Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BAJÁTSHËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që të bën me turp, që të nxin faqen; i turpshëm, banal. Anekdota të bajatshme. Fjalë e bajatshme.
2. Që nuk pëlqehet, i pakëndshëm, i papëlqyeshëm, i pahijshëm. Përshkrim i bajatshëm. Erë e bajatshme.
✱Sin.: i turpshëm, banal, skandaloz, i dhunshëm, i pakëndshëm, i papëlqyeshëm, i pahijshëm, i athët.
BANÁL,~E mb. 1. Që ka humbur forcën shprehëse për shkak të përsëritjes së shpeshtë, që është bërë bajat e pa shije; tepër i përdorur dhe i njohur prej të gjithëve; i pakripë, i dalëboje. Mendime (thënie, bisedë) banale. Krahasim banal. Është bërë banal. Ngjarje (skenë) banale. Zhargon banal. Në mënyrë banale.
2. keq. I pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm (për fjalët etj.); që përdor fjalë të ndyra e sillet në mënyrë të shëmtuar. Fjalë (shprehje) banale. Shaka (anekdotë) banale. Sharje (shpifje) nga më banalet. Batuta (nofka) banale.
3. Që nuk ka ideale të larta; që ka shije të ulët. Njeri banal.
✱Sin.: bajat, i pakripë, i dalëboje, i pahijshëm, i ndyrë, i turpshëm.
FËLLÍQUR (i, e) mb. 1. Që është përlyer me baltë, me lyrë a me diçka tjetër, që është bërë i papastër, i ndotur; i ndyrë. Rroba të fëlliqura. Ujë i fëlliqur. Kishte duar të fëlliqura.
2. fig. Që është në kundërshtim me normat e moralit, që bëhet me qëllime të pandershme e të ulëta dhe të ngjall neveri; që vepron me mënyra të ulëta e të pandershme; i poshtër, i ndyrë. Punë e fëlliqur. Veprime të fëlliqura. Spiun i fëlliqur.
3. Që është në kundërshtim me sjelljen e mirë në shoqëri; që përdor fjalë të këqija, të pahijshme; i ndytë; i pahijshëm; i turpshëm. Fjalë të fëlliqura. I fëlliqur nga goja. Veprime të fëlliqura.
✱Sin.: i ndotur, i ndyrë, i papastër.
GALLÓF,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Corvus cornix) Korbi i bardhë. Ishin mbledhur gallofët në arë.
2. Mashkulli i galës. Galat dhe gallofët.
3. fig., bised. Njeri me trup të madh, jo të shkathët e të pahijshëm; njeri i trashë nga mendja, guhak. Vështron si gallof. Mbeti si gallof.
✱Sin.: korb, i pagdhendur, i trashë, budalla.
HÍJSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka tipare shumë të rregullta ose gërshetim të këndshëm përmasash, përpjesëtimesh e ngjyrash dhe të kënaq kur e shikon, që është i pashëm; i bukur; kund. i shëmtuar. Djalë (burrë) i hijshëm. Grua (vajzë) e hijshme. Me trup të hijshëm. Pamje e hijshme. Është i hijshëm.
2. Që është në pajtim me kërkesat e shijet e përgjithshme të njerëzve, që pëlqehet; që ngjall kënaqësi të madhe dhe admirim; kund. i pahijshëm. Sjellje e hijshme. Fjalë të hijshme. Qëndrim i hijshëm. Në mënyrë të hijshme.
JONJERËZÍSHT ndajf. Që nuk ka mirësjellje, me mungesë ndjenjash të mira, pahijshëm; kund. njerëzisht. U soll jonjerëzisht.
NDÝRË (i, e) mb. 1. Që është përlyer, bërë me baltë, me lyrë, me bojë a me diçka tjetër, i fëlliqur, i zhyer, i ndotur; që të fëlliq; kund. i pastër. Rroba të ndyra. Shami e ndyrë. Me duar të ndyra.
2. fig. I pandershëm, i ulët; që të ngjall neveri, i neveritshëm, i fëlliqur. Punë e ndyrë. Veprime të ndyra. Qëllime të ndyra. Shpifje (trillime) të ndyra. Luftë e ndyrë. Politikë e ndyrë.
3. fig. Që vepron me mënyra të ulëta e të pandershme, i poshtër. Njeri i ndyrë.
4. Që është në kundërshtim me moralin e shoqërisë, i palejueshëm, i pahijshëm, i turpshëm (për fjalët, shprehjet etj.); që përdor fjalë të pahijshme. Fjalë të ndyra. Anekdotë e ndyrë. Është i ndyrë nga goja.
✱Sin.: i fëlliqur, i përlyer, i zhyer, i ndotur, i ndotë, i ndytë, ndyracak, i ndragët, i ndragur, i zgjebosur, i zgjyrosur, i qelbur, qelbanik, i grymët, i palandytë, i palandyrë, i pëgërë, i pocaqisur, i njollosur, i pistë, pisanjos, pisanik, zhulanjos, këllirë, zarbë, i papastër, i përmutur, i efshtë, i shëmtuar, i lyrikur, i lyrët, lyrës, i laturisur, molar, lerash, i zgjyrosur, i ajkosur, morracak, i pandershëm, i ulët, i poshtër, i turpshëm, batakçi, i pështirosur.
♦ *Fytyrë e ndyrë përb.
PADÉNJË (i, e) mb. 1. Që nuk është i denjë për diçka; që nuk meriton të jetë a të quhet i denjë; kund. i denjë. Pjesëtar i padenjë. Vepër e padenjë.
2. Që nuk meriton nderimin e besimin e të tjerëve, që nuk është i denjë; që të turpëron, turpërues; i denjë. Njeri i padenjë. Sjellje e padenjë. Fjalë të padenja.
✱Sin.: turpërues, i pahijshëm.
PAHÍJSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk është i hijshëm, jo i pashëm; i shëmtuar; kund. i hijshëm. Djalë i pahijshëm. Grua e pahijshme. Pamje e pahijshme.
2. Që është në kundërshtim me normat e përgjithshme të shoqërisë e të mirësjelljes; që është turp ta thuash, ta dëgjosh ose ta bësh; i turpshëm. Sjellje e pahijshme. Qëndrim i pahijshëm. Fjalë (përgjigje) e pahijshme. Punë e pahijshme.
✱Sin.: i papashëm, i palezetshëm, i palezet, i pabukur, i pahije, i shëmtuar, i papëlqyeshëm, i papërshtatshëm, i pakëndshëm, i turpshëm, i pangjashëm, i pamirë, i pacilësueshëm, i papranueshëm, i trashë, i ndyrë.
PALEZÉTSH/ËM (i), ~ME (e) mb., bised. 1. Që nuk ka shije të mirë dhe nuk ta ka ënda ta hash, i pashijshëm; kund. i lezetshëm. Gjellë e palezetshme. Mish i palezetshëm.
2. Që nuk ka tipare të rregullta, i pahijshëm; kund. i lezetshëm. Vajzë e palezetshme.
3. Që ngjall pakënaqësi, i papëlqyeshëm; i pahijshëm; kund. i lezetshëm. Punë (ngjarje) e palezetshme. Sjellje e palezetshme.
✱Sin.: i pashijshëm, i pahijshëm, i papëlqyeshëm, i pakripë, i zbarët, i zbaritur, i shpëlarë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë