Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LOPÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vegël krahu, me një pjesë të metaltë, të gjerë e pak të lakuar dhe me bisht të drunjtë, që përdoret për të hequr dhe, për punë bujqësore e për punë të tjera; vegël e tillë, që edhe pjesën e gjerë të kreut e ka prej druri e që përdoret për të marrë a për të hedhur diçka me të; sasia e lëndës që merret njëherësh me këtë vegël. Lopatë hekuri. Lopata e ushtarit. Lopata e mullirit. Lopata e furrtarit. Bishti i lopatës. Një lopatë dhe (rërë, gëlqere). Dy lopata miell. Heq dheun me lopatë. E mbush karron me lopatë. I shtie tavat në furrë me lopatë. Mbush thesin me lopatë. Hedh grurin në erë me lopatë. S'bëhet vreshti me urata, po me shata e me lopata.(fj. u.).
2. Mjet prej druri, me njërën anë të gjerë dhe me bisht të gjatë, që përdoret për të ngarë lundrën; rrem. Lopatat e lundrës. Barkë me lopata. U jep shpejt lopatave.
3. spec. Pjesë e një makine, e një pajisjeje etj., që shërben për të lëvizur, për të shtyrë, për të mbushur ose për të zbrazur diçka. Lopatë vetëngarkuese (vetëshkarkuese) (min.). Lopatë drejtuese. Lopatë pastruese (përzierëse). Lopatat e turbinave.
4. Mjet prej gome, në trajtën e një llape të gjerë, që vihet në këmbë për të notuar më lehtë. Lopatë noti.
5. Pjesë e trupit të disa kafshëve të ujit, që është si llapë e gjerë dhe shërben për të notuar etj. Lopatat e balenës. Lopata nuhatëse e peshqve.
6. zool. Lopatëz1.
7. bised. Shualli i këmbës, shputë. Lopatat e këmbës.
✱Sin.: vegël, qyrek, qehën, laskar, lungatë, pallangë, shputë, rrem, lopatëz, shputë.
♦ Sa t’i gërryesh (t’i ngresh) me lopatë shumë, pa masë; nuk mund të numërohen; sa rëra e detit; sa të hanë qentë. E ka gjuhën lopatë (dikush) tall. flet shumë e thotë gjëra të qena e të paqena, llap; e ka gjuhën të gjatë. U ka marrë lopata *thellë. Nuk i merr ujë lopata (dikujt). 1. Nuk i ecën fjala, nuk e dëgjojnë, nuk i shkon mirë një ndërhyrje etj. 2. Nuk i shkon diçka, nuk ia arrin një qëllimi që ka vënë; nuk i ecën në jetë, nuk i shkon puna mirë; nuk i merr ujë luga. I nxjerr (i mbledh) me lopatë (dikush) fiton shumë, nxjerr të ardhura të mëdha, s’i numërohen paratë; kund. (është) kripë në diell (dikush). I ka zënë lopata ujë (dikujt) çdo gjë i vete mbarë, është mirë, nuk ka vështirësi a halle, nuk ka arsye ta prishë gjakun; e ka hellin në prush (dikush); e ka (i ka punët) në vijë (dikush); i ka qiqrat të mbara (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë