Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DJALLËZÍ,~A f. sh. ~, ~TË [DJALLËZÍ,~A f. sh. ~RA, ~RAT] 1. Të qenët i djallëzuar; prirje për të mashtruar të tjerët e për të bërë prapësi; kund. padjallëzi. Ka djallëzi. Është njeri me (pa) djallëzi. E bëri (e ka) me (pa) djallëzi. E fsheh djallëzinë. Enë e ligësisë, shpirt i djallëzisë. (fj. u.).
2. Veprim i pabesë e tinëzak që bën dikush për të ngatërruar a për të mashtruar të tjerët, për të shtënë dikë në grackë etj., punë e prapë,; dhelpëri. Djallëzitë e armikut. I di të gjitha djallëzitë. Ka bërë shumë djallëzi. S’hoqi dorë nga djallëzitë. Ia zbuluan djallëzitë. I ka në gjak djallëzirat.
✱Sin.: shejtani, shejtanllëk, dreqësi, djalli, paudhësi, dijekeqësi, prapësi, paudhësi, theke, qerratallëk, dinakëri.
NAIVITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Çiltërsi e natyrshme, mungesë djallëzie, të qenët naiv. Naiviteti i një fëmije.
2. vet. nj. Besim i tepruar te njerëzit a te çdo gjë që thuhet, i cili zakonisht vjen nga përvoja e paktë jetësore. Beson me naivitet. Naivitet i shtirur. Të tallesh me naivitetin e një shoku.
3. vet. sh. Fjalë ose mendime naive. Flet (thotë) naivitete. Naivitete rinore.
✱Sin.: çiltërsi, padjallëzi, çiltëri, thjeshtësi.
PADJALLËZÍ,~A f. Të qenët i padjallëzuar, vetia e njeriut të padjallëzuar; kund. djallëzi. Sillet (vepron) me padjallëzi.
✱Sin.: çiltëri, çiltërsi, pafajësi, naivitet, pastërti, mituri.
PADJALLËZÍ (i, e) mb. I padjallëzuar. Fëmijë i padjallëzi.
PADREQNÍ,~A f. Padjallëzi.
PAFAJËSÍ,~A f. 1. drejt. Të qenët i pafajshëm për një veprim që dënohet me ligj. Kërkoi (provoi) pafajësinë. Mori (fitoi) pafajësinë doli i pafajshëm.
2. fig. Vetia e njeriut me shpirt të pastër e të çiltër si të fëmijës; padjallëzi. Pafajësia e fëmijës. Me një shprehje pafajësie.
✱Sin.: çiltëri çiltërsi, pastërti, pafajëri, padjallëzi.
PASHEJTANÍ (i, e) mb. I padjallëzi, i ndershëm; naiv.
PÁSTËR (i, e) mb. 1. Që nuk ka pluhur, plehra, baltë, lyrë, bojë etj., që nuk është i fëlliqur, që i janë hequr, i janë fshirë a i janë larë pluhuri, balta, lyra etj. kund. i ndyrë; i fëlliqur. Shtëpi (dhomë) e pastër. Oborr i pastër. Rroba të pastra. Shami e pastër. Lesh i pastër. Me duar të pastra. Me fytyrë (qafë) të pastër. Me dhëmbë të pastër. Enë (lugë) të pastra. Xhama të pastër.
2. Që lahet mirë e rregullisht, që mban përherë veshje të lara; që e mban mirë, të larë e të fshirë vendin ku jeton e punon, pastërtor; kund. i ndotur, i papastër. Njeri i pastër. Grua (amvisë) e pastër.
3. Që nuk ka mbeturina, pengesa e gjëra të tjera, të cilat ta zënë, ta ndalojnë, ta prishin etj. Tub i pastër. Kanal i pastër. Rast i pastër (sport.) mundësi për të gjuajtur e për të shënuar pa e penguar asgjë (në futboll).
4. Që nuk ka puçrra, dregëza ose shenja të ndonjë sëmundjeje, i qëruar. E ka fytyrën të pastër. I ka mushkëritë të pastra.
5. Që është pa re, i kthjellët. Qiell i pastër.
6. Që nuk ka lëndë të huaja, pluhur etj. të tretura a të përziera me të, i kulluar; i përbërë thjesht prej një lënde. Ujë i pastër. Lesh i pastër. Grurë i pastër. Ar i pastër. Mineral i pastër. Dal në ajër të pastër dal jashtë një dhomë të mbyllur.
7. fig. Që nuk të ndot. Punë e pastër.
8. fig. I ndershëm e i çiltër në jetë, i sjellshëm në punë e i panjollë; që nuk e errëson asgjë e pandershme a e shtrembër. Njeri i pastër. Vajzë e pastër. E ka ndërgjegjen të pastër.
9. fig. Që nuk ka djallëzi e prapamendime dhe nuk udhëhiqet nga interesa të ngushta e të rastit; i dëlirë, i kulluar, i çiltër. Ndjenjë (dashuri) e pastër. Miqësi e pastër. Me zemër (me shpirt) të pastër.
10. Që është bërë me kujdes, me cilësi të lartë dhe pa të meta; që është pa ndreqje e gabime. Punë e pastër. Kopje e pastër. Në faqe të pastër.
11. Që i përket një lloji të mirë dhe nuk është për zier me lloje të tjera (kryesisht për racat e kafshëve). Racë e pastër.
12. Që nuk është e mbushur me fjalë, me shprehje e me ndërtime të huaja dhe është tërësisht në përputhje me normën letrare (për gjuhën). Gjuhë e pastër. Fliste një shqipe të pastër.
13. Që tingëllon rrjedhshëm, pa u shoqëruar me zhurma e gërvishtje, i qëruar (për zërin). Tingull i pastër. Ka një zë të pastër.
14. sport. Që zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat, jo i rëndë, pa të shtyra, pa grindje e goditje. Lojë e pastër. Futboll i pastër.
✱Sin.: i paqmë, i papërlyer, i panjollë, i dëlirë, i panjollosur, i pandotur, steril, pastërtor, i qëruar, qelibar, i kthjellët, i kulluar, higjienik, akull, dritë, pasqyrë, xham, xixë, tullupan, i hapët, i hapur, i larë, i kristaltë, qelq, kristal, i paqmë, i papërzier, i paprishur, i thjeshtë, i vërtetë, safi, shqeto, i çiltër, i ndershëm, i virgjër, i padjallëzi, i padjallëzuar, i pacen, i pacenuar, faqelarë, i shëndoshë, i qartë, acar, i xhamtë, vetëtimë, i papengesë, i tingëllueshëm, i paprekur, i drejtë, i arsyeshëm, i sjellshëm, i shkoqur, i virtytshëm, zemërartë, zemërbardhë, zemërdëlirë, shpirtbardhë, shpirtpastër, shpirtkulluar, i mirë, i shenjtë, i bardhë, i ndrequr, i kujdesshëm, i zgjedhur.
♦ Me *duar të pastra. *Gjak i pastër. E ka zemrën të pastër (dikush) nuk i bën keq askujt, nuk ka djallëzi e ligësi në shpirt, është shpirtmirë; nuk rëndon mbi të asnjë faj; është i çiltër e pa hile; e ka zemrën të kulluar; e ka zemrën (shpirtin) qelibar. Me *zemër (me shpirt) të pastër (të kulluar).
PASTËRTÍ,~A f. 1. Të qenët i pastër, vetia e dikujt a e diçkaje të pastër. Pastërti e madhe (shembullore). Pastërtia e ajrit (e mjedisit). Pastërti shpirtërore. Pastërtia e gjuhës. Shkalla e pastërtisë së një lënde. Mban pastërti. Këtu ka pastërti.
2. bised. Punishte a repart me pajisjet e nevojshme ku pastrohen ndërresa e rroba. I çoi ndërresat në pastërti. Mori kostumin (pallton) nga pastërtia.
✱Sin.: higjienë, dëlirësi, çiltëri, padjallëzi, ndershmëri.
SINQERITÉT,~I m. Vetia e atij që është i sinqertë; çiltëri; kund. hipokrizi. Mungesë sinqeriteti. Flet me sinqeritet. Ia njihte sinqeritetin. E bën me pastërti dhe sinqeritet.
✱Sin.: çiltëri, çiltërsi, dëlirësi, padjallëzi, pafajësi, pastërti, ndershmëri, pastërti, përzemërsi, dhembshuri,.
THJESHTËSÍ,~A f. Të qenët i thjeshtë, vetia e atij që është i thjeshtë. Thjeshtësia e përshkrimit (e mendimit). Shprehje e thjeshtësisë. Shembull thjeshtësie. Për thjeshtësi për ta bërë a për ta paraqitur më të thjeshtë.
✱Sin.: kryeultësi, thjeshti, natyrshmëri, padjallëzi, çiltërsi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë