Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BAJÁT,~E mb., bised. 1. Që është prodhuar ose është vjelë me kohë dhe ka humbur shijen, freskinë dhe cilësitë e tjera të mira; i ndenjur, i ndiçëm; kund. i freskët; i proshkët. Pemë (perime) bajate. Bukë bajate. Mish bajat. Gjellë bajate. Ushqime gjysmë bajate. U bë bajat. Kur vjetrohet buka bëhet bajate.
2. fig., keq. Që i ka dalë boja, i vjetruar; që ka humbur vlerën nga përdorimi i tepruar dhe është bërë i mërzitshëm nga përsëritja e shpeshtë e pa vend, banal. Refren bajat. Arsyetime (argumente) bajate. Shpifje (akuza) bajate. Shaka (narrativa, deklarime) bajate. Demagogji (propagandë) bajate. Këngë (muzikë) bajate. Mitingje bajate. U bë bajat. Fjalime (diskutime) plot me slogane e ide bajate.
3. mospërf. Që e ka humbur nderin e respektin; që nuk i ka më vlerat e dikurshme. Njeri bajat. Mania për të krijuar personazhe bajate në letërsi.
✱Sin.: i bajatosur, i pashije, i bujtur, i përbujtur, i ndiçëm, i ndenjur, i motuar, i mëllënkshur, i hupët, i pakripë, i dalëboje, i vjetruar.
♦ U bë bajat (dikush) shih i doli boja (dikujt).
BANÁL,~E mb. 1. Që ka humbur forcën shprehëse për shkak të përsëritjes së shpeshtë, që është bërë bajat e pa shije; tepër i përdorur dhe i njohur prej të gjithëve; i pakripë, i dalëboje. Mendime (thënie, bisedë) banale. Krahasim banal. Është bërë banal. Ngjarje (skenë) banale. Zhargon banal. Në mënyrë banale.
2. keq. I pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm (për fjalët etj.); që përdor fjalë të ndyra e sillet në mënyrë të shëmtuar. Fjalë (shprehje) banale. Shaka (anekdotë) banale. Sharje (shpifje) nga më banalet. Batuta (nofka) banale.
3. Që nuk ka ideale të larta; që ka shije të ulët. Njeri banal.
✱Sin.: bajat, i pakripë, i dalëboje, i pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm.
PAKRÍPË (i, e) mb. 1. Që nuk ka kripë fare a që ka pak kripë. Gjellë e pakripë. Mish i pakripë.
2. fig. Që është i shpëlarë e pa shije; që nuk është i këndshëm e tërheqës; që nuk të bën të qeshësh, që nuk të prek, bajat. Njeri i pakripë. Fjalë e pakripë. Shaka e pakripë.
✱Sin.: i pakripur, i pakriptë, i payndyrë, i payndyrshëm, i palyrë, i pagjalpë, i shpëlarë (i shpërlarë), i panjelmësuar, i pashije, i zbarët, i zbaritur, i amësht, i palezet, i palezetshëm, pakëndshëm, jotërheqës, bajat, i mërzitshëm.
PALEZÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb., bised. 1. Që nuk ka shije të mirë dhe nuk ta ka ënda ta hash, i pashijshëm; kund. i lezetshëm. Gjellë e palezetshme. Mish i palezetshëm.
2. Që nuk ka tipare të rregullta, i pahijshëm; kund. i lezetshëm. Vajzë e palezetshme.
3. Që ngjall pakënaqësi, i papëlqyeshëm; i pahijshëm; kund. i lezetshëm. Punë (ngjarje) e palezetshme. Sjellje e palezetshme.
✱Sin.: i pashijshëm, i pahijshëm, i papëlqyeshëm, i pakripë, i zbarët, i zbaritur, i shpëlarë.
PASHÍJE (i, e) mb. 1. Që nuk ka asnjë shije në të ngrënë a në të pirë, i zbarët; i pashijshëm. Gjellë e pashije.
2. fig. Që është i shpëlarë e pa lezet; që nuk është i këndshëm e tërheqës; i pakripë. Njeri i pashije. Shaka e pashije.
✱Sin.: i zbarët, i zbaritur, i paamëz, i amësht, amështiq, i samtë, i bartë, i baritur, i baltemë, bar, i pashijshëm, i pakripë, i amët, bajat, i motuar, i baltur, i shpëlarë, i palezet, i pakëndshëm, jotërheqës.
PAYNDÝRSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që s’ka yndyrë; që s’është i dhjamur; kund. i yndyrshëm. Gjellë e payndyrshme. Mish i payndyrshëm.
2. Që nuk lëshon yndyrë.
3. Që i është marrë yndyra duke e rrahur etj.; jo i yndyrshëm; kund. i yndyrshëm. Qumësht (djathë, kos) i payndyrshëm.
✱Sin.: i payndyrë, palyrë, pabulmetshëm, i padhjamë, i pagjalpë, i pakripë.
SHPËLÁRË (i, e) mb. 1. Që është shkuar në ujë të pastër për t'i hequr shkumën pas larjes; që është pastruar me ujë. Rrobat e shpëlara. Enët e shpëlara.
2. Që është zbehur, që nuk është më e fortë dhe e qartë; që është zbërdhulur (për ngjyrën). Ngjyrë (bojë) e shpëlarë.
3. fig., mospërf. Që është pa shije e pa kripë, që nuk të tërheq, që të lë të ftohtë, që nuk ka asgjë të veçantë e nuk të ngjall ndonjë ndjenjë; që nuk shpreh asgjë, i zbarët; që ka përmbajtje të dobët a të varfër, pa ndonjë vlerë të vërtetë e pa forcë ndikuese. Njeri i shpëlarë. Sy të shpëlarë. Zë i shpëlarë. Shaka (fraza) të shpëlara. Muhabet i shpëlarë. Vjersha të shpëlara. Pikturë (tablo) e shpëlarë.
4. spec. Që i janë marrë nga ujërat lëndët e nevojshme ushqyese, e varfër (për token). Toka të shpëlara.
5. bised., keq. I paturp, i pacipë, që as skuqet, as zverdhet. Është fare i shpëlarë.
✱ Sin.: i zbërdhulët, i zbardhur, i zbarët, i zbaritur, i pashijshëm, i pashije, i pakripë, bajat, i pakëndshëm, i palezetshëm, i palezet, i papëlqyeshëm, i palyrë, i mërzitshëm, jotërheqës, i ftohtë, i pandjenjë, i varfër, i paturp, i pacipë, i pafytyrë, i paturpshëm, i zbrazët, i paide, i pabrumë.
ZBÁRËT (i, e) mb. 1. Që është pa kripë e pa shije, që nuk ka shije, i samtë (për gjellët). Gjellë e zbarët.
2. fig. Që nuk është i këndshëm në shoqëri, që nuk ka lezet, i shpëlarë; që nuk u afrohet të tjerëve, i pashoqërueshëm, i ftohtë (për njerëzit). Njeri i zbarët. Është fare i zbarët. Ishte bërë i zbarët për të gjithë.
3. fig., keq. I papëlqyeshëm; i papranueshëm; bajat; as mish e as peshk. Arysetim i zbarët. Formulim i zbarët. Slogan i zbarët propagandues.
✱Sin.: i zbaritur, i samtë, i pashije, i pashijshëm, i palezet, i pakripë, i baltur, i baritur, i shpëlarë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë