Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PADEKOMPOZÚAR (i, e) mb. Që nuk është i dekompozuar, i paprishur, i pashpërbërë; kund. i dekopompozuar. Trupa të padekompozuar.
✱Sin.: i pashpërbërë, i paprishur, i pakalbur, i patretur.
PAPRÍSHUR (i, e) mb. 1. Që nuk është prishur, që është i pacenuar; i padëmtuar; kund. i prishur. Shtëpi e paprishur. Rrugë e paprishur.
2. Që është në rregull ashtu siç është lënë, që nuk është trazuar a nuk është prekur (për një dhomë, një shtrat etj.); kund. i prishur. Shtrat i paprishur. Dhoma ishte e paprishur.
3. Që nuk është kalbur, nuk ka marrë erë të keqe a nuk është thartuar, që është ruajtur në gjendje të mirë (për ushqimet); kund. i prishur. Qumësht i paprishur.
4. Që nuk ka nisur të shpërbëhet (për kufomën); kund. i prishur. Kufomë e paprishur.
5. euf. E virgjër; kund. i prishur.
✱Sin.: i padëmtuar, i pashkatërruar, sakllam, i pashpërbërë, i padekompozuar, i pakalbur, i patretur, i pathartuar, i pastër, i ruajtur, i pacenuar, i rregullt, i patrazuar, i paprekur, i virgjër.
PATRÉTUR (i, e) mb. 1. Që s’është tretur duke e zier a duke e ngrohur, i pashkrirë (për lëndë të ngurta); kund. i tretur. Gjalpë i patretur. Dyllë i patretur. Mbeti bora e patretur.
2. Që nuk është tretur në stomak; që nuk është përvetësuar nga organizmi (për lëndët ushqyese); kund. i tretur. I mbeti ushqimi i patretur.
3. Që s’është kalbur ende, që s’është prishur a që s’është tretur nga dheu (për një kufomë); kund. i tretur, i prishur. Trup i patretur. U gjend i patretur.
✱Sin.: i pashkrirë, i paprishur, i padekompozuar, i papërvetësuar, i pakalbur, i pashpërbërë.
SHTRAT,~I m. sh. SHTRÉTËR, SHTRÉTËRIT 1. Orendi prej druri a prej hekuri, që shërben për të fjetur ose për t'u shtrirë mbi të dhe që përbëhet nga një sustë a nga një radhë dërrasash të ngritura mbi katër këmbë, ku shtrohen dysheku e mbulesat e nevojshme. Shtrat i gjerë (i ngushtë, i ulët, i lartë, i dyfishtë, i butë). Shtrati bashkëshortor. Shtrati i nusërisë. Shtrat dërrase (hekuri). Shtrat me sustë. Shtrat fëmijësh. Në shtratin e vdekjes. Regjim shtrati. Këmbëzat e shtratit. Balli i shtratit. Hotel (spital) me dyqind shtretër. Shtroj shtratin. Bie (shtrihem, ulem) në shtrat. Shkoj shpejt në shtrat shkoj të fle herët. Bie (rri, lëngon, dergjet) në shtrat. Zuri shtratin (krevatin, dyshekun, jatakun) u sëmur e u dergj në shtrat për një kohë të gjatë. Nuk ngrihet nga shtrati është shumë i sëmurë.
2. Vend në një dhomë a gjetiu, i ngritur mbi këmbëza dhe i shtruar me dërrasa, që shërben për të ndenjur ose për të vënë diçka mbi të. Shtrati i minderit. Shtrati i shtresave. E vë mbi shtrat.
3. Vend i ngritur mbi drurë në mes të arës, i shtruar e zakonisht i mbuluar, ku fle ose ku rri roja; vend i shtruar e i rrethuar si kolibe, që bëjnë peshkatarët në gjol për të zënë peshk. Shtrat peshkimi. Bëri një shtrat te bostani. Hipi në shtrat.
4. Pjesa e sheshtë e qerres ku vihet ngarkesa. Shtrati i qerres. Hunjtë (dërrasat) e shtratit.
5. Vend i shtruar, i përgatitur posaçërisht dhe zakonisht pak i ngritur, ose pjesa e një vegle ku mbështetet, mbërthehet a lëviz diçka; pjesa e poshtme a mbështetja e diçkaje; pjesë e armëve të rënda ku mbështetet gryka e zjarrit. Shtrati i mullarit. Shtrati i avlëmendit. Shtrati i tornos (i dinamos). Shtrati i shulit (i shënjestrës). Shtrati i topit (i mitralozit të rëndë). Shtrati i lëshimit të raketës ndërtim i posaçëm që shërben për të lëshuar raketën e për t'i dhënë asaj drejtimin e duhur.
6. Ndërtim me drurë e hunj ose me hekura, të ngulur në tokë e të mbërthyer sipër, mbi të cilin hidhet hardhia ose ndonjë bimë tjetër kacavarëse që formon tendë; ndërtim i tillë ku varen vargjet e duhanit për t'u tharë. Shtrati i hardhisë. Shtrat duhani. Bëj (ngre) një shtrat. Hedh (var) në shtrat.
7. Tabani i sheshuar, mbi të cilin hidhet shtresa e themelit të rrugës. Shtrati i rrugës (i hekurudhës).
8. Lugu nëpër të cilin rrjedh uji i një lumi, i një, përroi etj.; gjithë fundi i një liqeni, i një deti a i një oqeani. Shtrat i gjerë (i ngushtë, i thellë). Shtrati i vjetër (i ri). Shtrati i lumit (i përroit, i liqenit, i detit, i oqeanit). Doli lumi nga shtrati vërshoi lumi. Gërryen shtratin. Ka ndërruar shtrat lumi. Është thelluar (është ngritur, është mbushur) shtrati.
9. Pjesa nën vete (midis këmbëve) e të mbathurave ose e pantallonave. Shtrati i pantallonave. I ka të ngushta në shtrat. Janë ngrënë (janë grisur) në shtrat.
10. bot. Pjesa e sipërme e bishtit të lules, që është më e gjerë e që mban lulen. Shtrati i lules.
11. Lehe e punuar imët dhe e plehëruar mirë, ku mbillen fara perimesh, duhani etj., për të marrë rasate; farishte; shtresa e tokës ku mbin fara e zhvillohet bima. Shtrat i ngrohtë (i nxehtë) lehe, zakonisht e mbuluar, që ka në fund një shtresë degësh të thata, në mes një shtresë të gjerë plehu të pakalbur dhe sipër një shtresë dheu të thërrmuar, ku farat mbijnë më shpejt për shkak të nxehtësisë së plehut. Shtrat i ftohtë lehe me dhe të thërrmuar e të përzier me pak pleh, ku farat mbijnë më vonë se në shtratin e ngrohtë. Shtretërit e rasateve. Shtrati i mbirjes. Mbjell në shtretër.
12. fig. Tabani mbi të cilin lind, krijohet a zhvillohet diçka. Shtrat i shëndoshë. Shtrati kombëtar i këngës popullore.
13. fig., keq. Tërësia e kushteve dhe e rrethanave që shkaktojnë lindjen dhe zhvillimin e shfaqjeve e të dukurive të dëmshme për moralin e shoqërisë sonë, mjedis jo i shëndoshë. Shtrati i grindjeve (i thashethemeve). Gjente shtrat dembelizmi. I bënte shtrat tarafllëkut.
14. Shtresa e parë e borës; shtresë bore; borë e imët dhe e përzier me shi a me breshër, që bie para se të nisë bora mirë; llohë. Shtrat bore. Ra një shtrat borë. Bie bora shtrat mbi shtrat. Nuk ka (zënë) shtrat dëbora ka rënë pak dëborë ose kjo është e re dhe e shkrifët, sapo ka rënë.
15. Shtresë e trashë si pelte që formohet në uthull nga shtimi e përqendrimi i mikroorganizmave, shpretka e uthullës; e trasha e qelbit në një të thatë a në një plagë. Shtrati i uthullës. Ka zënë shtrat uthulla. I doli shtrati të thatit.
16. anat. Cipë e mishtë si sfungjer, që mbështjell e ushqen pjellën te gruaja shtatzënë ose te femrat barrsa të gjitarëve dhe që del jashtë bashkë me të. E nxori shtratin. I doli (i ra) shtrati.
17. Pëlhura e merimangës, cerga. Ia prishi shtratin merimangës.
18. fig. bised. Burrë e grua, një çift bashkëshortësh. Çerdhe mizash nëpër drurë. Shtrati i mizave.
♦ I është bërë shtrat (dikujt a diçkaje) keq. e mbështet dikë a diçka, e përkrah dhe e mbron; i ka krijuar kushte të përshtatshme për të vepruar a për t’u zhvilluar. Është në shtratin e vdekjes (dikush). 1. shih po jep (po heq) shpirt (dikush). 2. Po merr fund, po shkatërrohet përfundimisht; bie këmbana e vdekjes (për dikë); hedh vallen e vdekjes (dikush). E la shtratin (krevatin, jatakun) (dikush). 1. U ngrit nga gjumi; e la dyshekun. 2. U shërua pas një lëngate të gjatë; u e la dyshekun; kund. zuri shtratin (krevatin, jatakun). 3. E mori përsipër një punë, edhe në një gjendje të keqe a i pafuqishëm. Shtrat i ngrohtë vend a tërësi rrethanash të përshtatshme për të ndodhur diçka ose për t’u zhvilluar një dukuri. Zuri shtratin (krevatin, jatakun) (dikush) u sëmur e u dergj për një kohë të gjatë; nuk lëviz më nga pleqëria; zuri dyshekun; zuri këndin; ra squkë1; kund. e la shtratin (krevatin, jatakun).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë