Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
QA/J vep., ~VA, ~RË 1. jokal. Lotoj; derdh lot (nga një dhembje, dëshpërim, hidhërim etj.); më rrjedhin lot nga sytë; kund. qesh. Qan me (pa) lot. Qan me (pa) zë. Qan nga gëzimi (nga hidhërimi, nga inati). Po nuk qau fëmija, nuk i jep e ëma gji (fj. u.). I fundit o qesh, o qan (fj. u.).
2. vet. veta III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) Rrjedhin lot (sytë). Më qajnë sytë.
3. kal. Vajtoj për humbjen e një të afërmi a për vdekjen e dikujt. Qau vajzën (djalin, nënë, babain, gruan, burrin). Qan me fjalë. E qau i gjithë qyteti. E qau i madh e i vogël. Qafsha nënën (babain)! (bet.), bised. betim për kokën e nënës (e babait, e të gjithëve) për të dëshmuar se ajo që themi është e vërtetë. - Më qafsh! thuhet kur i lutemi dikujt të bëjë diçka me kujdes a shpejt. - Të qafsha! (shaka.), bised. i thuhet me përkëdheli zakonisht një fëmije të hijshëm ose që bën diçka tërheqëse. E qau atë punë. - Do ta qash atë që humbe (fig.) do të pendohesh e do të vajtosh për diçka të humbur.
4. jokal., v. III Nxjerr bula të vogla uji, pikon; vishet me pika uji. Qan toka. Qajnë muret. Qan hardhia.
5. jokal., v. III Gërvin, sikur vajton. Qan dera. Në vend të qajnë qetë, qan qerrja! (fj. u.).
6. v. III, fig. E ndien shumë mungesën e dikujt a të diçkaje; sikur vajton nga dhembja për dikë a për diçka. Qan puna për zot. Qajnë gurët e oborrit. Qajnë edhe trarët e shtëpisë për të zotin!
7. kal., bised. E bëj diçka në mënyrë të përkryer; i bie shumë mirë; e shkrij. E qan këngën. E qan gërnetën. E ka qarë përkthimin. E qan mishin me pilaf.
✱Sin.: lotoj, përvajtoj, gjëmoj, shkrij.
♦ Ia qau belanë (dikujt). E qau me botë (dikë). Më ka qarë gërmadha. (Është) për t’i qarë hallin (dikush a diçka). Nuk po i qajnë fëmijët (dikujt) iron. Qajnë edhe gurët (për dikë). I qaj hallin (dikujt). Qafsh kokën tënde! mallk. E qaj me lot (diçka). Për të qarë me lot. I qan mendja (për dikë a për diçka). I qan puna në dorë (dikujt). Qan puna për të zotin. Qan pylli për sëpatë. As qan e as qesh (dikush) nuk është as i mirë e as i keq; as të ndihmon e as të pengon; as të ngroh e as të ftoh; as të pjek e as të djeg; as ndez e as shuan; as prish e as ndreq; as të prin e as të ndjek; (s’është) as për tutje e as për tëhu. Për të qarë e për të qeshur është njëherazi edhe e rëndë, edhe komike diçka; për t’u hidhëruar e për t’u gëzuar; për të qeshur e për të qarë. Të qan (të than) qoshen (dikush). Qan pa rrahur (dikush) s’ka asnjë arsye që të jetë i pakënaqur, ankohet kot. I qan syri (për dikë a për diçka). I qan syri (i qajnë sytë) (dikujt). Mos të qaftë syri (kurrë) ur. Qajnë (edhe) trarët (diku). Më qan zemra (shpirti) (për dikë a për diçka). Qesh me sy e qaj me zemër. Në vend që të qajnë qetë qan qerrja! iron. Të vjen për të qarë (për diçka) dëshpërohesh e mërzitesh shumë kur e sheh se sa keq ka përfunduar, si është shkatërruar etj.; të zë trishtimi.
VAJT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Qaj me zë e me ligje një të vdekur, duke numëruar cilësitë dhe vlerat e mira të tij, bëj vaj, shpreh dhimbje të madhe dhe një hidhërim të thellë; përvajtoj. Vajtonin të vdekurin (trimin). Gratë vajtonin. Vajatorja e vajtoi me ligje të vdekurin.
2. fig., kal. Pikëllohem thellë për një fatkeqësi, për diçka të humbur a për fatin e dikujt dhe e shpreh këtë me fjalë etj., qaj. Vajton për fatin e dikujt. Vajtonte të kaluarën. Vajtonte hallet e tij.
3. bised. fig., jokal. Ankohem, bëj vaj për dikë a për diçka që më duket e padrejtë a që nuk më pëlqen. Ai veç po vajton kot. Mos vajto!
✱Sin.: lotoj, kukas, logoris, gjëmoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë