Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FÁBUL,~A f. sh. ~A, ~AT folk., let. 1. Tregim i shkurtër, në vargje a në prozë, që ka si personazhe kafshë, bimë ose sende, veprimet dhe fjalët e të cilave kanë kuptim alegorik e japin një mësim nga përvoja e jetës; përrallëz. Fabula e dhelprës dhe e lejlekut. Fabulat e Ezopit.
2. Tërësia e ngjarjeve që janë renditur në një vepër letrare njëra pas tjetrës; subjekt. Tha me pak fjalë fabulën e romani.
✱Sin.: tregim, përrallëz, subjekt.
PËRRÁLL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Një nga llojet më të njohura të krijimtarisë gojore popullore, që ka formën e një tregimi, zakonisht me përmbajtje fantastike e me personazhe të trilluara nga bota e njerëzve, e kafshëve dhe e forcave të mbinatyrshme, rrëfenjë popullore; tregim i shkurtër i shkruar në këtë frymë e me mjete të tilla. Përrallat popullore shqiptare. Përrallë e bukur (tërheqëse). Përralla me kafshë. Përrallat e gjyshit (e gjyshes). Në botën e përrallave. U tregonte përralla fëmijëve. Ka shkruar një libër me përralla. Duket (ndodhi) si në përrallë.
2. bised. Fjalë të kota e pa asgjë të vërtetë; diçka e trilluar, gënjeshtër, gjepur. Përralla me mbret gjepura, dokrra; premtime të kota. Përralla dushku gjepura. Na shet përralla. S’u besojmë atyre përrallave. Hodhën poshtë përrallën e pathyeshmërisë së armikut. S’tunden malet me përralla. (fj. u.).
✱Sin.: gjepur, rrëfenjë, përrallëz, gënjeshtër, trillim, xexerica, pallavër, dokërr, dëngël.
♦ U bë përrallë. 1. (diçka). Është përsëritur shumë herë, sa është tepruar; është folur shumë për diçka, por asgjë nuk është bërë. 2. (dikush). E përflasin të gjithë për ato që ka bërë, e marrin nëpër gojë; la nam; u bë përralla e botës. E bën përrallë (diçka) e përsërit diçka shumë herë, sa e tepron e të mërzit ose nuk e beson më njeri. U bë përralla e botës (dikush) i doli nami i keq për diçka, mbahet nëpër gojë nga të gjithë për një punë jo të mirë; u bë përrallë. Përralla me mbret iron. diçka e bukur, por e trilluar; gjepura, dokrra; premtime të kota; diçka e pabesueshme; përrallë mizash iron. Përrallë mizash iron. diçka krejt e pamundshme a e kotë, gjepur; fjalë të kota; përralla me mbret iron. Shet përralla në diell (dikush) iron. 1. Flet shumë e pa kuptim, grin kot; grin lakra. 2. Thotë gjëra të paqena a gënjeshtra, flet për gjëra që s’mund të ndodhin. 3. shih shet mend (dikush). Tregon përralla (dikush) shih shet përralla në diell (dikush) iron.
►PËRRALLËZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR pës., vet. v. III e PËRRALLËZÓJ.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë