtingëllore e shqiptuar me pjesëmarrjen e buzës së poshtme dhe të dhëmbëve të sipërm (f, v). Bashkëtingëllore buzore bashkëtingëllore e shqiptuar me pjesëmarrjen e buzëve (p, b, m). Bashkëtingëllore dridhëse bashkëtingëllore e shqiptuar duke dridhur majën e gjuhës paksa mbi mishin e dhëmbëve të sipërm (rr). Bashkëtingëllore dyfishe (e dyfishtë) bashkëtingëllore e përbërë nga dy shkronja (ll, rr, sh, xh, zh). Bashkëtingëllore e dobët bashkëtingëllore e shqiptuar me gjuhën të mbështetur lehtë në qiellzën e fortë ose afër saj (ç, j, k, q). Bashkëtingëllore dhëmbore bashkëtingëllore e shqiptuar me gjuhën të mbështetur te dhëmbët e sipërm a të poshtëm, ose te dhëmbët e sipërm e të poshtëm njëherësh (d, dh, ll, t, th,). Bashkëtingëllore fërkimore bashkëtingëllore e shqiptuar me ngushtim të kanalit të ajrit (f, dh, th). Bashkëtingëllore fishkëllore bashkëtingëllore e shqiptuar duke drejtuar rrymën e ajrit te maja e gjuhës, që prek paksa dhëmbët (s, sh, z, zh). Bashkëtingëllore e frymëtuar bashkëtingëllore e shqiptuar me lëshim të frymës (të ajrit) nga gryka dhe me tërheqjen e gjuhës prapa (h). Bashkëtingëllore grykore bashkëtingëllore e shqiptuar me pjesën e pasme të gjuhës të ngritur në fund të grykës (g, k). Bashkëtingëllore hundore bashkëtingëllore e shqiptuar me kalimin e ajrit nëpërmjet hundës (m, n). Bashkëtingëllore e lëngët (lëngëzore) bashkëtingëllore e shqiptuar me rrëshqitje të gjuhës nga qiellza e fortë (l). Bashkëtingëllore mbylltore (e mbyllur) bashkëtingëllore e shqiptuar me mbyllje të plotë ose të pjesshme të kalimit të ajrit (g, h, k). Bashkëtingëllore mesore bashkëtingëllore e shqiptuar me kalimin e ajrit mbi gjuhë, në mesin e gojës (j). Bashkëtingëllore ndërdhëmbore bashkëtingëllore e shqiptuar me majën e gjuhës të mbështetur në dhëmbët e parmë (c, ç, d, dh, t, th). Bashkëtingëllore qiellzore bashkëtingëllore e shqiptuar me gjuhën të ngjitur në qiellzë (l, ll, q). Bashkëtingëllore shpërthyese bashkëtingëllore e shqiptuar me bllokim të kalimit të ajrit me anë të gjuhës (d, t), të grykës (g, k), të buzëve (b, p). Bashkëtingëllore e shurdhët bashkëtingëllore e shqiptuar pa zë (p, t, sh...). Bashkëtingëllore e zëshme bashkëtingëllore e shqiptuar me dridhje të tejzave zanore.
BRÍNJAS ndajf. 1. Nga ana e brinjëve, në krah, në brinjë. Bie brinjas. Eci brinjas. Filloi të zvarritej brinjas.
2. Në anë të diçkaje, anash, përanash. Një pjesë e rrugës kalonte brinjas.
3. Për së gjati dikujt a diçkaje, jo drejtpërdrejt, tërthorazi. Kthej brinjas. Vështron brinjas. Dyshemeja kishte vajtur brinjas.
4. fig. Duke e prekur pak; në mënyrë të cekët, përciptas, kalimthi. Është prekur brinjas kjo temë. E përmendi brinjas. Vetëm një herë e kishte parë brinjas në rrugë. I ra çështjes brinjas.
5. Duke u kapur nga mesi a nga brinjët (kur munden dy vetë). U kapën brinjas. E përfshiu brinjas dhe e hodhi përtokë.
6. Cingëlthi. Luaj brinjas.
✱Sin.: anash, përanash, anësisht, përbri, bërrylas, përskaj, skiç, ijas, mëkrahëzaj, tërthoras, pjerrtas, mënjanë, shtrembër, këlliç, paksa, kalimthi, përciptas, shkaras, shpejt, kapërcimthi, kaluarthi, rrëshqitas, cekët, gomarazi, cingëlthi, cinglapjekthi.
CEP,~II m. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e fundit me majë e një këndi; vendi ku bashkohen dy vija a dy faqe të një sendi. Cep i ngushtë. Cepi i tryezës. Cepi i dhomës. Cepat e shamisë. Cepi i jorganit. Cepi i jakës. Cepat e shallit. Cepi i rrugës. Cepi i arës (i oborrit). Cepi i syrit. Cepat e mustaqeve. Cepat e gotës (e buzëve). Ýll me pesë cepa. Gur me cepa. Ulem në cep. Rri në një cep. Vë në cep. Lidh cepat. Po me shtrove cepin e gunës, të shtroj gunën të tërë. (fj. u.).
2. Vend i largët ose i mënjanuar dhe jo shumë i rrahur. Cep i largët. Cep kufitar. Cepi më verior (më jugor). Në një cep të atdheut. Në cep të fshatit. Në çdo cep të botës.
3. fig. Pjesë anësore a jokryesore e diçkaje, skaj. Në një cep të mendjes. Në një cep të zemrës.
4. gjeom. Këndi i një figure gjeometrike a i një trupi gjeometrik.
✱Sin.: kënd, qoshe, majë, çep, thep, çip, cip, kep, sqep, qenar, çeke, çekth, rrëzë, skaj, skutë.
♦ I bën cepa (dikujt) përpiqet t’ia hedhë tjetrit, e mashtron; i krijon pengesa e vështirësi; i nxjerr bishta. Cep më cep në çdo anë, në çdo kënd, kudo; nga një anë në tjetrën, nga një skaj në tjetrin; anekënd; qoshe më qoshe; skaj më skaj; kënd më kënd. E ka kokën me cepa (dikush) është shumë kokëfortë, nuk gdhendet kollaj, është kokëshkëmb; e ka kokën me gunga; e ka kokën gur; e ka kokën me gdhe. E lanë një cep (diçka) e braktisi; nuk merret hë për hë me diçka; e la mënjanë; hoqi dorë (prej diçkaje). E mori me cep (diçka) e keqkuptoi, e mori për së mbrapshti (fjalën); e mori me të përpjekur; nuk e mirëpriti diçka. E ka marrë për cep (dikë) e ka marrë inat sa nuk do t’ia shohë sytë; e mori për ters. E mbaj në cep të krahut (diçka) e dua shumë; e mbroj e kujdesem për të veçanërisht, se nuk gjej tjetër; e mbaj si ujët e pakët; e kam me kimet. Rri në një cep tërhiqem, nuk përzihem; mbyllem në vetvete e shoh punën time; hiqem mënjanë. Ma zuri cepi i veshit (diçka) mora vesh pak, ma zuri paksa veshi diku; dëgjova rastësisht.
►FIKÁT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. v. III Thahet paksa; teret. Fikaten rrobat. Fikatet toka.
2. v. III Fashitet. U fikat zhurma.
3. vet. fig. Shuhem. U fikatën mosmarrëveshjet.
4. v. III, spec. Dobësohet vazhdimisht derisa shuhet (për fushën magnetike, për lëkundjet). U fikat vala magnetike.
✱Sin.: thahem, terem, fraqohem, fikem, shuhem.
FSHIK vep., ~A, ~UR kal. 1. Ia bëj trupin a një pjesë të tij me fshika, bëj që t’i dalin fshika. Thëllimi të fshik duart. Ethet ia paskan fshikur buzët.
2. I shkaktoj një gërvishtje a një plagë të lehtë; v. III e zë pak (një sëmundje); e plagos lehtë. E fshiku pak gripi. Duhanin e paska fshikur vrugu.
3. E prek lehtë me dorë, e çik paksa. E fshiku për një çast.
4. v. III, fig. Bie a prek pak diku. Dielli ka fshikur majat e maleve.
5. Fshikulloj me thupër etj. Fshik kalin (mushkën).
✱Sin.: cek, prek, gërvisht, çik, fshikulloj, flluskos.
HELIOTRÓP,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bimë ose organizëm që drejtohet nga dielli; që ka prirjen t’i drejtohet burimit të dritës (sidomos diellit).
2. si mb. Që lidhet me heliotropizmin; që ka prirjen t’i drejtohet burimit të dritës (sidomos diellit).
3. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë disa lloje bimësh heliotrope. Heliotropi europian (lat. Heliotropium europaeum) bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të degëzuar, me gjethe vezake, të mbuluara me qime të imta, me lule të vogla të bardha, të grumbulluara në vijë spirale karakteristike, që është e përhapur në zona të thata e me diell. Heliotropi zbukurues (lat. Heliotropium arborescens) bimë barishtore shumëvjeçare, që rritet në formë kaçube, me kërcell të drunjëzuar në bazë, me gjethe të zgjatura, të thella, me ngjyrë jeshile, me lule të vogla me ngjyrë vjollcë, me aromë karakteristike të ngjashme me vaniljen, që kultivohet gjerësisht si bimë zbukuruese për aromën dhe pamjen dekorative. Heliotropi aromatik (lat. Heliotropium suaveolens) bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të degëzuar, me gjethe ovale, paksa të zgjatura, të mbuluara me qime të imta, me lule të vogla, zakonisht me ngjyrë të bardhë, me aromë të butë, të këndshme.
4. Një lloj mineral kuarci, me ngjyrë jeshile të errët, njolla të kuqe, që duken si pika gjaku, me shndritje jotransparente, që ndryshon ngjyrë ose reflekton në dritën e Diellit, që përdoret për stoli, objekte dekorative etj.
HIÉN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT (lat. Hyaena) 1. zool. Kafshë e egër gjitare, mishngrënëse, grabitqare, me trup sa të ujkut, me qime ngjyrë hiri a të kuqërreme, që jeton në vende të shkreta të Azisë e të Afrikës, që ushqehet zakonisht me kërma. Hiena laramane. Britma e hienës. Hiena e murrme. Hiena me vija.
2. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme hienash. Hiena laramane (lat. Crocuta crocuta) një nga llojet më të mëdha të hienave, me trup të ngjashëm paksa me atë të ariut, me veshë të rrumbullakosura, me lëkurë me njolla, me aftësi për të ngrënë dhe tretur lëkurën, kockat dhe mbeturinat e tjera të kafshëve, që dallohet për zërin karakteristik dhe për kafshimet më të forta ndër gjitarë. Hiena e murrme (lat. Hyaetia brutinea) hienë me ngjyrë kafe të errët, me qime të gjata, të çrregullta, me veshët e mprehtë, me bisht të shkurtër, me këmbë të gjata, që janë me vija me ngjyrë kafe të errët dhe të bardhë. Hiena me vija (lat. Hyaena hyaena) hienë me vija, mishngrënëse, që gjuan natën, me trup të dobët, me qime të ngritura në kreshtën e shpinës, me sjellje më pak sociale se hienat me njolla, që zakonisht lëviz vetëm ose në çifte.
3. fig. Njeri gjakpirës, grabitqar, i ndyrë e i pamëshirshëm.
✱Sin.: grabitqar, gjakpirës, i pamëshirshëm.
HÍTH/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT [HITH/ËL,~LA f. sh. ~LA, ~LAT] bot. (lat. Urtica diocia) 1. Bimë e egër barishtore që në kërcellin e në gjethet e saj të dhëmbëzuara ka një push të imët djegës, e cila përdoret si bimë mjekësore, si dhe për gjellë; djegëza, hidhësi, hithi i egër, hithi i qenit. Hithra mali. Gjethe (fletë) hithre. Lëng hithre. Lakror me hithra. E dogji hithra. E rrahu me hithra. Vend ku rriten hithrat vend i braktisur; gërmadhë.
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme hithrash. Hithra e bjeshkës (lat. Urtica gracilis) bimë shumëvjeçare, me kërcell që thahet në dimër, që shtohet me fara që përhapen nga era, edhe nga rizoma; hithëza, hithra djegëse. Hithra e butë (lat. Lamium purpureum) bimë barishtore, me kërcell katror, me gjethe me qime të imta, me ngjyrë të gjelbër në fund dhe me nuancë të purpurt në krye, me buzë të dhëmbëzuara, me lule ngjyrë të kuqe në vjollcë të ndezur, që çelin gjatë gjithë vitit; hithra e kuqe e ngordhur; kuqalarja e purpurt, lulja e maces, lulja sybardhë, lulja e Shëngjergjit. Hithra e gardhit e Kalifornisë (lat. Stachys bullata) bimë lulëzuese në familjen e mentes, me kërcell të drejtë, e mbuluar me qime të ashpra dhe të buta, lulja e së cilës është e përbërë nga një kurorë tubulare me ngjyrë rozë, me nga gjashtë lule secila. Hithra e kalit (lat. Solanum carolinense) bimë barishtore shumëvjeçare, kërcelli i së cilës, në anët e poshtme të venave më të mëdha të gjetheve, është i mbuluar me gjemba, me gjethe alternative, me lule me pesë petale, zakonisht ngjyrë të bardhë ose vjollcë, me ngjyrë të verdhë në qendër, me fruta të ngjashme me domaten, që lulëzon gjatë gjithë verës; hithra e Karolinës. Hithra kanadeze (lat. Urtica canadensis, Laportea canadensis) bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të fortë, të drejtë dhe me qime, zakonisht me lartësi të madhe, me gjethe alternative të mëdha, me dhëmbë të trashë përgjatë skajeve, me bazë në formë zemre, që shpesh krijojnë një pamje paksa ovale. Hithra romake (lat. Urtica pilulifera) bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të drejtë, pak të degëzuar, me ngjyrë kafe në vjollcë, me qime të shpërndara, që si shumë hithra pickojnë dhe shkaktojnë kruarje, me gjethe të gjata heshtake, në formë vezake, të dhëmbëzuara, që gjendet në tokë të pakultivuar, në fusha ose në skajet e rrugëve. Hithra e rreme (lat. Boehmeria cylindrica) bimë barishtore ose nënshkurre, me kërcell me gjethe alternative, në formë vezake dhe me një tufë gjethesh të vogla në majë, me lule me ngjyrë të gjelbër në të bardhë, që lulëzon në habitate me lagështi në zonat e përmbytjeve ose pyjeve gjetherënëse; kërp moçali. Hithra e vdekur hithëbuta e bardhë.
3. fig., iron. Njeri i keq, njeri i prapë që nuk i lë të tjerët të qetë. Është një hithër ai!
4. si mb. Që është djegës, ngacmues, provokues. Fjalë hithër. Grua hithër. Gojë hithër.
5. zool. Hithër deti (lat. Scyphozoa) Kandil deti.
♦ Të dalshin hithra në vatër! mallk. t’u shkretoftë shtëpia!, mos të mbettë asnjeri gjallë!; të mbiftë ferra në derë!; t’u shoftë pragu! E dogji hithra (dikë) s’i erdhi mirë për diçka, s’i pëlqeu, i dogji; u hodh (kërceu, hovi) përpjetë (dikush). *Lëng hithre iron. Të sharton me hithër (dikush) keq. është njeri i keq e dinak; të bën gjëmën.
✱Sin.: hidhës, hidhkë, hisëll, hith.
HÓLLË ndajf. 1. Me trup të ngushtë, me prerje tërthore shumë të vogël, me gjerësi të vogël; me majë të mprehtë; kund. trashë. E tjerr perin hollë. E punon telin hollë. E griu duhanin (sallatën) hollë. E mpreh hollë lapsin.
2. Në pjesë që kanë trashësi të vogël, në rripa të hollë si cipë a si petë; me një shtresë a cipë të hollë; me rroba të lehta, me veshje të holla; kund. trashë. E preu hollë bukën (djathin). E suvatoi murin hollë. Është veshur hollë.
3. Në grimca, në kokrriza a thërrmija shumë të vogla, imët. E bluan hollë grurin (misrin, kafenë). E shtyp hollë kripën. E sit hollë miellin.
4. Ujshëm, jo trashë (kur jashtëqit ose del jashtë). Fëmija doli hollë.
5. edhe fig. Me mjeshtëri dhe me kujdes të veçantë; me shumë shije e mprehtësi, me përpikëri. Punon hollë. E ka qëndisur hollë. Shtie hollë qëllon mirë me armë.
6. fig. Sa mezi duket, sa dallohet me vështirësi, paksa; sa mezi kapet. I buzëqeshi hollë.
7. Me zë të lartë. Këndonte (ia mori këngës) hollë.
8. fig. Me zgjuarsi e me mprehtësi; thellë; me shumë imtësi. Iu përgjigj hollë. Gjykon (mendon) hollë. I sheh punët hollë. Të flasim më hollë! Sa hollë i ditka gjërat! është shumë i zgjuar e i mprehtë, i kap gjërat shpejt; b) flet me fjalë të mençura e të mprehta; bën fjalë për diçka që duhet ta kuptosh vetë; mendon e vepron me pjekuri e me mençuri. I pret hollë mendja është i zgjuar, i kap shpejt gjërat.
9. bised. Në gjendje të varfër, me vështirësi; ngushtë, në gjendje të keqe. Kemi jetuar hollë. Ishte hollë nga gjendja (nga paratë). E ndiente veten hollë. E zuri hollë dikë. E pa veten hollë. Mbeti hollë.
✱Sin.: ngushtë, keq, hollazi, petë, imët, lehtë, ujshëm, hollësisht, mprehtësisht, përsosurisht.
♦ I bie hollë (diçkaje) e mendoj mirë, i bëj llogaritë siç duhet (për një punë, për një fjalë etj.). Bluan hollë (dikush) flet fjalë të mençura, thotë mendime të zgjuara e të mprehta, i mendon hollë e mirë ato që thotë; bluan miell të hollë; pret (tjerr) hollë; bluan butë; bluan imët; i ka trutë të situr; kund. bluan trashë. Pret (tjerr) hollë (dikush). 1. Flet fjalë të mençura, thotë mendime të zgjuara e të mprehta; bluan hollë; bluan miell të hollë; bluan imët; e ka holluar gjuhën; i pret mendja hollë (dikujt). 2. Mendon e vepron me pjekuri e me mençuri; është shumë i zgjuar e i mprehtë, i kap gjërat shpejt; i pret mendja hollë (dikujt); bluan hollë; bluan imët. 3. E hedh fjalën për diçka larg e larg, jo drejtpërdrejt, në atë mënyrë që tjetri duhet ta kuptojë vetë. I pret mendja hollë (dikujt) është shumë i zgjuar e i mprehtë, i kap gjërat shpejt; pret (tjerr) hollë (dikush); e ka mendjen të hollë (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë