Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUKËVÁL/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET 1. gjell. Bukë e thërrmuar, e përvëluar me ujë valë, me vaj ose me gjalpë dhe e përzier zakonisht me djathë; gatesë me miell misri të përzier me djathë që përvëlohet me gjalpë; valë, papare. Bukëvale me djathë të njomë. E ushqente (e rriti) me bukëvale. Një çanak me bukëvale. Shkërmoqet si bukëvale. Të voglën ta marr për fare, / Ta gjezdis male më male, / Ta ushqej me bukëvale. (folk.).
2. etnogr. Ëmbëlsirë me kulaç të thërrmuar në ujë valë, me gjalpë dhe me sheqer, që bëhet zakonisht në ditët e para pas lindjes së fëmijës. Vajti me bukëvale. Aromë bukëvaleje.
3. fig. Dhe i shkrifët e i butë. E bëri tokën si bukëvale.
✱Sin.: valë, valëbukë, papare, përvëlorë, paçamur, kryelanë, dërrmake.
PAÇAMÚR,~I m. 1. gjell. Bukëvale; papare. Paçamur me copa buke të thata.
2. Turbullirë, rrëmujë, pështjellim.
PAÇARÍZ,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Rrëmujë e madhe, pështjellim, trazirë; shamatë, ngatërresë, paçamur. Paçariz i madh.
ÇORÁP,~I m. sh. ~Ë, ~ËT edhe ~E, ~ET 1. Veshje për këmbën që thuret me dorë ose në makinë nga fije të materialeve të ndryshme. Çorapë të gjatë. Çorapë të qëndisur. Çorapë burrash (grash, fëmijësh). Çorapë leshi. Qafa e çorapit. Shputa e çorapit. Llastiku i çorapëve. Maja (thembra) e çorapit. Shtiza çorapësh. Një palë çorapë. Thur çorapë. Mbath çorapët. Heq çorapët.
2. Pjesa e poshtme e qimeve të këmbës me ngjyrë tjetër te kafshët shtëpiake. Dhi me çorapë. Mace me çorapë.
♦ M’u bë mendja çorap shih m’u bë mendja (koka) dhallë. E bëri çorap (diku a diçka) e bëri rrëmujë të madhe; i ngatërroi keq gjërat; e bëri lëmsh; e bëri lesh e li; e bëri çorbë; e bëri paçamur. E bëri çorap me lesh dhie (diçka) iron. shih e bëri lesh e li (diku a diçka). Ia bëj mendjen çorap (dikujt) shih ia bëj mendjen (kokën) dhallë (dikujt). S’është as për *furkë e as për çorap (dikush). E ka gojën çorap (dikush) shih e ka gjuhën të gjatë (dikush).
ÇÓRB/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. gjell. Supë e trashë që gatuhet zakonisht me oriz ose me makarona të holla dhe me përbrendësa bagëtish. Çorbë me oriz. Çorbë qengji. Një pjatë çorbë. Ndaj çorbën. Donin t’i hidhnin çorbës qumësht.
2. gjell. Brumë i thartë me miell gruri, i zënë me kos a me qumësht, që thahet në diell e thërrmohet; lloj qulli pak i thartë që bëhet me këtë brumë. Çorbë e thartë. Çorbë me kos. Çorbë tigani. Trazoj çorbë.
3. fig., keq. Diçka e përzier pa rregull e pa shije, diçka e ngatërruar dhe e paqartë; rrëmujë e madhe, pështjellim. E kam kokën çorbë. Shqip kuvendojmë a çorbë trazojmë. Çorba e politikës aktuale. Çorbë premtimesh të gjithçkaje.
4. fig., keq. Grua që flet shumë duke futur të tjerët në sherr. Po zihen çorbat. Mos fol si çorbë.
✱ Sin.: supë, qullë, rrëmujë, pështjellim.
♦ M’u bë mendja (koka) çorbë u hutova krejt, u trullosa; e kam kokën çorbë; m’u bë (koka) mendja dhallë; m’u bë mendja çarçaf. E bëri çorbë (diçka) e pështjelloi keq, e përzjeu; e ngatërroi keq, e bëri rrëmujë; e bëri dhallë; e bëri llum; e bëri përshesh; e bëri lesh e li; e bëri lëmsh; e bëri çorap; e bëri paçamur; e bëri bërllok. Ia bëj mendjen (kokën) çorbë (dikujt) shih ia bëj mendjen (kokën) dhallë (dikujt). Çorbë derri (derrash, thish) përb.1. Gjellë shumë e keqe e pa shije, gjellë e pështirë që s’hahet. 2. Përzierje krejt e parregullt dhe e papëlqyeshme, pështjellim i padurueshëm; rrëmujë e madhe. Çorbë (çervish) me krunde keq. shih bukë me krunde shpërf. Çorbë e prishur përb. diçka e keqe, pa vlerë dhe e dëmshme. Ia ka ngrënë çorbën (dikujt) mospërf. Shih ia ka pirë lëngun (dikujt). E kam mendjen (kokën) çorbë më është përzier e më është ngatërruar mendja, jam krejt i hutuar e i turbulluar dhe s’di nga t’ia nis diçkaje a të mendoj për diçka; m’u bë mendja (koka) çorbë; m’u bë mendja (koka) dhallë. Për një *lugë çorbë. Më pështyn në çorbë (dikush) shih më pështyn në gjellë (dikush). Ta prish *dasmën për një tas çorbë (dikush). *Tas çorbe mospërf.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë