Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FITÍL,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Rrip i hollë prej disa fijesh të dredhura pambuku, liri, kërpi etj., që futet nga njëra anë në një enë me vajguri ose me vaj dhe ndizet në anën tjetër për të bërë dritë ose për të dhënë nxehtësi; fije peri që kalon përmes qiririt e që ndizet. Fitili i kandilit (i llambës, i furnelës, i qiririt). Iu dogj fitili. Ngre (ul) fitilin e kandilit.
2. spec. Shirit i posaçëm, që digjet shpejt e përdoret për të ndezur minën, dinamitin etj. I vuri fitilin minave. Ndezën fitilat.
3. tekst. Fill shumë i trashë pambuku i padredhur mirë, i cili kalon nëpër makinën e tjerrjes, ku tërhiqet e tëhollet sipas nevojës; fije pambuku e hollë dhe e fortë që përdoret si majë për të endur qilima, pëlhurë etj. Fitil pambuku. Çorape fitili. Rregulloj makinën e fitilit. Reparti i fitilit.
4. bised. Copë garze si rrip i hollë, që futet në plagë për të ndaluar gjakun ose për të thithur qelbin. I ndërroi fitilat plagës.
5. bised. Pjesë e gjatë dhe e hollë në trajtën e një rripi. Mori një fitil mish.
6. bised. Cigare duhani. A po e ndez një fitil?
7. Pip i vogël që vihet në trupin e pemës që shartohet. Preu disa fitila për shartime.
✱Sin.: fill, fije, tojë, stejë, spicë.
♦ U bë fitil në fytyrë (dikush). 1. U zemërua pa masë, u nxeh e qe gati për t’u zënë me dikë; u bë furrë. 2. U zbeh, u zverdh shumë në fytyrë (nga një tronditje, nga frika etj.). Fut fitila (dikush) shih fut fite (dikush). I ka hyrë fitili (dikujt) thjeshtligj. e ka zënë dashuria, ka rënë në dashuri me dikë; e ka zënë qymyri (dikë) shak.; ra brenda (dikush). Ka marrë fitilin (dikush) ka marrë të ftohtë; është i sëmurë nga tuberkulozi; e ka zënë një sëmundje e rëndë, është prekur nga një sëmundje e rrezikshme. Më nxori fitilat (dikush) shih ma poqi buzën (dikush). S’më puqen fitilat (me dikë) nuk jam i një mendjeje me dikë, kam mendime të ndryshme nga ai; nuk jam si ai, nuk përputhem me të në karakter, në shije etj.; nuk më shkon muhabeti; s’më puqen pipëzat. I vuri fitilin (diçkaje) shih i vuri flakën (diçkaje).
MOSPËRPÚTHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Mungesë përputhjeje ndërmjet dy gjërave etj. që bashkohen ose që vihen një mbi një; kund. përputhje.
2. Gjendja kur nuk pajtohen ose nuk përputhen ndërmjet tyre dy a më shumë dukuri a anë të tyre, mendime, veprime etj., mungesa e përputhjes së diçkaje me një tjetër; kontradiktë. Mospërputhje e plotë e mendimeve (e pikëpamjeve). Ka mospërputhje mendimesh me një pjesë të anëtarëve të grupit. Mospërputhja e karaktereve të tyre ishte e dukshme. U vu re mospërputhja e formës me brendinë. Ka mospërputhje të kërkesave me mundësitë.
3. Rast kur nuk përputhem me dikë a diçka. Ka (vihen re, duken) disa mospërputhje në mendimet (në përgjigjet) e dikujt. Dorëshkrimi ka disa mospërputhje me tekstin origjinal.
✱Sin.: mospajtim, mospërkim, dallim, mosbarazim, dallim, kontradiktë, disonancë.
►PAJT/ÓHEMI jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Vendos përsëri marrëdhënie të mira a miqësore me dikë, me të cilin kam pasur mëri ose isha grindur. U pajtuan pas dy muajsh.
2. vetv. Pranoj mendimet, arsyetimet etj. të dikujt, bashkohem me ato që thotë ose me qëndrimet që mban dikush. U pajtua me mendimet (me arsyetimet) e shokëve.
3. vetv. Pranoj një gjendje a diçka tjetër ashtu siç është dhe nuk bëj përpjekje për ta ndrequr ose për ta ndryshuar, nuk e kundërshtoj. Nuk pajtohen me të metat. Kush nuk e urdhëron dot veten, pajtohet kollaj me të keqen. (fj. u.).
4. vetv., vet. v. III Përputhet me diçka tjetër, përshtatet. Kjo nuk pajtohet me mendimet tona. Nuk u pajtoheshin karakteret.
5. pës. e PAJTÓJ.
✱Sin.: paqësohem, paqohem, miqësohem, riafrohem, vëllazërohem, bashkohem, rregullohem, puqem, përputhem, përshtatem, qetësohem, ndreqem.
►PÍQEMII jovep., PÓQA (u), PJÉKUR bised., vetv. 1. Takohem me dikë; ndeshem me dikë. U poqëm me një mik. Po vete të piqem me një shok. Piqej me njerëz të ndryshëm. U poqën ballë për ballë. U poqën rrugës. Mirë u pjekshim! (u pjekshim me të mira)! (ur.). Mali me malin nuk piqet, njeriu me njeriun piqet. (fj. u.).
2. vet. v. III Takohet një gjë me një tjetër. Vija ku duket se piqet toka me qiellin. Dy gjilpëra majë me majë s’piqen. (fj. u.).
3. Ndërpritet. Dy vija që piqen.
✱Sin.: takohem, përputhem, puqem, përpiqem, ndeshem.
♦ Më piqet (më ujdis) *gjaku (me dikë). Sa piqen, përpiqen sa takohen dy fëmijë a dy shokë, grinden e zihen pa shkak.
►PÚQ/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Afrohem sa të takohem me trup me dikë tjetër dhe rri ngjitur me të. U puqën në stadium.
2. vetv., vet. v. III Puthitet, bashkohet diçka me një tjetër. Dërrasat mezi u puqën. Qepallat i ishin puqur. Duket sikur qielli puqet me tokën.
3. fig., vetv., kryes. v. III Përputhet me një tjetër, pajtohet; shkon mirë me dikë, është i përshtatshëm për të (për njerëzit); merrem vesh, bie në ujdi me dikë. Nuk u puqen karakteret. U puqen mendimet. Kjo nuk puqet me atë që the. Ata puqen me njëri-tjetrin. Nuk qëndroi (iku), sepse s’u puq me të. Nuk u puqën në hesap (në pazar).
4. pës. e PUQ.
✱Sin.: përpuqem, përputhem, puthitem, puthem, afrohem, çikem, përçikem, çekem, cekem, cikem, prekem, ngjitem, bashkohem, ngjishem, shkrihem, takohem, piqem, rrokem, përshtatem, ujdisem, kuptohem, pajtohem, rrokem.
♦ S’më puqen *fitilat (me dikë). I puqën *pipëzat (pipat). I puqën pipat (*pipëzat). (Sikur) *qielli me tokën të puqen!
►PUTHÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. vet. v. III Takohet e puqet një send ose njëra faqe e tij me një tjetër në të gjitha pikat; rri ngjitur pas trupit a pas diçkaje tjetër. U puthitën mirë dërrasat. I puthitet për trup fustani (bluza).
2. fig. Pajtohem me një tjetër në mendime etj.; përputhem. Puthitemi në mendime.
3. vet. v. III Është njëlloj me një tjetër, i përgjigjet plotësisht diçkaje, përputhet. Nuk puthiteshin thëniet e dëshmitarëve,
✱Sin.: puqem, përpuqem, përputhem, puthem, puthoset, puthtohem, qepem, takohem, ngjitem, ngjishem, shtrëngohem, pajtohem, kuptohem, ujdisem, shkrihem, bashkohem.
PËRK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal., vet. v. III Ka gjëra të njëjta a të përbashkëta me diçka tjetër, përputhet, pajtohet. Kufij shtetërorë që nuk përkojnë me kufijtë gjuhësorë. Thëniet e tyre përkojnë. Datat e dokumenteve përkonin. Përkon me të vërtetën. Fjalët të përkojnë me veprat.
2. jokal., vet. v. III Ndodh në të njëjtën kohë me diçka tjetër, bie në po atë kohë, takon. Data e martesës përkonte me ditëlindjen.
3. jokal. Kam tipare, cilësi të njëjta a të afërta me dikë, ngjaj me të; pajtohem me dikë në mendime etj.; shkoj. Përkojmë në mendime. Përkonin mirë njëri me tjetrin.
4. mat., jokal., vet. v. III Është e barabartë me një madhësi tjetër; mbulon plotësisht një tjetër. Madhësi që përkojnë.
5. gjuh., jokal., vet. v. III Përshtatet. Përkon në numër, gjini e rasë me emrin me të cilin lidhet.
6. kal. Pëlqej, pranoj, përshtat. E përkon paranë.
✱Sin.: përputhem, bie, takon, përshtatem, shkon, ujdis, ndodh, puqem, ngjaj, pajtohem, shkoj, pëlqej, pranoj, përshtat.
►PËRLÍGJ/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. E nxjerr veten të pafajshëm dhe pa përgjegjësi për diçka; provoj se kam vepruar me të drejtë a i shtyrë nga shkaqe të pranueshme; arsyetohem, justifikohem. Përligjej me (pa) të drejtë.
2. vetv., vet. v. III Është në përputhje a në pajtim me diçka, del në mënyrë të ligjshme prej saj, i përgjigjet diçkaje. Titulli përligjet plotësisht.
3. pës. e PËRLÍGJ.
✱Sin.: justifikohem, arsyetohem, ligjësohet, ligjërohet, shenjtërohem, motivohem, shfajësohem, pajtohem, përputhem, shpërblehem.
PËRP/JÉK vep., ~ÓQA, ~JÉKUR kal. 1. Godas diçka me një tjetër. Përpoqi kokën te muri (pas murit).
2. Bëj që të ndeshet një gjë me një tjetër; bëj që të përplasen dy sende të forta (zakonisht me zhurmë), përplas. Përpjek duart. Përpoqën gotat e verës (e rakisë). Era përpiqte degët. Mos i përpiq dyert. Përpiqte buzët. Dhisë, kur i hanë brinjët, gjen shoqe t’i përpjekë. (fj. u.).
3. bised., edhe jokal. Takohem me dikë, piqem (zakonisht në rrugë). Përpoqi me shokun. E përpoqi në rrugë. S’ka përpjekur me hundëlesh. (fj. u.).
4. Bashkoj një dërrasë etj. me një tjetër; puthit, puq. Përpjek dërrasat e dyshemesë (dërrasat e vozës së djathit).
5. fig. Bashkoj dikë a diçka me një tjetër, takoj. I përpoqën rrethanat (kushtet historike).
6. fig., jokal. Shkoj, pajtohem, takohem me një tjetër, përputhem me të. S’përpjek me të asgjëkund. Ato dy gjëra s’përpjekin ndërmjet tyre.
✱Sin.: përplas, shkrep, takoj, tok, trokas, përputh, çokas, çokis, çukis, cakërroj, taklloj, godit, godas, pjek, bashkoj, pajtoj, puthit, puq.
♦ I përpjek *fjalët (me dikë). Përpjek (përplas) *këmbët (përdhe) (dikush). S’kam ku të përplas (ku të përpjek) *kokën (kryet). Përpjek (përplas) *kokën (kryet). Përpjek (përplas) kryet (*kokën). Përpjek *pallat (me dikë). Përpjek *ushtat (me dikë).
PËRPÚTHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përputh ose kur përputhem.
2. Gjendja kur përputh ose kur përputhem. Përputhja e fjalëve me veprat.
3. Barazi a ngjashmëri ndërmjet dy gjërave ose dy dukurive, pajtim i plotë; përshtatje. Përputhje e plotë mendimesh. Në përputhje me rregulloren (me udhëzimet, me ligjet). Në përputhje me interesat e Atdheut (e kombit).
✱Sin.: puthitje, puqje, përpuqje, pajtim, ujdisje, ujdi, përshtatje, përkim, harmoni, barazi, ngjashmëri.
►PËRSHTÁT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Mësohem të jetoj e të veproj në kushte të tjera, pajtohem me një gjendje tjetër të re. U përshtatet rrethanave. Iu përshtat kohës. I përshtatet mjedisit. Organizmi u përshtatet kushteve të reja.
2. vetv., vet. v. III Përputhet me dikë a me diçka; i vete mirë diçkaje; pajtohet me të. Metodë që i përshtatet stadit të zhvillimit ekonomik. Nuk i përshtatet nivelit të sotëm të studimeve shkencore.
3. gjuh., vetv., vet. v. III Shkon në numër, gjini e rasë me emrin me të cilin lidhet; shkon në numër e në vetë me fjalën me të cilën lidhet. Përshtatet mbiemri me emrin. Përshtatet kallëzuesi me kryefjalën.
4. pës. e PËRSHTÁT.
✱Sin.: mjedisohem, mësohem, familjarizohem, tumirem, pajtohem, përputhem, kalitem, përgatitem, stërvitem, puqem, përkoj, shkoj, vete, ujdisem, përgjigjem, ambientohem, adaptohem, akordohem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë